Meta në Konferencën e Kryetarëve: Shqipëria e gatshme për të dhënë kontributin e saj në krizën e refugjatëve

Publikuar tek: politike, më 16:00 16-04-2016 Meta në Konferencën e Kryetarëve: Shqipëria e gatshme për të dhënë kontributin e saj në krizën e refugjatëve

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e XIV të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane që u zhvillua këtë fundjavë në Split, nën kryesinë kroate të nismës.

Gjatë fjalës së tij mbi krizën e paprecedentë të refugjatëve që ka prekur rajonin dhe tërë Evropën, z. Ilir Meta vuri në dukje se kriza migratore që kërcënon sigurinë e përbashkët evropiane, nuk duhet të cenojë vlerat evropiane të solidaritetit njerëzor, por duhet trajtuar si një problem i përbashkët përmes koordinimit mes të gjitha strukturave evropiane.

Z. Meta u shpreh se Shqipëria, si vend që ka përjetuar eksperiencat e saj migratore, është e gatshme të japë kontributin e saj, brenda kapaciteteve dhe në bashkëpunim me partnerët e tjerë evropianë.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit:

Kontributi i vendeve të Nismës Adriatiko-Joniane në përgjigjen europiane gjithëpërfshirëse ndaj krizës së emigracionit

Të nderuar kolegë,

I nderuar Ministër,

Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj.

Më lejoni që në emër të Kuvendit të Shqipërisë të përgëzoj Kryesinë kroate të Nismës Adriatiko-Joniane për kontributin e saj të jashtëzakonshëm dhe që na mblodhi sot këtu në Split.

Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë të gjitha nismave tona rajonale, e në veçanti Nismës Adriatiko-Joniane, jo vetëm sepse bregdeti i vendit tonë është i ndarë mes detit Adriatik dhe detit Jon, por dhe sepse si dikur vendi më i izoluar i Europës, ne në mënyrë të veçantë e kuptojmë vlerën e bashkëpunimit dhe ndërlidhjes rajonale.

Besoj se fokusi i të gjitha qeverive tona duhet të vazhdojë të jetë tek rrëzimi i të gjitha barrierave që pengojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin tonë.

Fatkeqësisht, këto vitet e fundit nuk duket se gjërat kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane.

Kriza ekonomike është shoqëruar nga një krizë shumë-dimensionale emigracioni e paprecedent, duke kërcënuar sigurinë tonë të përbashkët dhe duke u ngjitur në krye të axhendës tonë politike dhe sociale për mbarë Europën.

Kriza e rëndë e emigracionit, jo vetëm ka sfiduar sigurinë tonë sociale, por mbi të gjitha ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vlerave tona të përbashkëta europiane, veçanërisht atë të solidaritetit.

Më lejoni të theksoj se Shqipëria dhe populli shqiptar mbeten besimtarë të vendosur të Europës, si një hapësirë e përbashkët vlerash, solidariteti dhe të drejtash.

Kjo do të thotë që barrierat dhe muret nuk duhet të jenë mundësia e parë dhe e vetme që ne vendosim të aktivizojmë në kohë vështirësish dhe sfidash.

Kuptohet qartë që secili vend ka të drejtën dhe detyrimin për të mbajtur kufijtë e tij nën kontroll dhe të sigurt nga ato elementë që mund të cenojnë shoqëritë tona.

Por si europianë, ne duhet të sigurojmë respektimin e të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht për njerëzit në nevojë, siç janë familjet e emigrantëve dhe refugjatëve që largohen nga konfliktet dhe ankthi, duke kërkuar siguri për fëmijët e tyre në hapësirën tonë.

Dhe më lejoni t’ju siguroj se Shqipëria, pavarësisht faktit që nuk është rrugëkalimi kryesor i refugjatëve, ka qenë gjithmonë e gatshme të luajë rolin e saj.

Gjatë një dreke pune që pata para një muaji në Tiranë me Komisionerin Europian për Emigracionin, Punët e Brendshme dhe Nënshtetësinë, z. Dimitris Avramopoulos ndamë mendimin se zgjidhja e krizës së emigracionit ka nevojë për një qasje europiane tërësisht të koordinuar dhe një përgjigje të mirë-integruar.

Nëse BE-ja ia lë fluksin e emigrantëve disa vendeve të caktuara, do të krijojë një sërë kushtesh që prodhojnë pasoja të mëdha destabilizuese dhe nxisin rrjetet e trafikimit që lulëzojnë në mjedise jo të sigurta.

Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në qasjen tonë shkaktojnë konfuzion për emigrantët dhe pasiguri për shoqëritë tona.

Shqipëria, në kuadër të një qasjeje të përbashkët europiane, do të japë kontributin e saj, siç kërkohet nga partnerët tanë dhe sipas kapaciteteve të saj.

