Kur Mevlan Shanaj të bën të ndjehesh në faj

Publikuar tek: kulture-art, më 16:52 03-11-2018 Kur Mevlan Shanaj të bën të ndjehesh në faj Mevlan Shanaj

NGA ZEFINA HASANI

Pak ditë më parë më kishte ardhur në inboks e Facebook-ut një link, që nëse do ta klikoja do të më shfaqte një dokumentar të realizuar nga “Zig Zag Film”, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Radio Televizionit Shqiptar, për regjisoren e filmave për fëmijë, Xhanfize Keko.

Më ndodh shpesh, që kur një mesazh nuk e hap dot në momentin që më vjen, mund edhe ta harroj fare që ta hap e ta shikoj më vonë.

Ngatërruar e harruar nëpër punët apo kotësitë e ditës ndodhi që vërtet e harrova ta hapja e ta shikoja atë dokumentar, derisa Mevlan Shanaj, regjisori (edhe) i këtij dokumentari më vuri në një siklet të paparë, ndërsa me atë sinqeritetin e babaxhanllëkun e tij e sidomos me të drejtën që i japin gjithë ato kohë bisedash e kuriozitetesh mbi botën magjike të filmit, që bëheshin mes regjisorit e gazetares së kulturës, më dërgoi fiks pas 10 ditësh një mesazh të dytë, po aty në inboksin, ku linku i dokumentarit nuk ishte klikuar ende.

“Moj Zefina më çudite që nuk paske gjetur kohë për të mësuar kush është Xhanfize Keko?!?!” – lexova duke u ndier direkt në faj sepse e di që, Mevlani s’do të ma falte kurrë mua e shumë kolegeve të mia të humbasim interesin për artin e vërtetë e njerëzit që kanë dhënë shpirtin për të, pa fituar asgjë veç kënaqësisë.

Direkt u justifikova se në fakt s’kisha guxuar ta hapja menjëherë atë link nga frika se mos vjen ndonjë nga ato viruset që të sjellin belanë e vjedhjes së të dhënave të FB. Pastaj e pashë dokumentarin që më nxori mallin për teta Xhanfizenë, që siç ia shkrova dhe Mevlanit e kam njohur e takuar që në vitet e mia të para në gazetari, sepse më pëlqenin shumë filmat që ajo ka bërë e me të cilat jemi rritur dhe sepse kisha kuriozitet të paparë të takoja Benin, Moza llasticën, Tomkën dhe shokët e tij, Taulantin që kërkonte një motër e gjithë karakteret që ajo ndërtoi me aq mençuri e dashuri.

E pashë dokumentarin pa e lejuar veten të më shkëpuste asnjë Whatsapp apo telefonatë, siç na është bërë zakon këto kohë (gjasme) të lexojmë libra a shohim filma.

E pashë dhe u kënaqa me zërin e Xhanfizesë, me gjithë rrëfimin e saj prej zonje, që ka mençurinë ta zgjedhë me kujdes atë çfarë mund të bënte më mirë në jetën e saj, në fushën e kinematografisë- abosultisht filmat për fëmijë që askush s’ do t’i kishte bërë më mirë se ajo. Faleminderit Mevlan Shanaj që ma solle në inboks dokumentarin. E më fal njëmijë herë që se pashë me herë të parë. Duhet të më falësh, sepse në fund të fundit e humbura isha unë.

Unë, ish-gazetarja e kulturës, që dikur kisha gjithë kohën për ju e që s’duhet të gaboj me indiferencën time ndaj jush. Unë, vajza që i përkas brezit, i cili beson ende se pa të shkuarën, e reja nuk vjen dot.

A Woman Director in the Age of Celluloid from Eliodor Markja on Vimeo.

 

45388064_328713444345996_7890395139443523584_n.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Inva Mula zgjidhet drejtore artistike e Festivalit të 57-të në RTSH (FOTO)
»
Article Logic
Execution time: 0.0068089962005615
array(1) { ["section"]=> string(50) "kur-mevlan-shanaj-te-ben-te-ndjehesh-ne-faj-140125" }