Liberalizimi i tregut të energjisë, bizneset skeptike

Publikuar tek: ekonomi, më 12:24 01-02-2015 Liberalizimi i tregut të energjisë, bizneset skeptike

Fillimi i vitit 2018 duhet t’i gjejë të gjitha bizneset në tregun privat të energjisë. Ligji i ri për energjinë elektrike që ka mbërritur në Parlament, detyron klientët e tensionit të mesëm të furnizohen nga privatët dhe jo OSHEE, që nga ky vit. Bizneset mosbesues: Do të rriten kostot. Prodhuesit: Nuk ka liberalizim pa treg

Qeveria i ka vënë kapakun reformës në energji me liberalizimin e tregut. Kjo do të thotë se, bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm duhet të shkëputen nga rrjeti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me detyrim dhe të gjejnë burimin e furnizimit me energji në mënyrë të pavarur, duke nisur që nga fundi i këtij viti. Nisma në dukje joshëse, më shumë se sa për të lehtësuar kostot e biznesit po bëhet për të çliruar OSHEE-në e zhytur në borxhe nga detyrimi për të furnizuar klientët e mëdhenj. Deri në vitin 2018, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë. Projektligji ka kaluar miratimin në qeveri dhe pritet shumë shpejt të nisë diskutimin në Komisionet parlamentare.

 

Në kulmin e reformave të mëdha tatimore, që sjellin mënyra të reja taksimi dhe komunikimi të biznesit më administratën e fiskut, ligji për liberalizimin e tregut të energjisë po miratohet pa shumë bujë. Trajtimi mediatik i u fokusua vetëm në masat shtrënguese që parashikon ligji për arkëtimin e detyrimeve të energjisë, ku si mjet i ri do të përdoren edhe sekuestro për shtëpitë në këmbim të borxhit, por ajo që pritet të ndryshojë kryekëput është liberalizimi i “dhunshëm” i tregut të energjisë, pa u krijuar më parë vetë tregu. Bizneset duhet të gjejnë furnitorë privatë të energjisë. Tregtarët e rinj që pritet të krijohen pasi ligji të ketë hyrë në fuqi, do të blejnë energji nga prodhuesit vendas ose nga jashtë vendit dhe do ta shesin sipas kërkesave për klientët e tyre në Shqipëri. Po t’i qëndrojmë këtij parimi, mundësitë për lulëzimin e biznesit në sektorin e energjisë janë të mëdha, por aktorët e tregut, bizneset dhe prodhuesit e energjisë kanë parashtruar argumente se, në Shqipëri liberalizimi nuk do të funksionojë.

 

Ligji i ri detyron klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 31 dhjetor 2015. Klientët e lidhur në tension 20 kV, do të shkëputen nga rrjeti i OSHEE jo më vonë se data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.

Afatet nuk japin shumë kohë, ndërkohë draftligji që po miratohet nuk e ka përcaktuar modelin e tregut që do të ndiqet. Këtë kompetencë e ka qeveria, e cila, një vit pasi të ketë hyrë ligji në fuqi, do të përcaktojë edhe specifikat. Metodologjitë dhe rregulloret që e bëjnë ligjin funksionues do të miratohen një vit pasi ligji të ketë hyrë në fuqi.

 

Adi Haxhiymeri, pronar i fabrikës Bloja, i cili e ka të lidhur aktivitetin e tij me rrjetin 20 kilovolt, thotë se dalja në treg me detyrim nuk është logjike. “Ne na është dhënë një afat për daljen nga tregu, por kjo do të ishte fatale për biznesin tonë në rast se, tregu nuk na përgjigjet me çmime të pranueshme ose të paktën me të njëjtat nivele sa ofron edhe monopoli shtetëror aktualisht”.

 

Ministri i Energjetikes, Damian Gjiknuri, ka pohuar se, liberalizimi i tregut të energjisë do të ofrojë mundësi më të mira për tregti. Sipas tij, tregu do të bëhet më elastik, me çmime të qëndrueshme për konsumatorët dhe do të ketë mundësi nga të gjithë investitorët për tregtimin e energjisë.

