Letra e Tahirit, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Presion sistematik dhe intimidim i trupës gjyqësore

Publikuar tek: politike, më 23:24 14-03-2016 Letra e Tahirit, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Presion sistematik dhe intimidim i trupës gjyqësore

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ndaj letrës së minisrit të Brendshëm, Saimir Tahir dërguar Presidentit dhe ministrit të Drejtësisë ku kërkonte masë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Laurent Fuçia.

Sipas Unionit, këto deklarata të Tahirit “nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor”.

Reagimi i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë:

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë e ka ndjekur me vëmendje deklaratën në media dhe veprimet e ndërmarra nga ana e Ministrit të Brendshëm drejtuar Presidentit te Republikes dhe Ministrit të Drejtësisë, ndaj Gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë Z. Laurent Fuçia, për shkak të dhënies së një vendimi, gjatë ushtrimit të detyrës kushtetuese.

Dëshirojmë të theksojme se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të bazuara në fakte dhe kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Por, nga ana tjetër shpreh shqetësimin e tij të thellë, kur sheh se përfaqësues të lartë të politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor. UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.

Në rastin konkret ky efekt negativ rritet akoma më tepër, kur deklaratat dhe veprimet i’u referohen vendimeve të dhëna jo për “kriminele”, por për “persona nën hetim”, të cilët sipas Kushtetutes, prezumohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, në fund të një procesi penal. Ndërkohë që, vendimi i anatemuar, për më tepër duke i’u kundërvënë publikisht gjyqtarit, bazohet në dyshime (jo prova), është pjesë e fillimit të një procesi penal dhe jo vendim përfundimtar, i cili do të bazohet mbi prova (jo dyshime) dhe mund të jetë i kundërt me vendimin për caktim e masës së sigurimit, apo pretendimeve të  Prokurorise dhe Policisë. Gjithashtu, nga ana e Ministrit të Brendshëm, nuk merret parasysh Vendimi nr. 9, datë 26.02.2016, i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur: “Shfuqizimin e paragrafit të dytë të nenit 55 të Kodit Penal, shtuar me ligjin nr.144/2013, si dhe të paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të Kodit Penal, shtuar me ligjin nr.144/2013, ndryshuar me ligjin nr.98/2014.” Në këtë vendim, pavarësisht konsideratave personale të Ministri të Brendshëm mbi rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale të “Armëmbajtjes pa lejë”, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ndryshimet ligjore që i ishin bërë kësaj dispozitë, të cilat kishin ashpërsuar ndjeshëm dënimin. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dënimi i parashikuar nga ana e ligjvënësit ishte jo proporcional referuar nenit 17 të Kushtetutës dhe për këtë arsye duhej shfuqizuar. Referuar natyrës së procesit të caktimit të masës së sigurimit personal dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtari Laurent Fuçia bazuar në bindjen e tij të brendshme ka ushtruar detyrën e tij Kushtetuese dhe i’u përket vetëm gjykatave më të larta të vlerësojnë vendimarrjen e tij.

Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojne vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre, pa përfunduar më parë procesi i mësipërm i rrugës që ndjek vendimi gjyqësor.

Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetem që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Së fundmi UGJSH dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vizita e Metës, plas xhelozia te PS e Gjirokastrës: Këta kanë edhe parti dhe rini...ne kemi 2K (Foto)
Kokëdhima flet për mandatin e tij dhe Blushin: Partia Socialiste nuk ka nevojë për çarje, i ka provuar histori të tilla »
Article Logic
Execution time: 0.024545907974243
array(1) { ["section"]=> string(100) "letra-e-tahirit-reagon-unioni-i-gjyqtareve-presion-sistematik-dhe-intimidim-i-trupes-gjyqesore-35091" }