Medaljet e ‘29 Nëntorit’, dekorata për funksionarët e PPSH. Ministria e Mbrojtjes i nderoi 1 vit më parë

Publikuar tek: politike, më 10:09 29-11-2015 Medaljet e ‘29 Nëntorit’, dekorata për funksionarët e PPSH. Ministria e Mbrojtjes i nderoi 1 vit më parë

Hetuesi që do t’i “hapte” derën e burgut dhe kalvarin 23-vjeçar të vuajtjeve në qelitë e komunizmit, At Zef Pllumit është dekoruar 1 vit më parë nga ministria e Mbrojtjes me “Medaljen e Mirënjohjes”. Shyqyri Çoku, për torturat e presionet çnjerëzore të të cilit, At Zef Pllumi ka shkruar një kapitull të veçantë në librin “Rrno vetëm për me tregue” është nderuar nga qeveria për kontributet e dhëna për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Dekorata i është akorduar 1 vit më parë me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit.

“Gazeta Shqiptare” boton sot disa fragmente të shkurtra nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregu” ku ai rrëfen për hetuesin e tij, Shyqyri Çoku.

Fragment nga libri “Rrno vetëm për me tregue”

At Zef Pllumi

LIBRI III

ROBNIA E GJATË

1967-1989

GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNË

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

-Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

-Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

-I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji Mbi komunitetet fetare;. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? pyet Enveri. Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë;.

-I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

-Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len;. E sikur tish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

Atëherë thirri me të madhe:

-Jonuz, e ke gadi tjetrin?

-Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pvesin aty.

-Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

****

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te kafazi i të pandehurve;. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: Drejtësia në shërbim të popullit;. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

-Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

-E vetmja gja që i mungon asht ngrfoja.

-Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

-Sot asht 7 gradë nën zero, tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

****

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

-Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

-Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

-A asht motra jote ajo?

-Jo, nuk e njof.

-Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

*****

Shyqyri Çoku më tha: -Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin. Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur tishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që ti thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo.

Dekorohen Rrahman Parllaku dhe prokurori që e burgosi në 1974

Rahman Parllaku dhe Murat Kamani, prokurori që kërkoi burgosjen e tij në vitin 1974 me akuzën e tradhëtisë ndaj atdheut; janë dekoruar një vit më parë të dy nga ministria e Mbrojtjes me Medaljen e mirënjohjes; për kontributet e dhëna në Luftën Nacional-Çlirimtare. Ky përbën ndoshta të parin rast në pothuasje të gjitha vendet e ish-Lindjes ku pas rënies së komunizmit, xhelati; dhe viktima; nderohen njësoj, me të njëjtën medalje. Heroi i Popullit; Rrahman Parllaku është dënuar dhe burgosur nga diktatura komuniste për pjesëmarrje në të ashtuquajturin puç ushtarak;, nën akuzën e krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë;. Në bazë të këtyre akuzave u dënua me 25 vjet heqje lirie, si pjesëtar i të ashtuquajturit grup i Beqir Ballukut;. Ai është kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar.

Drejtuesit e PPSH dhe ish-Sigurimit dekorohen me ‘Medalje Mirënjohjeje’

Qeveria dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes” funksionarë të lartë të Partisë së Punës, drejtues madhorë, oficerë e agjentë të Sigurimit të Shtetit, kryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, prokurorë që kanë kërkuar dënime me vdekje, gjykatës që kanë dhënë vendime për varje e pushkatim si dhe dëshmitarë në gjyqet e montuara të diktaturës. Motivacioni për nderimin shtetëror të tyre, 25-vite pas rënies së komunizmit, është: “Për kontributin në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë”.

Vendimi

Një vit më parë me urdhërin e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli u krijua një komision i posaçëm, misioni i të cilit ishte evidentimi i 1000 veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilëve do t’ju jepej “Medalja e Mirënjohjes” me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Sipas ministrisë dekoratat u akorduan në bazë të propozimeve të shoqatave të veteranëve. Një vit më pas “Gazeta Shqiptare” siguroi ekskluzivisht listën e plotë, e cila u mbajt sekret dhe derimë sot nuk ishte bërë publike. Nga një verifikim i hollësishëm, emër për emër, rezulton që ndër 1 mijë të dekoruarit ka edhe nga ata që ish-të përndjekurit politikë i cilësojnë si “xhelatë të komunizimit”, të cilët nuk e patën kurrë “Nurembergun” e tyre por që pas vitit 1944, shteti shqiptar, si në diktaturë e demokraci, iu ka varur në gjoks vetëm dekorata.

