Kupa e Botës: Cilët janë faktorët që e bëjnë një shtet të suksesshëm në futboll?

Publikuar tek: sport, më 13:40 24-06-2018 Kupa e Botës: Cilët janë faktorët që e bëjnë një shtet të suksesshëm në futboll?

Pasuria, madhësia dhe interesimi për futbollin shpjegojnë pothuajse gjysmën e performancës ndërkombëtare të shteteve. Pjesa tjetër mund të mësohet, shkruan The Economist.

Gjatë një pasdite të shtune, ku dielli ndriçon fort, jo shumë larg nga stadiumi kombëtar i futbollit të Uruguait, 14 shtatëvjeçarë vrapojnë mbi një fushë me terren të vështirë. Ndër tifozët e tyre më të zjarrtë janë padyshim prindërit e tyre, të cilët janë njëkohësisht trajnerët e tyre dhe ata që kujdesen për mirëmbajtjen dhe ushqyerjen e tyre. Kjo ndeshje është ndër qindra që luhen çdo fundjavë si pjesë e Futbollit të Fëmijëve, një skemë kombëtare për fëmijët e grupmoshës nga 4 deri në 13 vjeç. Midis tifozerisë së prindërve janë edhe Luis Suárez dhe Edinson Cavani, dy prej sulmuesve më të mirë në botë.

Suárez dhe Cavani janë dy prej sulmuesve më të mirë të Uruguait në Kupën e Botës Rusi 2018, e cila nisi më 14 qershor. Sipas analistëve të këtij Botërori, “La Celeste” renditen të nëntit si favoritë për të fituar Kupën e Botës, e cila do të ishte e treta për skuadrën e Uruguait.
Vetëm Brazili, Gjermania dhe Italia kanë fituar më shumë tituj botërorë, edhe pse popullsia e Uruguait (3.4 milionë banorë) është më e vogël se ajo e Berlinit.

Edhe pse nuk është më gjiganti i fillimshekullit të 20-të, Uruguai gjithsesi vijon të konsiderohet një ekip i fortë.
Suárez dhe Cavani arritën në gjysmëfinale në vitin 2010 dhe i siguruan shtetit të tyre Kupën e 15 të Amerikës së Jugut në vitin 2011.
Fotot e tyre pasurojnë Muzeun Kombëtar të Futbollit në Montevideo, së bashku edhe me shumë prej fanellave dhe trofeve të marra ndër vite.
Nëse Uruguai, ky vend i vogël mund të ketë sukses në futboll, pse nuk ndodh e njëjta gjë edhe me shtete të tjera, më të mëdha dhe të pasura se ai?
Kjo pyetje duket se mundon Presidentin e Kinës, Xi Jinping, i cili dëshiron që vendi i tij të shndërrohet në një superfuqi në futboll brenda vitit 2050.

Për të realizuar këtë, plani i tij parashikon ndërtimin e 20,000 qendrave të reja stërvitore, e deri tek akademia më e madhe në botë në Guangzhou, që kushton 185 milionë dollarë amerikanë.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë shpenzuar miliarda dollarë për të blerë klubet më të mira europiane, me shpresën që të mësojnë prej tyre.
Një ish-futbollist joprofesionist, me emrin Viktor Orban, i cili tashmë mban postin e Kryeministrit autokratik të Hungarisë, ka shpenzuar shuma të mëdha parash në rikonstruktimin edhe të atyre stadiumeve që rrallëherë mbushen me tifozë.
Deri tani, këto vende kanë arritur pak rezultate në krahasim me shpenzimet e tyre në këtë drejtim. Kina madje nuk u kualifikua këtë vit në Kupën e Botës dhe përveç kësaj, humbi 1-0 në ndeshjen me Sirisë, një humbje poshtëruese e cila shkaktoi protesta në rrugë.

Modelet kryesore

The Economist ka ndërtuar një model statistikor për të identifikuar se çfarë e bën një vend të suksesshëm në futboll. Qëllimi ynë është të parashikohet se cili do të jetë fituesi i Kupës së Botës në Rusi, pasi kjo gjë mund të bëhet më mirë, duke parë rezultatet e fundit të një skuadre. Në vend të kësaj, synohet të zbulohen faktorët ekonomikë dhe sportivë që përcaktojnë potencialin e një vendi në futboll dhe të kuptohet se përse disa vende i kanë tejkaluar pritshmëritë apo si janë përmirësuar kaq shpejt.
The Economist ka analizuar rezultatet e të gjitha ndeshjeve ndërkombëtare që nga viti 1990 dhe ka parë se cilat variabla kanë lidhje me diferencën e golave midis ekipeve.

