Lamtumirë Profesor

Publikuar tek: sport, më 12:26 11-01-2019 Lamtumirë Profesor Mikel janku- Armand Duka

Për profesor Mikel Jankun që u nda nga jeta një ditë më parë...

Shkruan gazetari Anton CiCani:

Tryeza ime ishte vetëm pak hapa larg asaj ku qëndronte kompjuteri i tij. Aty ku profesori mbante gjithmonë një portokall, këllufin e syzeve, por edhe një gazetë përpara. Një bllok të vogël shënimesh dhe sidomos pranë telefonit. Fliste shumë, me të gjithë korrespondentët. Shpesh u bërtiste, sepse saktësia dhe sidomos ana gramatikore për të ishin "abc"-ja e gjithçkaje.

E si mund të ishte ndryshe një ushtarak?! Isha shumë i vogël kur nisa punë në redaksinë e "Sport Ekspresit", diku te 17-18 vjeç.

Në atë kohë, portale nuk kishte, interneti ishte i kufizuar dhe fotografitë duhet t'i paguaje "sa frëngu pulën". E dëgjoja, mësoja dhe sidomos bisedoja me të. Në atë kohë, në një elitë gazetarësh profesionistë dhe që futbollin e njihnin më mirë se xhepat e pantallonave të tyre, ishte e vështirë që të bëje kompetentin. Madje, kur shihja se dhe mentori im, Fatmir Mëneri, i vinte veshin profesorit, natyrisht që stepesha.

Shpesh bisedonim edhe për ndeshjet që shihnim. Më tregonte ngjarje të kohës së tij, kur ishte portier, por sidomos sa herë që fliste për Rusinë, një shkëlqim i dukej në sy. Mbaj mend një ndeshje Rusi-Angli në Moskë. Gjatë himnit, profesori u ngrit në këmbë dhe të ngjante me një sovjetik gati për të fluturuar në qiell me avion ushtarak. I qante zemra, sepse pas Shqipërisë, atdheu tjetër ishte "Nëna Rusi", siç e quante.

Kafja e pasdites ishte në orën 15:00, ndërsa në mbrëmje në orën 23:00 fikte kompjuterin, pasi kishte korrigjuar edhe germën e fundit. Gjatë ndonjë ore pushim, e pyesja: "Profesor, katër gola nga Gerd Muller! Si e mbani mend atë ndeshje?" Ai ma kthente: "Më mirë që ato katër gola m'i ka shënuar Gerd Muller. Tjetër kategori, tjetër nivel. Ndër më të mirët që kam parë".

Koha kishte kaluar, por në redaksinë e gazetës profesori shkruante me entuziazmin e një fëmije në ditën e tij të parë të shkollës. Mësova shumë prej tij dhe sigurisht që deri vonë e kam takuar dhe më përshëndeste me ngrohtësi. Lamtumirë, profesor! Faleminderit për gjithçka!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068671703338623
array(1) { ["section"]=> string(25) "lamtumire-profesor-148349" }