Kur nderohet Zija Çela

Publikuar tek: kulture-art, më 14:36 26-12-2017 Kur nderohet Zija Çela

Nga Namik Dokle

Më telefonoi një miku im i mirë, koleg i publicistikës dhe letërsisë. “ Zija Çela u nderua me çmimin ‘ Rexhai Surroi’ në Kosovë”, më tha i ngazëllyer. “Edhe çmimi u nderua nga Zija Cela”, i thashë unë, që ende nuk kam mundur të shkëputem nga replikat.

Dhe vërtetë, çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe publicistikë, që këtë vit pati edicionin e tij të dhjetë, është një nga më seriozet në Kosove dhe mban emrin e një intelektuali, publicisti e diplomati të shquar.

Grupi Koha që e ndan këtë çmim ka nderuar gjithnjë emra të shquar të letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, si Ismail Kadare, për të mos u futur në emra të tjerë. Dhe tashmë, në kurorën e këtij çmimi është shkruar edhe emri i Zija Çelës, që vërtetë e nderon prestigjin e këtij çmimi të hapësirës sonë mbarëkombëtare.

Prandaj unë dhe kolegu im që ma përcolli lajmin, e shumuam ngazëllimin edhe me shumë kolegë të tjerë të letrave. Eshtë një ngazëllim i veçantë ky, kur një shkrimtar, e ke apo nuk e ke mik, nderohet për veprën e tij. Ashtu e ndjeva këtë edhe në fjalën e kryetarit të jurisë, shkrimtarit të shquar Kim Mehmeti, i cili tha:” Romani ‘Ora e zooparkut’ i Zija Celës, do t’i rezistojë kohës dhe do të mbetet në arkën e pasurisë kulturore.” ( Ndoshta është edhe një rastësi e bukur që kryetari i jurisë, në dhjetë vjetorin e këtij çmimi, është fituesi i tij i parë.)

Romani “ Ora e zooparkut” shënon një kulm në krijimtarinë romanore të Zija Celës. Me këtë libër, si edhe me më të mirët e letërsisë sonë të viteve të fundit, proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithëpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative, e qëndrueshmërisë artistike dhe e depërtimeve të reja në botën njerëzore, në ate botë paralele, që vetëm një letërsi serioze mund ta krijojë.

Ka shumë arsye që e bëjnë librin “Ora e Zooparkut” një roman të madh. Eshtë “një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale...”, është shprehur kritiku Mehmet Kraja, një nga njohësit më të mirë të veprave të Zija Celes. Sigurisht, Kraja e mbështet dhe e argumenton në një analizë tepër serioze këtë përfundim dhe ka plotësisht të drejtë, por unë do të veçoja një ndër të gjitha: fuqia përgjithësuese e metaforës.

 Realiteti nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, thotë Antonio Tabucchi. Dhe Zija Cela, çdo realiteti që përshkruan, i mvesh artistikisht metaforën, që rrallekush si ai e krijon. Të tillë janë të gjitha romanet e tij, në dhjetëvjetshin e fundit, sidomos. Por shijen dhe drithërimen e metafores më të fuqishme, mua ma ka ofruar pikërisht kjo vepër e nderuar në Prishtinë. Eshtë interesante të kuptosh se si ngjizet një vepër në vetëdijen dhe nënvetëdijen e autorit.

E pata pyetur një herë Zijain, duke pire nga një Metaksa te Ylli, si të erdhi kjo temë, cfare të ngacmoi? “Ishim diku, në breg të Erzenit, një grup shkrimtarësh e të tjerë intelektualë, të ftuar nga një grup natyrëmbrojtësish.

 Ku banoni?- pyeta nje kolege. Afër kopshtit zoologjik, më tha. Pse nuk shkruan një roman “Ora e zooparkut”, për shembull...” Kaq ishte. Asaj i dha idenë, por farën e romanit e mbolli në vetëdijen e tij. U deshën 7-8 vjet që kjo farë të mbinte, kohë gjatë së cilës ai i dha letersisë romanet “Sos, një buzëqeshje”, “Goja e botës”, “Apokalipsi sipas Shën Tiranes”, dhe “Arqipelagu Spiritus”. Njeri më i mire se tjetri, madje kur e mendon dhe pyet, çfarë tjeter mund të shkruaj, ai të befason me romanin pasardhës. Dhe është për t’u thënë: kur ai jep autografe për librin e sapobotuar, dijeni, mendon ose ka filluar romanin e ri. Pak ditë para se të nisej për në Prishtinë që të merrte çmimin, sapo i kishte dhënë dorën e parë romanit të ri. Me siguri do të na befasojë përsëri, si gjithmonë. Por unë dua të ndalem edhe një herë te metafora e fuqishme e Zooparkut.

Tashmë me fjalët e vetë autorit:” Në kopshtin zoologjik të kryeqytetit shtohen kafazët, po pakësohen kafshët. Ateherë lind ideja që në to të hyjnë njerëz, që fillojnë të kafshërojnë,...ulërijnë,...hungërijnë,...

Pyetja thelbësore është: pse ndodh kjo? Ka një dallim mes njeriut dhe kafshës. Njeriu, thuhet, ka ndërgjegje, ndërsa kafshët nuk e njohin pyetjen pse. Pse ndodhi kështu, apo pse e bëra unë këtë, pse rashë në korrupsion, përse kreva krim. Këta tipa njerëzish që shkojnë në kafaze u përkasin të gjitha shtresave, nga më të ulëtat deri te intelektualët dhe politikanët. Shkojnë pikërisht për të fshehur fajet e tyre, për të mos pyetur veten pse e bëra, kur e bëra, për t’iu fshehur ndërgjegjes së tyre.” Natyrisht, duke zbritur në humnerën e mosndërgjegjes! Por, për ZijaÇelën egziston një “ trini e shenjtë”, të cileë askush nuk mund t’i ike dot: E vërteta, vetja dhe vdekja.(3V) Prandaj, siç ka shkruar akademiku Ali Aliu, “Nga e tërë kjo, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes së cilës, realitetin e sotëm e vendos si dëshmi dhe kurorëzim të krejt asaj që rrefehet në roman dhe në kopshtin zoologjik të njeriut tonë e të botes sonë...”

Për ta mbyllur me një njeri të thjeshtë, që e uron shkrimtarin me keto fjalë: ”Ti shkruan jetën. Dhe askush si ti.” Urime, Zija Çela! Presim befasi të reja.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Krishtlindja, aktorja Tinka Kurti: Zot të lutem ktheji sytë nga shqiptarët
Aksident në Lushnjë, makina përplas rëndë biçiklistin, arrestohet shoferi »
Article Logic
Execution time: 0.031780004501343
array(1) { ["section"]=> string(29) "kur-nderohet-zija-cela-104421" }