Meta: Reforma në Drejtësi jo për kartë elektorale. Flet për ishullin me gjarprinj, propozon dhe ndryshime për zgjedhjet

Publikuar tek: politike, më 07:17 25-01-2016 Meta: Reforma në Drejtësi jo për kartë elektorale.  Flet për ishullin me gjarprinj, propozon dhe ndryshime për zgjedhjet

Ilir Meta ka dhënë një intervistë të gjatë sot, duke folur për Reformën në Drejtësi, ndryshimet që kërkon para zgjedhjeve sepse sheh defekte, si dhe duke dhënë disa mesazhe të qarta për Partinë Demokratike por edhe për PS-në, me të cilën bashkëqeveris. Meta qe i ftuar në emisionin ''Koha për t'u zgjuar'' në News24.

Për Metën, Reforma në Drejtësi nuk duhet përdorur si kartë elektorale. Kreu i Kuvendit dhe i LSI-së ka shpjeguar me detaje gjithashtu edhe ndryshimet që kërkon në sistem para zgjedhjeve, të mundura nëpërmjet Komisionit të Reformës Zgjedhore. Meta ka folur për konfliktin politik dhe armiqësitë personale, duke treguar figurativisht edhe për ishullin e Sazanit me gjarprinj.

“Politikanët duhet t’i marrësh bashkë dhe t’i çosh në ishullin e Sazanit që të rrinë me gjarpërinjtë, por siç do të thoshte Sabri Godo, do të prishin të vetmin ishull që kemi. Kjo është pasojë e paaftësisë për të parë më larg, sepse koha ikën dhe llogaridhënia është e pashmangshme’’, tha Meta.

Meta ka folur njëkohësisht edhe për kohën kur punonte me Berishën dhe mosdakordësinë e tij me politikat populiste të ish-kryeministrit, njëkohësisht ka komentuar edhe qëndrimin personal të Luan Ramës, sekretarit të Përgjithshëm të partisë së tij dhe punën agresive të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

*****

“Faleminderit që më dhatë mundësi të zgjohem më shpesh se zakonisht dhe të kaloj këtë mëngjes të paqtë në qytetin tuaj.

Shqetësimin që qytetarët kanë ngritur për Hipotekat dhe korrupsionin etj, janë probleme që më kanë shqetësuar dhe gëzohem shumë që ministri i ri po tregohet shumë agresiv për të goditur çdo shkelje.

Vetëm ministri i Drejtësisë punon?Po të tjerët?

Jo absolutisht, unë shpresoj që të gjithë të jenë të tillë, por besoj se ministri i Drejtësisë ka për detyrë të jetë në krye për të luftuar këto fenomene të fëlliqura, do të thosha unë .

Reforma në drejtësi?

Në rast se do të kemi në konsideratë axhendën e kësaj reforme, çdo gjë ka ecur në kohën e duhur, ndoshta me 2-3 javë vonesë, aktualisht jemi në kohën kur Komisioni i Venecias do të japë rekomandimet përfundimtare, por fryma e Komisionit të Venecias është e qartë, të jetë një proces politik, pasi ekspertët kanë bërë një punë të madhe për një kohë të gjatë. Në radhe të parë orientimi i politikës drejt konsensusit, që mos kalojmë nga një koorporativizëm aktual në një koorporatizëm të ri, së dyti thjeshtimi i sistemit që ky sistem i ri drejtësie të mos i fshihet marrjes së përgjegjësive dhe llogaridhënies dhe absolutisht që është e rëndësishme të ruhet Kushtetuta në parimet e  saj themelore.

Kaq e vështirë është të arrihet konsensusi?

Për mua nuk është fare e vështirë, është shumë e thjeshtë. Duhet vullnet dhe nuk duhet trajtuar si në fushatë elektorale, duhet vrarë mosbesimi, se në konferencat që bëhen çdo ditë ka tension, akuza dhe kundërakuza që dëmtojnë besimin e palëve te njëri-tjetri dhe te publiku. Ndërkohë që çështja duhet të mbetet ekonomia. Problemet ekonomike janë shumë të mëdha dhe për të lehtësuar këto problematika, duhet një rritje ekonomike shumë e lartë.

Kemi disa pro, disa kundër reformës, unë mendoj që ka mendime të ndryshme dhe kjo në fund të fundit është pozitive, bëjmë reformë më të pjekur.

Cili mendoni se është ndryshimi mes propozimeve të PD-së dhe PS-së për draftin e Reformës në Drejtësi?

