Lajmet reale nga takimi dhe refuzimi i mbledhjes me kryebashkiakët

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:27 07-07-2015 Lajmet reale nga takimi dhe refuzimi i mbledhjes me kryebashkiakët

Nga Afrim Krasniqi

Lajmi se pjesa më e madhe e kryetarëve të rinj të bashkisë të zgjedhur nga opozita nuk iu përgjigjën ftesës së kryeministrit për takim dominoi ligjërimin politik e institucional mbi sjelljen e radhës të një politike që ka më shumë se dy dekada që sillet e tillë. U përdoren akuza e kundërakuza, secila palë bëri përsëri atë që di të bëjë më mirë, baltosjen e tjetrit, dhe kështu, kryelajm ishte bojkoti i një pale apo arroganca e palës tjetër. Në fakt lajmi i vërtetë dhe i merituar nuk duhej të ishte ky. Ka lajme të tjera më të rëndësishme nga ky takim i bërë apo i humbur, dhe që nuk u thanë as nga media dhe as nga politika.

Së pari, secila palë nuk respektoi legjislacionin në fuqi. Sipas ligjit, kryetarët e vjetër vijojnë të jenë në detyrë dhe se kryetarët e rinj e marrin detyrën vetëm pas vendimit final të KQZ, kalimit në Gjykatë dhe jetësimit me protokoll zyrtar. Nga ata që ishin apo nuk ishin aty 90% ishin pa mandat zyrtar. Pjesa tjetër me mandat të vjetër, pjesëmarrjes ose jo, si për shembull, Dako i PS në Durrës apo Mziu i PD në Kamez), pranoi logjikën militante të prurjeje të reja dhe heshti. Askush nuk e vuri re detajin se i ftuar ishte edhe kreu i bashkisë Vorë, njeriut që LSI, partneri kryesor i kryeministrit, e ka dërguar në gjyq dhe që ende nuk është 100% kryetar i rimandatuar. Kryeministri e shfrytëzoi rastin të rikujtojë se që në fushatë pati premtuar se ata (pala tjetër, opozita) nuk janë bashkëpunues dhe opozita e shfrytëzoi rastin të rikujtojë se që në fushatë pati premtuar se ata (mazhoranca) janë produkt i votave fiktive dhe nuk kanë legjitimitet. Në fakt, dy palët janë gabim, dukshëm gabim edhe pse logjika e tyre është e mbetet ushqim i mirë për militantët. Në një vend normal do duhej që kryeministri të komunikonte personalisht me drejtuesit kryesor të bashkive opozitare, aq më tepër që lajmi për mospjesëmarrje qarkulloi 48 orë përpara takimit. Ai nuk e bëri sepse me siguri ai nuk deshi që ata të vinin. Opozita do duhej të këshillonte të zgjedhurit e rinj për sjellje institucionale, pra pjesëmarrje në cdo takim zyrtar, por as ajo nuk e bëri sepse me siguri ajo nuk donte që ata të silleshin kështu

Së dyti, na ishte premtuar se të zgjedhurit e rinj do ishin besnik ndaj votuesve dhe do të bënin ndryshimin historik në qeverisjen vendore. Në fakt, ata që e premtuan, Rama, Basha e Meta, urdhëruan të kundërtën: që në ditën e parë të punës së tyre i urdhëruan kryetarët e rinj të sillen siç nuk duhej të silleshin, si partiakë të bindur, si njerëz që thirren e komandohen nga Tirana, madje as nga vetë shefat, por në nivel më minimal, nga protokolli i shefit apo sekretaria e tij. Vetë kryetarët e super-pushtetshëm heshtën dhe iu bindën urdhrave, ca në rresht për në kryeministri për të duartrokitur shefin, ca në rresht për në selinë e PD për të duartrokitur shefin. Qytetarët, ata që votuan, që i panë në fushatë, që i dëgjuan premtimet dhe që deleguan sovranitetin e tyre, edhe këtë herë, dolën të humbur. Në dallim nga herët e tjera, ata u tradhtuan që në ditën e parë, madje pa filluar ende punë të rinjtë, dhe që sot mesazhi për ta është i qartë: partia vendos, kryetari është aty për të zbatuar urdhrat partiakë.