E nisëm së pari me ekonominë. Stefan Szymanski, ekonomist në Universitetin e Miçiganit, i cili ka ndërtuar një model të ngjashëm, ka arritur në përfundimin se vendet më të pasura kanë tendencë të jenë më të suksesshme në futboll. Është i vërtetë edhe fakti që yjet e futbollit vijnë nga vende të ndryshme, jo të gjithë u përkasin atyre të pasura, por ata që rriten në vende të varfra përballen me pengesa më të mëdha.
Në Senegal, trajnerët i sigurojnë ushqim disa lojtarëve përpara se të fillojnë stërvitjen. Këtu vetëm tre fusha janë me bar, pjesa tjetër jo. Kjo ishte një ndër arsyet se përse na u duk e drejtë që në modelin tonë të përfshinim PBB-në për frymë.
Pastaj u përpoqëm të vlerësonim popullaritetin e futbollit në vende të ndryshme. Në vitin 2006, FIFA, u kërkoi federatave kombëtare të vlerësonin numrin e ekipeve dhe lojtarëve të cilitdo standardi. Në analizën tonë i shtuam edhe të dhënat e popullsisë, për të treguar shkallën e përgjithshme të pjesëmarrjes.

Ne i plotësuam këto supozime me disa prej të dhënave më të fundit: nga viti 2004 deri në vitin 2018, sa të shpeshta janë kërkimet në Google për futbollin në krahasim me sportet e tjera si regbi, kriketi, futbolli amerikan, bejsbolli, basketbolli dhe hokeji mbi akull. 90% e kërkimeve në Afrikë ishin për futbollin në krahasim me 20% në Amerikë dhe vetëm 10% në Azinë e Jugut për sportin e kriketit. Në këtë model ne kemi përfshirë edhe medaljet olimpike të fituara për person.
Në fund, për të minimizuar efektin negativ të më të dobëtëve, si për shembull Ishujt Kajman dhe Butan, ne i përqendruam rezultatet tona kryesisht në 126 vende që kanë luajtur të paktën 150 ndeshje që nga viti 1990. Modeli ynë shpjegon 40% të mundësive në diferencën mesatare të golave për këto skuadra. Por edhe këtu ka shumë përjashtime.

Uruguai ishte ndër më të suksesshmit, duke shënuar mesatarisht një gol në çdo ndeshje, shumë më mirë se sa pritej.
Pas tij ishin Brazili, Argjentina, Portugalia dhe Spanja. Edhe Afrika Perëndimore dhe Ballkani kanë marrë gjithashtu rezultate të mira.
Fatkeqësisht për autokratët ambiciozë, të dhënat tregojnë se, Kina dhe Lindja e Mesme kanë performuar pak më mirë sesa potenciali i tyre më i ulët. Kriketi dominon kërkimet në Google në Azinë Jugore (pa asnjë dyshim, pasi në pjesën më të madhe, punëtorët emigrantë e pëlqejnë shumë këtë lloj sporti). Sipas FIFA-s, në vitin 2006, vetëm 2% e kinezëve kanë luajtur futboll, krahasuar me 7% të europianëve dhe amerikanojugorëve.
Kina dhe vendet e Lindjes së Mesme kanë arritur që herë pas here të kualifikohen në Kupën e Botës, por asnjëra nuk ka fituar asnjë ndeshje që nga viti 1998.

Rezultati më entuziast i këtij modeli është se pjesa më e madhe e asaj që përcakton suksesin shkon përtej kontrollit të drejtpërdrejtë të administratorëve të futbollit. Ata që jetojnë në Afrikë nuk mund t’i bëjnë vendet e tyre më pak të varfra. Ata në Azi luftojnë për të ngjallur sa më shumë interes për këtë sporti. Kërkimet në Google për futbollin kanë shënuar rritje në Kinë, por kanë rënë në Arabinë Saudite.

