Meta: Doshi nuk më ka akuzuar kurrë për vrasje (Intervista e plotë)

Publikuar tek: politike, më 23:25 09-03-2015 Meta: Doshi nuk më ka akuzuar kurrë për vrasje (Intervista e plotë)

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit Tom Doshi, se ky i fundit i ka thënë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe personale se dyshonte se organizator i një atentati ndaj tij të ishte Meta. Kreu i Kuvendit gjatë një interviste në “Opinion” i ka konsideruar deklaratat e Doshit si politike, pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PS-së. Meta ka pranuar se është takuar me Doshin për këtë çështje, por Doshi nuk i ka thënë kurrë se i dyshonte tek ai.


“Një person i njohur më tha që kanë përmendur emrin tënd si alibi ‘që ne kemi dhe përkrahjen e Metës’. Jam habitur dhe menjëherë kam marë Tomën në telefon. E kishte të fikur. Mora Mark Frrokun pasi e dija që rrinin bashkë. I thashë: ‘Ku është Toma?’. Më tha që jemi bashkë ndaj i kërkova që të ma kalonte. Më tha: ‘Lëre se kam shpëtu mirë.’ Kaq”, ka thënë Meta.

Meta është shprehur se nuk e ka besuar kurrë historinë e Doshit, për shkak se ajo nuk kishte fakte dhe prova.

Duke folur në lidhje me përfshirjen e bashkëshortes së tij, Monika, në këtë çështje Meta ka thënë: “Monikën e thirra pasi lokali që përmendte Doshi është pranë shtëpisë tonë dhe unë nuk kisha dijeni për këtë apo për personat aty. Doja të bëjë një investigim shoqëror për të parë se kush hynte dhe dilte nga ai lokal.”

Në lidhje me kërkesën e PD-së për dorëheqjen e tij, Meta tha se ajo nuk ka bazë morale për shkak se kërkohet nga nje person si Lulzim Basha, që ka penguar punën e Prokurorisë për të hetuar çështjen e rrugës Durrës-Kukës.

Intervista e plotë

Zoti Meta, një totur i Edi Ramës. Pra, Kryetari i Kuvendit është tutor i Kryeministrit, një person që ka porositur vrasjen e dy deputetëve. A mund të më thoni si jeni përfshirë ju në historinë e vrasjes, ose asaj që ka deklaruar zoti Doshi, pra porositjes së vrasjes së deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi?

Ilir Meta – Mirëmbrëma!

Ju me të drejtë e filluat duke bërë një përshkrim mjaft rrëqethës të asaj që ka ndodhur.

Blendi Fevziu – Besoj se është rrëqethëse të përfshihen krerët më të lartë të shtetit në një tentativë vrasjeje.

Ilir Meta – Patjetër.

Unë kam vetëm një pyetje, nëse më lejoni, nëse jo nuk ka problem.

Blendi Fevziu – Patjetër, megjithëse pyetjet këtu i bëj unë.

Ilir Meta – Nëse ju më ndaloni të bëj një pyetje, unë ju respektoj.

Blendi Fevziu – Mund ta bëni me shumë kënaqësi!

Ilir Meta – Kur është bërë kjo deklarata e zotit Doshi, në çfarë momenti?

Blendi Fevziu – Deklarata e zotit Doshi është bërë në momentin e daljes nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ilir Meta – Pra, në momentin e përjashtimit nga grupi parlamentar, apo jo?

Blendi Fevziu – Në ato momente  që po kryhej përjashtimi.

Ilir Meta – Ishte kryer përjashtimi.

Blendi Fevziu – Po. Por ishte paralajmëruar katër ditë më parë nga zoti Doshi: “Unë kam deklarata që do të tronditin maxhorancën”.

Ilir Meta – Për drejtoreshat e  Tatimeve dhe të Doganave.

Blendi Fevziu – Pretendimet e para ishin për to, por ditën e enjte ai bëri një deklaratë, ku tha: “Kur unë të flas, do të lëkunden themelet e maxhorancës”.

Ilir Meta – Nuk ka problem, pyetjen e bëra thjesht për të saktësuar kohën.

Blendi Fevziu – Pra, ju po e lidhni deklaratën e Tom Doshit me momentin e largimit të tij?

Ilir Meta – Patjetër.

Blendi Fevziu – Por rezulton që ai jua ka thënë sy më sy, zoti Meta, faktin që kishte një informacion se ju ishit të përfshirë në vrasjen e tij.

Ilir Meta – I bëra këto dy pyetje për një arsye, pra për të bërë të qartë se kemi të bëjmë me deklarata të karakterit politik, të bëra në momentin kur një deputet përjashtohet nga PS-ja, pasi disa ditë më parë kishte bërë disa deklarata të tjera, për histori drejtoreshash dhe ministrash, dhe pas një shantazhi që i ka bërë PS-së dhe Kryeministrit të vendit.

Për sa i përket historisë së gjashtë muajve, unë më duket se e kam bërë të qartë në prononcimin e parë që kam dhënë pas këtyre deklaratave, ku kam thënë se i vetmi person në dijeninë time që më rezulton se ka bllokuar hetimin e këtyre akuzave është vetë deputeti Doshi dhe besoj se procesi do ta verifikojë këtë gjë.

Blendi Fevziu – “Nuk më ka thirrur askush për të deponuar”, ka thënë deputeti Doshi në intervistën që ka dhënë ditën e enjte në “Top Story”.

I është bërë një kërkesë vetëm Durim Bamit, pra vrasësit të supozuar, ndërsa mua thotë ai, askush nuk më ka kërkuar...

Ilir Meta – Nuk kam ndër mend të merrem me komentet e deklaratave të deputetit, ai tashmë është një deputet i opozitës dhe mua nuk më takon të deklaroj deklaratat e një deputeti të opozitës. Unë mund t’ju them atë që di unë.

Blendi Fevziu – Deputet në opozitë.

Ilir Meta – Nuk ka rëndësi i opozitës, apo në opozitë. Një opozitë është. 

Blendi Fevziu – Ka qëndrim opozitar dhe ka opozitë zyrtare.

Ilir Meta – Është deputeti më i shquar aktualisht i opozitës.

Blendi Fevziu – Çfarë do të thotë “deputeti më i shquar i opozitës”?

Ilir Meta – Është pika e referencës kryesore të Doktorit dhe kuptohet që është më i shquari.

A mund ta vazhdojmë?

Blendi Fevziu – A ka ardhur Tom Doshi dhe ju ka kërkuar, zoti Meta, që t’i sqaroni pozicionin tuaj në lidhje me një tentativë vrasjeje në drejtim të tij?

Ilir Meta – A mund t’ju sqaroj?

Blendi Fevziu – Po.

Ilir Meta – Së pari, mua nuk më ka ardhur fare Tom Doshi për këtë çështje, sepse nuk kishte asnjë arsye pse të më vinte, por unë kam marrë vesh rastësisht nga një person i njohur i imi, që ishte edhe i njohuri i zotërisë në fjalë, se bëhej fjalë për një tentativë vrasjeje.

Blendi Fevziu – Cili ishte ky person?

Ilir Meta – Kjo nuk ka rëndësi, këto janë në dëshminë e dhënë në prokurori. Nuk do të marrim nëpër gojë persona, të cilët të paktën deri tani nuk janë marrë nëpër gojë. Ata që janë marrë edhe mund t’i marrim me lejen tuaj dhe me mirëkuptimin e tyre. Mua nuk më pëlqen të marr nëpër gojë njerëz...

Blendi Fevziu – Lejen time për të marrë nëpër gojë kë të doni e keni me pash.

Ilir Meta – Jo, jo, por unë personalisht nuk ia lejoj vetes.

Ai person më ka thënë që është ky shqetësimi, sepse kanë dashur të vrasin Tomën. Çfarë është kjo histori? Ka qenë edhe një histori kështu! Më vjen keq që po përmend emra, ka qenë një gjë e bërë nga Berisha, kunati i Sali Berishës, 

Agim Rama, Agron Kuliqi, prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci,

një Toni, e ku di unë tjetër, dhe këta kanë përmendur edhe emrin tënd si alibi, që gjoja për këtë çështje kemi edhe përkrahjen e zotit Meta, pasi personi që do të kryente aktin ka thënë “po sikur të na kapin” e ku di unë. Jam habitur me këtë gjë dhe menjëherë kam marrë në telefon Tomën, i cili e ka pasur telefonin të mbyllur atë ditë. Më pas kam marrë Mark Frrokun, meqë këta rrinin herë pas here bashkë, dhe e kam pyetur se ku është Toma. Më ka thënë se është aty dhe i kam kërkuar të ma kalojë pak në telefon. E kam pyetur se çfarë qe kjo histori dhe më është përgjigjur: “Lëre, lëre, se kam shpëtuar mirë! Kur të takohemi, do të të tregoj”.

            Blendi Fevziu – Kur ka ndodhur kjo?

            Ilir Meta – Kjo ka ndodhur pasika filluar parlamenti. Duhet të ketë qenë mesi i shtatorit. Nuk e mbaj mend në mënyrë më të saktë. Historia që më ka treguar mua, sepse tani tregon një histori tjetër – me sa duket kemi disa video, video me xhup, me veshje verore, sipas stinëve, jo vetëm sezonale...

            Blendi Fevziu – Një herë për herë një herë, kemi vetëm një video të administruar nga prokuroria.

            Ilir Meta – Ka pasur një video që atëherë.

            Blendi Fevziu –  E keni parë?

            Ilir Meta – Jo. Nuk kam pasur interes asnjëherë për ta parë, sepse më ka treguar kaq shumë Spartaku, sa më ka lodhur... Sigurisht, ishte diçka e rëndë: si mund të bëhej kjo gjë? Nuk e besova kur më thanë se ishin përfshirë këta persona. Aq më tepër Agim Rama, për të cilin kam dëgjuar fjalë shumë të mira, pavarësisht se nuk kam ndonjë njohje të drejtpërdrejtë. M’u duk diçka shumë e çuditshme. Ai po ma përshkruante me disa detaje, të cilat ishin të ngulitura...

            Blendi Fevziu – Ju bënë të dyshonit?

            Ilir Meta – Më bënë të mendoj se si mund të kishte ndodhur vërtet kjo gjë. Kishte marrë makinën e blinduar, kishte shumë njerëz që e ruanin rreth e qark dhe dukej i tensionuar. Historia ishte kjo: ky personi, që ishte penduar, që nuk e di se si e kishte gjetur, i cili kishte marrë një këst etj., por e kishte kthyer mendjen rrugës,  i kishte treguar se si kishte vajtur nëpërmjet këtij Tonit, i cili rrinte te lokali i përmendur, te Blloku... Më fal! Historinë që më ka treguar mua, ua ka treguar edhe shumë personave të tjerë zyrtarë... Në lokalin ku kishte vajtur personi që do të kryente vrasjen, Toni, që ishte si porositës, i kishte bërë bisedën atij, duke i thënë se çfarë do të bënin, me një çmim kaq apo aq, 200 apo 300, nuk e mbaj mend.

            Blendi Fevziu – 500 mijë, thanë për kokën e Tom Doshit, 100 mijë për kokën e Mhill Fufit.

            Ilir Meta – Kjo 500 e 100 ka dalë vonë, sepse me sa di unë ishte nga 200-399, janë pak për një deputet, kështu që kërkonte 500... Sipas historisë që tregonte Toma në atë kohë, ua ka treguar edhe të tjerëve, personi kishte vajtur në një tavolinë tjetër, kishte folur me personin që quhej Agim Rama, gjithmonë sipas variantit të Tomës. Agron Kuliqi dhe Eugen Beci, ose ishin në tavolinë, ose ishin ngjitur, e kishin aprovuar që të rritet çmimi, nga 200-300 të shkojë në 500. Kështu fillon kjo histori, që shumë shpejt u kuptua se kishte mjaft probleme, por edhe trillime. 

            Blendi Fevziu – Si u kuptua?

            Ilir Meta – U kuptua, ndërsa janë dhënë disa sqarime...

            Blendi Fevziu – Ka një version që ka dhënë zoti Doshi ditën e enjte.

            Ilir Meta – Ka dhënë disa versione.

            Blendi Fevziu – Unë po ju vë këtë version dhe ju më thoni nëse qëndron apo nuk qëndron.

            (Insert)

            Pra, zoti Doshi jua ka thënë sy më sy, zoti Meta, që ju keni porositur Tonin për ta vrarë.

            Ilir Meta – Ky është një nga 100 variantet që tregon zoti Tomë.

            Blendi Fevziu – Nuk është i vërtetë?

