"Mësuese e di..."

Publikuar tek: fcb-bomb, më 17:42 16-11-2016

Nga Natasha Shuteriqi Poroçani

"Mësuese e di, Sara nuk më ka futur te lista e ditëlindjes të dielën. Dhe pastaj lot, shumë lot. Aq shumë sa duhet një e tërhequr e fortë e hundëve për t'i mbajtur një çikë."

Ajo fjalia : "Mësuese e di...", nuk është gjithmonë njësoj. Varet nga mënyra se si të afrohet: 

- Kur vijnë shpejt, me vrap, me kërcime, me ulërima, me të qara:

 - Mësuese e di, mua më ka rënë dhëmbi i qenit; dje te çanta, brenda gjeta një salamandër, unë kujtova se ishte salamandër po ishte vetëm një gjethe e mandarinës që ma futi gjyshja në mëngjes; mbrëmë macja erdhi te divani dhe bëri çiçin në tapet pastaj; vëllai im gjeti një papagall te dritarja, po nuk fliste fare, fare.

  -Kur vijnë pak më të qetë, duke ngritur mëngët, fytyra e trishtuar, sytë përtokë: dua të të them diçka, po nuk më dalin fjalët, ja nuk e di se si ta them: kam harruar të bëj detyrat; motra vogël ma zhgarraviti librin e matematikës, mistrecja....më dhemb barku dhe kam temperaturë -i thashë edhe mamit sot (që përkthehet: i thashë, po ajo më solli që më solli në shkollë, kështu që me mua kujdes sot, jam i sëmurë....).

 

 -Duke parë me kujdes nga prapa se mos po e sheh dikush dhe me zë të ulët afër veshit:  -Mësuese e di, Sara nuk më ka futur te lista e ditëlindjes të dielën. Dhe pastaj lot, shumë lot. Aq shumë sa duhet një e tërhequr e fortë e hundëve për t'i mbajtur një çikë. -Sara po e bënte listën sipas bankave dhe te banka ime nuk kishte arritur akoma, po Megi më tha që ndoshta mua nuk më thërret...

 

-Por ka edhe ndonjë që "Mësuese e di" nuk ta thotë asnjëherë. Ta thonë të gjithë, por ai jo. Ai nuk të thotë asgjë për shumë, shumë kohë. Merr pjesë, të dëgjon, është i vëmendshëm në çdo gjë, por ama atë "Mësuese e di", jo, atë nuk ta thotë. Nuk të thotë asgjë për veten dhe ti ndien një si lloj sikleti, mungon një hallkë e zinxhirit. Nuk mund të rrish pa "mësuese e di", qoftë edhe nga një i vetëm.  Por ai po të jep një sinjal. Po të thotë që ende nuk beson te ti. Ti nis e vret mendjen se ç'mund të kesh bërë: mos ke harruar pa i vënë një yll te detyra? Mos nuk e ke përfshirë sa duhet? Apo i ke thënë ndonjë fjalë pa menduar? Ah, mos ndoshta i ke thënë një  një "do vi pastaj të të ndihmoj?" si premtim të pambajtur? Atëherë ulesh në bankën e tij dhe nis e hap ngadalë fletoren e detyrave duke i vënë njërën dorë në sup, si një shoku të mirë. Pikërisht atëherë dëgjon: -Mësuese, e di, nesër babi ka ditëlindjen dhe ne do t'i bëjmë një surprizë. Eh, më në fund!  

Në shkollë, për fat i takon të tëra këto. Sa më shumë rriten, aq më e vogël bëhet kjo pjesë e punës së mësuesit, por gjithsesi nuk zhduket kurrë. "Mësuese e di", është një domosdoshmëri.  Dhe ne nuk mund të rrimë aty, pa ua vënë veshin. Shpesh, në fakt edhe lodhemi, sepse "Mësuese e di" mund të zgjasë edhe 7 minuta, po mësueset ia dalin. S'kanë alternativë tjetër.

*Portali Shkollor

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.031699180603027
array(1) { ["section"]=> string(18) "mesuese-e-di-59711" }