Makinat, pensionet, bizneset, akcizat, ja sa rriten taksat nga 1 janari

Publikuar tek: politike, më 21:51 29-11-2015 Makinat, pensionet, bizneset, akcizat, ja sa rriten taksat nga 1 janari

Kush ka një makinë, kush ka një profesion dhe ka zgjedhur ta ushtrojë atë në mënyrë të pavarur, kush ka një tokë, apo kush ka vendosur të investojë në Shqipëri për të prodhuar “made in albania”, janë “armiq” të qeverisë. Kush ka një biznes të vogël, do të favorizohet nga qeveria. Kjo është me pak fjalë paketa e re fiskale që do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2016.

MAKINAT

Të gjithë ata që kanë një makinë do të paguajnë më shumë për qeverinë. Jo pak, por mbi 450 mijë qytetarë do të paguajnë më shtrenjtë siguracionin e detyrueshëm të makinës së tyre. Nga 1 janari, taksa mbi sigurimet rritet nga 3 për qind që është sot në 10 për qind. Kjo taksë do të paguhet nga qytetarët. Qeveria do të marrë 7 milionë USD më shumë për të gjithë ata që kanë makina. Mesatarisht 1500 lekë më shumë, ose 15 USD për çdo person. Por ka edhe më fatkeq. Janë ata që kanë makina me motor mbi 3000 kubikë. Këta të fundit qeveria i quan pasanikë me makina luksoze. Nuk dihet pse është bërë kjo ndarje, kur vetë “Jaguarët” që do të marrë qeveria janë superluksozë dhe e kanë motorin 2200 kubikë, ndërsa makinat e vjetra që sot shiten nën 1 mijë USD kanë motor mbi 3 mijë kubikë. Sidoqoftë, këta të fundit do t’i japin qeverisë 70.000 lekë për regjistrim, kur e blejnë makinën, dhe 21 mijë lekë, shtesë mbi taksën vjetore të makinave të përdorura. Në total do të paguajnë 3.4 milionë USD më shumë në vit.

PENSIONET

Profesionistët, pra, elita e profesioneve të vendit, janë një tjetër kategori që do të penalizohen nga qeveria. Bëhet fjalë për doktorët, stomatologët, farmacistët, veterinerët, laborantët, arkitektët, inxhinierët, projektuesit, kontabilistët, avokatët, noterët etj. Të gjithë këta do të paguajnë kontribute mbi pagën maksimale. Jo ata që punojnë në shtet dhe që përgjithësisht, siç etiketohen shpesh, s’janë të aftë, por për ata që punojnë privatë. Aftësia e tyre është e konkurrueshme dhe sigurisht që janë më të zotët. Ironikisht, qeveria në rritjen e masës së kontributit për pension, relaton se kjo do t’u shërbejë vetë këtyre profesionistëve. Skema e re e pensioneve është e qartë. Do të marrësh pension mbi kontributin që paguan. Qeveria është e shqetësuar për profesionet e lira dhe shkruan në relacion: “Duke paguar sot një kontribut më të madh shoqëror, i vetëpunësuari do të përfitojë një pension më të madh nesër”. Pra, po i ndihmon, se këta profesionistë nuk e dinë skemën. Në fakt, çdo profesion i lirë, sipas relacionit të qeverisë, nga 6556 lekë në muaj kontribute do të paguajë 27.172 mijë lekë në muaj. Ose 20.616 lekë më shumë në muaj dhe 247.392 lekë shtesë në vit. Në ligj thuhet se pagën mbi të cilën do të paguhen kontributet do ta përcaktojë qeveria, por relacioni flet për pagën maksimale 97 mijë lekë. “Ndryshimi propozon që të vetëpunësuarit, si profesion i lirë, do të paguajnë kontribut shoqëror në masën 23% të pagës maksimale prej 97.030 lekësh”.

BIZNESET E VOGLA

Bizneset e vogla janë të favorizuarat e vetme nga paketa fiskale. Të gjithë ata që kanë një xhiro nën 5 milionë lekë në vit, nuk do të paguajnë taksa. Përfitimi për ata që kanë xhiro deri në 2 milionë lekë është i qartë, sepse sot paguanin 25 mijë lekë tatimfitimi në vit. Ndërsa për ata me xhiro nga 2 deri në 5 milionë lekë, taksa prej 7.5 për qind e fitimit do të bëhet zero. Bizneset e tjera, me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë, do të kenë ulje të tatimitfitimit nga 7.5 në 5 për qind. Pra, të gjitha bizneset e vogla favorizohen ndjeshëm. Tatimfitimi është e vetmja taksë që paguajnë të vetëpunë­ suarit, që janë pjesa dërrmuese e biznesit të vogël. Pas 1 janarit, një i punësuar në administratë apo biznes do të paguajë më shumë tatim mbi të ardhurat sesa një i vetëpunë­ suar që ka një biznes të vogël. Sidoqoftë, ky është një favorizim fiskal për të paktën 100 mijë biznese ose familje që kanë biznes të vogël.

AKCIZAT

Tek akcizat qeveria është në kaos. Ose më saktë, është e qartë në favorizimin e importeve, por duke qenë qeveria e shqiptarëve, mendohet se duhet të favorizojë prodhimet shqiptare. Nga 1 janari, fabrikat vendase të prodhimit të birrës do të paguajnë 11% më shumë akcizë, ndërsa ata që importojnë birrë nga jashtë do të paguajnë 15 për qind më pak akcizë. Shifrat flasin vetë se kush favorizohet. E njëjta gjë edhe me duhanin, i cili vjen i gjithi nga importi. Qeveria ka prishur planet e veta për rritjen e akcizës këtë vit, në mënyrë që të favorizojë importuesit dhe konsumin e duhanit. Politikë fiskale mirëfilli kundër interesave të ekonomisë dhe shëndetit të qytetarëve të vet.

PRONAT E HOTELET

Janë rreth 50 mijë hektarë troje që do të taksohen për herë të parë. Në tabelë gazeta ka botuar se sa do të paguhet sipas bashkive. Qeveria do të marrë 1.8 milionë USD shtesë nga kjo taksë e re. Për hotelet ka një tjetër paradoks. “Projektligji propozon uljen e taksës së fjetjes në hotel nga 5% e çmimit të fjetjes në 1 euro, ose 140 lekë për natë fjetje”, thuhet në relacion. Por habitshëm nga ulja e taksës do të merren më shumë para. Vetë relacioni thotë se efekti në të ardhura është pozitiv. “Efekti në të ardhura pritet të rritet rreth 510 milionë lekë nga rreth 85 milionë lekë që mblidhen aktualisht nga kjo taksë”, thekson i njëjti relacion, transmeton "Panorama".

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « 71 vjetori i Çlirimit, Rama: Ta mposhtim ISIS siç mposhtëm nazizmin
Kur ‘’kaubojsi’’ imponohet, ‘’njerëzit e rëndësishëm’’ foto me të »
Article Logic
Execution time: 0.026116847991943
array(1) { ["section"]=> string(73) "makinat-pensionet-bizneset-akcizat-ja-sa-rriten-taksat-nga-1-janari-26563" }