            Ilir Meta – Ka spekulime të mëdha. Është e vërtetë se ditën që jemi takuar, së pari nuk kemi pasur kohë për të ndenjur katër orë, sepse kemi pasur edhe punë të tjera, së dyti, unë vërtet u shqetësova, kur po më tregonte se këto ngjarje po ndodhnin te një lokal afër shtëpisë sime, një lokal me emrin “Vivas”.

            Blendi Fevziu – Që supozohet të jetë e survejuar nga Garda, përmes pamjeve filmike, oficerëve të saj...

             Ilir Meta – Patjetër... Unë nuk e kisha idenë se cili ishte ky lokal. Kjo ishte e vetmja arsye se përse thirra Monikën. Thjesht, për të verifikuar se cili ishte ky lokal.      

Së dyti, për të verifikuar personat që rrinin aty.

            Blendi Fevziu – E njihnit këtë person?

            Ilir Meta – Cilin?

            Blendi Fevziu – Tonin.

            Ilir Meta – Absolutisht jo.

            Blendi Fevziu – As ju, as persona shumë të afërt me ju, nuk kanë njohje me këtë person?

Ilir Meta – Absolutisht jo... E vërteta është që Monika ka ardhur aty. I kemi treguar historinë unë dhe Toma, historinë që më tregoi dhe mua. Shqetësimi ka qenë se çfarë është ky lokal, ku është, kush hyn te ky lokal, si hyn, ka kamera apo jo, pra për të bërë disa verifikime të karakterit shoqëror dhe asgjë tjetër. Asnjë herë Tom Doshi nuk më ka thënë që këtë gjë e  ke organizuar ti, përkundrazi.

Blendi Fevziu – Nuk të ka thënë që këtë gjë e ke organizuar ti..

Ilir Meta – Këtë gjë e  bënte Berisha dhe e bënte  për të destabilizuar vendin.

Blendi Fevziu - Tom Doshi thotë se  ia thashë këtë gjë Metës  për ta qetësuar, pra për ta rrejtur në një farë kuptimi.

Ilir Meta – Tani për të na qetësuar thotë se po e bën Meta, ndërkohë nesër mund të thotë se do ta bëjë Lul Basha.

Blendi Fevziu - Ai thotë se ju jeni shfaqur i  shqetësuar  gjatë momentit që ju ka akuzuar, ose ka lënë të kuptohet se keni dorë në...

Ilir Meta - Së pari i vetmi shqetësim imi ka qenë kur kam mësuar se duan të vrasin Tomën,  duan të vrasin një shok të maxhorancës dhe deputet.

Së dyti kam mësuar se duan të vrasin edhe  deputetin e   opozitës dhe patjetër që merr përmasa akoma më të mëdha. Ky ka qenë i vetmi shqetësim  imi dhe përpjekja për ta  zbardhur këtë gjë, të cilën e ka penguar  deri tani Toma.

Blendi Fevziu - Zoti Meta, nëse ju doni të zbardhnit këtë gjë dhe kërkoni që si kryetar i Kuvendit, si një nga dy krerët e  maxhorancës, përse nuk ju drejtuat organeve kompetente? Përse nuk vutë në dijeni prokurorin  që ishte  kryesori, Policinë e Shtetit, po e  mbyllët si të jetë një aferë gati -gati në dukje mafioze. Katër vetë që mblidhen, krerë të rëndësishëm politikë, pa lajmëruar Presidentin, pa  e vënë në mbrojtje deputetin...

Ilir Meta - Mos  e dramatizo më shumë sesa duhet. Gjithë kjo histori është e krijuar për...

Ju lutem, unë kam të drejtën time të shprehem, ata që na dëgjojnë kanë të drejtën  të na gjykojnë. Kjo është histori e krijuar  për qëllime politike, mbas  një akti politik që ka kryer Partia Socialiste pas përjashtimit të zotit Doshi.

Blendi Fevziu - Në të cilin keni dorë apo jo, ju zoti Meta.

Ilir Meta - Në cilin?

Blendi Fevziu - Në përjashtimin e zotit Doshi nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.

Ilir Meta – Absolutisht, sepse  unë nuk jam pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ne kemi një marrëveshje me Partinë Socialiste. Se cilin përjashton Partia Socialiste, kjo është e drejta e saj.

Blendi Fevziu - A keni diktuar ju te zoti Rama  për të marrë ketë vendim përjashtimi?

Ilir Meta – Nuk kisha  asnjë arsye pse të diktoja, sepse unë nuk kisha  asnjë  shqetësim nga zoti Doshi, absolutisht.

Blendi Fevziu – A kishit një shqetësim, ose  a  e kishit  kaluar shqetësimin e videos së 21 janarit për të cilën zoti Doshi kishte qenë një lloj garanti mes zotit Prifti dhe zotit Rama?

Ilir Meta – Mendoj se kjo është një përrallë dhe një alibi  e kotë, sepse edhe zoti Doshi, edhe zoti Prifti, i cili ka kërkuar falje për këtë gjë dhe kjo është e  dokumentuar, të dy kanë thënë se përgjegjësinë për  këtë punë e ka Edi Rama, sepse  ai na ka nxitur. Kjo është e vërteta. Pra, nuk kam pasur asnjë arsye për të pasur ndonjë shqetësim për ta. Nëse do të ishin dy njerëz për të cilët unë do të kisha  një raport jo miqësor për këtë çështje, janë e para Filip Çakuli, sepse Filip Çakuli është montazhieri i asaj video, sepse Dritani i shkretë e ka çuar tamam, por ai e ka montuar, është punë e  tij. I dyti është Edi Rama nga ana politike, të cilit i interesonte. Të tjerët ishin instrumente dhe mund të jenë instrumente. Kaq.

Unë me zotin Rama takohem gati çdo mëngjes dhe diskutojmë  çështje të ndryshme politike, ndërsa me zotin Çakuli vazhdimisht gjatë darkave kalojmë në mënyrë mjaft miqësore, sepse  kuptohet që pas një dite të lodhshme ke nevojë edhe për relaks.

Blendi Fevziu - Zoti Meta, përtej këtij raporti, unë dua t’ju pyes për dy gjëra:

E para dhe kryesorja  që mund ta ketë në mendje në këtë moment çdo njeri që është duke na parë, përse Tom Doshi duhet të sajonte një histori duke futur emrin tuaj dhe jo një emër tjetër? Mund të thoshte se ka dashur të më vrasë Rama. Mund të thoshte se ka dashur të më vrasë Saimir Tahiri. Përse përfshiu emrin tuaj, aq më tepër që ju ishit miq?

Ilir Meta - Unë nuk e di përse  e ka përfshirë, është çështja e tij. Unë di atë version që ju thashë më parë. Këtë version i ka thënë edhe Kryeministrit Rama, i ka thënë edhe zotit Tahiri, me sa di unë, madje  pa  e përfshirë fare emrin tim. Emri im është përfshirë pak më vonë, por është përfshirë gjithmonë në kuadër të kësaj, që emri yt do të shërbente thjesht si një alibi për të sjellë destabilizim në vend dhe për të akuzuar që këtë punë e  bëri Ilir Meta, e bëri maxhoranca, e të tjera. Kjo ishte  bindja  e tij. Paska bërë lojë atëherë, mund të bëjë lojë tani.  Del me një variant  tjetër pas  gjashtë  muajve. Nuk ka asnjë problem.

Blendi Fevziu - Cili do të ishte shkaku, sipas jush, që Tom Doshi do ta  përfshinte emrin tuaj në këtë histori?

Ilir Meta - Nuk e di fare këtë gjë. Le ta sqarojë me drejtësinë. Unë nuk kam asnjë problem, asnjë shqetësim.

Blendi Fevziu -  Cilat kanë qenë raportet tuaja me zotin Doshi? Ju jeni dukur i afërt me të. Unë ju kam parë shpeshherë në Hotel Sheraton, në restorantin “ Il gusto”, duke drekuar.

Ilir Meta – Unë kam qenë në raporte mjaft korrekte.

Blendi Fevziu – Ka qenë miku juaj?

Ilir Meta - Edhe mik mund të them, pavarësisht se  unë e rezervoj këtë fjalë, nuk e  popullarizoj kaq shumë.

Blendi Fevziu - Përse një mik, po e quajmë pak edhe ndoshta më lehtë sesa në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, do të kthehet befas në një armik dhe t’ju japë juve një mesazh, sipas të cilit...

Ilir Meta – Është interesi i tij politik. Kështu mendon se bëhet i besueshëm dhe i përdorshëm nga Berisha dhe  po bëhet.

Blendi Fevziu – Kur janë thyer raportet tuaja me Tom Doshin?

Ilir Meta - Unë nuk kam asnjë raport të thyer me të. Vura re se në këtë histori ai nuk po tregonte disa  të vërteta dhe kuptova se  ishte një lojë për të përfshirë dhe për të ngatërruar shumë njerëz. Kjo ishte arsyeja që mu duk se ishte diçka thjesht për të trilluar, për të përfshirë njerëz dhe për t’u bërë interesant.

Blendi Fevziu – Kur e keni pasur kontaktin e fundit me zotin Doshi? Kishit muaj që nuk kontaktonit bashkë?

Ilir  Meta - Nuk e di se kur ka ndodhur, para Vitit të Ri. Në një moment të caktuar kur ai më ka kërkuar në Hotel  Sheraton. Unë i kam thënë: hajde në zyrën time në çdo moment. Pas kësaj ai nuk ka kontaktuar  me mua.

Blendi Fevziu - Dhe nuk ju ka  ardhur.

Ilir Meta - Është e  drejta e tij, është i mirëseardhur  në çdo moment në zyrën time si Kryetar i Kuvendit.

Blendi Fevziu - A ka pasur ndonjë thyerje, ndonjë sherr, ndonjë problem  mes jush dhe zotit Doshi që nga muaji shtator e këtej?

Ilir Meta -  Nuk ka pasur asnjë problem, përveç përpjekjes së tij për të më përfshirë mua në disa veprime  kundër prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorit të Krimeve të Rënda, të cilët, sipas tij, ishin të përfshirë, sidomos ky i Krimeve të Rënda, në këtë komplot që po ndodhte kundër zotit Doshi.

Blendi Fevziu - Po përpara  fundit të gushtit, kur zoti Doshi ka vënë në dijeni Kryeministrin dhe ministrin e  Brendshëm, ai thotë edhe kryeprokurorin, a ka pasur ndonjë konflikt mes jush dhe zotit Doshi?

Ilir Meta – Absolutisht, asnjë lloj konflikti.

Blendi Fevziu – Atëherë, si do të përfshijë një person me të cilin  nuk ka asnjë konflikt, ka një marrëdhënie të mirë zoti Doshi, si mund  t’i shkojë në shtëpi dhe t’i thotë: “Ti ke porositur vrasjen time”, të përmendë dhe emra, paratë dhe të gjitha. Duket shumë e çuditshme.

Ilir Meta - Nuk di. Nuk mund të përgjigjem për videon e  Tomës për Tomën. Kjo është një çështje e tij.

Absolutisht.  Sa video janë bërë, është puna e tyre. Kjo puna e videove  dhe e tritolit  është kthyer për fat të keq, në një sport popullor. Megjithatë, unë besoj shumë...

Blendi Fevziu – Ju si maxhorancë  e majtë e paskeni ushtruar këtë sport (sipas Doktorit) në mënyrë perfekte.

Ilir Meta – Gjithmonë  me ndihmën e Doktorit, patjetër. Ai është njeri i mirë  dhe është njeri i drejtë.

Blendi Fevziu – Unë nuk kontestoj konsideratat tuaja për Doktorin.

Ilir Meta – As mos guxo t’i kontestosh!

Blendi Fevziu – Të gjitha  historitë e videove, janë histori që kanë lindur brenda kësaj së majte.

Ilir Meta – Nuk jam duke u marrë me këtë çështje. Zoti Fevziu,

Unë nuk kam asnjë shqetësim për këtë histori. Drejtësia le të thotë  fjalën e saj. Unë  kam  shkuar dhe kam dhënë dëshminë time që në orën 8:00  dhe jam gati  të shkoj çdo  ditë të javës, dhe të shtunën dhe të dielën, ndërsa të enjten nuk e kam shumë me qejf,  sepse e kam shpallur “ditën e Doktorit”, por  po më kërkoi prokuroria, unë jam gati të shkoj atje. Këtë  ua  kam thënë edhe  prokurorëve: jam gati të ballafaqohem atje  me zotin Doshi dhe me  zotin Berisha (dy akuzuesit e  mi kryesorë), me çdo njeri tjetër  dhe me personat e përfshirë në këtë  histori, me dëshirën e mirë, që kjo çështje të zbardhet sa më shpejt  dhe të gjitha këto pikëpyetje  që ju ngrini sot këtu, të marrin një përgjigje.

