Kotzias në Tiranë, i bindur se për marrëdhëniet dypalëshe s’ka kthim prapa

Publikuar tek: analiza-komente, më 08:53 04-06-2016 Kotzias në Tiranë, i bindur se për marrëdhëniet dypalëshe s’ka kthim prapa

Nga Prof. asoc. Panajot Barka

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias vjen të hënën në Tiranë. Eshtë vizita e dytë e tij në Shqipëri në harkun kohor të 11 muajve dhe në përgjigje të shpejtë të vizitës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Greqi Ditmir Bushati, në mars të këtij viti.  Përpos tyre, dy ministrat kanë takime të shpeshta në veprimtari ndërkombëtare. Kjo denduri takimesh lidhet me vlerësimin e rendësisë dhe përspektivës së marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Vetëm kështu mund të interpretohet “nxitimi” i Kotzias për kthimin e vizitës së Bushatit në Athinë. Por nga ana tjetër, në më pak se tre muaj nuk është se u gjeten “mekanizmat për zgjidhjen e problemeve” siç u shprehen të dy ministrat në Athinë. Më shumë përvijohet fakti i qëndrimeve aspak konverguese nga politikat e të dy vendeve përsa u përket faktorëve përcaktuese të përpektivës së marrëdhënieve dypalëshe.

Ministri Kotzias me slloganin e kësaj vizite “Marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë dhe e ardhmja e evropiane e rajonit” e ka përcaktuar shumë qartë konceptin grek të përspektivës së marrëdhënieve greko-shqiptare. Për palën greke ato duhet të zhvillohen në frymën evropiane të ridimesionimit të marrëdhënieve të saj me vendet e rajonit. Ndërsa për homologun e tij shqiptar koncepti i së ardhmës së tyre duket se stacionohet te dialektika me të shkuarën.

Një politikë e tillë nga njera anë neutralizon këmbënguljen e palës greke për një frymë evropiane në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë, pa patur me vete dhe vullnetin e palës shqiptare. Nga ana tjetër i heq Greqisë të drejtën e tolerimit historik në emër të fqinjësisë së mirë, fakt që vërteton si historia 45-vjeçare e rivendosjes së marrëdhënieve greko-shqiptare, ashtu edhe historia më e gjatë e marrëdhënieve midis dy popujve, vendeve dhe shteteve tona. Për palën greke konstantja që i përshkon këto marrëdhënie është këmbëngulja e vazhdueshme në sens pozitiv për marrëdhënie vëllazërie, miqësie e bashkëpunimi.

Por rezultantja e kësaj rruge tregon se çdo herë që midis popujve tanë arrihej afrimi i natyrshëm dhe marrëdhëniet e partneriteti vëllazëror, interesat e të treteve i çonin ato në zgrip. Ndodhte kështu se këto interesa realizoheshin më mirë nëse pengohej afrimi shqiptaro-grek. Po ashtu, është e vërtetë se historikisht, pala që merr inisiativën për të ringritur marrëdhëniet midis dy vendeve në nivele dhe realitete adekuate me zhvillimet historike, është ajo greke dhe parimi, nga i cili udhëhiqet në to është parimi i sotëm evropian. Mënjanimin e momenteve të këqia të së shkuarës, (që në historinë e përbashkët janë të pakta dhe të parendësishme) dhe adresimin e të ardhmës në ato pika që historia dhe përspektiva na bashkon dhe janë të shumta. (Para disa ditesh, Franca dhe Gjermania, nëpërmjet figurave më të larta shtetërore, Merkel e Holland, përkujtuan 100 vjetorin e betejës së Verdenit, ku u vranë 300 mijë ushtarë nga të dy palët. Më këtë rast inaguruan dhe nderuan një varrezë të përbashkët me po aq kryqe, si shenjë forcimi të miqësisë frankogjermane. Turqia ka vite që varrezat e përbashkëta të saj me ato të ushtarëve armiq, i ka kthyer në vend kurioziteti historik për miliona turistë të botës).

Fakt karakteristik përbën momenti historik i rivendosjës së marrëdhënieve midis dy vendeve në majin e largët të 1971. Qeveria e gjeneraleve në Greqi që iniciatorja për këtë hap edhe pse në thelb i papajtueshëm për një juntë ushtarake. (Kishte ndodhur edhe me Diktatorin Pangallos në vitet 1926-30) I parapriu këtij veprimi deklarata e Greqisë në OKB, sipas të cilës Greqia parashkruante realitetin e marrëdhënieve midis dy vendeve të krijuar në konferencën e Paqës me 1946. Në emër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë Greqia anashkalonte edhe realitetin e zymtë të minoritetit të saj në Shqipëri. Propaganda e shtetit të atëhershëm shqiptar, e konsideroi këtë hap të Greqisë si dobësi saj dhe si vërtetim të tezave të Tiranës.

Me 1985, Karollos Papulias, i cili do të evidentohet në vijim si arkitekt i marrëdhënive të mira midis dy vendeve, mori iniciativën për hapjen e portës së ndryshkur prej 40 vjetesh të Kakavisë. 12 vjet më vonë, 1996, kur marrëdhëniet greko-shqiptare ishin futur në zgripin e rendë të radhës, Papulias dhe Stefanopullos bën hapin e radhës duke i kulmuar juridikisht marrëdhëniet midis dy vendeve me nënshkrimin në Tiranë të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit.

