Meidani: Reforma Cani-Ahmetaj ja arriti të nxirrte jashtë loje bizneset e vogla

Publikuar tek: ekonomi, më 16:52 08-10-2016 Meidani: Reforma Cani-Ahmetaj ja arriti të nxirrte jashtë loje bizneset e vogla

“Reforma e kombinuar e “shkencëtarëve-strategë” Cani-Ahmetaj, me të cilën ata iu përgjigjën krizës globale të importuar dhe rënies së fuqisë blerëse lokale, me rritje të barrës fiskale, rritje të kërkesave plotësuese dhe masave ndëshkuese ekstreme ja arriti qëllimit që të asfiksonte, deri të nxirrte jashtë loje mjaft biznese, madje pjesën më të mirë dhe të shëndoshë të bizneseve të vogla në Shqipëri”-shkruan Denion Meidani, djali i ish-presidentit Rexhep Meidanit duke bërë përgjegjës në këtë mënyrë reformat e ministrave të ekonomisë për mbylljen e bizneseve, kryesisht bizneset e vogla.

Fjala e plotë e Denion Meidanit:

Sipas një studimi në revistën Monitor, rezulton se vetëm në 8 muajt e fundit janë depozituar më shumë se 3000 kërkesa për mbyllje dhe çregjistrim biznesi, Ndër to dominojnë kërkesat nga biznesi vogël me afro 95%.

Mesa kuptohet nga këto të dhëna, reforma e kombinuar e “shkencëtarëve-strategë” Cani-Ahmetaj, me të cilën ata iu përgjigjën krizës globale të importuar dhe rënies së fuqisë blerëse lokale, me rritje të barrës fiskale, rritje të kërkesave plotësuese dhe masave ndëshkuese ekstreme ja arriti qëllimit që të asfiksonte, deri të nxirrte jashtë loje mjaft biznese, madje pjesën më të mirë dhe të shëndoshë të bizneseve të vogla në Shqipëri.

 Kjo, sidomos falë dhe politikave rilindase, që tentuan drejt shpërndarjen jo të balancuar, deri të zhdrejtë të burimeve e kapitalit si rezultat i monopoleve, partneriteteve e tenderimeve korruptive. Shto këtu dhe reformat e egra me të njëjtën frymë të Veliaj & Co në mjaft bashki rilindase, veçanërisht në atë të Tiranës, ku është rritur më tej edhe barra fiskale lokale me goditjen e përqendruar me theks gjobë-vënieje ndaj biznesit të vogël; atëherë tabloja është e qartë që biznesi i vogël, pavarësisht nga ajo që pretendohet së fundi, po goditet në mënyrë të koordinuar nga të gjitha hallkat e pushtetit rilindas.

Nuk mund të harrohet me këtë rast, edhe lëvizja më e fundit e Bashkisë së Tiranës, që do të rivlerësojë tregun imobiliar në mënyrë që taksimi për m2 të rritet akoma më shumë, përfshirë këtu dhe rritjen e qirasë për sipërmarrjet e vogla.

Ku po shkohet kështu?! Apo kemi këtu një synim të caktuar, deri të mbrapshtë...

Ndërkohë, po nga analiza e Monitor, rezulton se ndërmarrjet me 1-4 punonjës përbëjnë afërsisht sa 89% të bizneseve vendase dhe po këto sipërmarrje me 1-4 punonjës punësojnë dhe rreth 32% të forcës shqiptare të punës. Pra, biznesi i vogël që po goditet keqas e po nxirret jashtë biznesit me mjaft “egërsi tatimore” ka goxha peshë në punësimin dhe mirëqenien e një shtrese shumë të gjerë të shoqërisë dhe ekonomisë tonë.


Rishtrohet tani pyetja: pse këto synime të ashpra, deri të mbrapshta e të errëta? Pse po goditet shtresa e mesme dhe e varfër në Shqipëri nga një forcë, që pretendon të jetë e majtë? Mos vallë duhet që kjo forcë pune të orientohet drejt biznesit e plantacioneve kanabiste? Mos e dhëntë zoti! Ose, ndoshta, po kërkohet në të njëjtën kohë një tejfuqizim i bizneseve pro-rilindase për të krijuar një shtresim të ri mbështetës, me apo pa mjete abuzive financiare, por me qëllim kryesor përdorimin e tyre në zgjedhje, deri dhe si forcë militante në procesin e thellimit të mëtejshëm neo-diktatorial të rilindjes, të vetë qeverisjes së saj si një partie-shtet në trajtë korporate...

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018691778182983
array(1) { ["section"]=> string(84) "meidani-reforma-cani-ahmetaj-ja-arriti-te-nxirrte-jashte-loje-bizneset-e-vogla-55523" }