Emrat

Në listën e të dekoruarve nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes” është zv/Drejtori i Përgjithshëm i Sigurimit, Rakip Beqaj por edhe agjenti emblematik Mark Dodani, i cilësuar ndryshe si “ikona” e Sigurimit që mbante lidhje direkte me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, aktiv në goditjen e disa grupeve diversante siç i cilësonte regjimi. Në listë figuron edhe prokurori ushtarak i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos. Ishte pikërisht Murat Kamani i cili e vlerësoi grupin si “komplotist” duke i kërkuar gjykatës dënimin e tyre me vdekje. Ai sot dekorohet me “Medaljen e Mirënjohjes”. Gjyqtari “famëkeq” i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, Anastas Koroveshi është një tjetër i dekoruar, bashkë me hetuesin e At Zef Pllumit, Shyqyri Çokun. Gjithashtu në listë është edhe ministrja e Industrisë së Lehtë, ish- Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, bashkëshortja e Hysni Kapos, Vito Kapo. Bie në sy edhe emri i Kadri Ballës, fillimisht shoqërues i Enver Hoxhës dhe mandej zv/Drejtor i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme. Me “Medalje Mirënjohjeje” qeveria ka dekoruar edhe Drejtorin e Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëherazi Komandantin e Gardës së mbrojtjes së udhëheqjes komuniste, Xhafer Peçin. Lista vijon me Qemal Hysenaj, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, Jani Paskon, kryetarin e Rrethit Berat, Mustafa Beqari, oficer i Degës së Punëve të Brendshme, Isa Milotin, oficer i Sigurimit të Shtetit, Hamit Myhyrdari, kreun e Degës së Punëve të Brendshme Laç, Ilo Kodra, shefi i kabinetit të Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dhimitra Jakova, dëshmitare në gjyqin kundër Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit. Po ashtu është dekoruar edhe Xhoxhi Konomi, kreu i Hetuesisë në rrethin e Lushnjës, hetues në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas këshilltar në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Një “Medalje Mirënjohje” për kontributet në luftë, qeveria ka akorduar edhe për Gani Kodrën, Shefin e Sigurimit të Byrosë Politike, Llambi Gegenin, hetues në Drejtorinë e Hetuesisë në MPB, Fahri Krajën, oficer i Sigurimit të Shtetit, Emro Kondin, zv/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Librazhdit, Agim Bejlerin, oficer i Sigurimit, Stoli Lipivanit, dëshmitare në gjyqin e Ramize Gjebresë si edhe Eqerem Becit, dëshmitar në gjyqin ndaj Koço Theodhosit e Kiço Ngjelës. Dhe lista e të dekoruave vazhdon ndaj “Gazeta Shqiptare” e boton sot atë të plotë. Publikimi i saj në prag të kremtimit të 25-vjetorit të rrëzimit të diktaturës pritet të hapë debat jo vetëm në raport me LANÇ-in por edhe se si duhen trajtuar figurat e nomenklaturës e represionit komunist. Por siç u shpreh rreth një muaj më parë edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, pas vizitës në burgut e Spaçit: “Unë dua t’i nxis të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, apeloi Donald Lu.

Lista e të dekoruarve: Funksionarë të lartë të PPSH, drejtues të lartë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, prokurorë, gjykatës

LISTA E TË DEKORUARVE: FUNKSIONARË TË LARTË TË PPSH, DREJTUES TË LARTË DHE BASHKËPUNËTORË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, PROKURORË, GJYKATËS

RAKIP BEQAJ

Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit

GANI KODRA

Shefi i Sigurimit të Byrosë Politike

XHAFER PEÇI

Drejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe që nga viti 1972 deri në vitin 1982, ka kryer detyrën e Komandantit të Gardës së Republikës

MARK DODANI

Figura emblematike e Sigurimit të Shtetit me pseudonimet “Xhakoni” e “Studenti”, i cili mbante lidhje direkte me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, aktiv në goditjen e disa grupeve diversante siç i cilësonte regjimi.

