Mësimi nga sondazhet elektorale

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:49 06-06-2015 Mësimi nga sondazhet elektorale

Javën e fundit tre sondazhe elektorale (Ora News, Agon Channel, A1 Report) u pasuan me debat politik, kundërshti dhe dyshime mbi vlerën dhe besueshmërinë e sondazhit në Shqipëri. Sondazhet kanë pasur probleme në vende shumë më demokratike, për shembull, në Britani, Itali, SHBA apo Francë. Në Shqipëri është e pritshme të krijojnë debate. Nga 1991 vetëm zgjedhjet e vitit 1992 nuk janë kontestuar, pra janë pranuar nga çdo palë politike. Çdo zgjedhje tjetër është kontestuar pjesërisht ose plotësisht. Dhe në një vend ku votat numërohen përpara kamerave të TV dhe sapo del rezultati fillojnë kontestimet, është e pritshme që të ketë kontestime në sondazhe, të cilat tregojnë tendenca dhe perceptime përpara se të shkohet tek kutia e votimit.

Në të kaluarën kemi pasur raste kur sondazhet kanë qenë të sakta (2013 ishte rasti më i fundit), siç kemi pasur raste si instituti “Gani Bobi” apo një sondazh i Civitas 2013 ku gjetjet ishin tërësisht të kundërta me votën reale të votuesve. Ato parashikonin fitore të thellë aty ku humbja ishte e thellë dhe kjo tregon, deformim nga çdo parim të hulumtimit zgjedhor. Diçka e tillë ndodhi me Zogbi 2009, si dhe me disa sondazhe të tjera në periudhën 2007-2013. Partitë vetë vijojnë të bëjnë sondazhe por sondazhet e tyre (PS më 2009 e 2011) dhe PD (2013) rezultuan tërësisht fiasko. Unë kam bindjen se e njëjtë është edhe situata tani me disa sondazhet jopublike që kam arritur të shoh të realizuara nga kompani të kontraktuara nga PS, PD, LSI dhe parti e kandidatë të tjerë politikë. 

Gjithsesi, fakti se ka sondazhe të sakta dhe sondazhe jo të sakta nuk mund të jetë alibi për të hequr dorë tërësisht nga sondazhet. Ato tregojnë perceptim dhe nëse kompanitë dështojnë, dështon imazhi i tyre, përgjysmohet fatura financiare e tyre dhe humbin tregun shqiptar. Diçka që në dukje pa rëndësi në një vend ku qarkullojnë para të shumta informale, por që është e papranueshme për kompani serioze, siç janë tri kompanitë italiane që po operojnë në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Duke lënë pas gjetjet e sondazhit dhe duke marrë të mirëqenë faktin se shqiptarët, për shkak të kulturës minimale demokratike dhe brishtësisë së institucionit të votës, nuk kanë marrëdhënie besimi e vlerësimi sa duhet ndaj votës, gjetjet e deritanishme na lejojnë të bëjnë disa konkluzione.

Së pari, zgjedhjet aktuale nuk mund të përsërisin në asnjë rrethanë rezultatin e vitit 2013. Sivjet pritet pjesëmarrje e ulët në votime, dhe se vetë zgjedhësit nuk presin të ndodhë ndryshim politik në qeverisjen qendrore. Një kryebashkiak më pak ose më shumë nuk do të thotë asgjë në konfigurimin politik të qeverisjes dhe pushtetit në Shqipëri. Të gjitha palët do gjejnë detaje për të thënë se më 21 qershor kanë fituar: dikush një bashki më shumë, dikush një këshill më shumë, dikush quan fitore rënien e palës tjetër apo dikush gjen pretekste abuzimi për të vënë në dyshime legjitimitetin e rezultatit zgjedhor. Kështu ka ndodhur më parë, kështu pritet të ndodhë edhe tani.