Nuk jam ekspret i mirëfilltë i drejtësisë për të theksuar këto dallime. Mendoj që dallimi i PD-së ka të bëjë me pretendenimet e kapjes së drejtësisë, ku praktikisht bojkotuan tryezën, emërimet të realizohen me 2/3 të votave në Parlament dhe të mos jetë maxhoranca që t’i emërojë gjë që në fakt nuk është racionale sepse fryma e Venecias është konsensusi, nuk mund të jetë fikse, 3/5 apo 2/3. Gjithmonë ka maxhorancë, gjithmonë ka opozitë. Të ketë përfshirje të opozitës, proces i paanshëm dhe jo i kapur nga askush.

Unë mendoj që të gjithë duhet të lutemi për konsensus, sepse është një shoqëri mjaft e lodhur nga konflikti, krijohet një frymë pesimiste për të ardhmen e vendit, vendi është i lodhur nga armiqësitë personale, krijojnë një ndarje, ka nevojë për konsensus dhe unitet, e theksoj problemet ekonomike do të jenë të vështira. Dhe kjo nuk ka të bëjë se është kjo maxhorancë, nëse kjo maxhorancë do kalonte në opozitë, dhe nëse kjo maxhorancë do ndiqte të njëjtën politikë si PD-ja vendi do ta kishte të vështirë të prosperonte. Edhe Reforma në Drejtësi nuk duhet parë si qëllim në vetvete, bëhet për të zhvilluar ekonominë e vendit, duke forcuar sundimin e ligjit, duke i dhënë fund korrupsionit, me çështjet e shërbimeve, prokurimeve. Duhet shtuar besimi se në vendin e tyre duhet të bëhet më mirë.

Ne nuk mund ta ndajmë Shqipërinë në 3-4 Shqipëri, një të PD-së, një të PS-së etj. Reforma në Drejtësi duhet të krijojë besim në vend.

Procesi politik është i rëndësishëm jo vetëm për Reformën në Drejtësi, na duhet edhe pas miratimit të reformës. Pse na duhet? Se e kërkojnë qytetarët tanë, e kërkon BE-ja por do të jetë e pamundur në rast se ne nuk e ruajmë dialogun politik mes maxhorancës dhe opozitës, do të jetë e pamundur të çelen negociatat. Besoj se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm. Ne si maxhorancë mos ta shohim vetëm si një kartë elektorale Reformën në Drejtësi dhe opozita për shkak të mosbesimeve që mund të ketë si Reforma Territoriale, pavarësisht përpjekjeve tona për ta përfshirë në momentin e fundit. T'i shërbejmë paqes sociale dhe të respektojmë rregullat e lojës.

 

Ka mendime sikur kjo klasë politike  nuk e bën dot Reformën në Drejtësi, ju çfarë mendoni?

Qytetarët apo edhe ndërkombëtarët kanë shumë të drejtë që e mendojnë këtë gjë, politikanët duhet t’i marrësh bashkë dhe t’i cosh në ishullin e Sazanit që të rrinë me gjarpërinjtë, por siç do të thoshte Sabri Godo, do të prishin të vetmin ishull që kemi. Kjo është pasojë e paaftësisë për të parë më larg, sepse koha ikën dhe llogaridhënia është e pashmangshme.

Ka shanse dhe ne do të luftojmë deri në fund. Aleati më i mirë është vetë Komisioni i Venecias dhe komuniteti ndërkombëtar që kërkon një reformë gjithëpërshirëse dhe ajo që duhet të na bashkojë, besimi dhe jo mosbesimi, dashuria dhe jo urrejtja. Janë disa standarde shumë transparente. Unë nuk besoj se duhet të iki një individ dhe të vijë një tjetër, është vend shumë i vogël, por ndërtimi i një sistemi transparent, do ta bëjë të pamundur që individi të ndikohet, apo nëse ndikohet, sistemi do të japë alarmin dhe do të kemi një sistem krejt ndryshe drejtësie, nga ky që kemi tani.

Reforma Zgjedhore? Çfarë mendimi ka LSI-ja?

Nuk ka qenë një ide e LSI-së më shumë se e imja si kryetar i Kuvendit, siç bëhet gjithnjë para zgjedhjeve që ndryshimet të mos bëhen në minutën e fundit, por në kohën e duhur që edhe partitë dhe qytetarët të jenë të familjarizuar dhe të japin efektin e tyre. Sistem transparent dhe i ndershëm.