 

Bizneset nuk i besojnë liberalizimit

 

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike shihet me dyshim nga bizneset që konsumojnë energjinë elektrike ose e kanë si lëndë të parë atë për zhvillimin e aktivitetit. “Tregtarët e rinj që do të blejnë energjinë nga jashtë dhe do të na e shesin ne, do ta kenë marzhin e tyre të fitimit”, – thotë Skënder Pashaj, administrator i kompanisë së prodhimit të këpucëve, “Fital”. Këto kompani, sipas tij, për shkak të specifikës që ka energjia elektrike si mall nuk mund të konkurrojnë monopolin e madh që ka shteti me shpërndarjen e realisht nuk do të mund të arrijnë të sjellin për konsumatorin fundor çmime më të lira. Aktualisht OSHEE ofron një çmim 14 lekë për kilovat ndaj biznesit dhe ka mbi 90% të monopolit të furnizimit. Pashaj shtron pyetjen se, a munden kompanitë e reja ta sjellin energjinë më lirë, duke e blerë atë në Europë dhe duke shfrytëzuar asetet e transmetimit dhe shpërndarjes. Ai pohon se nuk pret të përfitojë me furnizimin me energji elektrike nga ky lloj biznesi. Pasi një model i tillë tregu ka dështuar edhe në Itali. Pashai tha se, Italia vitet e fundit tentoi të liberalizonte tregun e energjisë dhe dështoi në këtë mision, duke e kthyer shërbimin sërish te monopoli i madh. Tregu nuk funksionoi pasi operatorët rinj në tregun e energjisë nuk arritën të siguronin energji me çmim më të ulët se monopoli i madh. Ndaj në të gjithë shërbimet i energjisë është i përqendruar tek monopolet, të cilat, në të shumtën e rasteve, janë edhe pronë e shtetit.

Ai pohon se, aktualisht biznesi gjendet mjaft i rënduar nga ndryshimi i shpeshtë i politikave të qeverisë. Azhurnimet e mëdha të legjislacionit tatimor, rritja e taksave dhe ndryshimet e procedurave tatimore e kanë vështiruar klimën e biznesit në këtë fillimviti. Por, nëse qeveria do të detyrojë bizneset të gjejnë në mënyrë të pavarur edhe tregun e energjisë elektrike kjo vjen si një e panjohur e re dhe me kosto të paditura. Për biznesin fason, energjia elektrike zë pjesën më të madhe të kostos pas pagave të punonjësve, ndaj liberalizimi i tregut duhet të jetë një politikë e matur mirë.

 

Koncesionarët e HEC-eve: Pa treg energjie, liberalizimi nuk vlen

 

Prodhuesit vendas të energjisë nuk e shohin me perspektivë liberalizimin e tregut të energjisë. Dalip Spahiu, zotëruesi i HEC Gjancit, por edhe disa HEC-eve të tjera thotë se, liberalizimi i tregut, sipas ligjit aktual, nuk do të mund të funksionojë, pasi qeveria ka vendosur hapjen e tregut pa pasur treg. Ndërkohë që bizneseve u janë vënë afate nisur nga ky vit për daljen me detyrim nga rrjeti i OSHEE, tregu nuk ekziston thotë Spahiu. Madje, sipas tij, qeveria e ka të paqartë edhe modelin që do të aplikohet për të sjellë më shumë operatorë që shesin dhe blejnë energji. Ai tha se, energjia që prodhohet në HEC-et e tij e ka të pamundur të shitet në tregun vendas. “Nuk kam ndër mend të lidh asnjë kontratë me bizneset shqiptare që konsumojnë energji, pasi nuk kanë likuiditet”, thotë Spahiu. Ai pohon se, edhe tani kishte kërkesë nga klientë të kualifikuar për të shitur energjinë që prodhon nga HEC-et, mirëpo nga verifikimet që ka bërë, ka rezultuar se, i interesuari ka borxhe dhe kredi të këqija në banka, detyrime tatimore dhe për pasojë, mundësia për të marrë pagesat në kohë është e pakët. Por ai nuk e sheh si perspektivë edhe shitjen energjisë jashtë vendit. Pasi aktualisht, sistemi i transmetimit është monopol dhe nuk ka linja alternative që të mundësohet transmetimi me kostot të lira. Duke qenë se, nuk ka mundësi zgjedhjeje të shesësh energjinë me kosto të lira transmetimi, interesi për të fituar nga shitja në tregjet e huaja mbetet i ulët.

