Krijohet Agjencia e Shërbimeve të Sportit, merr në administrim terrenet sportive, asistencë për federatat dhe ekipet

Publikuar tek: sport, më 19:35 24-02-2016 Krijohet Agjencia e Shërbimeve të Sportit, merr në administrim terrenet sportive, asistencë për federatat dhe ekipet

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka vendosur të krijojë Agjencinë e Shërbimeve të Sportit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që udhëhiqet nga Lindita Nikolla.

Agjencia e Shërbimeve të Sportit do të ketë në kompetencë disa funskione të rëndësishme si shërbimet ndaj federateve dhe ekipeve kombetare, administrimin dhe menaxhimin e ambientenve e të terrenve sportive apo dhënien me qira të zyrave dhe mjediseve sportive.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se kjo agjenci do të administrojë dhe menaxhojë gjithashtu edhe bazën materiale sportive, në dispozicion të ekipeve kombëtare, akomodimin, kontrollin dhe trajtimin mjekësor për çdo kategori moshash të ekipeve kombëtare, si dhe ofrimin e mjediseve e të infrastrukturës tjetër të nevojshme për periudhën e grumbullimit të ekipeve kombëtare, sipas kalendarit të përcaktuar me parë.

Vendimi i plotë i qeverisë:

Vendim për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Shërbimeve të Sportit (ASHS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6, 18 e 30, pika 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

 1. Agjencia e Shërbimeve të Sportit është person juridik publik, buxhetor, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

 2. Agjencia e Shërbimeve të Sportit ofron shërbime për federatat shqiptare të sportit, shoqatat dhe klubet sportive që kërkojnë mbështetjen e saj, sipas kapacitetit infrastrukturor dhe financiar. Realizimi i këtyre shërbimeve bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi dhe në bazë të marrëveshjeve paraprake ndërmjet palëve.

 3. Agjencia e Shërbimeve të Sportit asiston dhe mbështet me personel të specializuar dhe infrastukturë federatat sportive në Republikën e Shqipërisë për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare.

 4. Agjencia e Shërbimeve të Sportit ofron shërbimet e mëposhtme për ekipet kombëtare dhe federatat sportive.

 a) Akomodimin, kontrollin dhe trajtimin mjekësor për çdo kategori moshash të ekipeve kombëtare;

b) Administrimin dhe menaxhimin e ambienteve e të terreneve sportive, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fuqi;

c) Administrimin dhe menaxhimin e bazës materiale sportive, në dispozicion të ekipeve kombëtare;

ç)  Ofrimin e mjediseve e të infrastrukturës tjetër të nevojshme për periudhën e grumbullimit të ekipeve kombëtare, sipas kalendarit të përcaktuar me parë;

d) Dhënien me qira të aseteve (zyra dhe mjedise sportive), sipas kuadrit ligjor në fuqi.

 5. Agjencia e Shërbimeve të Sportit drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përfaqëson agjencinë, si dhe organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj. Drejtori i Përgjithshëm asistohet nga një zëvendësdrejtor.

 6. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shërbimeve të Sportit emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri i Arsimit dhe Sportit.

 7. Rregullat dhe procedurat e funksionimit të brendshëm të Agjencisë së Shërbimeve të Sportit përcaktohen me rregullore të ministrit të Arsimit dhe Sportit.

 8. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Agjencisë së Shërbimeve të Sportit, rregullohen në bazë të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.

9. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « De Biasi: Askush nuk largohet nga Shqipëria edhe pas njohjes së Kosovës
Mbrojtësi i njohur i Interit dëgjon në makinë “Kuq e Zi”, shihni kush ia sugjeroi (Video) »
Article Logic
Execution time: 0.021154880523682
array(1) { ["section"]=> string(120) "krijohet-agjencia-e-sherbimeve-te-sportit-merr-ne-administrim-terrenet-sportive-asistence-per-federatat-dhe-ekipet-33451" }