“Meta tallet me Ramën dhe Bashën sepse i ka në dorë”

Publikuar tek: politike, më 20:09 26-01-2016 “Meta tallet me Ramën dhe Bashën sepse i ka në dorë”

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar takimin e zhvilluar sot për reformën zgjedhore mes krerëve të politikës shqiptare. Fevziu e ka lexuar deklaratën e Ilir Metës në këtë takim si një tallje për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, kjo për faktin se ai ka në dorë të dy.

Nga Blendi Fevziu - Opinion.al

Foli i fundit, por jo për këtë arsye, Ilir Meta ishte më i shpenguari, më ironiku e pse jo edhe më befasuesi. Kishte një qetësi olimpike dhe një shpoti që shkonte shpesh deri në tallje. Në tryezën për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e lira, pikërisht aty ku Meta për hir të gjithë problemeve që LSI ka prodhuar në zgjedhje duhej të ishte më kokëuluri, ishte më i sigurti. Me një siguri që po e manifeston së fundmi kudo në opinionin publik dhe që ja përforcon qëndrimi aleatit të tij, por edhe opozitës. Kishte shpesh pamjen e asaj femrës së bukur, që rri indiferente ndërsa sheh se si dy djem përpiqen ta impresionojnë secili më shumë. Dhe ata të dy ishin Kryetarët e dy partive më të mëdha në vend, që tashmë, ta pamundur për të gjetur një konsensus me njëri – tjetrin duket se janë dorëzuar tek Meta. Duke shpresuar tek vendimi tij dhe tek qëndrimi që ai do të mbajë në favor të njërit apo tjetrit. Dhe ai i shkel syrin herë njërit dhe herë tjetrit.

Me përjashtim të një ndjese shumë të vonuar, por të vlefshme për zgjedhjet e 2001, që i dha një të drejtë pretendimit 15 vjeçare të Berishës dhe mediave, Meta duket si i thumboi të dy politikanët në krah të tij.

Ramës i kujtoi me stil se reforma duhet të jetë konsensuale, dhe se ideja e një kodi “me prim”, që mund të linte jashtë pushtetit LSI ka vdekur.

E ironozoi për biznesmenët e Parlamentit, duke thënë se vetë tashmë e tutje do t’i linte jashtë dhe nuk harroi të shtonte një pretendim që e kanë shumë veta në PS, atë të deputetëve “bejlerë” që kthehen në sundues të zonave të tyre. Batutë që duhet t’i ketë djegur Kryeministrit.

Bashën e sfidoi publikisht, duke i kujtuar se RD nuk paraqitej në gjyqin e nisur nga Luan Rama për akuzën e blerjes së votave, kur në Shqipëri s’ka mbetur media pa e përfolur LSI për këtë. Dhe po kaq shpotitës shijoi faktin që Basha nuk lëshoi asnjë deklaratë kundër tij për këtë çështje siç kish bërë gjatë gjithë fushatës elektorale. Madje Meta e ilustroi betejën për votën e lirë me spotin e LSI për të mos shitur votën, padyshim, spotin më ironik që ka prodhuar politika shqiptare këto vitet e fundit.

Të dy bashkë, Ramën dhe Bashën i talli, kur ju kujtoi se: “ata që i humbasin zgjedhjet ankohen se jua kanë vjedhur”, duke i kujtuar njërit historinë e zgjedhjeve të 2009 dhe tjetrit atë të 2015. La të kuptohet se LSI nuk ankohet dhe se ajo është më e sigurtë se të dyja bashkë që do jetë gjithnjë pjesë e pushtetit.

Meta ka të drejtë të tallet dhe të bëjë ironi. Ai e hodhi pas shpine rrezikun e një kodi zgjedhor me prim që e penalizonte fort LSI. Ai e di që të dyja palët janë sot të gatshëm të flirtojnë me të. Ai e di që me kartën e një partie që mbetet gjithnjë në pushtet dhe në mungesën e një frymëzimi të fortë për ndryshim, LSI mund të mbledhë fare mirë votën pragmatiste. Që për fat të keq në këtë vend po vjen duke u shtuar. Ai po synon të rritet, duke qenë i bindur se të dyja palët e shohin atë më pak të rrezikshëm se sa konkurentin. Ndaj është vendosur në një pozicion komod duke i sjellë vërdallë të gjithë bashkë. E ka bërë shumë herë këtë në karrierën e tij, duke joshur e mikluar figura e grupime të rëndësishme politike e duke i lënë më pas në mes të rrugës. Që nga viti i largët 1996. Dhe ka arritur të jetë më triumfuesi nga të gjithë. Ka një talent të rrallë për t’ju imponuar të tjerëve dhe mbi të gjitha, një talent brilant për të manovruar në rrugët më të rrezikshme duke shfrytëzuar bindjen e të tjerëve që ai është “rreziku më i vogël”. Po e bën sërish, me gjasë, me një synim të qartë, postin e Presidentit. Dhe në këto rrethana ai duket i vetmi që mund të marrë cfarëdo gjëje që do, pa asnjë pengesë. Por atij më mirë se kujtdo mund t’i shkonte sot ajo batuta e filmit “Lamerica”: Nëse nuk bëhem President, s’ka gjë, mund të pranoj edhe Kryeministër. Njeriu nuk mund t’i ketë të gjitha në jetë”…

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kongresi i PS, Ben Blushi mund të kandidojë përballë Ramës
Vokshi: Nën presionin e PD, Rama përgjysmoi rryshfetin me koncensionin e ‘check-up’-it »
Article Logic
Execution time: 0.022446155548096
array(1) { ["section"]=> string(56) "meta-tallet-me-ramen-dhe-bashen-sepse-i-ka-ne-dore-31002" }