Kryebashkiaku i Korçës i shkruan presidentit të UEFA për Skënderbeun: Mos e mbyllni këtë dritare

Publikuar tek: sport, më 17:38 21-02-2018 Kryebashkiaku i Korçës i shkruan presidentit të UEFA për Skënderbeun: Mos e mbyllni këtë dritare

Thirrjes së qindra tifozëve të Skënderbeut drejtuar UEFA-s për të mos dënuar ekipin e tyre të zemrës i është bashkuar edhe Sotiraq Filo, kryebashkiaku i qytetit juglindor.

Përmes një letre drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, Filo i kërkon atij të mos marrë vendimin drastik për dënimin e Skënderbeut me 10 vjet përjashtim nga futbolli europian, duke e quajtur këtë një goditje e mbyllje të një dritareje që klubi i Skënderbeut ka hapur për futbollin shqiptar në Europë.

Letra e plotë:

Qyteti i Korçës jeton me futbollin. Jemi Skënderbeu dhe kjo skuadër nuk është thjesht një emblemë, është një histori e tërë lavdie dhe krenarie. Duke marë shkas nga situata e fundit e krijuar për Skënderbeun, i jam drejtuar me një letër presidentit të UEFA-s, Aleksandër Čeferin.

I nderuar president i UEFA, Mr. Čeferin,

Duke marë shkas nga situata e fundit e krijuar për Skënderbeun, ekipin e qytetit që kam fatin të jem kryebashkiak, po ju drejtohem me këtë letër.

Në respekt të punës suaj dhe parimeve për sport të pastër dhe cilësor, por dhe në vlerësim të fakteve dhe historisë të një qyteti si Korça dhe të një ekipi si Skënderbeu, do të ndihesha i respektuar nëse do të konsideronit atë çfarë parashtroj në këtë letër, në mbështetje të ekipit të qytetit tim të dashur.

Korça, nuk është vetëm lokaliteti që kam fatin të drejtoj, por një vlerë e çmuar për Shqipërinë.

Një qytet i bukur dhe plot jetë, në juglindje të vendit tim, me vlera të spikatura në kulturë dhe histori.

Korça, qyteti universitar dhe i së parës shkollë shqipe, ndër vite ka nxjerrë shumë njerëz të ditur, të edukuar, të shquar dhe atdhetarë, që sot janë pjesë e historisë së kombit shqiptar.

Shumë korçarë, emigruan herët në Amerikë, por edhe shumë atdhetarë e intelektualë më herët, në Ballkan dhe perëndim, duke e bërë Korçën, dritaren e parë të hapjes së Shqipërisë drejt qytetërimit dhe modelin e parë të zhvillimit europian të Shqipërisë..

Skenderbeu i Korçës, është gjithashtu ekipi që i hapi rrugën europiane futbollit shqiptar.

Ekipi, gjashtë herë kampion i Shqipërisë, vendit me histori të re futbolli, nuk është thjesht një vlerë lokale e Korçës, por emblemë kombëtare e ringjalljes së shpresës dhe besimit të njerëve të një vendi të vogël, në një rrugë të re zhvillimi.

Edhe prej ekipit të Skënderbeut, sot shqiptarët besojnë më shumë, se mund t’ia dalin për tu bërë pjesë e Europës dhe vlerave të saj.

Duke marë shkas nga sukseset e skuadrës sonë, si edhe nga mbështetja masive që ekipi ka patur nga çdo banor i qytetit, bashkia që unë drejtoj, ka orjentuar një program të tërë zhvillimi me sportin në qendër, veçanërisht futbollin.

Futbolli për Korçën tashmë nuk është vetëm Skënderbeu, por një strategji e plotë zhvillimi frymëzuar nga Skënderbeu dhe arritjet e tij.

Investimi për Zonën Sportive pranë stadiumit Skenderbeu, një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ballkan, terrene e fusha sportive pranë çdo shkolle e njësie banimi, po e transformojnë Korçën në një qytet sportiv.

Ka çdo ditë e më shumë, një interes të madh, nga të rritur e fëmijë, për tu marë me sport dhe për të qënë pjesë e ekipeve dhe organizimeve të tjera tashmë të konsoliduara në Korçë.

Dhe merita për këtë frymë të ringjallur, të dashurisë për sportin dhe të jetuarin shëndetshëm nëpërmjët sportit, i takon padyshim sukseseve dhe krenarisë që na zgjoi të gjithëve ekipi i Skënderbeut me arritjet e tij.

Sporti duhet të jetë i pastër dhe unë besoj fort tek vlerat dhe drejtësia e UEFA.

Besoj gjithashtu, se në procesin e vlerësimit të drejtë dhe frymës mbështetëse për sportin dhe modelet frymëzuese, do të vlejë dhe ajo çka Skënderbeu përfaqëson për Korçën dhe Shqipërinë: një dritare të sapoçelur!

Lutem mos e mbyllni dhe mos vrisni shpresën dhe besimin e ringjallur të një kombi të tërë për futbollin!

Me respekt

Kryetar i Bashkisë Korçë

Sotiraq Filo

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « 5000 EURO PREMIO/ Tom Doshi President i Vllaznisë? Flet deputeti për newsbomb.al
»
Article Logic
Execution time: 0.024584054946899
array(1) { ["section"]=> string(102) "kryebashkiaku-i-korces-i-shkruan-presidentit-te-uefa-per-skenderbeun-mos-e-mbyllni-kete-dritare-111012" }