Blendi Fevziu – Zoti Meta,

Pyetja ime  tjetër është: në momentin që zoti Doshi ju  bëri këtë version,  nuk po them se përmendi apo jo  emrin tuaj, por që dy   deputetë kërcënoheshin  të vriteshin.

Ilir Meta – Emrin tim, që  i paskan thënë këtij  që shiko se kemi  Ilir Metën si mbrojtje, pra, kush ia kishte thënë këtij?  I  kishte thënë  Agim Rama, kunati i Sali Berishës  dhe persona të  tjerë  që ishin të afërt me Sali Berishën.

Blendi Fevziu - Agim Rama, kunati i Sali Berishës apo Agim Rama, i cili ka qenë këshilltari  juaj në vitin 2001.

Ilir Meta – Unë nuk kam pasur ndonjë këshilltar  të quajtur Agim Rama as në vitin 2001, as në vitin 1111. Zoti Berisha këtë Agim Ramën le ta sjellë në prokurori dhe të shkoj ta shoh edhe unë se kush është, por  mund t’ju them se zoti Doshi e ka  bërë të qartë që ka qenë Agim Rama i Sali Berishës, pavarësisht se   tani thotë që përmenda këtë  që të vija në gjumë atë... e përralla të tilla. Duhet parë se kush hyn tek ai lokal. A ka hyrë, apo jo Agim Rama? Kam përshtypjen se edhe mund të ketë hyrë, por  nuk më shkonte  kurrë ndërmend që Agim Rama mund të bënte këtë gjë.

Blendi Fevziu - Zoti Meta,

Kur morët vesh lajmin që   një   deputet fillimisht, po për zotin Fufi, a ju tha zoti Doshi, apo  ju tha vetëm për veten e tij?

Ilir Meta – Po, më tha edhe për zotin Fufi, por  po atë natë që ai përmendi se kemi  qenë në zonën rezidenciale në Durrës, kur kemi qenë së bashku me kryeministrin dhe me ministrin  e Brendshëm unë e pyeta: “Po  deputetin tjetër, a e ke lajmëruar? A ke biseduar me të?” Ai më tha se  nuk  kam folur me të,  por   më  përmendi  emrin e një njeriu shumë të afërt me të, me të cilin kishte folur.  Qëlloi që unë  e njihja, sepse e kisha  takuar rastësisht shumë kohë më parë, para zgjedhjeve të vitit 2003,  me një  mikun tim ish-prefekt. Duke pasur  disa dyshime në ndryshimin e versioneve  dhe  ndryshimin e përfshirjes së personave nga  deputeti në fjalë, bëra  një takim me personin të cilin ky tha se i kishte thënë. Ishte si   të thuash, një komunikim  me karakter njerëzor, por edhe  doja të shihja sesi i  ishte thënë  këtij personi nga zoti Tomë.

Blendi Fevziu – Si ju rezultoi?

Ilir Meta – Më rezultoi  që zoti Tomë nuk  i kishte thënë gjë fare atij. Domethënë,  këtu ishte një pikëpyetje e madhe në këtë histori...

Blendi Fevziu – Në momentin që  e morët vesh nga zoti  Doshi  se  i kërcënohej jeta, cilat ishin masat që morët ju, si Kryetar i  Kuvendit, si   një nga autoritetet  më të larta të këtij vendi dhe si një politikan me 25 vjet eksperiencë?

Ilir Meta – Masat ishin: takim me Prokurorin e Përgjithshëm në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, takim me  ministrin e Brendshëm në zyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe  përsëri  takim me ta, në prani të Kryetarit të Komisionit për  Sigurinë  Kombëtare, zotit Braho. Këto ishin masat  që mund të merrja, sepse ndërkohë policia kishte marrë masat e saj. Ata e dinin para meje, pra zoti Tahiri, policia  ishin vënë në dijeni  nga  deputeti më parë.

Unë, si Kryetar i Kuvendit  mora këto masa në momentin  në të cilin u njoftova.

Blendi Fevziu – E ndoqët vazhdimësinë e çështjes aq më tepër kur u përmend edhe emri juaj?

Ilir Meta – Po, e ndoqa  vazhdimisht. Emri im nuk ka dalë asnjëherë, por ka dalë si person, i cili do të përdorej  për të justifikuar të gjithë këtë rrëmujë që do të bënte  Sali Berisha për të stabilizuar vendin. Do të hiqte qafe (larg qoftë!) një  kundërshtarin e vet, i cili e kishte mundur në Shkodër (sipas Tomës) dhe ndërkohë  për të krijuar alibinë që nuk e bëri Berisha, por e bëri Meta (ndoshta),  do të hiqte qafe edhe   një deputet tjetër i cili paska pasur një konflikt me njerëzit e LSI-së në Laç dhe për këtë arsye do të  hakmerrej Ilir Meta e të tilla budallallëqe.

Blendi Fevziu – Përtej parullës së përhershme “Fajin e ka Saliu”...

Ilir Meta – Po se u bë mik  Toma me Saliun dhe ndryshon versionin nuk është faji im. Ai  mund ta ndryshojë përsëri pas 6 muajsh.

Blendi Fevziu – Zoti Meta,

Mblidhen 3 zyrtarët  më të lartë të shtetit: prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Kuvendit  dhe nuk ka asnjë shkresë zyrtare që  të ketë filluar ndjekje penale, asnjë  shkresë zyrtare, që  policia  të ketë filluar hetimin.

Ilir Meta – Nuk ka pasur  asnjë denoncim nga deputeti.

Blendi Fevziu – Çështja niset edhe  kryesisht kur ka një indicie vrasjeje.

Ilir Meta – Të lutem, policia ka dhënë sqarimet e saj dhe nuk mund të  bënte veprime të paligjshme. Kemi qenë me zotin Tahiri dhe me zotin Rama dhe insistimi i zotit  deputet ka qenë: “Ma sillni mua që të merrem me tonin”. Ky ishte   jashtë  çdo koncepti  të funksionimit të shtetit. Me Tomën apo  me çdo person tjetër që ka përgjegjësi për diçka, merret policia, merret prokuroria  dhe nuk mund të merret as deputeti dhe  asnjë politikan, sepse pastaj kalon në luftë bandash.

Blendi Fevziu – Merret me shkresa zyrtare dhe zyrtarisht,  zoti Meta dhe nuk ka asnjë shkresë zyrtare deri para 5 ditësh.

Ilir Meta – Nuk ka asnjë denoncim të deputetit në fjalë. Denoncimi  i deputeti në fjalë, u bë   publikisht  vetëm  pasi u   përjashtua nga  Grupi Parlamentar  i PS-së ditën e hënë.

Blendi Fevziu – Zoti Meta,

Si arritët në përfundimin që është një gjë e sajuar, kur nuk ka asnjë letër...

            Ilir Meta – Sepse policia i ka bërë verifikimet e saj. Besoj se janë bërë të gjitha sqarimet.

            Blendi Fevziu – I ka bërë pa asnjë letër.

Janë dhënë të gjitha...

            Ilir Meta – Janë bërë të gjitha sqarimet nga ministri përkatës.

            Blendi Fevziu – Po sikur, zoti Meta, personi që akuzohej si vrasës, pra personi që kishte marrë paratë për të eliminuar të dy deputetët, në një rast tjetër që ishte lënë i lirë prej gjashtë muajsh, të ishte larguar jashtë Shqipërie ose, për fatin e tij të keq, të mund të ishte eliminuar, siç ndodhi me një kallëp tritoli, e kuptoni që shteti do ta kishte të pamundur, pra nuk do të kishte asnjë dëshmi të tjetër...?

            Ilir Meta – Këtë duhet ta kuptonte deputeti, i cili që në fillim duhet të bënte denoncim dhe kjo i është kërkuar edhe nga ministri, edhe nga Kryeministri, edhe nga unë dhe nga të gjithë.

            Blendi Fevziu – Këtë duhet ta kuptonte shteti, zoti Meta, se deputeti mund të mos e kuptojë, por shteti vepron ligjërisht.

            Ilir Meta – Zotëri, puna e vrasjes nuk bëhet me vetëdeklarim, si legalizimi. Kërkon një denoncim, kërkon një fakt.

            Blendi Fevziu – Po si shpjegohet që vrasësi i supozuar pi një kafe te ministri i Brendshëm dhe kthehet dhe merret me punën e tij?

            Ilir Meta – Ka vajtur si aktor. Për më tepër që nuk vajti si vrasës, vajti si...

            Blendi Fevziu – Por hetohet me letra zyrtare, zoti Meta, nuk hetohet me muhabet.

            Ilir Meta – Ju lutem!

Nuk vajti si vrasës, vajti si një njeri i cili në vend që të bënte atë veprim, bëri një veprim tjetër mjaft human, i tregoi deputetit që kishte marrë atë këstin e parë të pamjaftueshëm. Pastaj, deputeti natyrisht që bëri veprimet e veta të karakterit humanitar.

            Blendi Fevziu – A ka pasur këtu një çështje për ta mbyllur së bashku me Tomën këtë histori, që të mos dalë në publik dhe për këtë arsye nuk ka pasur asnjë shkresë, zoti Meta?

            Ilir Meta – Absolutisht që nuk ka pasur asnjë qëndrim të tillë.

            Blendi Fevziu – Sepse...

            Ilir Meta – Qëndrimi ka qenë mjaft korrekt dhe mjaft institucional...

            Blendi Fevziu – Sepse ka shkrim në gazetë.

            Ilir Meta – Më falni, më falni! Edhe nga ministri i Brendshëm, edhe nga Kryeministri, edhe nga unë dhe nga të tre së bashku edhe në takimet që kemi pasur me Tomën për këtë çështje.

            Blendi Fevziu – Për një person sikur të shkruajë gazeta që kërcënohet ose një shkrim të bëhet në gazetë, prokuroria e policia nisin menjëherë hetimin kryesisht, pra çështjen kryesisht për të hetuar nëse ka ose jo indicie. Në këtë rast, dy deputetë deklarojnë se u kërcënohet jeta dhe shteti shqiptar nuk ka asnjë letër që të dëshmojë që është verifikuar për ta.

            Ilir Meta – Zoti Fevziu, ju mund të thërrisni edhe prokurorin e Përgjithshëm këtu, që ka qenë në dijeni nga vetë zoti Toma, mund të thërrisni edhe ministrin e Brendshëm që ka dhënë sqarime publike. Besoj se unë si Kryetar i Kuvendit e kam kryer detyrën time me përgjegjshmëri maksimale dhe të plotë.

Blendi Fevziu – A u vu në mbrojtje deputeti, zoti Meta, se ju mbani përgjegjësi për jetën e deputetit, aq më tepër që keni qenë në prani të kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili ka bërë ligjin për sigurinë e deputetëve?

Ilir Meta – Po, patjetër!

Jam i bindur se ministri i Brendshëm ka marrë masat e duhura për këtë çështje.

Blendi Fevziu – Zoti Doshi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lloj mbrojtjeje.

Ilir Meta – Po mirë, se çfarë deklaron zoti Doshi, unë nuk do të komentoj zotin Doshi; është e drejtë e tij. Pse nuk ka të drejtë ai të bëjë çfarë deklaratash të dojë?

Blendi Fevziu – Zoti Meta, e di që kjo pyetje është pak e vështirë, por e kam sërish drejtpërdrejt.

Ilir Meta – Bëje më të vështirën.

Blendi Fevziu – A jeni i sigurt që nuk keni kontaktuar ju ose njerëz tuaj të afërt askënd që t’i bëni një ofertë për të vrarë zotin Doshi ose zotin Fufi?

Ilir Meta – E para një herë ti, Blendi, se po më habit me këto pyetje, unë jam rritur te Pazari i Ri, në mes të Tiranës, kemi qenë çuna lagjeje, kemi luajtur te “Shkolla e Kuqe” dhe as më shkon mendja për filma të tillë, për telenovela të tilla, të cilat nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me formimin tim kulturor dhe natyrisht edhe politik, përkundrazi, këto mentalitete hakmarrjeje, gjakmarrjeje, pritash, pusish, për fat të keq, jetojnë kryesisht në mendësinë e Doktorit, por jo vetëm të atij, po edhe shumë të tjerëve të ngjashëm si ai, sepse vetëm ai i shpjegon pastaj dhe bën tablonë sinoptike se si do të ndodhin ngjarjet, të cilat as nuk kanë ndodhur dhe as nuk mund të ndodhnin, veçanërisht për shkakun tim.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, gjithsesi, përse nuk shkuat në prokurori në momentin e parë që e morët këtë informacion edhe për të zbardhur çështjen tuaj, pra për përmendjen e emrit tuaj?

Ilir Meta – Si të shkoja unë në prokurori?