Katër mësimet

Megjithatë, drejtuesit që ëndërrojnë të fitojnë Kupën e Botës, mund të nxjerrin katër mësime të rëndësishme nga ata që përbëjnë përjashtim në këtë sport, apo nga ata që janë përmirësuar shumë kohët e fundit.
Së pari, këshillohet t’i nxisni fëmijët që të jenë sa më kreativë.

Së dyti, ndihmojini adoleshentët e talentuar që të mos hasin pengesa në rrugën e tyre.

Së treti, shfrytëzoni më shumë rrjetin global të futbollit. Dhe së katërti, përgatiteni veten sa më mirë të mundeni për turneun.
Niseni me fëmijët. Leksioni më i qartë që vjen nga Uruguai është stërvitja e një numri më të madh fëmijësh për të zhvilluar aftësitë e tyre teknike.
Z. Xi dëshiron që brenda vitit 2025, kjo lojë të mësohet në 50,000 shkolla në Kinë.

Kina mund të tentojë diçka si “Projekti 119”, një program trajnimi për të rinjtë, 24 orë në 24, e cila e ndihmoi vendin që të dilte në krye të tabelës me numrin më të madh të medaljeve të marra në Lojërat Olimpike të Pekinit në 2008.
Pa dyshim që trajnimet e vazhdueshme ndikojnë në ecurinë e një lojtari, por ato nuk janë faktor vendimtar në suksesin e tij. Lojtarët e Gjermanisë Lindore, për shembull, janë trajnuar shumë më tepër se ata të Gjermanisë Perëndimore, por vetëm një herë u kualifikuan në një kompeticion të madh.

Çelësi i suksesit

Çelësi i suksesit në këtë drejtim nuk është vetëm që një numër i madh fëmijësh të arrijnë të luajnë futboll, por mbi të gjitha që ata të nxiten për të qenë më shumë krijues. Dhe në shumë vende, zhvillimi i kreativitetit mund të rritet edhe duke luajtur vetë. Këtu mund të japim shembullin e George Weah, që tani mban postin e Presidentit të Liberisë, por dikur ishte sulmuesi më i suksesshëm i kontinentit të tij, i cili e përsosi teknikën e tij duke u stërvitur me një top të vjetër prej lecke në lagjen e tij të varfër.

Futsal (një variant i ngjashëm i futbollit) që luhet me pesë lojtarë, nxori në pah aftësitë teknike të lojtarëve të mëdhenj, të Gadishullit Iberik dhe Amerikës Latine, nga Pelé dhe Diego Maradona tek Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Neymar dhe Andrés Iniesta. Zinedine Zidane ishte një nga shumë talentet franceze që e mësoi futbollin duke luajtur në rrugë.

Mundësi të tilla duket se po zhduken në vendet e pasura. Matt Crocker, kreu i Zhvillimit të Lojtarëve për Shoqatën e Futbollit të Anglisë (FA), shprehet se prindërit në ditët e sotme nuk janë dakord që fëmijët e tyre të luajnë futboll në kohën e lirë.
Pjesa më e madhe e rezidencave të banimit në ditët e sotme kanë tabela që i ndalojnë lojërat me top në ambientet e tyre.
Është e pazakontë dhe e çuditshme sesi Dele Alli, një prej sulmuesve të rinj më të suksesshëm të Anglisë, ka mësuar gjithçka di për këtë sport brenda, siç e cilësoi ai, këtij “kafazi betoni”. Sfida e vërtetë është “organizimi i rrugëve në ambientin ku jetoni”, thotë Guus Hiddink, i cili ka drejtuar Holandën, Korenë e Jugut, Australinë, Rusinë dhe Turqinë.

Sondazh per Personazhin e Vitit

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « 'Virusi provokacija' zë FIFA-n, heton 'shqiponjën' e Xhakës dhe Shaqirit
Lichtsteiner mbron Xhakën dhe Shaqirin: Simboli ishte shqiponja, jo Shqipëria e Madhe. Ata që provokuan janë serbët »
Article Logic
Execution time: 0.015968084335327
array(1) { ["section"]=> string(85) "kupa-e-botes-cilet-jane-faktoret-qe-e-bejne-nje-shtet-te-suksesshem-ne-futboll-125562" }