Nga pala shqiptare mbetet karakteristikë fakti që në kujtesën e saj aktive në lidhje me historinë e marrëdhënieve të saj me Greqinë, mbeten momentet e pakta negative, negativitetin e të cilave e zhvlerëson vet historia. Edhe pse të shtrira në kohën e gjatë historike, ato mblidhen për efekt të çdo momenti të së tashmës aktuale politike dhe përdorën si për të ekplipsuar momentet dhe zhvillimet e shumta që na bashkojnë, ashtu edhe për të penguar marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë dhe në frymë evropiane të së ardhmës. Aq më keq kur për t’i aktualizuar këto momente të parendësishme negative dhe për t’i kthyer në shërbim të politikës aktive shtetërore, nuk u referohet qëndrimeve zyrtare të shtetit grek, por faktorëve të dorës së dytë dhe të tretë jashtë politikës zyrtare greke. Injektohen me mjete të ndryshme në opinionin publik dhe pastaj politika zyrtare u referohet si vullnet politik popullor. Nga ana tjetër, çdo përpjekje që bën Greqia dhe çdo inisiativë që merr Athina si vijim të qëndrimeve të veta konstante për politikën të fqinjësisë së mirë, konsiderohen si dobësi të shtetit grek, ose si vërtetim të pretendimeve të mësipërme të palës shqiptare. 

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit të stërgjatur shqiptar dhe pavarësisht uljengritjeve të marrëdhënieve dypalëshe, Greqia ruajti një konstante në ngritje pozitive në qëndrimet e saj ndaj Shqipërisë. Është partneri parësor i Shqipërisë në kontribute ekonomike, investuese, tregtare, shoqërore e kulturore. Por, parësor mbetet sidomos kontributi i Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në struktura dhe në organizma euroatllandike, (OSBE, KiE, NATO, inicim dhe institucionalizim të procesit për anatërësimin në BE etj), në një kohë që nga ana e vet Shqipëria ka pothuaj një bilanc nul në kontributet e saj në marrëdhëniet me Greqinë.

Reflektimin historik e bën më evident në vizitën e pritshme të zotit Kotzias fakti se gjendemi para momentit kohor që argumenti juridik i marrëdhënieve “shumë të mira”, Traktati i Miqësisë, duhet juridikisht dhe praktikisht rinovuar. Ministri i Jashtëm Grek, pavarësisht se nuk e deklaron këtë qëllim e nënkupton atë në formulimin e ri të marrëdhënieve dypaleshe, -si realitet për evropianizimin e rajonit, projektuar kjo në një paketë komplekse për zgjidhjen fillimisht të problemeve midis dy vendeve. Por në misionin e tij duket se Kotzias do të has edhe në vështirësi të tjera.Vitet e fundit pala shqiptare ka bilancin më negativ në respektimin e marrëveshjeve midis dy vendeve. (Ajo e kufirit detar, e varrëzave të ushtarëve grekë renë në luftën kundër pushtuesve fashistë, funksionimi i komisionit të përbashkët për përmbajtjen e teksteve shkollore etj). Një fakt i tillë nuk mund të tolerohet nga opinioni publik e politik grek. Fryma nacionaliste kundër Greqisë në vend po bëhet pjesë e politikës zyrtare.

Nga ana tjetër ndërsa pala greke vjen me shqetësimin që këtë rrugë të ngushtuar të marrëdhënieve dypalëshe ta kthejë në një hapësirë bashkëpunimi me frymë Evropiane, të mishëruar në vazhdimësinë e Traktatit të Miqësisë, duket se pala shqiptare është e interesuar t’u jap këtyre marrëdhënieve një gravitet të kundërt. Moment ristartimi i këtyre marrëdhënieve për vet ministrin Bushati është abrogimi i ligjit inegzistent të luftës të 1940. Për këtë flet fakti që vetëm disa ditë para vizitës së homologut të tij grek, Ditmir Bushati shprehej në një televizion të madhe të vendit me gjuhën e një analisti të kohës së monizmit, se  “Nëse flasin për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, ka lidhje me rishikimin e teksteve të historisë, ka lidhje me çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë dhe shtetit shqiptar në Greqi. Ka lidhje gjithashtu me nderimin për të rënët grekë në territorin shqiptar, sepse duhet që të përfundojë lufta, në mënyrë që të fillojnë të gjitha proceset e tjera. Shfuqizimi ka vlera të drejtpërdrejta politike dhe ligjore, apo adresimi i çështjes çame, ...”, deklaroi ministri Bushati.

Dhe kjo kur dihet se, po t’i referohemi logjikës së pretendimit të mësipërm, shteti që i shpalli i pari luftë Greqisë nuk e ka abroguar juridikisht këtë ligj, por fshihet pas argumentit aspak juridik, që votuesit e tij nuk ishin përfaqësues legjitim të popullit shqiptar !.  Mëgjithatë, Kotzias vjen në Tiranë i bindur se nuk ka hapësirë për kthim prapa dhe se ky qëndrim është në të mirën e të dy vendeve, por në radhë të parë në të mirën e Shqipërisë./ Newsbomb.al

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030395984649658
array(1) { ["section"]=> string(79) "kotzias-ne-tirane-i-bindur-se-per-marredheniet-dypaleshe-s-ka-kthim-prapa-42404" }