Mesazh për Tsipras

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:09 07-02-2015 Mesazh për Tsipras

Marr dijeni se Tsipras i ka çuar fjalë Tiranës zyrtare të respektojë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri si edhe t'u verë fre atyre që flasin për Çamërinë.

Po e nis me të parën: Shqipëria sigurisht ka halle financiare, por ka politikë integruese europiane e madje do shtoj: fisnike. Kështu e ftoj Kryeministrin e posazgjedhur të dalë njëherë këndej nga krahinat tona ku rrojnë bashkëkombasit e vet. Do t'i thonë se pas afro një dekade, shkollat e minoritetit i kanë pasur tekstet në greqisht qysh para se të niste viti shkollor, njëlloj si shkollat e tjera të Shqipërisë, e madje i kanë zgjedhur ata vetë se çfarë tekstesh duan. Do t'i thonë edhe se këtë vit në Derviçan bie fjala, u hapën dy klasa të reja të parashkollorit minoritar, për ta nisur mbarë e herët edhe ata formimin me gjuhën e kulturën e tyre, njëlloj si fëmijët e tjerë të kopshteve ku flitet e mësohet shqip. E madje do t'i thonë se edhe fëmijëve të emigrantëve tanë, të cilët kanë lindur në Greqi, flasin greqisht por tani janë kthyer bashkë me familjet në Shqipëri, u është ofruar mundësia të vijojnë ta mësojnë greqishten duke ecur gradualisht drejt shqipes së vet, pasi besojmë që çdo gjuhë e kulturë, aq më tepër ajo e fqinjit, është pasuri dhe fuqi e mbarë.

Dhe si ta ketë kryer këtë vizitë, si ballkanas që është, i takon të na kthejë mikpritjen e të na shoqërojë nëpër komunitetet tona atje në shtetin e vet, qoftë në diasporat historike arbërore, qoftë në ato të emigracionit të ri. Nuk e dij vërtet ku do na shetisë, pasi asnjë politikë apo institucion ruajtës nuk ka shteti që ai ka marrë të drejtojë, pavarësisht se si shtet anëtar i Europës prej kohësh, është i detyruar të respektojë gjithë Konventat Europiane për ruajtjen dhe lëvrimin e trashëgimisë kulturore etnike. Vendi i vetëm ku mund të na çojë (dhe besoj do ndjehet pisk), janë klasat e mbasdites të mësimit të shqipes, të cilat mbahen vullnetarisht, e përsëris VULLNETARISHT me mish e me shpirt, nga mësuesit tanë në Verria, Selanik e Athinë, të cilët për mua janë heronjt e heshtur të kulturës sonë identitare. Jam e bindur që pas shkëmbimit të këtyre vizitave, do ta kuptojë edhe proverbin shqiptar që flet për të ëmën e Zeqos dhe për majën e thanës!

Sa i takon çeshtjes së dytë, përmendjes së Çamërisë, shoh me keqardhje se aty e paska të gjatë rrugën e informimit. Nqs është i interesuar të përparojë, mund t'i dërgojmë do lexime fillestare mbi etimologjinë e lumit Thiamis (sot Kallamata), nga i cili ka marrë emrin krejt krahina e Çamërisë si edhe për lidhjet e këtij hidronimi Thiamis me gjuhën shqipe. Mandej duke e parë e duke bërë, por varet sa përparon në dije Kryeministri i ri.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.043328046798706
array(1) { ["section"]=> string(23) "mesazh-per-tsipras-2654" }