Blendi Fevziu – Ta bënit ju denoncimin.

Ilir Meta – Po nuk më akuzoi njeri mua. Nuk më ka akuzuar njeri mua për këtë gjë.

Blendi Fevziu – Meqenëse dikush kishte përmendur emrin tuaj.

Ilir Meta – As zoti Doshi nuk më ka akuzuar mua. Ai ka thënë se “ata do ta përdornin emrin si pretekst për këtë punë”, kaq.

Blendi Fevziu – A ka pasur...?

Ilir Meta – Unë kam thirrur prokurorin, i kam thënë: “është kjo histori”. “Po, e di”. “Ju lutem shikojeni, zbardheni, ndiqeni”. Kaq.

Blendi Fevziu – A ju ka bërë presion zoti Doshi me këtë çështje tre-katër muajt e fundit?

Ilir Meta – Absolutisht që nuk ka shanse zoti Doshi të më bëjë presion mua me asnjë lloj gjëje, përkundrazi.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, duket se historia po merr përmasa të mëdha, po i quaj publike dhe politike. Prokuroria po heton. Në prokurori kanë qenë Kryeministri i vendit, kreu i Kuvendit, pra ju, ministri i Brendshëm, ish-Kryeministri Berisha, i cili kishte njëzet e ca vjet që nuk paraqitej para organit të akuzës, deputetë...

Ilir Meta – Kjo është për t’u përshëndetur.

Blendi Fevziu – Absolutisht po.

Ilir Meta – Kjo është për t’u përshëndetur dhe bëri shumë mirë që e mësoi atë rrugë.

Blendi Fevziu – Sikurse edhe reagimi i menjëhershëm për t’i pyetur të gjithë. Ndërkohë, pyetja ime është e mirëfilltë dhe ju e dini: a ka kurajë një prokuror në Republikën e Shqipërisë në këtë vend ku jemi sot, në këto rrethana që jemi sot, të hetojë kreun e Kuvendit për sa kohë ai është njeriu i dytë më i fuqishëm politik në vend?

Ilir Meta – Kjo “i dyti i fuqishëm”, jo i treti, duket si ajo puna e sekretarit të Byrosë Politike: sekretar i Parë, sekretar i Dytë, sekretar i Katërt. Kjo nuk ka asnjë vlerë.

Blendi Fevziu – Një nga dy njerëzit më të rëndësishëm.

Ilir Meta – Të lutem! Unë nuk kam asnjë kompetencë ndaj prokurorisë. Unë jam Kryetar i Kuvendit, nuk jam Kuvendi. Jam Kryetar i Kuvendit, jam spiker. Nuk jam kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nuk kam asnjë kompetencë emërimi, shkarkimi apo ndikimi ndaj prokurorit dhe ndaj kujtdo tjetër, dhe ndaj çdo prokurori, përkundrazi, jam një në 140 deputetë.

E vetmja kompetencë, që kam unë dhe të cilën nuk e lëshoj, është t’ia jap fjalën Doktorit sa herë të dojë edhe në kundërshtim me Rregulloren.

Në qoftë se shqiptarët duan të më ndëshkojnë për këtë gjë, qoftë edhe prokuroria, unë për këtë gjë pranoj çdo lloj dënimi. Kaq, asgjë tjetër.

Blendi Fevziu – Përtej dashurisë suaj të dukshme, zoti Meta, për Doktorin, pyetja ime është e thjeshtë: a do të ishte më e ndershme që kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, që garanton koalicionin e sotëm qeverisës, të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit aq më tepër kur është i pastër, siç thoni ju?

Ilir Meta – Do të ishte veprimi më i pandershëm që do t’i bëhej vendit.

Blendi Fevziu – Pse do të ishte i pandershëm?

Ilir Meta – Sepse do ta kthente në një sport edhe më popullor, sportin e shpifjes, të shantazhit në vendin tonë dhe të destabilitetit të institucioneve, sepse jam sigurt që menjëherë do të dilte dikush që do të paguante disa lekë për të bërë dy-tri video, t’i shpërndante kudo dhe të thoshte se “Bujar Nishani...”, të më falë Presidenti që po e përmend, “...ka paguar lekë për të vrarë këtë”, pastaj do të dilte një tjetër dhe do të thoshte të njëjtën gjë, duke nxjerrë dy-tre persona, siç ishte ky personi i Fushë-Krujës që pamë me xhup e kështu me radhë. Natyrisht që ky do të ishte një proces destabilizimi dhe degradimi i institucioneve.

Blendi Fevziu – Por do të ishte transparencë më e madhe në raport me drejtësinë...

Ilir Meta – Transparenca është kjo:  të vijë zoti Berisha, të vijë zoti Doshi në emisionin “Opinion”, në qoftë se nuk pranojnë të vijnë në prokurori, që të dy, ti këtu, ata  këtu, unë këtu, tamam 4 veta. Ata të sjellin provat dhe faktet e tyre këtu dhe të bëjmë një  ballafaqim përpara publikut, në qoftë se ata nuk pranojnë të vijnë në prokurori. Unë jam për rrugën e prokurorisë. Kaq. Dhe le të gjykojnë qytetarët, të gjykojë opinioni për këtë histori. Kjo është transparenca. Transparencë tjetër nuk di.

Blendi Fevziu – Në janar të vitit 2011, zoti Meta, keni dhënë dorëheqjen për një video, ku përmendnit 700 mijë euro. 700 mijë euro, pavarësisht se, pak a shumë, aq ishte edhe çmimi  për të vrarë Doshin dhe Fufin, nuk janë asgjë përpara jetës së  dy deputetëve.

Ilir Meta – Patjetër!

Blendi Fevziu - Materiali  numër 4, të lutem!

(Paraqitet materiali numër 4.  Fjalimi i deputetit të Sali Berishës mbajtur në Kuvend.)

Blendi Fevziu – Keni dhënë dorëheqjen për 700 mijë euro, zoti Meta, për një përmendje 700 mijë euro, në një video, që edhe atëherë pretendonit që ishte  e montuar.  Në këtë rast ku sërish pretendoni që jeni i pafajshëm, përse nuk jepni dorëheqjen që  t’u hapni rrugë hetimeve?

Ilir Meta – Kemi një kërkesë me letra nga kryetari i opozitës, për të bërë  një miting. Ti e di  kush është kryetari i vërtetë për mua! Të lutem! Më vjen keq! Të lutem!

Blendi Fevziu – Më vjen keq, jeni Kryetar i Kuvendit, jeni kryetar partie, ju  e dini se kush është kryetar i opozitës.

Ilir  Meta – Dakord, Kryetar i Kuvendit jam, por këtu nuk jam...

Blendi  Fevziu – Ju nuk  jeni opinionist. Mund  t’jua lini opinionistëve se kush është  kryetari de facto dhe de jure . Ju njihni një kryetar, zoti Meta.

Ilir Meta  - Shiko, nuk kam problemin për të  ulur vlerat e kryetarit aktual, le të themi, por  kam problemin për të rritur vlerat e kryetarit që njohim të gjithë.

Blendi Fevziu – Nuk e keni këtë detyrim, zoti Meta ndaj shqiptarëve, keni detyrimin...

Ilir Meta -  Mirë, dakord. E kam ndaj vetes sime, ndaj ndërgjegjes sime që të jem  i qetë. Ju lutem, mos më ndërprisni!

Pra, ka bërë një lajmërim që ditën e enjte  do të  bëhet një protestë pse nuk jep dorëheqjen Kryetari i Kuvendit...

Blendi Fevziu – Opozita ka thirrur një miting proteste për dorëheqjen tuaj ditën e enjte në orën 11:00.

Ilir Meta – Dakord. Mua  më vjen keq vetëm për standardin e dyfishtë të tij.

Blendi Fevziu – Çfarë do të thotë  standard i dyfishtë?

Ilir Meta – Pra, të Lulit, sepse ju thoni pse nuk jepni dorëheqjen, sepse opozita  ka bërë këtë kërkesë.

Së pari, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje.

Së dyti, zoti Basha u akuzua për  vjedhjen, më duket, të 230 milionë dollarëve për rrugën Durrës-Kukës dhe nuk dha dorëheqjen që ta lejonte prokurorinë ta hetonte pa qenë ministër. Përkundrazi! Jo vetëm kaq, por nxirrte edhe raporte mjekësore, në mënyrë që të kapte procedurat dhe e mbylli për  procedura, jo me  themel çështjen.

Kështu që në rast se ka këtë shqetësim, të shkojë, ta hapë vetë çështjen përpara se ta hapë prokuroria në të ardhmen, ta çojë në themel dhe në  këtë mënyrë të tregojë që është  vërtet për  këto standarde kaq demokratike.

Blendi Fevziu – Ky  është presion ndaj Bashës, zoti Meta, që thoni ta hapë prokuroria në një të ardhme?

Ilir Meta – Jo, jo. Nuk është fare presion. Është çështje që të mos kemi dy standarde, por të kemi një standard. Pra kjo kërkesë nuk ka moral.

E dyta, pse dhashë unë atëherë dorëheqjen, përveç atyre që dëgjuam dhe që mund  t’i sqarojmë përsëri çdo të enjte.

Dorëheqja ime duhej dhënë. Për cilat arsye? Sepse opinioni u trondit, sepse kishim të bënim me një inskenim. Kishim të bënim me një ministër, i cili kishte regjistruar një zëvendëskryeministër, pavarësisht nga teksti dhe nga problemet, kjo ishte një histori tjetër, por, në fund të fundit, ishte një përgjegjësi imja, që  kisha emëruar një ministër të tillë, që krijoi këtë problem dhe këtë  skandal.

Së dyti, kishim të bënim me një hetim, që do të ndodhte në një ministri që unë po e drejtoja në ato momente, ku do të verifikoheshin edhe letrat, edhe  dokumentet për aferat e përmendura e kështu me radhë. Kështu që kjo ishte një dorëheqje më se e  argumentuar dhe e  justifikuar për atë kohë. Kaq.

Blendi Fevziu – Atëherë...

Ilir Meta – Aktualisht, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje dhe nuk ka asnjë provë. Ose janë dy të ashtuquajtura prova: një është intervista e Tomës me Tomën, dhe e dyta është vetë Toma, që për të gjitha  arsyet që unë përmenda nuk  mund të jetë provë, por është antiprovë.

Blendi Fevziu – Është dhe personi, pra, po e quaj vrasësin, po e shkëpus këtë  nga spoti i PD-së që ta shikoni më mirë, zoti Meta.

Materiali numër 9, të lutem!

(Paraqitet materiali numër 9.  Videoja e deputetit Tomë Doshi )

Blendi Fevziu – Është me zërin e tij dhe e titruar me shkronja të mëdha të  verdha nga opozita që të duket më mirë.

Ilir Meta – Absolutisht, është e drejtë e opozitës të titrojë, të bëjë video sa të dojë, t’i montojë dhe  t’i çmontojë.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, gjithsesi ju i përmendët ish-kryeministrit Berisha edhe djalin e tij. Përse e përmendët në këtë moment që t’u kërkua dorëheqja dhe për 4 vjet nuk  e keni përmendur kurrë? A ishte një lloj shantazhi ndaj zotit Berisha?

Ilir Meta  - Absolutisht, ajo nuk ishte shantazh. Ishte  një raport midis ne të dyve.  Kemi ato raportet tona ne...

Blendi Fevziu – Ç’do të thotë raport midis...

Ilir Meta – Kemi raportet tona me Doktorin. Ju nuk mund të hyni në çdo raport tonin.

Blendi Fevziu – Megjithatë, nëse bëhet një aludim për një gjë të tillë, zoti Meta, do të  ishte mirë t’i ishit drejtuar drejtësisë që në  momentin e parë dhe  jo të hidhnit shashka në parlament.  Jeni Kryetar i parlamentit.

Ilir Meta – Unë nuk hedh shashka! Përkundrazi!

Blendi Fevziu – Duket një gjuhë e çuditshme për publikun që flisni me kode midis jush.

Ilir Meta – Nuk ka asnjë gjë të çuditshme. Unë ju thashë: Doni transparencë?  Ka hallin e transparencës Doktori? Le të vijë këtu!

Më dëgjoni pak, Blendi! Unë jam këtu. U thashë prokurorëve: në çdo ditë të javës, edhe të shtunën, edhe të dielën, sepse mund të ketë edhe punë të tjera prokuroria, jam i gatshëm të vijë të kontribuojë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Dhe jam i gatshëm të  ballafaqohem me të dy akuzuesit e mi kryesor, veç e veç,  me zotin Doshin dhe  me zotin Berisha, me të dy bashkë, apo edhe me të gjithë të tjerët. Tani për akt transparence jam këtu, të vijë  edhe zoti Berisha, të vijë edhe zoti Doshi, të  katërt këtu të sqarojmë opinionin, kur të doni ju. Unë nuk kam asnjë shqetësim!  Përkundrazi.

