Kriteret e reja për mjekët dhe infermierët, qeveria ndryshon skemën

Publikuar tek: politike, më 07:36 23-09-2015 Kriteret e reja për mjekët dhe infermierët, qeveria ndryshon skemën

Ndryshojnë kriteret për certifikimin e bluzave të bardha. Me anë të një vendimi të miratuar dje qeveria ka ndryshuar rrënjësisht skemën e kreditimit të profesionistëve të shëndetësisë që punojnë jo vetëm në sektorin publik, por edhe atë privat.

Për herë të parë në ciklin e dytë të programit për edukimin në vazhdim do të përfshihen edhe infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët. Për tri kategoritë e fundit, cikli do të nisë në janar të 2016 dhe do të përfundojë pas 4 vitesh, përkatësisht në 2020. Ndërsa për mjekët, farmacistët dhe dentistët që janë aktualisht në program, cikli ka nisur në fillim të këtij viti, transmeton “Panorama”.

Ndryshe nga i pari, cikli i dytë do të ketë një kohëzgjatje 4-vjeçare dhe jo 5 sikundër ishte. Gazeta zbardh sot kriteret dhe procedurat për kategoritë e profesionistëve që do të përfshihen në trajtimet për mbledhjen e krediteve, si kategoritë që përjashtohen nga procesi.

Profesionistët që punojnë në administratë, ata që dalin në pension brenda periudhës 4- vjeçare të programit, ata që ndërpresin punën për më shumë se 4 muaj, si edhe profesionistët që janë aktualisht në pension nuk do të kenë detyrimin për t’u përfshirë në programin e certifikimit. Ndërkohë profesionistët e shëndetësisë që punojnë me kohë të pjesshme duhet të angazhohen njësoj si ata me kohë të plotë për plotësimin e numrit të krediteve.

Kreditet

 Rreth 10 736 mjekë, dentistë dhe farmacistë u bënë pjesë e ciklit të parë të programit për edukimin në vazhdim. Një pjesë e konsiderueshme prej tyre u vlerësuan me zero kredite në përfundim të këtij cikli. Këta profesionistë në tetor do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit, në të kundërt duhet të lënë vendin e punës.

Për ciklin e ri, qeveria ka ndryshuar edhe nivelin apo pragun e krediteve që duhet të përfitohen. Kështu, brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, nga 150 që ishte më parë. Stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite nga 100 që ishte, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Risi është edhe mënyra se si duhet të bëhet mbledhja e krediteve.

“Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti. Kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara”, përcaktohet në vendim.

Sakaq, numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për mjekët është 10 kredite, për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite. Në fund të ciklit 4- vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « LSI kundër ligjit të qeverisë. Komisioni rrëzon nenin “pa kupon tatimor, nuk paguan”
Dekriminalizimi, Vasili: Realizim me shpejtësi dhe konsensualitet, mosdakortësitë në Komisionin e Venecias »
Article Logic
Execution time: 0.031458854675293
array(1) { ["section"]=> string(72) "kriteret-e-reja-per-mjeket-dhe-infermieret-qeveria-ndryshon-skemen-21447" }