Së dyti, ka një votë kritike në Shqipëri ndaj bilancit të deritanishëm të mazhorancës së majtë, votë e cila rezulton se nuk është aq hakmarrëse sa të përfundojnë tek e djathta. Ata ose do bojkotojnë, ose do refuzojnë çdo kandidat ose shpërndahen në partitë e vogla ose kandidatët e tretë/katërt. E majta erdhi në pushtet kundër arrogancës së PD por në fakt, po aplikon arrogancë prej më se një viti pushtet. Mjaftojnë deklaratat jashtë çdo standardi demokratik të kryeministrit referuar votuesve të djathtë për të kuptuar se modeli i sundimtarit vijon të jetë model dominues në politikën shqiptare. Teknikisht, për mazhorancën është sukses shpërndarja e votës kritike, për opozitën është tregues se strategjia elektorale ishte e gabuar ose se ajo nuk ka ndryshuar aq sa duhet për tu besuar si alternativë besimi.

Së treti, mazhoranca e kompensoi humbjen politike të të pakënaqurve duke zgjeruar koalicionin në minutën e fundit. Për shembull, ajo mori nga e djathta PDIU (44 957 vota më 2013), PDK (13,288 vota më 2013) apo FRD (29,310 vota më 2013, pra rreth 87 mijë vota që më 2013 ishin kundër koalicionit politik PS-LSI. Në zgjedhje lokale me sistem mazhoritar (kryetari i bashkisë) këto vota mund të bëjnë diferencën, duke pasur parasysh se në një qytet si Tirana më 2011 votat minimale të komunistëve përcaktuan fituesin e zgjedhjeve. Ky zgjerim i mazhorancës tregoi frikë për rrjedhje votash, pasiguri në administrimin zgjedhor dhe dominimin e interesit elektoral mbi moralitetin politik, - diçka e zakonshme për sistemin klientelist politik në Shqipëri.

Së katërti, opozita gaboi jo vetëm në ndërtimin e koalicionit, por edhe në sjelljen elektorale me aleatët e mbetur të saj. Dy parti tradicionale PBK e PLL shpallën publikisht votën e lirë (për cilido kandidat të djathtë apo të majtë që preferojnë anëtarët e tyre), një vendim me pasoja në votën mazhoritare për kandidatët e opozitës. Në hapësirën e mbetur ajo duhej të caktonte prioritetet, p.sh, përqendrim më të madh në Durrës ku ka më shumë shanse dhe investim më pak në një zonë të humbur si Elbasani apo Vlora. Gjë që nuk e bëri dhe as po e bën. Fushata qytetare e Kosovës në Tiranë apo Ademit në Shkodër është pak për të kompensuar nevojën jetike për saj për imazh të ri, sjellje të re, kulturë të re dhe reformim në koncepte.

Së fundi, sondazhet ndihmojnë partitë e kandidatët të gjejnë pikat e tyre të dobëta dhe t’i riparojnë ato. Për shembull, kur kudo rezulton se të rinjtë janë pasiv në zgjedhje palët duhet të kenë oferta konkrete politike për 184 mijë votuesit e rinj, kur flitet për pjesëmarrje minimale të grave në zgjedhje duhet të ketë strategji për tërheqjen e tyre, kur flitet për votë kolektive të 122 mijë punonjësve fasonë duket të ketë përgjigje për kërkesat e tyre, kur flitet për votë komunitare/krahinore/fetare etj në zona të caktuara, duket të ketë ofertë partneriteti midis tyre. Nëse palët refuzojnë ta bëjnë këtë, dhe të kërkojnë vetëm pjesëmarrjen militante në zgjedhje, humbjen më të thellë nuk do ta ketë as PS dhe as PD, por cilësia e demokracisë, integriteti i zgjedhjeve dhe produkti final i tyre.

Qoftë edhe për këto arsye politikanët, strategët elektoralë, stafet elektorale, vëzhguesit dhe komentuesit e sondazheve duhet të mendohen dy herë përpara se t’i refuzojnë ato apriori dhe të publikojnë sondazhe informale të paqena dhe larg realitetit. Sondazhi është lënda e parë e çdo stafi elektoral, ndaj duhen lexuar e rilexuar, duken analizuar dhe punuar mbi to, për të nxjerrë prej tyre më të mirën, - drejtimin, grupin, elementët ku fushata duhet të ndryshojë, të përmirësohet dhe të orientohet në ditët e javët e mbetura. Çdo sjellje tjetër militante dhe refuzuese apriori nuk ka vlerë, përkundrazi është kundër-produktive.

Nga Afrim Krasniqi

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024614095687866
array(1) { ["section"]=> string(37) "mesimi-nga-sondazhet-elektorale-12855" }