Blendi Fevziu – Si  shpjegohet zoti Meta,  që është hera e dytë...

Ilir Meta – Ndërkohë që çdo të enjte jemi aty me Doktorin, sqarohemi. Pa problem!

Blendi Fevziu – Aty bëheni më lëmsh, xhanëm se sa sqaroheni...

Ilir Meta – Po mirë, aq sa mund të sqarohemi. Ashtu mendon ti, por...

Blendi Fevziu – Është hera e dytë, zoti Meta që një nga anëtarët më me zë të partisë suaj dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, zoti Spartak Braho, në momente të vështira të pozicionit tuaj politik, ka gjithmonë një video të gatshme për të kërcënuar kundërshtarët e tij politikë. E bëri me atë çantën e zezë, e bëri në rastin e zotit Doshi, kërkon një videoprojektor në parlament...

Ilir Meta -  Nuk  e di. Nuk e di.

Blendi Fevziu – A është ky shantazh, që ju kërcënojnë ju?

Ilir Meta – Jo, absolutisht. Unë për veten time nuk kam asnjë shqetësim nga asnjë lloj video, se çfarë bën zoti Braho me zotin Berisha, këto janë çështjet e tyre, nuk hyj në këto raporte.

            Blendi Fevziu – Po si shpjegohet që një video sillet gjithmonë vërdallë sa herë ju keni probleme politike, për të kërcënuar kundërshtarët?

            Ilir Meta – Unë nuk kam asnjë problem politik.

            Blendi Fevziu – A ekzistojnë realisht video të pashfaqura në disponim të LSI-së?

            Ilir Meta – Unë nuk kam asnjë problem politik.

            Blendi Fevziu – Përse kërkuat video-projektor në sallë, në seancën parlamentare?

            Ilir Meta – Jo vetëm kaq. Unë kam kërkuar? Jo, nuk kam kërkuar.

            Blendi Fevziu – Zoti Braho?

            Ilir Meta – Po mirë, zoti Braho nuk jam unë. Zoti Braho ka status të veçantë, të lutem.

            Blendi Fevziu – Ç’domethënë ka status të veçantë?

            Ilir Meta – Po është siç ka Doktori status të veçantë, ka edhe ai status të veçantë dhe pak a shumë një moshë janë.

            Blendi Fevziu – Disponon LSI-ja materiale komprometuese për njerëz të opozitës apo të maxhorancës?

            Ilir Meta – LSI-ja nuk merret me atë çështje, së pari. Së dyti, se çfarë ka zoti Braho unë këtë nuk e di, merreni atë në intervistë. Por ajo që mund t’ju them, meqë thatë situatë politike, i gjithë argumentimi i zotit Berisha ishte se dyshja Rama-Meta do t’i bënte këtë gjëmë Shqipërisë, pra që organizonte të vriste dy deputetë, me qëllimin final, me destabilizue vendin politikisht. Dhe unë kam një pyetje edhe për ju edhe për të gjithë ata që na ndjekin.

            Blendi Fevziu – Po.

            Ilir Meta – Përse Ilir Meta, që është Kryetar Kuvendi, dhe Edi Rama, që është Kryeministër, do të bënin këtë lloj skenari që të destabilizonin vendin në mënyrë që të iknin këta vetë dhe të vinte Doktori, pa u lodhur fare? Mund të jepni ju një përgjigje.

            Blendi Fevziu – Kjo është një çështje që... Shiko, zoti Meta, këtu ka disa pikëpyetje që unë mund t’i them...

            Ilir Meta – T’i sqarojë drejtësia.

            Blendi Fevziu - Unë mund t’i them që mund t’i sqarojë drejtësia dhe unë ju bëra pyetjet e mia. E para, pikëpyetja ime e parë është, si shpjegohet që gjithë kupola shtetërore, me përjashtim të Presidentit të Republikës, ka dijeni për çështjen dhe nuk ka asnjë letër, asnjë shkresë të shtetit?

            Ilir Meta – E ka bllokuar deputeti.

            Blendi Fevziu – As pesë rreshta, që do të thotë u bë një hetim dhe nuk rezultoi i vërtetë.

            Ilir Meta – E ka bllokuar deputeti. Deputeti vendosi ta bëjë publike vetëm në momentin që u përjashtua nga Partia Socialiste.

            Blendi Fevziu – Që zoti Doshi, i cili është mbajtur si një njeri mik, e quajtët ju deri diku me ju, befas përmend emrin tuaj dhe jo ndonjë emër tjetër dhe përse e përfshin këtë?

            Ilir Meta – Sepse ky ishte versioni i radhës, kishte versione të tjera më përpara. Mbas dy muajsh mund të dalë një emër tjetër, unë e kam paralajmëruar zotin Basha të ketë kujdes sesi përfundon kjo punë.

            Blendi Fevziu – Kush?

            Ilir Meta – Kjo nisi me kunatin e Doktorit, por nuk dihet se me kunatin e kujt do të përfundojë.

            Blendi Fevziu – Megjithatë, për faktin që opozita po bën presionin e saj politik...

            Ilir Meta – Opozita të bëjë presion sa të dojë.

            Blendi Fevziu – ... dhe organizon një miting. A mendoni zoti Meta...

            Ilir Meta – Të bëjë mitingje pafund.

            Blendi Fevziu – ... që destabilizimi i vendit, domethënë dorëheqja juaj është më pak e rëndësishme se destabilizimi që mund t’i vijë vendit nga protestat e opozitës?

            Ilir Meta – Vendi destabilizohet duke krijuar precedentë kriminalë, kushdo njeri mund të montojë një video, mund të blejë dëshmitarë të rremë dhe të kërkojë rrëzimin e institucioneve pa  zgjedhje, pa votë. Opozita ka bërë një kërkesë për shkarkim për Kryetarin e Kuvendit, e kanë firmosur ditën e mërkurë. Kryetari i Kuvendit, në respekt të palëkundur e të thellë të opozitës, e ka firmosur menjëherë, nuk e ka zvarritur, siç zvarriteshin kërkesat për shkarkim të Kryetarit të Kuvendit më përpara dhe, kur ka ardhur opozita, u kemi thënë, jemi gati jashtë gjithë procedurave ta fillojmë me kërkesën e opozitës për shkarkim. Jo, jo, jo nuk duam këtë. Po çfarë doni ju? Ne duam të ikësh ti. Po si të iki unë?

            Blendi Fevziu – Kërkojnë dorëheqjen dhe jo shkarkim tuaj, zoti Meta?

            Ilir Meta – Po nuk kërkonin shkarkimin, se kishin hall se këtë radhë nuk do të merrja 91 vota, mund të merrja 100 vota.

            Blendi Fevziu – Po shkarkimi është gjë tjetër, dorëheqja është tjetër?

            Ilir Meta – Më shkatërruan celularin deputetët, kryetarët e bashkisë së PD-së, kryetarët e komunave dhe njerëz shumë të njohur të Partisë Demokratike.

            Blendi Fevziu – Dorëheqja është gjest politik, zoti Meta, shkarkimi është përgjegjësi e mirëfilltë.

            Ilir Meta – Tani, gjestin politik ta sqarova, gjestin politik duhet ta kishte bërë zoti Basha, kur u akuzua për 230 milionë dollarë për rrugën Durrës-Kukës, nuk e bëri, nuk dha dorëheqjen si ministër.

            Blendi Fevziu – Po kjo nuk do të thotë që ju të mos e bëni meqë nuk e ka bërë zoti Basha?

            Ilir Meta – Jo vetëm kaq, por nxirrte, më fal, raporte mjekësore për ta mbyllur me procedura çështjen, jo me themel. Mund të shkojë tani në çdo kohë ta hapë çështjen, ta çojë deri në fund, me themel. Pastaj dihet shembulli që ka dhënë Doktori për të gjitha ato çudira që i kanë ndodhur.

            Blendi Fevziu – Zoti Meta, menjëherë mbasi zoti Doshi ka bërë publik faktin, ju, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Brendshëm jeni takuar midis jush. Përse jeni takuar dhe çfarë keni biseduar?

            Ilir Meta – Nuk kam asnjë koment unë për t’u marr me histori mediesh e me lajme.

            Blendi Fevziu – A jeni takuar realisht?

            Ilir Meta – Nuk kam asnjë koment për të bërë për këtë gjë. Komenti im është ky. Doktori të vijë këtu, Toma të vijë këtu, ju jeni aty në krye të emisionit, unë jam këtu, unë nuk kam nevojë as për zotin Braho, as për njeri. Këtu bëjmë transparencë përpara qytetarëve shqiptarë. S’kam asnjë problem unë. Më fal. Këtë ta dinë të gjithë qytetarët.

Së dyti, në prokurori kam thënë: jam Kryetari i Kuvendit, por jam në disponimin tuaj në të shtatë ditët e javës edhe të shtunë e të diel. Të enjten ju kam thënë, ju lutem se e kam ditën e Doktorit, por, për hir të drejtësisë dhe për një çështje kaq të rëndësishme që është tronditur Doktori nga themelet, absolutisht jam gati edhe të enjten të shkoj atje dhe t’ia lë zotit Dule, por kam një problem me zotin Dule, sepse ai nuk ja jep gjithmonë fjalën Doktorit sa herë e kërkon Doktori.

            Blendi Fevziu – Zoti Meta, përtej raportit të Doktorit që hyn në çdo gjë, keni dalë nga prokuroria mbasi keni dhënë dëshminë tuaj dhe je nisur direkt në zyrën e ministrit të Brendshëm, i cili do të vinte të bënte dëshminë e tij. Përse?

            Ilir Meta – Nuk kam asnjë koment unë për këto përralla.

            Blendi Fevziu – Për çfarë arsye?

            Ilir Meta – Ministri i Brendshëm e ka bërë dëshminë, ka nxjerr njoftimin me kohë për gjithë ecurinë e ngjarjes. Këto janë përralla kot.

            Blendi Fevziu – Zoti Meta, ka pasur një seancë që dukej e tensionuar për ju, por jo e tensionuar për pjesën tjetër të maxhorancës.

            Ilir Meta – Për mua ishte shumë e qetë.

            Blendi Fevziu – Me batuta po.

            Ilir Meta – Po normale, një çikë shaka do të bëja me Doktorin unë, patjetër.

            Blendi Fevziu – Por nuk besoj, ishte jashtë asaj të zakonshmes.

            Ilir Meta – Patjetër.

            Blendi Fevziu – ABC News kishte bërë një vëzhgim mjaft interesant. Materiali numër 5. Shiheni dhe më jepni një koment, të lutem?

(Materiali numër 5.)

            Ka një raport të thyer apo problematik midis jush dhe zotit Rama për këtë çështje?

            Ilir Meta – Absolutisht, është një raport shumë korrekt.

Blendi Fevziu – Si shpjegohet që zoti Rama nuk foli fare për këtë çështje?

Ilir Meta - Zoti Rama nuk është fare i interesuar për hapjen e kësaj  çështjeje dhe nuk kishte përse të fliste. Pse do të fliste zoti Rama? Ata e kishin problemin me mua, nuk kishin ndonjë problem me qeverinë. Pse duhet të fliste zoti Rama?

Blendi Fevziu - A ka hatërmbetje në marrëdhënien tuaj pas kësaj ngjarjeje, zoti Meta?

Ilir Meta - Me kë?

Blendi Fevziu – Me zotin Rama?

Ilir Meta – Hatërmbetje për çfarë?

Blendi Fevziu - Për çështjen në përgjithësi, për këtë që ka ndodhur?

Ilir Meta – Absolutisht, nuk ka hatërmbetje.

Blendi Fevziu - Asnjë nga deputetët e Partisë Socialiste, që hidhen si skifter kur zoti Berisha flet aty, nuk u ngrit të fliste në këtë seancë.

Ilir Meta – Unë nuk kam hatërmbetje as me Tomën, se ai aq di dhe aq bën.

Blendi Fevziu  - Nuk kam hatërmbetje me asnjëri.

Blendi Fevziu - Zoti Meta, çfarë ka ndodhur ...

Ilir Meta – Hatërmbetje kam me Doktorin, po.

Blendi Fevziu - Çdo të thotë hatërmbetje me Doktorin?

Ilir Meta -  E kam sepse është përfshirë në një gjë që nuk i takon.

Blendi Fevziu - Përse nuk i takon?

Ilir Meta – Nuk i takon se Doktori është serioz.

Blendi Fevziu - Po bën një denoncim për një ngjarje, rast të rëndë zoti Meta!

Ilir Meta - Çfarë denoncimi tani ? E di që para tre muajsh, me fal të lutem! 

