Lamtumirë Anë!

Publikuar tek: fcb-bomb, më 14:14 04-07-2016 Lamtumirë Anë!

Nga Ilir Hoxholli i “Fundjava Ndryshe”


E dashur Anë, kjo letër nuk do të të mbërrijë dot ty në këtë botë. Zoti kish vendosur një fat tjetër për ty e unë jam i bindur se tashmë je nën kujdesin e Tij. Por nuk mundem të mos i shkruaj sërish disa fjalë, sepse drejt teje na nisën lumenj duarsh të atyre njerëzve që nxjerrin nga shtati i tyre mirësitë dhe vendosin t’i bashkëndajnë me të tjerë.
Anë e dashur, nuk mund të harroj buzëqeshjen tënde, teksa të ndërtohej shtëpia e re me ndihmën e shumë njerëzve qëarrite të bëje bashkë. Pa e vënë re ne kishim nisur jo vetëm të realizonim atë mbështetje që dhanë mjaft njerëz, që ti të bëheshe me një shtëpi, por edhe të rrugëtonim me hapat e tu, teksa nise të mbaje këpucët veshur, si nje shenjë e mirë e përmisimit tënd. Miqësinë fillove ta shprehësh, me sytë që të shkëlqenin, me buzëqeshjen e ëmbël, me dorën që fillove ta shtrëngoje, derisa ndarjet me ty, filluan të bëheshin të vështira...
Natën e parë kur shtëpia jote e re, Anë, kish përfunduar, ishte një kohë plot shi e shtrëngata. Gjumi nuk na zuri, pasi përpara syve tanë u shfaqën ato momente kur në shtëpinë e mëparshme, gjithçka e rrëmbente rrebeshi, tela korenti qëndronin të shtrira në tokë, vetëm Zoti ju ruante nga vdekja. Por rrebeshi nuk mund të të rrëmbente më asgjë sepse dhjetra njerëz të bërë bashkë kishin bërë barrikadën më të bukur që mund të bëjë njeriu: Barrikada e Bamirësisë!
Tani më, e dashur Anë, je në shtëpinë e Krijuesit. Kështu e kishte shkruar, që më parë duhet të njiheshim bashkë, i rrëmbeve zemrat e "Fundjavës Ndryshe" dhe shumë njerëzve në këtë botë të vogël, duke na bërë bashkë, mundëm të të bënim të buzëqeshje përpara se të na braktisje. Dhe ajo buzëqeshje e jotja është piktura e forcës kur njerëzit zgjasin duart drejt atyre që fati nuk u ka buzëqeshur. Ndaj, kur mora vesh lajmin se ti kishe mbyllur sytë përgjithmonë, nuk mund të mos e kujtoja atë vështrim, dorën që zgjatej, sikur doje t'u thoje njerëzve falëminderit.
Ajo buzëqeshje e jotja dhe ata sy që shihnin plot dritë kanë mbetur si një amanet, për të mos u ndalur në përpjekjen modeste që të bashkojmë sa më shumë duar që japin e marrin, si zinxhiri i vetëm që zbukuron botën.
Kështu Anë e vogël ishte shkruar, që ti mos ikje nga kjo botë pa gjurmën tënde. Ti kishe zhvillimin e një fëmije 1 vjeçar, por ne mësuam se buzëqeshja ka të njëjtën ndjesi, mësuam se bamirësia ka lidhje me shpirtin dhe jo interesin, mësuam se njeriun nuk e bën pozita, mësuam se Zoti të la për pak kohë me ne, si një provim, për të na bërë ne më të ndjeshëm, ndaj ajo që kam nevojë të të them është:
Falëminderit Anë!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018779039382935
array(1) { ["section"]=> string(19) "lamtumire-ane-45484" }