Shqipëria natyrshëm solidarizohet dhe e kupton gjendjen e vështirë të refugjatëve të sotëm, për shkak të përvojës tonë në fillim të viteve ’90, kur një numër shumë i madh qytetarësh shqiptarë kërkuan azil në Greqi, Itali, Gjermani dhe vende të tjera europiane.

Dhe për më tepër, ne e dimë që kjo gjë mund të bëhet, falë përvojës tonë gjatë luftës në Kosovë, kur pritëm një valë të paprecedent familjesh kosovare të dëbuara, viktima të konfliktit të armatosur.

Megjithatë, sipas mendimit tim, kriza e sotme është pak ndryshe, duke shkuar përtej aspekteve të thjeshta humanitare të krizave tradicionale të refugjatëve.

Flukset e emigracionit po shoqërohen nga një valë masive aktivitetesh terroriste, duke shkaktuar pasiguri të vazhdueshme në zonën tonë euro-mesdhetare.

Si rezultat, terroristët po godasin në zemër të Europës, në Bruksel, në Paris dhe ndoshta në të ardhmen diku tjetër.

Këto rrjete terroriste po shfrytëzojnë popullsitë emigrante për të depërtuar në territorin europian dhe kërkojnë vëmendje të veçantë sa i takon masave tona të sigurisë.

Por duhet thënë se të forcosh sigurinë nuk do të thotë të përgjigjesh me frikë.

Unë besoj se ne duhet të veprojmë së bashku, jo vetëm si vende të zonës Adriatiko-Joniane, por në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë europianë, për tu siguruar që forcimi i sigurisë nuk dëmton vlerat tona njerëzore dhe të solidaritetit.

Ndërkohë, duhet të sigurohemi që qytetarët europianë të kenë besim në kapacitetet tona menaxhuese të krizës së përbashkët europiane, në vend të zgjidhjes për të mbështetur masivisht alternativat politike ekstreme të nacionalizmit dhe ksenofobisë, siç po dëshmohet sot në shumë vende të BE-së.

Kjo do të thotë që ne duhet të gjemë zgjidhje konkrete, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme për këtë krizë të paprecedent.

Ndërkohë që aktualisht rrugët ekzistuese përmes Ballkanit janë të bllokuara, dhe refugjatët kërkojnë korridore alternative për të kaluar përmes rajonit tonë në kërkim të vendeve perëndimore europiane, zona e Adriatikut dhe Jonit duhen trajtuar si një zonë me prioritet të lartë për të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Si përfaqësues të parlamenteve tona duhet të forcojmë bashkëpunimin mes nesh, të jemi më konkretë sa i takon masave të përbashkëta që marrim, si forcimi i kapaciteteve tona të verifikimit, shqyrtimit dhe regjistrimit, ndërkohë që duhet të rrisim në mënyrë drastike bashkëpunimin tonë përsa i përket strukturave të inteligjencës dhe sigurisë.

Trajtimi i përshtatshëm i krizës nga BE-ja kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë solidaritet dhe angazhim të qartë për ta ndarë barrën. Kjo duhet shoqëruar dhe me një mbështetje më të përkushtuar ndaj Greqisë, përsa i përket kapaciteteve dhe Italisë, që tradicionalisht është e ekspozuar ndaj flukseve të emigracionit.

Si vende të një rajoni të mrekullueshëm, por gjeografikisht të brishtë, kemi interesa të përbashkëta strategjike dhe një të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Europian, i cili, pavarësisht sfidave, duhet të jetë edhe më i angazhuar me rajonin tonë, si një hapësirë thelbësore e sigurisë dhe stabilitetit për të gjithë kontinentin.

Bashkimi Europian nuk duhet të heqë dorë nga zgjerimi, ndërsa disa vende anëtare të BE-së nuk duhet të braktisin vlerat që fillimisht i bashkuan ato, vlera të cilat na mbajnë ne, si vende kandidate ende të angazhuar në mënyrë aktive në rrugëtimin tonë europian.

Dëshiroj të falënderoj kryesinë kroate dhe bashkë-presidencën e saj të EUSAIR për punën e bërë, si dhe i uroj fqinjit tonë, Greqisë të gjithë suksesin dhe mbështetjen e nevojshme për kryesimin e ardhshëm të Nismës Adriatiko Joniane.

Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë mbeten të angazhuar fort në këtë nismë të rëndësishme.

Shumë faleminderit!

IMG_0081.jpg

IMG_0040.jpg

IMG_0004.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Berisha: Koni dhe Kule u kërcënuan nga Emiljano Shullazi. Profesori: Vazhdoj të jem në garë
PDIU mbledh strukturat, Idrizi: Në 21 maj zhvillojmë zgjedhjet e reja »
Article Logic
Execution time: 0.050268888473511
array(1) { ["section"]=> string(113) "meta-ne-konferencen-e-kryetareve-shqiperia-e-gatshme-per-te-dhene-kontributin-e-saj-ne-krizen-e-refugjateve-37856" }