Blendi Fevziu – Ish-ministri i Jashtëm, ish-Kryeministri shkoi në prokurori për herë të parë në historinë e këtij vendi, të gjithë bashkë.

            Ilir Meta - Më fal, të lutem! Doktori tha: “E dija që para tre muajsh” (se  ata nuk i nxirrnin dot të Doktorit, i ruani ato të Doktorit ju) “E dija që para tre muajsh - tha Doktori, -që do të ndodhte kjo gjëmë”. Por, kur e dije ti mirë se ne të tjerët e zemë se e fshehëm, por ti që e besove...

Blendi Fevziu - Ta nxjerr unë, ka disa muaj që ju  akuzon për këto Berisha.

 Ilir Meta - Po të lutem! Lëre çfarë akuzon, çfarë ka muaj, se

 asnjë gjë nuk ka.

Ti ke tre muaj, pse nuk e çove në prokurori, pse nuk e bëre publike këtë çështje, por prite ditën që ky zotëri do të përjashtohej nga Partia Socialiste? Pse? E para,  dhe e dyta tha edhe një gjë shumë të rëndë. I thashë unë: “Pse ti këtë gjë nuk e bëre më përpara? Po ishte problemi juaj i maxhorancës. A, për aq kohë sa deputeti ishte  pjesë e maxhorancës, le të ndodhte edhe gjëma, por tani që kaloi në opozitë,  duhet ta denoncojmë gjëmën që nuk na ndodhi. Këto janë historitë e Doktorit.

Blendi Fevziu - Çfarë është thyer në raportin tuaj me zotin Berisha?  Ju keni pasur një raport korrekt mbas 4 vjet bashkëqeverisje, edhe në kohën që ai ka  qenë në opozitë ka ....

Ilir Meta - Asnjë raport që nuk është thyer, përkundrazi unë tani do ta jap fjalën jo vetëm kur e kërkon Doktori, por edhe kur nuk e kërkon.

Blendi Fevziu – Po me zotin Basha ?

Ilir Meta -  Nuk kam asnjë gjë.

Blendi Fevziu  - Tani kjo nuk është ndonjë mburrje  e madhe, zoti Meta, që thyeni rregulloren e parlamentit  si  Kryetar i parlamentit për t’i dhënë fjalën. Këtë nuk mund ta përdorni si mburrje, se është shkelje ligji në thelb.

Ilir Meta - Tani kjo është një gjë, për të cilën le të më dënojnë shqiptarët po të duan, edhe prokuroria, por për gjëra të tjera nuk i mbaj dot. Këtë përgjegjësi jam gati ta mbaj.

Blendi Fevziu – Raportet me zotin Basha, si janë?

Ilir Meta – Nuk mund të them se kam ndonjë raport. Kur e takoj ndonjëherë, e përshëndes, sepse ai gjithmonë e ka atë kompleksin, që i thonë: “Ky është mik me Metën, me Ilirin”, ku di unë, ia përdorin këtë për ta goditur brenda partisë. 

            Blendi Fevziu  - Aktualisht, a keni pasur komunikim me të?

Ilir Meta – Jo, te festa e Kuvajtit e kam takuar dhe e kam përshëndetur për herë të fundit.

Blendi Fevziu – Dhe asnjë herë tjetër?

Ilir Meta  -  I dhashë një copë tortë, aty ku ndahesh torta.

Blendi Fevziu – Ndërkohë, zoti Meta, kam përshtypjen që zoti Doshi në fund  të  intervistës që ka dhënë për Top Story ka qenë mjaft i ashpër me ju.

Materiali numër 13, të lutem!

(Materiali numër 13, video e Tomë Doshit)

Blendi Fevziu  - A keni frikë zoti Meta nga Tomë Doshi? Deklarata ishte relativisht  sfiduese.

Ilir Meta – Unë kam frikë vetëm nga ligji.

Blendi Fevziu – Ç’do me thënë që keni frikë vetëm nga ligji?

Ilir Meta – Vetëm ligjin kam frikë unë, sepse po shkele ligjin, ke probleme.  Frikë nga njeri tjetër nuk kam dhe nuk kam asnjë arsye pse të kem.

Së dyti, unë nuk kam asnjë kërcënim për deputetin Doshi dhe për çdo njeri tjetër, përkundrazi do ta respektoj si 1 ndër 140 deputetët, sa herë të kërkojë fjalën do ta marrë. Nuk mund të them se do të bëj përjashtimin nga Rregullorja, ashtu siç e bëj me Doktorin, se pastaj do të mërzitet ky tjetri, por sa herë të dojë do të flasë. Në zyrën time është i mirëpritur si deputet i Kuvendit te Kryetari i Kuvendit për çdo hall, për çdo shqetësim që të ketë. I uroj gjithë të mirat, nuk kam asnjë shqetësim!

            Blendi Fevziu - Zoti Meta, gjithsesi, a e quani këtë ngjarje tejet të rëndë edhe nga fakti që në prokurori për 48 orë janë thirrur krerët më të lartë të shtetit, siç nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër në këta 25 vjet? Ka pasur shumë histori të rënda ky vend në këto 25 vjet, por asnjëherë nuk ka ndodhur që Kryeministri, Kreu i Kuvendit, ministri i Brendshëm, ish-kryeministri, deputetë dhe persona të tjerë, ish-zyrtarë apo persona të rëndësishëm, të thirren në prokurori. Pra, a e shihni realisht këtë ngjarje si ngjarje shumë tronditëse?

            Ilir Meta - Kjo është një ngjarje shqetësuese, është një ngjarje tronditëse, sidomos për opinionin. Për mua personalisht nuk ishte dhe kaq tronditëse, apo për disa persona të tjerë që ishin në dijeni të disa rrethanave kohë më parë, por gjithmonë, që nga fillimi i kësaj çështjeje deri tani më janë kujtuar vargjet e Dritëro Agollit, që i shkruante një herë në parlament në kohën e Doktorit të parë, se unë rrija me drejtorin atëherë ngjitur në tavolinat e Kuvendit.

Blendi Fevziu - Atëherë ka pasur poetë, shkrimtarë parlamenti, nuk ka pasur kështu të dënuar, emra të dënuar.

Ilir Meta - Po, patjetër, nuk ka pasur. Edhe Dritëroi shkruajti diçka që ende vlen sot, qoftë edhe për këtë histori, aq më tepër për gjithë këtë retorikën e doktorit tonë, i apasionuar kaq shumë pas atentateve.

“Në vendin tim dhe në vendin tënd, një kokë e çmendur, të gjithë do me i çmend”. Kështu që kjo është historia. Në lidhje me drejtësinë, ajo ka mbështetjen time të plotë. Unë jam 24 orë në 24 orë në dispozicion të drejtësisë, deputeti në fjalë, doktori në fjalë, personat në fjalë të vijnë në prokurori dhe të ballafaqohen atje për t’i shërbyer zbardhjes së çështjes. Nuk duan të shkojnë atje, duan të vijnë këtu të bëjnë transparencë? Këtu të vijnë, tek “Opinioni”, që është emisioni më i kuotuar i opinionit publik, bëjmë një transparencë dhe pastaj le t’ia lëmë opinionit ta gjykojë.

Blendi Fevziu - Po nuk bëhet transparencë në studio.

Ilir Meta - Të vemi në prokurori një herë. Unë jam për prokurori.

Blendi Fevziu - Unë po bëj sa mundem.

Ilir Meta - Unë jam për prokurori. Doktori ka hallin e transparencës, të shkojë në prokurori, pastaj të vijmë këtu, sepse këtë ose drejtësia ose mjekësia mund ta zgjidhë, nuk e zgjidh dot unë. Këtë çështje o drejtësia o mjekësia, unë këtë nuk e zgjidh dot.

Blendi Fevziu - A e ka goditur rëndë LSI-në kjo ngjarje, zoti Meta?

Ilir Meta - Absolutisht, kjo ngjarje po inspirohet për të goditur LSI-në, por, si gjithmonë, ndodh e kundërta. Presim zgjedhjet dhe do të shikojmë rezultatet e zgjedhjeve.

Blendi Fevziu - Zoti Meta, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka anuluar sot një veprimtari me grupin e miqësisë Shqipëri-SHBA. A është anuluar ky aktivitet për arsye të pjesëmarrjes së deputetëve problematikë në raport me ligjin?

Ilir Meta - Më duhet të pyes Ralfin, nuk kam informacion akoma për këtë çështje.

Blendi Fevziu - Po e dini që ambasada e ka anuluar?

Ilir Meta - Duhet të pyes Ralfin dhe do  të kthej përgjigje nesër, përgjigje më të saktë.

Blendi Fevziu – A ju ka vënë në dijeni Ambasada Amerikane që brenda parlamentit shqiptar ka persona që kanë pasur probleme me ligjin ose që dyshohet  se kanë probleme me ligjin?

Ilir Meta -  Ka pasur disa shqetësime, por nuk mund të  komentoj më shumë.

Blendi Fevziu – Që do të thotë ju janë vënë emra konkretë përpara dhe ju vetë keni qenë në dijeni të kësaj?

Ilir Meta – Nuk mund të komentoj më shumë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ambasadë si ajo e SHBA-së.

Blendi Fevziu -  A e  ndjeni si një problem pjesëmarrjen e këtyre personave brenda  parlamentit, si një deputet ndër më të vjetrit e parlamentit të Shqipërisë.  Zoti Meta, jeni deputet që në vitin  1992. Vetëm Dokle dhe Berisha janë një vit më të vjetër se ju, po i quaj në karrierën politike, pra jeni deputeti  ndoshta më i vjetër i parlamentit. A e ndjeni  që ky parlament ka probleme serioze në përfaqësimin e tij?

Ilir Meta – Mendoj se ky parlament duhet të eci përpara në procesin e  dekriminalizimit.

Blendi Fevziu  – Ç’do të thotë të eci përpara? Ju nuk e pranonit procesin e  dekriminalizimit derisa e ngriti opozita?

Ilir Meta  – Kush tha? Po kush e pranoi këtë? Tani që e pranuam ne, po e braktisin ata.

Blendi Fevziu – Në ç’kuptim po e braktisin ata?

 Ilir Meta– Në të gjitha kuptimet.

Blendi Fevziu – Ka një komision që është ngritur.

Ilir Meta – Në të gjitha kuptimet. E kanë braktisur dekriminalizimin. Ka disa ditë që e kanë braktisur. Është drejtë e tyre ne do të punojmë ta çojmë përpara.

Blendi Fevziu- Do t’i kthehem problemit të dekriminalizimit. Kam unë  një listë këtu me deputetë. Janë 17 emra të cilët, sipas të dhënave tona, kanë pasur probleme serioze me ligjin në të shkuarën, ose dyshohen.

Ilir Meta– Nuk e di, unë nuk kam ndonjë listë të tillë.

Blendi Fevziu - Besoj se nga i njëjti drejtim që ka ardhur lista te ne, duhet të ketë ardhur edhe te ju.

Ilir Meta– Mua nuk më ka  ardhur një listë e tillë.

Blendi Fevziu– Pyetja ime, zoti Meta, para se të fus spotin publicitar  e të nis çështjen e dekriminalizimit është meqë folët për Dritëro Agollin, për shkrimtarë të njohur dhe personalitete publike që më pas u kthyen në personalite politike,  realisht sa  deputetë nuk dinë të shkruajnë në parlamentin e Shqipërisë, se unë e di që Dritëroi bënte vjersha?

Ilir Meta – Këtë nuk e di, po që ka nga ata që në vend të punës së deputetit bëjnë atë të kineastit paska plot, me sa duket. Këtë gjë nuk e di, nuk e kam verifikuar.

            Blendi Fevziu – Jemi drejtpërdrejt në këtë intervistë me Kryetarin e Kuvendit, zotin Ilir Meta, i vendosur në qendër të vëmendjes së opinionit publik, pas akuzave të bëra nga deputeti Tom Doshi, që ai është porositësi i vrasjes së deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Zoti Meta është drejtuar në prokurori.

Për rreth një ore e 15 minuta kemi zhvilluar një intervistë të fokusuar vetëm te ngjarja. Ndërkohë ju kam bërë thirrje që në faqen e facebook-ut “Opinion TV Klan” të dërgoni komentet tuaja për punën e prokurorisë për zbardhjen e vrasjes së Tom Doshit. Si po punon prokuroria për zbardhjen e vrasjes së Tom Doshit? Komentet janë publike, shihen në facebook në faqen “Opinion TV Klan”.

