Ministri Klosi: Skema e sigurimeve është shtuar me 200 mijë persona‏

Publikuar tek: politike, më 19:49 12-02-2016 Ministri Klosi: Skema e sigurimeve është shtuar me 200 mijë persona‏

Këshilli Kombëtar i Punës ka zhvilluar sot mbledhjen e tij të radhës, ku është bërë analiza për formalizimit të vendeve të punës, si dhe janë miratuar në parim projektligji “Për ndërmarrjet sociale” dhe Plani i Veprimit të Dokumentit Politik për Riintegrimin Social. Që në nisje të kësaj mbledhjeje, kryetari i Këshillit, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, pasi falënderoi përfaqësuesit e biznesit në rolin e punëdhënësve për përkrahjen e politikave që janë ndjekur në drejtim të formalizimit të vendeve të punës, evidentoi faktin se në vetëm dy vite i janë shtuar skemës së pensioneve më shumë se 200 mijë persona, si të punësuar rishtazi apo që më parë punonin në të zezë. “Në vitin 2014 ishin 400 mijë të punësuar të deklaruar në regjistrat e sigurimeve shoqërore dhe ato të tatimeve, ndërsa në 2016 janë 600 mijë të punësuar të deklaruar. A janë të gjitha vende të reja pune? Natyrisht që s’janë të gjitha vende të reja pune, por janë edhe legalizim i punës së zezë dhe një përpjekje e përbashkët për punësim”, - tha ministri Klosi, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se vetëm në 5 muajt e fundit, falë aksionit kundër informalitetit, skema u rrit me 100 mijë persona.

Gjithashtu, ministri Klosi evidentoi edhe një herë faktin se si nga kontaktet direkte me biznesin, ashtu edhe nga të dhënat e zyrave të Punës rezulton se ka kërkesë të vazhdueshme për punëtorë dhe jo vetëm në ndërmarrjet e masonerisë, por edhe për profesione dhe zanate të vlerësuara. “Dhe në këtë biznes ku jemi sot, ka shumë nevojë edhe për punëtorë; në këtë biznes ka nevojë për njerëz të kualifikuar, ka nevojë jo vetëm për punëtorë të masonerisë, por ka nevojë edhe për menaxherë shitjesh, marketingu, biokimistë, laborantë etj. Pra kemi një biznes që ka standarde në investim, është në ekspansion jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon për produktin e tij, mirëpo ka vështirësi që të gjejë punëtorë të kualifikuar, ka vështirësi të gjejë edhe njerëz me diploma që ekuivalentohen në tregun e punës”, - tha ministri Blendi Klosi.

Më tej ai theksoi se zgjidhja e situatës, përveç shtimit të përpjekjeve të zyrave të Punës për të ndërmjetësuar dhe kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë punëdhënësit dhe punëmarrësit, është edhe arsimi profesional. “Shqipëria ka punë, Shqipëria ka nevojë për profesionistë. Kjo nuk është një bindje e imja personale dhe vetëm nga të dhënat e zyrave të Punës, por është një bindje që vjen nga vetë diskutimi me komunitetin e biznesit. Ne kemi një zgjidhje dhe ajo është arsimi profesional, kualifikimi i punëtorëve në vendin tonë”, - tha Klosi.

Kërkesa për punë dhe nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e biznesit të përfaqësuar në Këshill, të cilët deklaruan se kërkohet një politikë më e drejtpërdrejtë në favor të nxitjes së të rinjve drejt shkollave dhe qendrave të formimit profesional, në mënyrë që sipërmarrja të gjejë profesionistët e duhur. Dhe kjo jo vetëm në fushën e industrisë përpunuese apo në ndërtim, por edhe në bujqësi. Kështu, Agim Rapaj, përfaqësues i biznesit që vepron në këtë fushë, duke folur për situatën në sektorin e bujqësisë, evidentoi se aktualisht ka ndërmarrje bujqësore që kanë futur një teknologji të lartë teknike, por për të cilat nuk ka profesionistë për t’i përdorur.

Gjatë këtij takimi u prezantua dhe u miratua në parim projektligji “Për Ndërmarrjet Sociale”, i cili vjen si risi dhe mbështetje për grupet në nevojë dhe synon që skemat pasive t’i kthejë në skema aktive. “Për herë të parë kemi realizuar integrimin e politikave të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale me politikat e punësimit”, - u shpreh drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Sociale në MMSR, Merita Xhafaj, gjatë prezantimit të këtij projektligji. Ky projektligj është në përputhje edhe me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim, me synim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve të pafavorizuara. Qëllimi kryesor është përmirësimi i jetesës së grupeve në nevojë, i kujdesit shoqëror dhe shëndetësor nëpërmjet krijimit të mundësive të punësimit. Një ndër risitë e tij është mbështetja e ndërmarrjeve sociale nga qeveria përmes subvencioneve, ku llojet dhe masa e subvencionit do të miratohen me VKM. Nga zbatimi i projekt-aktit pritet ulja e shpenzimeve për ndihmën ekonomike dhe rritja e të ardhurave të buxhetit nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës u prezantua edhe Plani i Veprimit të Dokumentit politik për riintegrimin social, i cili mbështetet në Programin e qeverisë, ku parashikohet transformimi i Skemës së Ndihmës Ekonomike (NE) në një Program të Riintegrimit Social. Programi i Riintegrimit Social pritet të mbështesë punësimin e përfituesve të NE-së pranë komuniteteve të tyre, bashkive apo në projekte të qeverisjes qendrore. Në këtë dokument, popullsia e shenjestruar është ajo e përfituesve të ndihmës ekonomike. Për të përfituar ndihmën ekonomike në zonat urbane, individët e aftë për punë duhet të jenë punëkërkues të papunë, sipas përkufizimit në ligjin përkatës. Integrimi i skemës së ndihmës ekonomike me shërbimet e punësimit do të bëhet nëpërmjet rishikimit të procedurave dhe krijimit të mekanizmave të koordinimit institucional, e cila është një masë afatmesme.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Basha e rikthen aktiv Salianjin në PD, hap sekretariat për të
Saimir Tahiri te Çani, sqaron fjalimin e Joleza Kokës »
Article Logic
Execution time: 0.02257513999939
array(1) { ["section"]=> string(72) "ministri-klosi-skema-e-sigurimeve-eshte-shtuar-me-200-mije-persona-32424" }