 

Spahiu e konsideroi paradoksal faktin se, ligji për liberalizimin e tregut energjisë të miratohet para ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë. Në të gjithë botën po ndërmerren politika favorizuese në drejtim të energjive të pastra si HEC-et, por në vendin tonë politikat e dy viteve të fundit e kanë çuar prodhimin e energjisë nga HEC-et e vogla në ngërç, tha më tej biznesmeni i HEC-eve. Ngarkesa fiskale dhe mungesa e tregut për të shitur energjinë kundrejt përfitimeve monetare ka çuar në shkurtimin e 50% të numrit të punonjësve në objektet e prodhimit.

 

Prej disa muajsh, ai pohon se është në kërkim të blerësve për të shitur aktivitetin. Por, edhe pse energjia shihet si një treg në rritje, Spahiu tha se, nuk ka interes për blerjen e HEC-eve për shkak të pasigurisë që po vjen nga ndryshimet e shpeshta ligjore dhe politikat e ditës për zhvillimin mëtejshëm të sektorit.

 

Ndryshimi i ligjit për të mbushur gropën që la CEZ

 

Sektori i energjisë ka një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik, pasi është i ndërlidhur ngushtësisht me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore të vendit, prandaj reforma në këtë sektor është shumë komplekse. Ligji i ri është parakusht për reformat që duhen aplikuar, shpjegojnë ekspertë në Ministrinë e Energjetikës. Veç të tjerash, ligji i ri vjen si një detyrim i anëtarësimit në BE dhe Traktatit Europian të Energjisë. Ky projektligj, në fakt, është një nga aktet më të rëndësishme për funksionimin e sektorit të energjisë elektrike, pasi do të ndryshojë kryekëput funksionimin e tregut aktual, duke synuar që gati gjysma e konsumatorëve të zotërohet jo nga monopolet e shtetit, po nga privatët. Ministria e Energjetikës argumenton se ligji i ri i energjisë synon të adresojë problematikat që u krijuan pas heqjes së licencës së shoqërisë CEZ a.s. për shoqërinë e shpërndarjes së energjisë elektrike.

 

Eksperienca negative me privatizimin e shoqërisë së shpërndarjes dhe riblerja e 76% të aksioneve të shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., nga qeveria shqiptare ka bërë të domosdoshme ristrukturimin e të gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë ndryshimin e modelit të tregut të energjisë elektrike. Të njëjtët ekspertë pohojnë se, për të mundësuar një ristrukturim të sektorit dhe dizenjimin e një modeli të ri të tregut duhet mbështetja ligjore, e cila do të realizohet pikërisht nëpërmjet këtij ligji. Ata presin që efektet e këtij projektligji të jenë të menjëhershme në pikëpamjen e përcaktimit të qartë të funksioneve dhe përgjegjësive të operatorëve të ndryshëm në sektorin e energjisë elektrike që do të krijohen nga liberalizimi i tregut.

 

Tregtarët dhe tarifat me rregullat e reja

 

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe OSHEE garantojnë aksesin në rrjet për të gjithë klientët dhe përdoruesit e sistemit, mbi baza jodiskriminuese dhe bazuar në tarifat e miratuara nga ERE. Prodhuesit nga burime të rinovueshme kanë përparësi dhe u garantohet aksesi në rrjetet elektrike. Por OST dhe OSHEE mund të refuzojnë aksesin në rrjetin e tyre, në rast se mungon kapaciteti i nevojshëm. Rrjeti i kompanive shtetërore do të përdoret kundrejt tarifave. Kjo do të thotë se, për tensionin e mesëm 30 dhe 20 kilovolt duhet të paguhet tarifë e veçantë, e cila vjen në rritje sipas masës së tensionit. Tarifën më të lartë e ka Sistemi i Transmetimit. Për miratimin e tyre është përgjegjës Enti Rregullator i Energjisë (ERE), por përcaktimi i nivelit të tyre do të kryhet pas miratimit të ligjit. Drafti përcakton se, tarifat duhet të jenë të njëjta, sipas kapacitetit të rrjetit për të gjithë operatorët, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca. Kostot e plota për lidhjen me rrjetin ekzistues do të mbulohen nga pala që kërkon të lidhet në rrjet.