Së treti, nuk pati mbledhje pune, siç u tha në njoftim zyrtar, me kryebashkiakët, por një takim rutinë, nga ato që bëhen çdo ditë në Muzeun Kombëtare në prezantime librash. Dikush flet, të tjerët zënë nga një karrige, dëgjojnë, përdoren si dekor për kamerat televizive dhe duartrokasin. Një takim ceremonial i kryeministrit me kryetarët e rinj të bashkive do të duhej të kishte solemnitet më të madh: do duhej të ishte në tryezë pune, do duhej të ishte bashkëbisedim, do duhej të niste me urimin për secilin, do duhej të kishte brenda vetes ndjesën për retorikën denigruese elektorale dhe do duhej të përbëhej nga më shumë se një fjalim, dhe ato, jo vetëm nga podiumi i udhëheqjes. Ky i fundit, nuk i kishte asnjë nga këto elementë. Ndaj nuk ishte dinjitoz, as solemn, as mbledhje pune, as reflektim nga gabimet e të kaluarës dhe as produktiv për pritshmëritë e sfidat e mëdha që ka përpara qeverisja vendore.

Së katërti, suksesi më i madh i takimit ishin disa dosje me udhëzime dhe fjala e kryeministrit,  i cili, duke folur si udhëheqës i një vendi pa Kushtetutë e ligje, pas çdo fjalie thoshte se këtë e atë kompetencë do ia kalojnë pushtetit vendor. Në 5 minuta ai shkriu policinë bashkiake, ndryshoi ligjin mbi policinë, ligjin mbi arsimin, ligjet mbi bujqësinë, mbi mjedisin, etj. I ndryshoi vetëm në retorikë e ligjërim. Nuk ka asnjë nismë ligjore konkrete në praktikë. Nuk ka as VKM që ndryshojnë kompetencat. Nuk ka as projekt konkret reformash decentralizuese. Thjesht, duket se qeveria qendrore do të delegojë disa kompetenca, të cilat nuk arrin ti përmbushë vetë dhe që kanë kosto elektorale. A nuk do duhej që kryeministri të kishte në çdo dosje aktin ligjor parlamentar që ligjëron kalimin e kompetencave? A nuk do ishte më mirë që kjo të ishte qartësuar dhe të kishte ndodhur përpara fushatës, në mënyrë që ne të votonim duke i dukur paraprakisht kompetencat? A nuk do kishte qenë më mirë që çdo kryetar bashkie e këshilltar i ri të kishte mbi tavolinë një studim konkret analitik prej të cilit të arsyetohet logjika ekonomike dhe funksionale e kalimit të kompetencave? A do kishte ndodhur i njëjti fjalim dhe e njëjta sjellje, nëse fjala vjen, shumicën e bashkive do ti kishte fituar opozita? Përse nuk delegohen kompetencat në fushën e projekteve të zhvillimit, infrastrukturës, mbledhjes së taksave, etj, të cilat do forconin realisht qeverisjen vendore. Jo dhe jo. Modeli ynë politik mbetet i njëjtë: udhëheqësi vendos kryesisht sipas interesit dhe bindjes së tij personale, pastaj mblidhet qeveria, parlamenti e dekreton kreu i shtetit!

Së fundi, pak orë pas mbledhjes kryeministri drejtoi një proces tjetër, konkursin për një mozaik betoni të fshehur pas modeleve arkitektuese moderne në pjesën e vetme të gjelbëruar të Tiranës. Pa konsultim, pa transparencë, pa pyetur qytetarët, pa bisedë dhe as miratim nga kryetari i vjetër dhe as i ri i bashkisë, pa votën e këshillit të vjetër apo të ri të bashkisë, pra pa asnjë procedurë demokratike dhe ligjore. Në fushatën elektorale dhe takimin me kryebashkiakët u tha dhe u stër-tha: ju jeni vendimmarrësit reale në komunitetet tuaja! Pak orë më vonë mesazhi ishte tjetër: klientela e pushteteve vendos veton dhe politika i kthen reston, leje për më shumë beton, për më shumë fitim, gjithnjë në kurriz të qytetarëve dhe komunitetit. Si dje me bllokun e Pallateve tek Kodrat e Liqenit, si sot me kompleksin e betonit tek Universiteti. Vetë kryeministri, vetë ministri përgjegjës, vetë biznesmeni që fshihet pas këtij projekti absurd e fyes, vetë juria e përzgjedhur me meritën e vetme, besnikërinë shekullore ndaj shefit, vetë shefat opozitarë produkte të beton politikës,  e kanë zgjidhur problemin. Ata prej vitesh nuk jetojnë më në Tiranë, por në vila luksoze midis Surrelit, Farkës, Petrelës dhe Gjirit të Lalzit. Ata e duan Tiranën jo për jetën e tyre, as të fëmijëve të tyre, por për pushtet dhe para, një mallkim i logjikës oligarkike që vijon të na shoqërojë prej mëse dy dekadash.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026617050170898
array(1) { ["section"]=> string(72) "lajmet-reale-nga-takimi-dhe-refuzimi-i-mbledhjes-me-kryebashkiaket-15544" }