“Kur e vërteta vjen nga larg”, libri i ri i gazetarit Robert Goro

Publikuar tek: kulture-art, më 13:40 14-02-2017 “Kur e vërteta vjen nga larg”, libri i ri i gazetarit Robert Goro

Një atentat ndaj korrespondentit të BBC në Athinë; kërcënime për gazetarët dhe akuza qeveritare ndaj BBC gjatë ngjarjeve të 1997-s në Shqipëri; “trimat e Arkanit” që kërkojnë gazetarët e BBC në Prishtinë, më 24-25 mars 1999; vdekje të dyshimta gazetarësh gjatë Luftës së ftohtë, vrasje, rrëmbime, intimidime gazetarësh në ditët tona.

Gjithë këto janë dekori (paralelisht me zhvillimet historike), që shoqëron hulumtimin e gazetarit Robert Goro mbi rolin e radiove të mëdha ndërkombëtare (BBC, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, Free Europe), në promovimin e lirisë e të demokracisë. Një rol vendimtar, me dritëhijet e domosdoshme, por që vërteton aksiomën se përkushtimi i gazetarëve ndaj të vërtetës ka një çmim të shtrenjtë, që jo rrallë, mund të paguhet edhe me jetë.

Libri është i ndarë në dy pjesë. Në të parën, “Një dashuri me emrin BBC”, autori hedh një vështrim të shpejtë historik, që nga fillimet e shërbimit shqip të BBC-së, shkëlqimin e veçantë gjatë dy dekadave të veprimtarisë, deri në momentin e mbylljes, më 28 shkurt 2011.

Edhe pse punoi për 18 vjet rrresht në BBC, Goro flet pak vetë, ndërkohë që u lë hapësirë të konsiderueshme ish-kolegëve, të cilët, nëpërmjet përjetimeve vetiake shtjellojnë arsyet e suksesit të BBC në Shqip, radios që sipas politologut Afrim Krasniqi “solli Perëndimin e munguar në Shqipëri”.

Në pjesën e dytë, të titulluar “RFE, media e lirë në shoqëritë pa liri”, Goro prezanton radion Europa e Lirë, (që u themelua në 1949 për të sfiduar propagandën komuniste), duke sjellë dhe materiale arkivore mjaft interesante nga periudha e parë, siç është raporti për Mehmet Shehun në 1954. Në këtë pjesë, autori merret më shumë me veprimtarinë e kësaj radioje në ditët e sotme, duke u fokusuar më tepër në zonat me tensione të larta. Edhe këtu, Goro përdor intervistat me protagonistët për të na dhënë një pamje mjaft të qartë të vështirësive që ndeshin gazetarët e terrenit, madje edhe në vende që teorikisht konsiderohen demokratike.

Siç vëren në parathënien e tij eksperti i njohur i medias, Remzi Lani, “ ky është një libër për radiot që gjatë çerekshekullit të fundit kanë transmetuar në gjuhën shqipe,  duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm në pasqyrimin e jetës shqiptare gjatë kësaj periudhe të rëndësishme të historisë”.

“Në rreth 200 faqet e librit të tij, Robert Goro tregon para së gjithash historinë e BBC në gjuhën shqipe, që për të është sigurisht edhe një histori personale. Si një nga gazetarët e BBC në Shqip, Goro sjell dëshmi interesante të punës së tij dhe të ekipit shqiptar të BBC gjatë krizës së vitit 1997. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të censurës zyrtare, mes rreziqesh dhe kërcënimesh të shumta, BBC në Shqip u bë burimi i pazëvendësueshëm i informacionit për publikun në Shqipëri gjatë atyre javëve dramatike”

Sipas Lanit, “një faqe tjetër e paharruar e BBC në Shqip është mbulimi nga ekipi i saj i Luftës së Kosovës; mbijetesa e ekipit kurajoz të gazetarëve të Prishtinës në kushtet e dhunës dhe censurës së regjimit të Milosheviçit. Ndërthurja e historive personale të gazetarëve të BBC me historinë e gjithë shqiptarëve, jo vetëm që e bëjnë më interesante dëshminë e Goros, por e bëjnë atë edhe më të besueshme”.

Gjithsesi, thekson Remzi Lani, “ky libër nuk është as vetëm një histori shqiptare apo ballkanike, dhe as vetëm një libër për BBC-në. Me ndershmëri profesionale dhe pa as më të voglën xhelozi, autori i kushton faqe të librit historisë dhe rolit të Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe; po ashtu, nuk heziton të shkruajë për kontributin e Deutsche Welle ne Shqip”.

“Ndër faqet më interesante të këtij libri janë pa dyshim ato që i kushtohen Radios Europa e Lirë. Autori i largohet qëllimisht Ballkanit për ta çuar lexuesin larg, në Pakistan, Afganistan apo Azerbajxhan, duke shpalosur histori kolegësh që raportojnë nën kërcënimin e ekstremistëve, apo nën censurën e diktatorëve”.

Duke përfunduar parathënien e librit të ri të Robert Goro, Remzi Lani shënon:

“Ky është më shumë një libër për të vërtetën. E kam fjalën për të vërtetën si arsye të ekzistencës së vetë gazetarisë. Sot, kur debati për atë që u shpall si fjala e vitit 2016 – post truth -, i ka përfshirë të gjithë, ky libër i shkruar me elegancë nga një gazetar i racës, na sjell dëshmi të panumërta të gazetarëve që kërkojnë të vërtetën, që rrezikojnë për të vërtetën, që raportojnë të vërtetën. Në këtë kuptim, unë besoj se libri i Goros kontribuon në këtë debat, duke shërbyer edhe si një manual për marrëdhëniet e gazetarisë me të vërtetën”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Poeti i dashurisë 75 vite mes nesh, sonte i mbledh të gjithë bashkë: “Një natë me fjalën e Lefter Çipës” në Teatrin Eksperimental
"Vargje dashurie" nga Lasgush Poradeci në 1921 »
Article Logic
Execution time: 0.023595809936523
array(1) { ["section"]=> string(68) "kur-e-verteta-vjen-nga-larg-libri-i-ri-i-gazetarit-robert-goro-68676" }