Kur në Stamboll kish rrëmujë, Pashallarët në Shqipëri gëzoheshin…ky është Brexit shqiptar

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:02 24-06-2016 Kur në Stamboll kish rrëmujë, Pashallarët në Shqipëri gëzoheshin…ky është Brexit shqiptar

Nga Afrim Krasniqi

E premtja e zeze per Evropen" - është titulli dominues në mediat perëendimore për referendumin në Britaninë e Madhe. Vota kundër fut në krizë projektin evropian: Franca e Hollanda mund të jenë stacionet e reja të referendumeve. Vetë Britania ndahet midis Skocisë, apo Irlandës Veriore pro qëndrimit në BE dhe Uells e Anglisë kundër. Vetë Londra dhe pjesa elitare e vendit (qarqet akademike, biznesi, etj) ishin pro BE.

Per shumë shëtitës facebook-u në Tiranë shumë prej të cilëve edhe nga ata që paguhen me taksat tona, - nuk ka lidhje midis lajmit britanik dhe Shqiperisë, dhe tipike për një shoqëri që më përpara flet sesa mendon, - ka një garë batutash dhe ilariteti në trajtimin e ketij lajmi.

Në fakt, asgjë nuk është kaq e thjeshtë dhe kaq rutinore, përkundrazi. BE pa Britaninë, mbetet më e dobët, zërat kritikë ndaj saj janë rritur ndjeshëm edhe nëe Paris, Amsterdam dhe deri në Budapest. Po Shqipëria ku është? Ishim jashtë portës, në pritje te hapet porta e bisedimeve, por me zhvillimet e reja kemi lënë portën dhe oborrin dhe po qëndrojmë diku në lagje, duke ngrënë e festuar dështimin e reformës perëndimore për shtet të së drejtës në Shqiperi (nënkupto: më shumë imunitet për elitën e korruptuar politike vendore), si dhe duke bërë selfie e shoë folklorik me djemtë e emigracionit dhe të Zvicrës që nuk luajtën keq 3 ndeshje futbolli në Francë.

Kush po mendon në Tiranë për Evropën dhe projektin shqiptar në realitetet e reja? Askush. Me siguri, disa po fërkojne duart. Sa me shume kishte krizë në Stamboll aq më shumë liri kishte pashai në Tepelenë, apo Shkodër për të sunduar me dorë të fortë mbi shtetasit e tij! I njëjti standart, e njëjta kulturë dhe i njëjti fat po na ndjek edhe tani kur vendin e Stambollit simbolikisht e ka zënë Brukseli dhe kur pashallarët tanë vishen me Armani e Prada. Për ta, reformat dhe integrimi janë pengesë pasurimi personal, pengesë pushteti personal, pengesë sundimi personal, - ndaj integrimi prej me shumë se një viti po shfaqet konsensualisht si term në zhdukje në ligjerimin politik. Ata flasin për sovranitet, fjalë që në Ballkan nuk ka domethenien e Britanisë, por lexohet, - e drejtë e pakufizuar te sillet si të dojë me shtetin e shoqërinë që kanë nën sundim, - pra, si një e drejtë prej të cilave de facto burojnë të gjitha padrejtesitë mbi qytetarët, shtetin e shoqërinë.

Një ditë e zezë për Evropen është në fakt, një ditë dy herë e zezë për Shqipërinë, një vend që pjesën më të madhe të mbijeteses së vet politike, sociale e kulturore e ka të ndërvarur nga vetë koncepti i Evropës para e pas referendumit britanik. E fundit, - kryeministri Kameron dha dorëheqje, lejoi ministrat e kolegët e tij të bëjnë fushatë pro e kundër, tregoi standart të lartë demokracie, pra beri gjithçka, absolutisht gjithçka që nuk bën asnjë prej këtyre që kemi në krye të partive dhe të uneve në Shqipërinë e papunë!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030355930328369
array(1) { ["section"]=> string(94) "kur-ne-stamboll-kish-rremuje-pashallaret-ne-shqiperi-gezoheshin-ky-eshte-brexit-shqiptar-44467" }