MURAT KAMANI

Prokurori ushtarak i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllakut, e vlerësoi grupin “komplotist” duke kërkuar dënimin e tyre me vdekje.

ANASTAS KOROVESHI

Gjyqtar i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë

QEMAL HYSENAJ

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit

ERNESTO JAKOVA

Zëvendësdrejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, Ish-Gjeneral Major, i dënuar me grupin e të ashtuquajturit “Puçi ushtarak ‘74″

JANI PASKO

Kryetar i rrethit Berat

MUSTAFA BEQARI

Oficer i Degës së Punëve të Brendshme

ISA MILOTI

Oficer i Sigurimit të Shtetit (Shkodër)

SHYQYRI ÇOKU

Hetuesi i At Zef Pllumit (“Rrno vetëm për me tregue”)

RAHMAN PARLLAKU

Kandidat i Komititetit Qendror të PPSH, deputet i PPSH, ish-zv/ministër i Mbrojtjes, ish-Gjeneral Major i dënuar me grupin e të ashtuquajturit “Puçi ushtarak ‘74″

GANI KEÇI

Sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën

MELEQ BABANI

Kryetar i Komitetit Ekzekutiv te Bilishtit

VITO KAPO

Ministre e Industrisë së Lehtë, ish- Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, bashkëshortja e Hysni Kapos

NJAZI JAHO

Sekretar i Komitetit të Partisë për rrethin Tiranë

HAMIT MYHYRDARI

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Laç

ILO KODRA

Shefi i kabinetit të Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së

KADRI BALLA

Fillimisht shoqëruesi i Enver Hoxhës. Vite më vonë emërohet Zv/Drejtori i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme

DHIMITRA JAKOVA

Dëshmitare në gjyqin kundër grupit armiqësor të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Llambi Peçinit, etj

XHOXHI KONOMI

Kreu i Hetuesisë në rrethin e Lushnjës, hetues në

Prokurorinë e Përgjithshme, më pas ka punuar si këshilltar në Presidiumin e Kuvendit Popullor

LIRI BELISHOVA

Anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së. Themeluese e PKSH-së. Në vitin 1960 përjashtohet nga PPSH, internohet 21 vjet.

MANE ALIAJ

Vëllai i agjentit sekret të Kundërzbulimit shqiptar, Shemsi Aliaj pranë ambasadës shqiptare në Romë, i cili konsiderohet si një nga rekrutuesit më të mirë të Shërbimit Sekret Shqiptar në komunizëm.

LLAMBI GEGENI

Hetues në Drejtorinë e Hetuesisë në MPB

FAHRI KRAJA

Oficer i Sigurimit të Shtetit, Hetues, ish-drejtues i lartë në Sigurimin e udhëheqjes komuniste.

EMRO KONDI

Zv/kryetari i Degës Punëve të Brendshme Librazhd

AGIM BEJLERI

Oficer i Sigurimit të Shtetit

DURO SHEHU

Vëllai i kryeministrit, Mehmet Shehu.

SADUSH KUMBARO

Agjent i Sigurimit të Shtetit

STOLI LIPIVANI

Dëshmitare, pjesëmarrëse në gjyqin e Ramize Gjebreas

EQEREM BECI

Dëshmitar në gjyqin e Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, etj.

DEMIR PRODANI

Hetues i prokurorisë në disa rrethe

DHIMITËR BRISKU

Deputet i PPSH-së për Beratin, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Berat

NONDA BAKA

Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë e rrethit të Durrësit

KARAFIL KALEMI

Zv/Kryetar i Degës të Punëve të Brendëshme për mbi 20 vjet

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bamir Topi: Rama është kapur nga klientët e Berishës, harroi 21 janarin
Ndocaj pa ftesë, bën homazhe për dëshmorët me kurorën e LSI, kritikon pjesëmarrjen e komunistëve »
Article Logic
Execution time: 0.021462202072144
array(1) { ["section"]=> string(106) "medaljet-e-29-nentorit-dekorata-per-funksionaret-e-ppsh-ministria-e-mbrojtjes-i-nderoi-1-vit-me-pare-26515" }