LIMOZ DIZDARI - KADAREJA I MUZIKËS

Publikuar tek: kulture-art, më 13:44 25-04-2018 LIMOZ DIZDARI - KADAREJA I MUZIKËS Limoz Dizdari

Nga Agim Xhafka

Dizdarin si kompozitor e kam njohur qysh fëmijë. Limozin si njeri e kam njohur kur u bëra burrë. Por ndryja kaq vlerësim për krijimet e tij sa në takimin e parë me të m’u zu fryma prej emocionit. Nga që ia pëlqeja shumë këngët dhe nuk besoja se Limozi ishte njeri si gjithë të tjerët. E pérfytyroja jashtëtokësor, si dikush që jeton veçan, në vendin e zotave.
Çdo mëngjes sa hap tv e dëgjoj këngë nga më të shpifurat më del nga shpirti: "Po ku je o Limoz Dizdari dhe ju dizdarët e tjerë?!”
Unë e di që ai ka vite e vite që jeton në Ksamil. Se në atë përrallë jetojnë gjenitë. Atje era tund degën e dafinës,e përkund dhe krijon art bio. Ai nuk mund ta ketë muzën në Tiranën Kandahar, pa ujë e ajer të pastër, pa qetësi e me zhurma njerëzish nevrikë e borijesh histerike.

Arti i tij do valën,pranon dallgën, i avitet reve dhe i këndon horizontit. Limozi ka hyrë ëmbël në zemrën e çdo shqiptari në ato vite tmerri e dhune. U struk tek ne e na zbuti, na ngrohu, na fisnikéroi. Prej muzikës së tij e ruajtëm pakëz dinjitet e krenari, nuk u shfytyruam në kafshë. Se na mbrojtën notat e Dizdarit.
E kam thënë me vete prej vitesh që Limozi është në muzikë si Kadareja në letérsi.

E ndërsa shkrimtari ynë shkon e jeton në Francë, Limozi banon më pranë, në Ksamil ku ka det e ku pentagrami shtrohet si qilim pranveror.
E dua shumë muzikën e tij, e kam në makinë, e nxjerr në tv, më kujton të djeshmen, por dhe më pastron ndjenjat. Më bën optimist e krenar se ka ngjyra, ritëm e dritë. Lum si ai vend që e mban në gji. Ndoshta pas ca dekadash Ksamili do ngrejë një muze e turistë nga çdo cep i globit do e vizitojnë këtë perlë nga që për shumë vite këtu jetoi e krijoi AI, muzikanti i madh botëror, Limoz Dizdari...

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Drejtori i Ramës merr postin e lartë në Paris, asnjë votë kundër
»
Article Logic
Execution time: 0.1099488735199
array(1) { ["section"]=> string(39) "limoz-dizdari-kadareja-i-muzikes-118258" }