 

Niveli i tarifave të aksesit në rrjet nuk do të jetë në varësi nga distanca e përdoruesit me rrjetin e energjisë elektrike. Niveli i tarifave për lidhjen me rrjetin e prodhuesve dhe klientëve përcaktohet duke konsideruar nivelin e humbjeve në rrjet, kapacitetin e kufizuar që mund të shkaktohet nga këto lidhje dhe kostot e nevojshme të investimeve infrastrukturore që mundësojnë lidhjen me rrjetin. ERE, në bashkëpunim me operatorët e rrjeteve, miraton rregullat që përcaktojnë kostot që do t’i ngarkohen përdoruesit në lidhje me kushtet e veçanta të pikës së lidhjes.

 

Në përcaktimin e tarifave të aksesit në rrjet duhet të merren në konsideratë pagesat dhe faturat që rezultojnë nga mekanizmi i kompensimit ndërkufitar i operatorëve të sistemit të transmetimit dhe pagesat e kryera dhe ato të marra, përfshirë edhe pagesat e pritshme të periudhave të ardhshme, vlerësuar mbi bazën e periudhave të mëparshme.

 

Vendosja e tarifave të aksesit në rrjet, sipas projektligjit, do të bëhet pa paragjykuar detyrimet mbi eksportet dhe importet e deklaruara që rezultojnë prej menaxhimit të kapaciteteve të kufizuara.

 

Të drejtat që ruajnë kompanitë e shtetit

 

Operatori i Sistemit të Transmetimit, në bazë të këtij ligji, ka të drejtë të mbledhë tarifën e rrjetit, e cila do të përcaktohet nga ERE. OST do të ketë të drejtën të blejë energji për sa i përket mbulimit të humbjeve në sistemin e transmetimit dhe sigurimit të shërbimeve ndihmëse që nevojiten për operimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmetimit. Gjithashtu, OST-ja ka detyrimin kryesor të administrimit të sistemit të transmetimit nëpërmjet përdorimit të pajisjeve të rrjetit, në përputhje me rregullat teknike. Disa nga detyrimet e OST-së përfshijnë menaxhimin e flukseve të energjisë elektrike brenda sistemit të transmetimit dhe operimin në paralel me sistemet e transmetimit të vendeve fqinje, ushtrimin e funksioneve të saj në mënyrë jodiskriminuese, hartimin e Kodit të Transmetimit, kryerjen e balancimit të sistemit, alokimin e kapaciteteve të interkoneksionit dhe menaxhimin e kapacitetit të kufizuar me operatorët e rrjeteve fqinje. OST-ja është përgjegjës për dispeçerimin e energjisë elektrike nga centralet prodhuese dhe përdorimin e linjave të interkoneksionit.

 

Në ndryshim nga legjislacioni ekzistues, që përcaktonte se aktiviteti i shpërndarjes kryhej vetëm nga një operator, me anë të këtij projektligji synohet të jepet mundësia për kryerjen e këtij aktiviteti nga disa subjekte. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka si detyrë të mbajë dhe operojë sistemin në gjendje të sigurt, të qëndrueshme dhe të efektshme, të lidhë të gjithë klientët që kërkojnë të lidhen në rrjetin e shpërndarjes në baza jodiskriminuese. OSSH-ja prokuron energjinë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes.

