Meta: LSI, përpjekje për të ndërtuar konsensus në të mirë të reformave

Publikuar tek: politike, më 17:49 30-01-2016 Meta: LSI, përpjekje për të ndërtuar konsensus në të mirë të reformave

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë të shtunën në një takim me strukturat e LSI-së në Gjirokastër, ku deklaroi se “fuqizimi i LSI-së është një kontribut shumë i vlefshëm që ne japim për të forcuar stabilitetin politik në vend dhe, për të realizuar më mirë pritshmëritë e qytetarëve tanë”.

Meta vlerësoi punën e jashtëzakonshme që LSI-ja e Gjirokastrës dhe e gjithë Qarkut ka bërë, gjë që e tregojnë fare mirë rezultatet e zgjedhjeve të fundit. “Jam i sigurt se me këtë frymë bashkëpunimi që ju keni, me këtë shpirt solidariteti dhe kolegjialiteti, me këtë rini të paparë që keni, por edhe më këtë barazi gjinore që duket edhe këtu me këtë pjesëmarrje, ne do të arrijmë të shënojmë rezultate edhe më të mira në të ardhmen”, deklaroi Meta.

Kjo, sipas tij, do t’i kontribuojë vetë komunitetit të Gjirokastrës, adresimit të shumë halleve dhe shqetësimeve të gjirokastritëve, sepse LSI fuqinë e saj e ka te njerëzit. “Pa asnjë diskutim që kjo fuqi do të rritet, duke u lidhur gjithnjë e më shumë me qytetarët, me shqetësimet dhe me hallet, duke luftuar çdo ditë për t’i zgjidhur ato dhe jo për t’i shtuar”, deklaroi Meta.

Më tej, Kryetari i LSI-së theksoi se qytetarët duan sa më shumë siguri për të ardhmen dhe kjo siguri mund t’i jepet duke vazhduar reformat e duke i realizuar ato në një bashkëpunim sa më të ngushtë me qytetarët. Meta tha se LSI është një forcë që rrezaton bashkëpunim dhe përpjekje për të ndërtuar konsensus në të mirë të reformave, në të mirë të vendit.

“Ndaj LSI është një forcë që rrezaton bashkëpunim, përpjekje për të ndërtuar konsensus në të mirë të reformave, në të mirë të vendit. Sepse qytetarët duan sa më shumë siguri për të ardhmen, për veten e tyre, për familjet e tyre, për punën që kanë, që të mos e humbasin, por edhe vendet e reja të punës, për të gjithë që sot nuk kanë ku të punojnë. Natyrisht që këtë siguri dhe këtë besim duhet ta japim të gjithë bashkë, duke vazhduar reformat, por duke i realizuar ato në një bashkëpunim sa më të ngushtë me qytetarët dhe mirëkuptim me ta dhe njëkohësisht, duke u përpjekur për të realizuar një konsensus sa më të gjerë”, shtoi Meta.

Duke u ndalur në situatën politike dhe ekonomike në vend, kryetari i LSI-së e ftoi opozitën të jetë sa më bashkëpunuese dhe se nuk duhet nxitur një klimë politike mjaft konfliktuale e mosbesuese. Meta u shpreh se është koha për të lënë mënjanë sulmet dhe denigrimet personale e për t’u fokusuar te çështjet më të rëndësishme që vendi ka nevojë për të zgjidhur.

“Unë gjej rastin të ftoj edhe opozitën të jetë sa më bashkëpunuese, sepse e kemi të vështirë t’i ndajmë gjirokastritët dhe shqiptarët në të majtë dhe në të djathtë, sfidat dhe problemet e familjeve shqiptare janë të njëjta. Këto janë sfida që lidhen me shumë faktorë, ka faktorë që varen nga ne për të cilët ne duhet të angazhohemi më shumë për të përmirësuar qeverisjen, cilësinë e saj, shërbimin ndaj qytetarit, por ka edhe faktorë që nuk varen nga ne sepse Shqipëria është një vend i hapur”, tha Ilir Meta.

