Kryeministri i Landit gjerman takim në MZHETTS, në fokus ekonomia dhe turizmi

Publikuar tek: ekonomi, më 15:10 03-03-2017 Kryeministri i Landit gjerman takim në MZHETTS, në fokus ekonomia dhe turizmi

 

Kryeministri i Landit të Hessenit, Volker Bouffier, së bashku me një grup deputetësh të këtij Landi, u pritën sot në një takim në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte informimi mbi strategjinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, sektorët e ekonomisë shqiptare që paraqesin interes për investitorët e huaj, dhe në veçanti informimi mbi sektorin e turizmit në Shqipëri, zhvillimet më të fundit të tij dhe sfidat për të ardhmen.

Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Adela Karapici, e cila kryesonte delegacionin e MZHETTS,  e njohu Kryeministrin Bouffier me zhvillimet kryesore ekonomike të vendit, veçanërisht me ato në sektorin e turizmit, duke theksuar se turizmi paraqet mundësi të shumta investimi për investitorët e huaj. Zv.Ministrja theksoi se objektivi i qeverisë është mbështetja e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Ajo përmendi disa nga masat e ndërmarra nga qeveria në përmbushje të këtij objektivi, si miratimi i ligjit për investimet strategjike, i cili ofron garanci shtesë për investitorët e huaj, edhe ata në fushën e turizmit, si dhe afate dhe procedura të lehtësuara. Gjithashtu, miratimi i ligjit për turizmin dhe plotësimi i tij me aktet nënligjore, duke vënë theksin në certifikimin e udhërrëfyesve të parë turistikë të Shqipërisë dhe në certifikimin e strukturave akomoduese, proces që do të nisë së shpejti. Numri i turistëve të huaj në Shqipëri rritet çdo vit, tha Zv.Ministrja, ndërsa theksoi faktin se po punohet për rritjen e cilësisë së shërbimit. Në lidhje me arsimin profesional, Zv.Ministrja informoi se qeveria është duke punuar në drejtim të rritjes së nivelit të edukimit profesional, sidomos në sektorin e turizmit.

Kryeministri i Landit të Hessenit,  Volker Bouffier përgëzoi mbi atë çfarë është arritur deri tani në drejtim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vlerësoi se mbetet ende shumë punë për të bërë. Ai theksoi interesin e përbashkët që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi të arsimohen dhe kualifikohen profesionalisht, në mënyrë që të kenë mundësi punësimi në Shqipëri.

Gjatë takimit, delegacioni i Landit të Hessenit kërkoi të informohej mbi mundësitë që Shqipëria ofron për investime në zhvillimin e zonave bregdetare, për origjinën e investimeve të huaja në vendin tonë, për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, etj.

Kryeministri Bouffier theksoi rëndësinë e sigurisë ligjore për investitorët e huaj dhe, në këtë drejtim, tha se procesi i Vetingu-t është shumë i rëndësishëm. “Investimet duan siguri”, tha ai.

Nga ana e palës shqiptare u informua se ligji për investimet strategjike ofron garanci shtesë për investitorët e huaj pasi, në raste të caktuara, sipas vlerës së investimit, kontrata merr miratimin edhe të Parlamentit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri i Landit të Hessenit theksoi edhe një herë se interesi gjerman për Shqipërinë ekziston dhe aktualisht është duke u investuar për të rinjtë e Shqipërisë, në mënyrë që ata të jenë sa më të kualifikuar dhe të përgatitur për tregun e punës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027878046035767
array(1) { ["section"]=> string(82) "kryeministri-i-landit-gjerman-takim-ne-mzhetts-ne-fokus-ekonomia-dhe-turizmi-70642" }