 

Furnizimi

 

Projektligji parashikon se, tashmë furnizimi me energji elektrike i klientëve fundorë mund të bëhet nga çdo i licencuar nën detyrimin e shërbimit universal dhe me çmime të negociuara lirisht midis palëve. ERE mund të vendosë ndaj çdo furnizuesi të energjisë elektrike detyrimin e një furnizimi të rregulluar, që detyron këtë furnizues të furnizojë klientë që përfitojnë këtë shërbim, sipas kushteve dhe çmimeve të rregulluara. Garantohet që ndryshimi i furnizuesit bëhet me kërkesë të klientit fundor dhe pa kosto shtesë për klientin.

 

Matja

 

Ligji i ri sjell disa risi porsa i përket matjes së energjisë. Me miratim të ERE-s, operatorët e sistemit të transmetimit dhe të shpërndarjes mund të kontraktojnë operatorë të pavarur për kryerjen e funksionit të matjes dhe ose shërbimeve të leximit të matësve. Po ashtu, parashikohet implementimi i sistemit të matësve inteligjentë (smart meters), që ndihmojnë pjesëmarrjen aktive të klientëve fundorë në tregun e furnizimit. Verifikimi i sistemit të matjes së energjisë kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ose nga një person juridik i autorizuar për këtë qëllim. Ligji i ri detyron Ministrinë e Energjetikës dhe institucionet përgjegjëse që gjatë një periudhe 10-vjeçare nga hyrja në fuqi e ligjit të shqyrtojnë dhe të realizojnë instalimin e matësve të energjisë me parapagesë. Realizimi i këtij misioni do të kushtëzohet nga mundësitë financiare, pasi instalimi i tyre është me kosto të lartë.

 

Nuk paguan faturat, sekuestro pasurive

 

Metodat për grumbullimin e detyrimeve të energjisë janë forcuar në ligjin e ri. Në rast se, detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Kjo masë është më e ashpër se ajo që bankat aplikojnë për kreditë e këqija. Pasi, limiti i borxhit kur sekuestro aplikohet nga OSHEE është më i ulët në krahasim me masat e ngjashme që aplikojnë bankat për mosshlyerjen e kredive. Dënimi me burg për ata që nuk paguajnë duket se, nuk është zgjidhje për të kompensuar humbjet financiare që krijohen nga mospagesa e energjisë në kohë. Me ligjin e ri, qeveria i jep të drejtë OSSHE-së të konvertojë borxhin me barrë hipotekore. Kjo do të thotë se sekuestroja mund të bjerë edhe mbi shtëpinë dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në rast se nuk shlyhen rregullisht faturat dhe kamatëvonesat.

 

Mbrojtja e klientit

 

Në bazë të këtij projektligji vendoset parimi që çdo klient ka të drejtën të zgjedhë lirisht furnizuesin e tij të energjisë elektrike me çmime të parregulluara. Nuk lejohet sjellja diskriminuese e të licencuarit, si dhe kushtet e ofruara për nënshkrimin e kontratës duhet të jenë transparente. Klientët fundorë kanë të drejtë të informohen paraprakisht për çdo ndryshim të kushteve të kontratës, si dhe të marrin informacion të plotë për çmimet, tarifat, termat dhe kushtet standarde në lidhje me shërbimin e energjisë elektrike. Gjithashtu, klientëve u sigurohen procedura të thjeshta dhe transparente për trajtimin e ankesave të tyre. Ministria përgjegjëse për Çështjet Sociale do të përcaktojë kriteret dhe procedurat për përfitimin e statusit të konsumatorëve vulnerabël, të drejtat e tyre, si dhe masat që do ndërmerren për mbrojtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie. Masat që do të ndërmerren për dhënien e ndihmës së këtyre klientëve, do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.

 

Liberalizimi

 

31 dhjetor 2015

Të gjithë klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kv janë të detyruar të dalin në tregun e liberalizuar të energjisë

31 dhjetor 2016

Klientët e lidhur në tension 20 kV janë të detyruar të shkëputen nga rrjeti i OSSHE-së

31 dhjetor 2017.

Klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV duhet të shkëputen me detyrim nga OSHEE

 

*Blerina Hoxha - Monitor

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0069060325622559
array(1) { ["section"]=> string(57) "liberalizimi-i-tregut-te-energjise-bizneset-skeptike-2057" }