Kritikë ndaj shefit të partisë? Në Shqipëri? As mos e mendo!

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:16 20-09-2016 Kritikë ndaj shefit të partisë? Në Shqipëri? As mos e mendo!

Nga Afrim Krasniqi

Kritikë ndaj shefit të partisë? Në Shqipëri? As mos e mendo! Si dikur, edhe pas 26 vitesh udhëheqësi perceptohet nga militantët e stafi besnik si i pagabueshëm, ai nuk kritikohet, ai mbrohet, ai lartësohet, ai bëhet kult, ai identifikohet me partinë! Në PS të gjithë e dinin se një deputet ishte miku personal i udhëheqësit; ai u tolerua kur në krah të udhëheqësit bëri çfarë deshi në zonën që mbulonte, por ditën kur ai kaloi “vijën e kuqe”, bëri ndonjë kritikë ndaj shefit të tij, nuk ka më tolerancë. Përkundrazi. Brenda një kohe të shkurtër me urdhër nga lart i humbi të gjitha, - mandatin, mbështetjen, postin dhe madje edhe të drejtën të marrë pjesë në mbledhjen ku është një nga drejtuesit! Në PD ka deputetë të korruptuar, ka deputetë pa arsim, ka deputetë skandalesh, por nuk janë ata problem. Problemi janë të tjerë! Dy deputetë me formim akademik kaluan “vijën e kuqe” dhe kritikuan udhëheqësin! Kaq mjaftoi dhe ndaj tyre kanë vërshuar sulmet verbale e profesionale, janë gati ti përjashtojnë, ti denigrojnë dhe ti trajtojnë si e keqja e vendit!

Ushtria e militantëve (ata që udhëheqësin e shohin si udhëheqës kulti para të cilit ka vetëm bindje pa kushte dhe ndjekje deri në fund) dhe ushtria e servilëve (ata që duan një mandat parlamentar ose post në parti) kanë krijuar kështu një rrjet konsensual denigrues ndaj ideve politike, karrierës politike, lirive politike dhe shanseve që Shqipëria të ketë elita politike. Ata kërkojnë alibi nga më qesharaket, - si “nuk shikon gabimet tek pala tjetër”, “është shitur”, “është mosmirënjohës”, “nuk ka folur më parë”, e përralla të tjera të mentalitetit të fletërrufeve të revolucionit kinez! Ata që e bëjnë këtë, në fakt janë e mbeten kontingjent i gatshëm, të bëhen kamikazë e vrasës mediatik e politik me/pa pagesë, mjafton që shefat, udhëheqësit, kapot e tyre të ndjehen mirë, të qetë, të pa cenuar dhe mirënjohës ndaj shërbimeve! Ata mendojnë gabimisht se me këtë sjellje janë duke bërë politikë. Në fakt, ata janë duke minuar konceptin e politikës, duke e mbajtur peng atë, duke bunkerizuar shoqërinë dhe publikun, duke minuar shpresat se Shqipëria do bëhet demokratike dhe duke pamundësuar ndryshimin!

Për ilustrim, le të shohim sesi ndodh në një vend ku udhëheqësi nuk është Perëndi dhe as nuk pranohet si i tillë, - në Gjermani, në CDU dhe me kancelaren Merkel. Në Presidiumin e CDU dje numri dy i CDU, nënkryetarja Kloeckner, e konsideruar një pasuese e mundshme e shefes së vet, - lëshoi kritika ndaj kursit politik të kryetares, pra shefes së vet, kancelares Merkel. Kritikat i bëri publike edhe në media, live, pa censurë dhe pa nevojën e lejes partiake. Në dallim nga modelet tona otomano-komuniste në mentalitet dhe perëndimore në veshje, - në CDU askush nuk kritikoi sjelljen e saj, as militantët, as media e paguar, as kryetarja, as deputetët që janë ose duan të (ri)zgjidhen. Përkundrazi, kritika u vlerësua dhe të gjitha pranuan se duhet një debat i thellë politik brenda partisë! Sepse CDU, ndryshe nga bizneset tona partiake, merret me idetë! Imagjinoni, ajo stimulon debat aktiv politik mbi rolin e kryetares, e cila ka fituar 3 zgjidhje parlamentare, është ende në krye të preferencave partiake në vendin e saj dhe njëherësh është gruaja më e pushtetshme në botë sipas Forbes...!

Në parti të modeleve demokratike (të majta e të djathta) ka rregulla, parime, vlera dhe elita, ka qytetari, sens përgjegjësi, ndjenjë kolektiviteti dhe konkurrencë me ide e vota, - pra gjithçka që u mungon partive tona të udhëheqësve të pakritikueshëm! Kur do të vijë dita që edhe tek ne, një kryetar partie të pranojë publikisht një kritikë, të respektojë një konkurrent brenda familjes politike, të pranojë analizë në struktura, të respektojë programin dhe statusin e forcës që drejton dhe kështu, të zbresë nga piramida e kultit dhe të shndërrohet ashtu siç duhet të jetë, - një qytetar normal, një politikan normal, një parti normale në një vend normal?? Me siguri do të jetë ditë e largët, por gjithashtu me siguri ajo ditë, do të shënojë, ditën e parë të demokracisë funksionale, - të cilën premtuam 26 vjet më parë, të cilën nuk e kemi arritur dhe për të cilën nuk kemi përse presim në pushtetin e turmave militante edhe 26 vite të tjera!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025385141372681
array(1) { ["section"]=> string(63) "kritike-ndaj-shefit-te-partise-ne-shqiperi-as-mos-e-mendo-53516" }