Meta me ministrin suedez për Sipërmarrjen: Investitorët të mirëpritur, sjellin jo vetëm punë por edhe kulturë

Publikuar tek: politike, më 17:54 22-02-2016 Meta me ministrin suedez për Sipërmarrjen: Investitorët të mirëpritur, sjellin jo vetëm punë por edhe kulturë

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi sot një vizitë dy ditore zyrtare në Suedi me një takim në Ministrinë e Drejtësisë dhe Migracionit me Sekretarin e Shtetit Lars Westbratt.

Meta dhe Westbratt diskutuan mbi situatën e fundit të lëvizjeve migratore dhe azil kërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, duke ndarë bindjen se kjo krizë e paprecedentë e refugjatëve, e cila ka prekur si rajonin e Ballkanit ashtu edhe vendet si Suedia, po sfidon vlerat e solidaritetit evropian.

Sekretari i Shtetit z. Westbratt theksoi se Suedia është avokate e fuqishme e zgjerimit të BE, mbështetje e cila do të vazhdojë, edhe pse numri shumë i madh i azilkërkuesve nga lindja e mesme gjatë vitit të fundit, e ka vendosur BE-në përballe sfidave që kërkojnë një përqasje të përbashkët evropiane.

Duke shprehur mirënjohjen për rolin pozitiv që Suedia luan brenda Bashkimit Evropian pro zgjerimit, z. Meta konfirmoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fortë suedeze, dhe në këtë kontekst Kuvendi është i vendosur të inkurajojë përshpejtimin e reformave që kërkon integrimi evropian i vendit, veçanërisht asaj në sistemin e drejtësisë, reformë e cila duhet miratuar pa vonesa përmes konsensusit dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm politik, në koordinim me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje gjithashtu se sfidat e fundit të refugjatëve, si dhe ato të terrorizmit dhe trafiqeve ilegale që po ndjehen në të gjithë kontinentin evropian, janë sfida të cilat kërkojnë më tepër solidaritet evropian, më tepër koordinim mes vendeve të BE dhe atyre në rajonin e Evropës Juglindore, dhe jo mure midis vendeve.

Në përfundim u nda bindja se stabilizimi i vendeve në konflikt janë zgjidhja më e mirë e krizës së refugjatëve dhe i zbutjes së efekteve së kësaj krize ndaj vendeve dhe shoqërive të Evropës. Në këtë kuadër, Shqipëria mbetet aktive përkrah partnerëve të saj evropianë dhe ndërkombëtarë, duke luajtur rolin e saj konstruktiv në rajon.

Në përfundim, z. Meta u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë vlerëson maksimalisht mbështetjen suedeze ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe dëshiron intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e drejtësisë dhe migracionit, ashtu siç u provua edhe gjatë realizimit me sukses të reformës administrative territoriale, ku Suedia dha një kontribut domethënës.

Gjatë takimit me Ministrin për Sipërmarrje dhe Inovacion të Suedisë z. Mikael Damberg, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Suedisë ndaj progresit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Z. Meta shprehu vullnetin e palës shqiptare për të mirëpritur më tepër investime suedeze, dhe në këtë kuadër theksoi se bashkëpunimi me Ministrinë suedeze për Sipërmarrje dhe Inovacion është shumë i rëndësishëm.

Ministri për Sipërmarrje dhe Inovacion z. Mikael Damberg vuri në dukje partneritetin e qëndrueshëm mes Suedisë dhe Shqipërisë dhe theksoi se si një vend entuziast për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Suedia do e vazhdojë mbështetjen e saj ndaj integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, u vlerësua axhenda e reformave të ndërmarra, si esenciale për progresin brenda BE-së, por veçanërisht për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vendosmërinë për të avancuar me reformat madhore të vendit, kryefjala e të cilave është reforma në sistemin e drejtësisë, si kyçe jo vetëm për avancimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian, por edhe për një klimë më të besueshme biznesi dhe investimesh.

Z. Meta nënvizoi në këtë drejtim se investitorët suedezë janë të mirëpritur veçanërisht në fushat e turizmit, energjisë, shërbimet, agro-përpunimit dhe inovacionit, duke evidentuar se kompanitë skandinave sjellin jo vetëm punësim, por edhe ekspertizë, teknologji dhe një kulturë pune që i shërben formimit të forcës punëtore në Shqipëri.

Në përfundim, z. Meta shprehu një falënderim të veçantë për kontributin e Suedisë përmes strategjisë suedeze për zhvillim dhe bashkëpunim (SIDA) e cila i shërben projekteve zhvillimore në Shqipëri, dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona.

Pas takimit, Kryetari Meta dhe Ministri Damberg dhanë një prononcim për shtyp.

Meta_me_Westbratt.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Shalsi reagon për protestën: Arkitektët e tatëpjetës së PD nuk kanë rrugë tjetër veç vandalizmit
Mbifaturimi, Bashkia shkarkon drejtorin e Ujësjellësit, Neritan Gjojdeshi. Ja kush e zëvendëson »
Article Logic
Execution time: 0.033452033996582
array(1) { ["section"]=> string(113) "meta-me-ministrin-suedez-per-sipermarrjen-investitoret-te-mirepritur-sjellin-jo-vetem-pune-por-edhe-kulture-33255" }