Zoti Meta, rikthehemi sërish te një problem mjaft i prekshëm. Sot ju përmenda një anulim të një aktiviteti të ambasadë së SHBA-ve në Tiranë me grupin e miqësisë Shqipëri-SHBA, sipas informacioneve të dhëna nga shtypi, për faktin se në këtë grup ka persona të papranueshëm për arsye të problemeve  me ligjin, për ambasadën e SHBA-ve. Çfarë po ndodh me këtë parlament, zoti Meta? Pse ky parlament ka pasur si produkt njerëz me nivel shumë të ulët arsimor, njerëz me precedentë penalë, njerëz që nuk kanë as emrat e tyre, por i kanë ndërruar për t’i shpëtuar ndjekjes nga vendet fqinje? Çfarë po ndodh realisht me parlamentin shqiptar dhe me politikën shqiptare? Pse personazhe të tilla po përfshihen gjithnjë e më shumë në politikë?

Ilir Meta – Unë mendoj se kjo pyetje ndoshta do të ketë një përgjigje institucionale, sepse nuk mund të marr përsipër të jap përgjigje në emër të institucionit pa bërë verifikime të plota.

Së dyti, për këtë proces besoj se SHBA-të e kanë bërë të qartë, u kanë bërë thirrje të gjitha partive për t’u bashkuar në procesin e dekriminalizimit apo të rritjes së standardit të përfaqësimit në parlament, ku shpresojmë që të ndërmerren edhe masa ligjore, pra garanci me ligj, për të evituar raste të tilla. Por njëkohësisht në të ardhmen të kemi një reflektim te forcat politike për të mos vënë njerëz si të fortë, apo me probleme...

Blendi Fevziu – Si zgjidhet kjo, me marrëveshje, në çfarë forme?

Ilir Meta – Kjo është një gjë që do të diskutohet. Opozita e ka kërkuar këtë gjë, shpresojmë të mos tërhiqet, kam frikë se do të tërhiqet shumë shpjet.

Blendi Fevziu – Shpresojmë të gjithë që të mos tërhiqet as opozita dhe as ju të mos e bëni!

Ilir Meta - Ne jemi të gatshëm të ecim përpara, por shpresojmë që edhe opozita të mos tërhiqet.

Së dyti, duhet filluar që tani me listat e kandidatëve për bashkitë,  ku të gjitha partitë duhet të vendosin figura sa më me integritet moral.

Blendi Fevziu – Pse politika tërhiqet nga personazhe të tillë? Pse po zënë gjithmonë e më tepër vend në politikë personazhe me probleme të tilla? Nuk kanë qenë prezent 15 vjet më parë, nuk kanë qenë prezent 10 vjet më parë, si shpjegohet       që po intensifikohen tani? Shoqëria emancipohet, shoqëria shkollohet më shumë, niveli i parlamentit vjen duke rënë. 

Ilir Meta – Ka kohë që kemi elementë problematikë, të cilët njohin vetëm gjuhën e presionit, të shantazheve dhe të favoreve të pamerituara, duke përdorur mandatin e deputetit. Një problem ka qenë edhe sistemi politik në vend, sistemi zgjedhor. Ndoshta një sistem proporcional i pastër do të kontribuonte shumë për ta zgjidhur këtë çështje, në mënyrë që partitë të orientoheshin...

Blendi Fevziu – Ta merrnin vetë përgjegjësinë.

Ilir Meta – Ta merrnin përgjegjësinë, por edhe të orientoheshin drejt njerëzve, të cilët kanë një nivel më të lartë dhe jo thjesht të imponoheshin nga rrethanat se kush humb apo fiton në këtë zonë, apo në atë zonë, pavarësisht nga kualiteti politik apo intelektual dhe qytetar. Pra, janë disa çështje që do të diskutohen në komision. Ne jemi të vendosur të ecim përpara si maxhorancë, shpresojmë që opozita të mos tërhiqet nga ky proces.

 Blendi Fevziu  - Si do të bëhet vetëm me vullnet, zoti Meta?

Ilir Meta – Jo me vullnet, me masa ligjore, me ekspertizë edhe ndërkombëtare për të parë edhe vendet e tjera si e kanë kaluar këtë moment.

Blendi Fevziu-  Po, Rumania dhe Hungaria  e kanë kaluar këtë proces.

Ilir Meta – Ne jemi të hapur për të ecur përpara dhe shpresojmë, do Zoti që opozita të mos tërhiqet nga ky proces.

Blendi Fevziu – Megjithatë, si  një deputet me një karrierë ndoshta më të gjatën në  atë parlament, përveç zotit Berisha e zotit Dokle, si shpjegohet  që ndoshta  23 vjet më parë Shqipëria kishte një nivel arsimi shumë më të ulët në raport me popullsinë dhe kishte një parlament në një nivel shumë të mirë arsimor, ndërsa sot ka shumë problematikë  në raport edhe me mesataren e shkollimit të popullsisë?

Ilir Meta – Jemi të gatshëm për të bërë një rishikim të të gjitha standardeve që përcaktojnë figurat publike, deputetë të zgjedhur vendorë. Dhe besoj që maxhoranca këtë gjë do ta fillojë edhe me zgjedhjet  vendore, të cilat tashmë thuajse kanë nisur.

Blendi Fevziu - Zoti Meta, çfarë prisni nga Gjykata e Lartë për rastin

“Strazimiri” dhe si e gjykoni rastin në vetvete?

Ilir Meta – Është një çështje që i takon gjykatës. Ne nuk ndërhyjmë aspak. Ne qëkur ka ndodhur ky akt i papranueshëm në parlament, kemi marrë masat tona, po kështu kemi vënë në dispozicion të prokurorisë menjëherë sapo i ka kërkuar në mënyrë transparente të gjitha të dhënat lidhur me ngjarjen dhe i takon drejtësisë të veprojë.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, ish- anëtari i partisë suaj, ish-nënkryetari i partisë suaj, me të cilin keni pasur  një histori shumë të koklavitur, ka deklaruar në një deklaratë se ndër të tjera ju kujtonte se mes jush lufta kishte mbaruar, por ai thotë se qëndrimi juaj i fundit ia rrëzon këtë hipotezë. Çfarë marrëveshjeje ka pasur ndërmjet jush dhe zotit Prifti?

Ilir Meta – Unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem me të. Ai ka pasur një seancë kërkim-faljeje përmes një miku të përbashkët, përfaqësues i medieve,  e cila është e provuar, e dokumentuar dhe i uroj shëndet e të gjitha të mirat. Nuk kam asnjë problem.  Unë thashë për problemin e videos që kishit ju shqetësim...

Blendi Fevziu – Jo e kanë shqiptarët shqetësim.

Ilir Meta -  Jo, jo, atë e ngritët ju, e thashë edhe një herë, përgjegjës janë Filip Çakuli i pari dhe Edi Rama politikisht. Dhe  dihet që raporti me këta të dy funksionon shumë mirë, sepse unë nuk shikoj mbrapa, unë shikoj përpara.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, ç’po ndodh me zgjedhjet lokale? A ka një marrëveshje mes jush dhe PS-së gati të finalizuar aktualisht?

Ilir Meta – Mendoj se në çdo rast ne do të arrijmë marrëveshje. Unë jam tip mjaft fleksibël për marrëveshje. Ju  e dini që edhe me Doktorin kemi kaluar shumë mirë. Nuk kemi pasur ndonjëherë debate e konflikte për punë ministrash, për kryetar bashkish e të tjera, kështu që kjo gjë do të shkojë në mënyrën më konstruktive.

Blendi Fevziu – Cilat janë zonat ku të përqendrohet LSI-ja , zoti Meta?

Ilir Meta -  Ne do të përqendrohemi kryesisht te kandidatët, aty ku kemi kandidatë më përfaqësues është për të gjithë koalicionin. Edhe ne kështu e shohim. Nuk e shohim si zona të ndara PS apo LSI. Nuk kemi paragjykime. Përkundrazi.

            Blendi Fevziu – A mbetet Tirana një nga bastionet që LSI-ja do të kërkojë një kandidat, apo do t’i mbetet PS-së?

            Ilir Meta – Besoj se Tirana është një përgjegjësi shumë e madhe dhe i takon PS-së për ta marrë përsipër. Në propozimin e parë kjo. Nëse ata nuk e marrin përsipër dhe kërkojnë ndihmën tonë...

            Blendi Fevziu – Ju jeni të gatshëm?

            Ilir Meta – Do ta shikojmë.

            Blendi Fevziu – Në rast se PS-ja propozon emra konkretë për Tiranën, a do të jepni dakordësinë për çdo emër, dhe nëse nuk jeni dakord, a bie emri?

             Ilir Meta – Unë mendoj se fryma e konsensusit do të dominojë. Unë jam mjaft konsensual dhe fleksibël dhe zoti Rama ka qëllime të cilat nuk kanë të bëjnë me një forcim të dominimit të PS-së në raport me LSI-në apo koalicionin. Përkundrazi, shikoj se edhe interesimi i tij kryesor është për të gjetur kandidatët më përfaqësues për të realizuar me sukses këtë reformë madhore, siç është reforma administrative-territoriale. Është një reformë historike, e cila do të japë impakt shumë shpejt. Kjo jo vetëm falë reformës dhe ligjeve që po e shoqërojnë, por edhe falë njerëzve që do të zgjidhen. Besoj se kjo maxhorancë do të zgjedhë më të mirët. Shpresoj që edhe opozita do të propozojë njerëzit më me vlerë, më me integritet.

             Blendi Fevziu – Cilat janë zonat që do të preferonit të ishit dominues mbi PS-në? Pra, ku të kishit kandidatët tuaj. 

            Ilir Meta – Nuk kemi asnjë preferencë për të dominuar PS-në. Përkundrazi, kemi preferencën për të bashkëpunuar ngushtë me PS-në dhe të gjitha partitë e tjera aleate, për të zgjedhur njerëzit më të mirë.

            Blendi Fevziu – A keni frikë, zoti Meta, që gjithë kjo pakënaqësi e krijuar nga reagimi i shtetit, nga një lloj, po e quaj, represioni, siç thotë opozita, dhe nga gjendja e vështirë ekonomike do të kthehet në një votë proteste kundër jush si maxhorancë? Apo nuk keni të njëjtin perceptim?

            Ilir Meta – Unë besoj se qytetarët shqiptarë do të japin një mbështetje shumë të madhe për këtë maxhorancë. Ata e mirëkuptojnë domosdoshmërinë e realizimit të shumë reformave që kishin mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë. Mendoj se impakti do të jetë i shpejtë, në zgjedhjet lokale, por do të jetë akoma dhe më i ndjeshëm në vitin 2017, kur këto reforma të kenë dhënë rezultatet e tyre pozitive.

            Blendi Fevziu – A jeni i kënaqur me qeverisjen e zotit Rama?

            Ilir Meta – Unë besoj se kjo qeverisje po ecën në rrugën e duhur dhe po përmbush shumë nga ato reforma për të cilat është mandatuar.

            Blendi Fevziu – Zoti Meta, nuk kisha shumë pyetje sot...

            Ilir Meta – Vij prapë.

            Blendi Fevziu – Por kisha shumë pyetje që thoshin se pse është dobësuar kaq shumë zoti Meta. Si ka rënë kaq shumë në peshë?

            Ilir Meta – Kjo është një vërejtje që e dëgjoj nga shumë veta, por unë jam shumë i qetë, përderisa nëna ime është shumë e kënaqur me këtë gjë. Ajo nuk është e shqetësuar.

            Blendi Fevziu – Zoti Meta, si e ndien veten, kur zgjohesh në mëngjes dhe e sheh veten të akuzuar si një urdhërues ose porositës vrasjeje?

            Ilir Meta – Shiko, unë jam mësuar me këto akuza, se me thënë të drejtën na ka mësuar Doktori vetë dhe nuk na bëjnë shumë përshtypje. Tha më 14 shtator se Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano dhe bëri thirrje për revoltë, ishte Kryeministër në atë kohë dhe dogji institucionet, madje iu duk  se mori pushtetin, ngaqë mori emisionin tek TVSH-ja,  se vetëm TVSH kishte atëherë. Në darkë u mbyll dhe nuk dilte nga godina me një tank përpara.

Blendi Fevziu -  Zoti Meta, kësaj here akuza vjen nga brenda maxhorancës.

 Ilir Meta -Vjen nga opozita, sepse...

Blendi Fevziu - Vjen nga Tom Doshi, një njeri i rëndësishëm i maxhorancës.

Ilir Meta - Jeni shumë jokorrekt. Më fal që po jua them këtë gjë.

Blendi Fevziu - Tom Doshi një njeri i rëndësishëm i maxhorancës.

Ilir Meta - Le të na gjykojë opinioni publik. Unë prandaj ju thashë në fillim: kur e ka bërë zoti Tom Doshi  akuzën? E ka bërë pasi është përjashtuar nga Partia Socialiste. Pra, pasi deklaroi se do të dilte në opozitë dhe do të trondiste  themelet   e shtetit.

