Ku jemi me edukimin përmes trashëgimisë?

Publikuar tek: kulture-art, më 12:29 03-08-2015 Ku jemi me edukimin përmes trashëgimisë?

Në fakt, edukimi përmes trashëgimisë është vetëm njëri prej elementeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Ato përfshijnë edhe:

-jetëzimin e trashëgimisë, me fjalë të tjera, mbajtjen gjallë të saj;
transmetimin, ku përfshihet edhe edukimi përmes trashëgimisë;
inventarizimin, i cili përfshin ndërtimin e disa llojeve inventarësh dhe katalogësh të TKSH-së,
-si dhe studimin shkencor dhe popullarizimin e vlerave të TKSH-së.
Sigurisht që transmetimi i TKSH-së është në thelb një nga angazhimet më serioze që mund dhe duhet të ndërmarrë shteti, shoqëria dhe aktorët e interesit.

Shqipëria sot është më e ekspozuar se kurrë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare, edhe për shkakun se familjet e mëdha shqiptare dhe zonat konservative të kësaj trashëgimie, janë dukshëm të ekspozuara ndaj ndikimeve të globalizimit, të emigrimit dhe migrimit të popullsisë krahas shkaqeve të tjera. Krahas iniciativave për hartimin e një ligji të ri kushtuar gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore shpirtërore, është koha që për çështjen e edukimit përmes trashëgimisë në vend, të implementohen standardet e dokumenteve të ngjashme, siç është rasti i “Road map for arts education”, dokument i UNESCO-s i aprovuar në konferencën kushtuar edukimit përmes artit, mbajtur në Lisbonë në mars të vitit 2006.

Ende nuk kemi të aprovuar një dokument politikash dhe një skemë të integruar të zbatimit të saj, pavarësisht faktit se elemente të edukimit përmes trashëgimisë i konstatojmë të ndërfutura në kurrikulat shkollore në shkollat 9-vjecare dhe në gjimnaz dhe i dëgjojmë të artikulohen si prioritete. Çmoj se është detyrim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Akademisë së Shkencave që të prodhojnë një “Policy Paper” në këtë fushë i cili të përcaktojë modalitetet, hapat dhe detyrimet që duhen përmbushur për të kryer një proces esencial të edukimit përmes trashëgimisë. Shqipërisë i nevojitet krijimi i një standardi të “edukimit cilësor” përmes trashëgimisë shpirtërore, i cili duhet të mbështetet në principet e gjithëpranuara: edukim, i cili është i pranueshëm për subjektin, por që gjithashtu promovon vlera universale; edukim, i cili është i mundur të ndodhë në pikëpamje të aksesit publik ndaj tij dhe të mirave që sjell, duke garantuar gjithëpërfshirjen e subjekteve dhe jo përjashtimin e tyre; dhe së treti, një edukim, i cili reflekton dhe ndihmon përmbushjen e të gjitha te drejtave individuale (shih Dakar Framework for Action, 2000). Përmasat e edukimit përmes trashëgimisë duhet të përfshijnë edhe tri elemente shumë të rëndësishme në planin pedagogjik, të cilat lidhen me: studimin e dukurisë së trashëgimisë shpirtërore; kontaktin e drejtpërdrejtë të subjektit me bartësit dhe artistët popullorë; përfshirjen e tij në procesin e gjallë të transmetimit të TKSH-së.

Para së gjithash, edukimin përmes trashëgimisë kulturore nuk duhet ta trajtojmë si një binom të thjeshtë mes të rinjve dhe trashëgimisë, i cili për hir të së vërtetës nuk “lexohet” dot me “çelësat” që kanë sot për sot në përdorim institucionet shqiptare të kulturës dhe arsimit. Nuk duhet harruar se edukimi përmes artit dhe trashëgimisë ngërthen disa komponentë shumë të rëndësishëm që lidhen me zhvillimin e gjithë qenies njerëzore. Duke iu referuar dispozitave ligjore të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, posaçërisht nenit 22, 26 dhe 27, përmendim se në to theksohet rëndësia e trashëgimisë si një e drejtë kulturore bazë, gjë e cila përforcohet edhe në “Konventën kuadër të të drejtave të fëmijëve”, neni 29 dhe 31, ku theksohet fakti se shtetet duhet të promovojnë të drejtën e fëmijëve për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike si dhe të drejtën për të pasur mundësi të barabarta rikrijuese në të gjitha llojet e formave kulturore dhe artistike pasi përmes edukimit, fëmijët dhe të rinjtë do të ndërgjegjësohen për larminë e formave kulturore dhe përmes tyre do të mund të njohin tjetrin dhe kulturën e tij, për t’i shërbyer një të ardhmeje në paqe dhe zhvillim.

Në vijim, edukimi përmes trashëgimisë shpirtërore duhet të përmbushë gjithashtu parimet që lidhen me njohjen e shprehjeve të larmisë kulturore, por edhe si rrugë aktive e komunikimit ndërkulturor mes njerëzve. Nuk është e tepërt të themi se si në shumë vende, trashëgimia kulturore dhe aspekte të saj materiale ose shpirtërore kanë shkuar drejt humbjes, sepse vlerat e tyre nuk u përfshinë në kurrikulat e edukimit shkollor. Kjo është një kërkesë imperative që duhet të vazhdojë të kryhet në vijim; p.sh: nxitja e larmisë gjuhësore ndërkohë që respekton gjuhën tënde në të gjitha nivelet e edukimit, është një aspekt që duhet të marrë zgjidhjen e duhur.

Kërkojnë zgjidhje të shpejtë edhe:
-hartimi dhe mirëpërcaktimi i parimeve të strategjisë dhe të politikave shtetërore në fushën e trashëgimisë shpirtërore;
-ripërkufizimi i kuptimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe i vlerave përbërëse të saj;
-identifikimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore përmes një shenjimi të veçantë të tipit të emblemës etj;
-rikonceptimi i skemës kombëtare të institucioneve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore shpirtërore në nivel qendror dhe vendor dhe reformimi tërësor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Foklorike në një Institucion të Trashëgimisë Jomateriale-Shpirtërore’
-krijimi i një Komiteti Shtetëror për Gjuhën Shqipe si vektor i trashëgimisë shpirtërore;
-krijimi i muzeve të trashëgimisë kulturore shpirtërore;
-krijimi i një fondi publik për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore si zë më vete në buxhetin e shtetit për MK;
-përditësimi i “Listës kombëtare të dukurive shpirtërore”; krijimi i “Listës së dukurive shpirtërore në rrezik”; dhe plotësimi i “Listës së dukurive shpirtërore-UNESCO”, me elemente të reja nga trashëgimia kulturore shpirtërore e Shqipërisë;
-krijimi i më shumë se një inventari të katalogimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore;
-mbështetje për projekte kombëtare dhe vendore të ruajtjes së trashëgimisë, të tilla si: veprimtari të gjallimit, transmetimit, edukimit, të studimeve dhe kërkimeve mbi të;
-shpërblimi i vlerave artistike të bartësve dhe prodhuesve të trashëgimisë kulturore shpirtërore;
-vendosja e standardeve për shumëfishimin dhe riprodhimin e certifikuar të dukurive të TKSH-së etj.

Nga Vasil Tole

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Debati, Rexhep Qosja: Ismail Kadare po i fton shqiptarët të ndërrojnë fenë
10 libra që duhet t’i lexojë çdo fëmijë para se të mbarojë gjimnazin »
Article Logic
Execution time: 0.0044729709625244
array(1) { ["section"]=> string(45) "ku-jemi-me-edukimin-permes-trashegimise-17611" }