Lakrorit iu hapën petët, yndyra po na mbyt të gjithëve…

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:39 14-01-2017 Lakrorit iu hapën petët, yndyra po na mbyt të gjithëve… Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Nga Anila Basha

Nuk mund të mos pranoj se debati i hapur në median online, mbi gazetarët pro e kundër pushtetit apo mbi të ardhurat e siguruara prej tyre në vite jo vetëm më intrigon, por më pëlqen deri aty sa duke kujtuar filmin “Përrallë nga e kaluara” them “Oh, ç’u kënaqëm”.

Eshtë debati që ngrihet mbi parimet fitim-interes-qoka, dhe nuk ka në thelb as lirinë e medias, dhe as hapjen apo mbylljen e saj me rrezikun e çensurës.

Në kohën e medias digjitale dhe shpërthimit “pa fre” të medias sociale, sot, s’mund të ketë CENSURE. Një lajm që nuk publikohet te “newsbomb.al”, fare mirë botohet te “citynews”. Apo një lajm që nuk e boton “lapsi”, e boton padyshim “balkanweb”. Një video e censuruar në tv-ra, mund të bëhet virale më shpejt sesa mund të imagjinohet e kështu me radhë. Personalisht mendoj se nuk qendrojne pretendimet se po mbyllen ekranet, e, se njerëzit nuk po flasin e as po shkruajnë dot.

Por tani të kthehemi te debati dhe sherri banal i miqve të dikurshëm që për hir të parave, përfitimeve, qokave apo gjithçka tjetër, e kanë kthyer median, (dyshimet e mia janë se kjo është e qëllimshme) në një tribunë, ku nuk po na akuzojnë të tjerët, por, gjithmonë e më tepër, ne, po akuzojmë veten.

Kështu, Çili i tregon Zhejit përfitimet 250 mijë euro, Bushati akuzon Frangajn se ngriti perandori me paratë që i dhuroi Berisha; Artur Zheji akuzon Çilin se shiti Alfred Lelën te Rama, për një universitet mjekësor që do të hapë, ndërsa vetë Lela sqaron se do të punojë pedagog në universitet me rrogë 10-fish më të vogël sesa e ka pasur më parë. Bushati e quan Henri Çilin fshatar, ky I fundit e quan Bushatin “Sahanlëpirës të pronarëve”.

Pastaj vjen radha e rastit të ish-gazetarit deputet. Babaramo e quan Alfred Pezën “haxhi qamil”, Peza akuzon mediat afër PD se po e sulmojnë. Jo shumë muaj më parë, pronari i Report TV Bolino akuzonte Shkullakun se ku i gjeti paratë për vilën luksoze; ndërkohë që Shkullaku e akuzonte Bollinon për tenderat që po merrte nga qeveria…

Shkurt, të gjithë ata që japin leksione e shesin moral për lirinë e medias, janë bërë të gjithë pis…Janë bërë pis nga llumi dhe balta që po hedhin nga mëngjesi deri në darkë ndaj njëri tjetrit e kundër njëri tjetrit.

Spektakli me kuriozitet të madh shkon nëpër portale, shpërndahet nëpër whatsapp-e, dhe shkrimet e gjithsecilit po kthehen virale.

Bukur… Në fillim të 2017-ës, atëherë kur media duhet të bëhej gati për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, lakrorit iu hapën petët dhe yndyra i ka përlyer të gjithë.

Tani që milionat dolën sheshit, të gjithë duhet të ndjehen fajtorë për situatën ku media gjendet sot. Aty ku profesionalizmi, investigimi, gjetja e lajmit dhe konfirmimi në tre burime, nuk janë më parimet që na shoqërojnë.

Aty, ku për shkak të këtij modeli të shpifur që po lancojmë po vetë, kemi frikë të nxjerrim “thirrje aplikimi për gazetarë” sepse përpara se dikush të fillojë punën dhe të shohësh sesi punon, të kërkon llogari sesa do ta ketë rrogën.

Te media jonë, ku me zemërgjerësinë më të madhe pranojmë kasetat e montuara paraprakisht dhe njoftimet për shtyp të gatshme, madje edhe me gabimet drejtshkrimore që bëjnë burokratët e zyrave.

Thënë ndryshe, këtij vulgariteti nuk do ti vijë fundi shumë shpejt. Mirë është që “katarsisi” të vazhdojë, pra kemi ç’kemi, t’i nxjerrim të gjitha. Të paktën, t’i shkojmë kësaj të keqeje deri në fund. Më pas të jetë vetë publiku të gjykojë, të shohë e të njohë meritat e gjithsecilit.

Por veçse duhet të jemi të qartë: I gjithë ky spektakël në prag të zgjedhjeve, i shërbejnë pak njerëzve. Drejtuesve politikë në vend. Kush i njeh, e kupton se ata rrinë nga lart, shohin gjithë këtë show, dhe vetëm qeshin, qeshin, qeshin…

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.03280782699585
array(1) { ["section"]=> string(59) "lakrorit-iu-hapen-petet-yndyra-po-na-mbyt-te-gjitheve-65503" }