Mes pasigurisë së lartë, nis evakuimi i civilëve nga Alepo (Video)

Publikuar tek: bota, më 15:08 15-12-2016

Autobusët dhe autoambulancat kanë nisur të evakuojnë njerëzit nga zonat e mbetura nën kontroll të kryengritësve në Aleppo të Sirisë. Por, për të dytën ditë me radhë ka pasur një pasiguri nëse plani do të vazhdojë siç është rënë dakord.

Ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore janë të parët që evakuohen nga pjesa lindore e Aleppo-s, të cilën opozita e kishte marrë nën kontroll në vitin 2012, ndërsa civilët tjerë dhe luftëtarët kryengritës do të evakuoheshin më vonë.

Aktivistët dhe zyrtarët mjekësorë lokal kanë njoftuar se forcat pro qeveritare qëlluan mbi një ambulancë që u përpoq të largohej nga territori i mbajtur nga kryengritësit, duke plagosur të paktën tre persona.

Rishfaqja e dhunës ishte një nga arsyet për shtyrjen e evakuimit që ishte paraparë të fillonte të mërkurën, pasi të dyja palët e konfliktit fajësuan njëra tjetrën për shkeljen e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia.

Largimi përfundimtar i kryengritësve nga Aleppo do të shënojë një fitore të madhe për presidentin sirian Bashar al-Asad. Forcat e tij kanë ndërmarrë një fushatë ushtarake të mbështetur nga Rusia, e cila qe përshpejtuar në javët e fundit.

Komisionari i të drejtave të njeriut në OKB, Zeid Raad al-Hussein, tha se rifillimi i luftimeve të mërkurën herët ishte tmerrues dhe se sipas tij rifillimi i bombardimeve tejet të rënda nga forcat qeveritare siriane dhe aleatët e tyre në një zonë të mbushur me civilë, me shumë gjasë përbën krime lufte.

Një zyrtar i një grupi kryengritës, "Jabha Shamiya", i tha agjencisë së lajmeve Reuters se rreth 1 mijë persona të plagosur pritet të largohen nga Aleppo fillimisht dhe se i gjithë evakuimi mund të përfundojë brenda tri ditëve. (Voa)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.077214956283569
array(1) { ["section"]=> string(69) "mes-pasigurise-se-larte-nis-evakuimi-i-civileve-nga-alepo-video-62746" }