“Ne e dimë se e gjithë Eurozona përjeton vështirësi të tilla. Kështu që askush nuk duhet të pretendojë se në një situatë të tillë ne mund të bëjmë mrekulli. Aq më tepër duke nxitur një klimë politike mjaft konfliktuale e mosbesuese. Është koha për të forcuar institucionet, është koha për të forcuar shtetin ligjor, është koha për të lënë mënjanë sulmet dhe denigrimet personale, për t’u fokusuar te çështjet më të rëndësishme që vendi ka nevojë për të zgjidhur dhe te çështjet më të mprehta ekonomike dhe sociale që shqetësojnë shtresat më në vështirësi të shoqërisë sonë”, tha më tej ai.

Kreu i LSI-së e vuri theksin te axhenda që LSI ka, një axhendë që ndihmon qytetarët dhe që ndihmon vendin të ecë përpara. “LSI pikërisht këtë angazhim dhe axhendë ka. Një axhendë që ndihmon qytetarët, sidomos ato që ndodhen në një situatë më të vështirë. Një axhendë që ndihmon vendin të ecë përpara më shpejt dhe në një mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme”, tha Meta.

Ndërkaq, Kryetari i LSI-së foli edhe për rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe për rritjen e LSI-së, duke u kërkuar strukturave që të mos kalojnë në eufori, por të ndërgjegjësohen për rritjen e përgjegjësive ndaj votuesve.

“Zgjedhjet e fundit treguan një rritje të dukshme dhe domethënëse të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë vendin, në veçanti në qarkun e Gjirokastrës dhe besoj se ne ndajmë të gjithë mirëkuptimin dhe vetëdijen që kjo rritje nuk mund të na vetëkënaqë. Nuk mundet kurrsesi as të na kalojë në eufori, por duhet shoqëruar me një rritje akoma më të madhe të përgjegjësisë sonë ndaj atyre që na votojnë dhe që na besojnë, ndaj atyre që presin më shumë nga ne, që presin një përkushtim më të madh, që presin modesti më të madhe”, u shpreh Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së bëri edhe një thirrje për të gjithë përfaqësuesit e LSI-së që të rrisin ndjenjën e tyre të përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë me përulësi qytetarëve, sepse e kanë për detyrë që ta bëjnë këtë gjë.

“Unë do ju kërkoja të gjithë atyre që përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim në Gjirokastër dhe kudo tjetër në të gjithë vendin që të rrisin ndjenjën e tyre të përgjegjësisë, të rrisin dhe të përmirësojnë performancën e tyre, përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve. T’u shërbejnë atyre me përulësi, sepse e kanë për detyrë që ta bëjnë këtë gjë. Të jenë të duruar dhe të jenë gjithmonë të vëmendshëm për t’u dhënë zgjidhje halleve dhe shqetësimeve të tyre. Të distancohen prerë nga çdo fenomen arrogance, abuzimi, shpërdorimi, korrupsioni, sepse qytetarët e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë janë mjaft të lodhur nga kjo gjë”, tha ndër të tjera Kryetari i LSI-së.

Edhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo kërkoi nga strukturat që të jenë më pranë njerëzve dhe në shërbim të tyre. “Dua të vazhdojmë me atë që unë ju them gjithmonë strukturave dhe sidomos përfaqësuesve të LSI-së në institucionet shtetërore: Mos harroni kurrë që njerëzit që na kanë respektuar, duhet t’i respektojmë. Jemi këtu falë tyre dhe absolutisht askush nuk duhet të mendojnë se e ka atë karrige të përjetshme. Të respektojmë ata që na kanë respektuar, t’u shërbejnë atyre që kanë hall. Ky është parimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kështu, ne s’do të marrim vetëm dy mandate, por do të luftojmë edhe për të tretin”, tha Vangjel Tavo.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zgjedhjet në PS, Braçe: Kryetari të rikonfirmohet, Ministrat të mos rrinë në zyrë
Ndocaj prezanton platformën për kreun e PS: Do prish koalicionin me LSI »
Article Logic
Execution time: 0.0045251846313477
array(1) { ["section"]=> string(74) "meta-lsi-perpjekje-per-te-ndertuar-konsensus-ne-te-mire-te-reformave-31344" }