E para duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe e dyta çdo ide që e bën sistemin më transparent nuk ka pse të përjashtohet. LSI mendon se ka disa defekte: kuota nuk është plotësisht e barabartë e qytetarëve shqiptarë siç e kërkon Kushtetuta, sepse rajonet janë me dallime, Tirana ka 30 e ca deputetë, Kukësi me 4. Problemi më i madh është: sistemi që forcon partitë dhe kryetarët e tyre më shumë se Parlamentarizmin, një zgjidhje: të kishim lista të hapura, partitë të kenë të drejtë të bëjnë renditjen e kandidatëve, qyetarët të kenë të drejtë të japin preferencën brenda partisë. Qytetarët të mos kenë të drejtë të votojnë vetëm partinë, por të zgjedhin ata që mund t’I përfaqësojnë më mirë. Deputetët të jenë të lidhur me qytetarët dhe jo automatikisht të zgjedhur për shkak se kanë njohje me kryetarin dhe partinë.

Kërkesë legjitime numri më i vogël deputetësh, është momenti për të bërë një gjykim sepse mendoj që një numër i paktë deputet do të rriste cilësinë e vetë Parlamentit.

Si i komentoni qëndrimet e Luan Ramës dhe Petrit Vasilit?

Mendoj se LSI është një forcë gjithmonë me këmbë në tokë dhe realiste, edhe pozicionimi ynë politik na ndihmon të jemi më realistë dhe më të balancuar, e vërteta nuk është se ka patur një qëndrim zyrtar të LSI-së për disa shqetësime që u shprehën nga FMN. Z.Luan Rama ka patur shqetësimet e tij ka dalë në emër të LSI-së, por nuk është menduar kjo gjë nga LSI, nuk është se kemi patur të bëjmë me një lojë, është diçka që ndodh gjatë ditës në një politikë aktive.

Ne kemi qenë të rezervuar edhe kur kemi qenë në koalicion me Z.Berisha. Nuk kemi qenë me atë që Shqipëria po luftonte me Gjermaninë dhëmbë për dhëmbë. Unë kam qenë i shqetësuar për rritjen e borxhit, politikat populiste, po z.Berisha ka patur hezitimet e veta në këtë drejtim. FMN-ja është si puna e doktorit: të jep ilacet e hidhura, por ato që të shërohesh dhe të bëhesh më mirë.

Ka disa kufizime qe e pengon qeverinë të realizojë politikat e saj, trashëgimia ishte e tillë që e detyroi të merrte shumë reforma, por duhet konsolidim fiskal që i shërben rritjes ekonomike të qëndrueshme, afatmesëm dhe afatgjatë.

Duke u kthyer te Reforma në Drejtësi: Kemi problemin e hetimet, rolin e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit dhe në fund fare kemi Gjykatën, Prokuroria ia çoi Gjykatës, në fund fare kemi vendime që s’e gjykojnë korrupsionin dhe krimin. Gjykata thotë s'e kisha dosjen në rregull, Prokuroria thotë na erdhi nga Policia me probleme që në fillim etj. Aspekti më i lehtë për të disiplinuar është Gjykata. Në rast se dosjet do jenë profesionale dhe të plota. Për mua vendimtare është disiplinimi i hetimit. Sepse mendoj që puna më e vështirë është hetimi.

Çfarë mesazhi do të kishit në fund?

Mesazhi për zgjidhjen e halleve, por jo të ping-pongut dhe të faturimit. Nëse do sillemi si deri tani, se fajin e ka qeveria, apo opozita sillet e tillë, ata humbasin mesazhin e tyre.

Çfarë mesazhi do të kishit për qytetarët?

Më duhet të them gjithashtu se ne mbështesim fuqimisht edhe procesin e testimit të gjyqësorit, prokurorëve, të gjyqtarëve në mënyrë që të gjithë të kalojnë provën për të qëndruar ose jo. Por të evitojmë futjet spontane në këtë sistem. Kemi bërë edhe reformën e ashtuquajtur të ‘’Plepave’’ dhe nuk ka patur pak pasoja. Por Shqipëria nuk është e ’92-’93.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ilir Meta nesër i ftuar në një nga emisionet më të ndjekur të mëngjesit
Qeveria mund të bashkojë Tatimet dhe Doganat »
Article Logic
Execution time: 0.020771980285645
array(1) { ["section"]=> string(122) "meta-reforma-ne-drejtesi-jo-per-karte-elektorale-flet-per-ishullin-me-gjarprinj-propozon-dhe-ndryshime-per-zgjedhjet-30844" }