Është një akuzë që vjen nga opozita, sepse vetëm zoti Tom dhe Doktori janë bërë flamurmbajtës të kësaj akuze.

Blendi Fevziu-  Por  e ka bërë prezent te Kryeministri gjashtë muaj para se  të përjashtohej dhe në momentin kur ishte një deputet i rëndësishëm.

Ilir Meta- E ka bërë se donte ta hiqte qafe Doktori, sepse ky kishte mundur Doktorin në Shkodër. Kjo është historia. Këto çështje i zgjidh drejtësia. Unë jam transparent, jua thashë këtu të vijnë të dy bashkë.  Të vijnë në prokurori. Unë gati jam...para shqiptarëve dhe para drejtësisë.

Blendi Fevziu - Çfarë zhvillimesh pritet të ketë kjo çështje?

Ilir Meta - Këtë çështje e zgjidh  drejtësia ose mjekësia. Unë nuk hyj  dot në të dyja çështjet: as te drejtësia  sepse nuk më lejohet të hyj. Unë jam gati t’i shërbej drejtësisë, të jem në dispozicion të saj natë dhe ditë, mjekësia pastaj është përgjegjësi e zotit Beqaj.

Blendi Fevziu - Unë kam hedhur pyetjen: si e komentoni punën e prokurorisë për zbardhjen e vrasjes së Tom Doshit ? Nesër do të fokusohemi te kjo çështje.

Zoit Meta, para se ta mbyll kam një dhuratë për ju që mund t’ju shërbejë në këto kohë dhe një foto interesante që e gjeta në  arkivin e emisionit “Opinion”.

Ju lutem, është materiali numër gjashtë. Kjo është një foto e tetorit 1998, kur ju sapo ishit zgjedhur Kryeministër.

Ilir Meta - E vitit 1999. Në vitin 1998 kam qenë zëvendëskryeministër.

Blendi Fevziu – Më falni,  po  zëvendëskryeministër në qeverinë “Majko”. Është momenti që sapo jeni zgjedhur zëvendëskryeministër në qeverinë “ Majko” dhe unë sapo kisha transferuar emisionin nga TVSH-ja në TV Klan. Pyetja ime është, pas 17 vjetësh çfarë ka humbur Ilir Meta, nga Ilir Meta që ka qenë aty në raport me politikën?

Ilir Meta – Nga pesha.

Blendi  Fevziu -  Asgjë tjetër?

Ilir Meta - Ka humbur peshë fizike dhe ka fituar peshë politike.

Blendi Fevziu - Nga  zëvendëskryeministër, sepse peshë politike  ishte edhe në atë kohë.

Ilir Meta - Ka humbur peshë fizike dhe ka fituar peshë politike,  thashë sipas vlerësimit tim. Kaq. Vlerësimet  e tjera t’i lëmë më 21 qershor.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, po ju dhuroj një shishe verë të kantinës “Arbri’, një kallmet, duke menduar...

Ilir Meta - Kjo është vera e preferuar e Monikës.

Blendi Fevziu – E prodhuar nga Opinioni.

Ilir Meta – Do t’ia çoj Monikës, sepse Monika vetëm verë kallmeti pi në shtëpi, asgjë tjetër, as franceze dhe as italiane.

Blendi Fevziu- Është mirë që në këto kohë të turbullta, një gotë verë, mbase bën mirë.

Ilir Meta - Të turbullta për ju, për ne s’janë të turbullta. Ne po mundohemi t’i sqarojmë sa mundemi, zoti Meta.

Ilir Meta   - Për Doktorin.

Blendi Fevziu – Të turbullta mund të jenë për maxhorancën. Një anëtar i maxhorancës bën këto akuza.

Ilir Meta – Mos kini shqetësim nga turbullimi, sepse  Mao Ce Duni na thoshte (mos e merrni seriozisht,  por ja ku vajti  Kina sa larg): “Turbullo që të  kthjellohet”. Nuk duhet të kemi frikë nga turbullirat ndonjëherë, sepse ato kthjellojnë shumë ujëra dhe unë besoj, se gjithçka është e kthjellët dhe  do të kthjellohet akoma më shumë.

Blendi Fevziu – Zoti Meta,

Për fatin e madh të Kinës,  Kinën  e çoi këtu ku   e  çoi Ten Hsiao Pini, se po të ishte për Mao Ce Dunin do të vazhdonte miqësinë...

Megjithatë ju e dini se Doktori ka qenë i 2 periudhave: edhe i periudhës së Maos, edhe i periudhës së  Tenit. Një maxhorancë që ka marrë 1 milion vota, siç thotë zoti Rama,  këto vota duhet t’i përdorni për të  administruar vendin dhe jo për Doktorin.

Ilir Meta – Patjetër. Edhe Doktorin  duhet ta kemi në konsideratë, sepse nuk duhet të shkojë dëm gjithë ajo eksperiencë.

Blendi Fevziu – Kam një  pyetje shumë serioze: a nuk ju duket   jokorrekte  që 1,5 vjet pasi keni ardhur në pushtet dhe mbasi keni fituar,  e keni larë   llogarinë  tuaj me Berishën?  Për çdo gjë i referoni Berishës  dhe për çdo gjë ia vini fajin Berishës, për çdo gjë, për mirë apo për keq,  betejën e bëni me Berishën. A ju duket korrekte kjo gjë?

Ilir Meta – Kjo është shenjë respekti për Doktorin dhe nuk ka lidhje   dhe asnjë ngarkesë  ndaj tij. Po të kishim ngarkesë, nuk ia jepnim fjalën zotërisë. Ju harroni disa gjëra të tjera. a nuk ishte Doktori që e hoqi anëtarin  e KQZ-së dhe përmbysi anëtarin aty, një muaj para zgjedhjeve dhe tha, se maxhoranca duhet të ketë  maxhorancën? Ne thamë: “Le të ikin dhe ata të  tre dhe le ta marrë komplet Doktori”.

Ju e patë si dolën  zgjedhjet më 23 qershor. Doktori tha  se ne  do të përmbysnim KQZ-në (duke  ndier kompleksin e fajit për atë që kishte bërë), në mënyrë që të manipulonim  zgjedhjet lokale. Ne thamë “Jo,  pavarësisht   se ODIHR-i tha  qartë se veprimi ishte i paligjshëm  dhe i parregullt. Le ta mbajë Doktori maxhorancën. Ne s’kemi asnjë shqetësim, sepse ne jemi tjetër maxhorancë”.

Ditën e enjte, kur opozita i binte  dajreve dhe daulleve atje në parlament. Më falni! Më falni!

            Blendi Fevziu – I keni rënë në vitin 2006 ju dajreve dhe daulleve, bilbilave...

            Ilir Meta – Unë nuk i kam rënë.

            Atë ditë parlamenti kaloi një gjë shumë të rëndësishme...

            Blendi Fevziu – Që ishte?

            Ilir Meta – Që ishte në interes të opozitës, miratimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin që ia lamë opozitës për ta drejtuar. E kërkoi opozita dhe ata, në vend që të marrin këtë përgjegjësi...

            Blendi Fevziu – Ia keni lënë zonjës Bregu.

            Ilir Meta – Ia kemi lënë opozitës. Nuk e caktojmë ne opozitën, më vjen keq, e cakton opozita.

            E kërkuan si fëmijë: nuk e duam me dy bashkëkryetarë, e duam ne, ta ketë opozita. Po mirë, e doni ju? Merreni.

            Në vend që të merren me atë gjë, shkojnë dhe u bien daulleve dhe tavolinave në parlament.

            Blendi Fevziu – Kishte një rast vrasjeje në mes, zoti Meta!

            Ilir Meta – Kush?

            Blendi Fevziu – Kishte një rast vrasjeje.

            Ilir Meta – Për çfarë?

            Blendi Fevziu – Një deputet kishte denoncuar një vrasje të dyfishtë...

            Ilir Meta – Që do ta vriste kunati i Sali Berishës.

            Blendi Fevziu – Po nuk ka rëndësi kush.

            Ilir Meta – Po se kështu e denoncoi.

            Blendi Fevziu – Tentativë vrasjeje ishte, duhet ta zbardhnit.

            Ilir Meta – E zbardh drejtësia.

            Blendi Fevziu – Si?

            Ilir Meta – Ta zbardhë drejtësia.

            Blendi Fevziu – Gjashtë muaj mbasi e ka bërë publike zoti Doshi me krerët e shtetit?

            Ilir Meta – Ku ndodhi?          Çfarë? Të merreshim me kunatin e Doktorit ne para gjashtë muajsh?

            Blendi Fevziu – E para...

            Ilir Meta – Ku dimë ne çfarë do të thotë ai pas gjashtë muajsh të tjerë?

            Blendi Fevziu – Si?

            Ilir Meta – Të jemi seriozë tani.

            Blendi Fevziu – Prandaj, duke u zbardhur qetësohej kjo punë.

            Ilir Meta – Si do të zbardhet? Po do të zbardhet pra.

            Blendi Fevziu – Nuk do të kishte ndodhur kjo situatë.

            Ilir Meta – Po nuk kishte vajtur pra Doktori qëkur e mori vesh. Pse shkon me vonesë? Ai pret të vriten njerëz.

            Blendi Fevziu – U tha krerëve më të lartë të shtetit.

            Ilir Meta – Ai pret të vriten njerëz. Është normale kjo?

            Blendi Fevziu – Një deputet u tha krerëve...

            Ilir Meta – Kjo nuk është serioze.

            Blendi Fevziu – Kjo nuk është...

Megjithatë, zoti Meta, ju nuk e keni betejën me zotin Berisha.

Ilir Meta – Jo, mor nuk kemi...

Me kë e kemi?

Blendi Fevziu – E keni betejën me opozitën shqiptare.

Ilir Meta – Me cilën opozitë? Opozita, zoti Berisha është sot.

Blendi Fevziu – Po nuk e caktoni ju opozitën...

Ilir Meta – Po kush është sot?

Blendi Fevziu – ...siç nuk caktoni kryetarin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, nuk mund të caktoni as kryetarin e opozitës.

Ilir Meta – Tani, në qoftë se shqiptarët që po na ndjekin mendojnë se opozita është zoti Basha, është e drejta juaj.

Blendi Fevziu – Zoti Meta, shqiptarët kanë të drejtë të mendojnë kështu.

Ilir Meta – Dakord, pra dakord, por ai është opozita.

Blendi Fevziu – Ju nuk keni të drejtë të mendoni kështu, se jeni Kryetar Kuvendi.

Ilir Meta – Ai është opozita, ai e mban gjithë peshën.

Blendi Fevziu – Jeni Kryetar Kuvendi, pra institucionalisht nuk keni të drejtë ta bëni këtë.

Ilir Meta – Zotëri, të gjithë peshën e mban ai. Ata po e lënë vetëm. Kështu që nuk kam çfarë të bëj. Më vjen keq! Ata po e lënë vetëm Doktorin.

Blendi Fevziu – Dilini ju në krah. Po ç’kuptim ka kjo?

Zoti Meta, nuk dua ta zgjas më këtë çështje. Po ju dhuroj këtë shishe vere.

Ilir Meta – Faleminderit!

Blendi Fevziu – Faleminderit që ishit sot në studion e “Opinion’!

Ilir Meta – Faleminderit edhe juve, edhe teleshikuesve!

Blendi Fevziu – Unë do të risjell në pjesën e tretë, për arsye se nuk arritëm në kohë të përgatisim komentet për prokurorinë, do ta përdor nesër një përmbledhje të debateve të ditës së enjte në parlament midis zotit Berisha dhe zotit Meta, opozitës dhe maxhorancës menjëherë pas spoteve publicitare.

Zoti Meta, ju falënderoj që ishit sot në studio!

Ilir Meta – Faleminderit edhe juve, edhe teleshikuesve dhe jam këtu gjithmonë i gatshëm për transparencë!

Blendi Fevziu – Edhe një pyetje, kur mund të zgjidhet kjo çështje? Kur mund të marrë një përgjigje?

Ilir Meta – Nuk e di këtë çështje. Për mua përgjigjen kjo e ka marrë me kohë, por drejtësia do të japë versionin e saj dhe unë nuk mund të hyj në këto kompetenca.

Blendi Fevziu – Faleminderit!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Dekriminalizimi i Kuvendit, Basha takon ambasadorët
Pas takimit me Ramën, Meta thërret ministrat e LSI-së në zyrën e tij »
Article Logic
Execution time: 0.23643898963928
array(1) { ["section"]=> string(69) "meta-doshi-nuk-me-ka-akuzuar-kurre-per-vrasje-intervista-e-plote-5409" }