Ministria humbet gjyqin për Kalanë e Lezhës, skandalizohet Mirela Kumbaro: Nuk ka asnjë justifikim

Publikuar tek: kulture-art, më 11:42 21-07-2016 Ministria humbet gjyqin për Kalanë e Lezhës, skandalizohet Mirela Kumbaro: Nuk ka asnjë justifikim

“SKANDALOZE”! Kështu e cilëson situatën ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro pas vendimit të gjyqësorit kundër ministrisë së drejtuar prej sak. Ministria e Kulturës ka humbur kështu gjyqin për Kalanë e Lezhës ndërsa vetë Kumbaro e sqaron të gjithën me detaje si më poshtë:

“Kur sistemi gjyqësor vendos në të kundërt të interesit të Trashëgimisë Kulturore dhe të vlerave kombëtare!!!

Ky nuk është denoncimi i një pale të humbur në një proces gjyqësor!
Këto nuk janë fjalët e një politikani në kontekstin e reformës në drejtësi!
Këto janë faktet e shëmtuara të një realiteti që ka humbur orientimin e vlerave që mbart!

Ju kujtohet debati i madh për ndërtim motelesh brenda zonës arkeologjike të kalasë së Lezhës në vitet 2012-2013?
Ju kujtohet që Ministria e Kulturës në vitin 2014 arriti ta shpëtojë atë thesar të Trashëgimisë kulturore nga motelizimi dhe rrënimi i arkeologjisë?

Në ato kushte Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në vitin 2013- 2014 rimori në shqyrtim të gjitha dosjet dhe urdhërat e lëshuar për këtë projekt dhe i shfuqizoi ato, pasi konstatoi shkelje të rënda të procedurave dhe, me profesionalizëm dhe analizë ligjore dhe teknike, vuri në vend një situatë emergjente duke shpëtuar një vlerë të çmuar të pasurisë së brezave.

Por subjekti privat e dërgoi këtë vendimarrje në gjyq dhe, gjykata e shkallë së parë e rrëzoi pa argumentim dhe pa marrë fare në konsideratë arsyetimin e MK.

Pas dy vjet zvarritjesh në dyert e gjykatave pa zë e pa vesh për vlerat kombëtare, edhe gjykata administrative e Apelit, me vendimin nr.2097, në datë 07.07.2016, në dhomë këshillimi, e në mungesë të palëve dhe pa asnjë njoftim për prezencë, vendos:
Mospranimin e ankimit te paraqitur nga Ministria e Kulturës në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore.

Më këtë vendim skandaloz i jepet e drejta një subjekti pa liçencë, pa procedurë, në mungesë të plotë të transparencës së kësaj vendimarrje, të ndërhyjë brenda Kalasë së Lezhës me një projekt të kritikuar rëndë, edhe pse Ministria e Kulturës ka denoncuar disa herë radhazi shkeljet lidhur me këtë procedurë.

Vlerat kulturore jane ajo çka i detyrohemi brezave. Detyrimi për të njohur ligjet që i japin një trajtim special këtyre vlerave duhet të njihet, të zbatohet e të interpretohet kryesisht nga trupa e gjyqësorit.

Në vite kemi parë sesi
Butrinti antik është shkëmbyer me tokë djerrë dhe jepej në kompensim!
Kulla e Kalasë së Elbasanit është privatizuar ;
Janë privatizuar parcela e godina në Apolloni e Ksamil, etj.

FAKTI
Në vitin 2010 një subjekt privat ka hartuar një projekt për restaurimin, rigjallërimin dhe rivlerësimin, e kalasë së Lezhës. Kjo iniciativë private është paraqitur pranë sekretarisë Teknike te KKR-se, në IMK e në atë vit, për t’u shqyrtuar dhe më pas për t’u miratuar në KKR.

Nuk ka asnjë justifikim të faktit se në cilin kontekst ligjor, strategjik, moral e profesional një organizëm publik shqyrton një kërkesë private e cila në thelb ka si qëllim ndërhyrjen në një vlere kombëtare.
MTKRS e kishte filluar procedurën për dhënie qeraje ndërkohë që
- nuk e administronte kalane (në atë kohë në administrim të Bashkisë Lezhë);
- nuk kishte një strategji të administrimit të vlerave kulturore
- nuk kishte asnjë vlerësim paraprak mbi fatin e atyre pasurive kulturore qe ishin dhënë me qira megjithese kishte fakte te qarta mbi keqvleresimin e keqadministrim e pasurive kulturore

Theksojmë që ky veprim nuk u zhvillua në kuadër të një procedure rijetëzimi, procesi formal i së cilës, qoftë edhe i paplotë, do të fillonte veç në 2011.

Ato vendimarrje sillnin pasoja shume të rënda për trashëgiminë kulturore
- shfrytëzohej pa asnje kriter pasuria kombëtare - një prej më të vlefshmeve që kemi
- shfrytëzohej në mënyrë ekskluzive nëntoka duke hequr monopolin e caktuar me kushtetutë të shtetit mbi pasurine nëntokësore - kjo në dëm edhe të ekspeditave arkeologjike, nga më profesionalet, të cilat aktualisht janë pezulluar si rezultat i kësaj situate absurde të paligjshme e amorale.
- fitonte të drejtën ekskluzive për të shkatërruar pasurinë e brezave dhe memorien tonë historike (përfshirë të famshmen portë të restauruar nga sulltani )

Në këto kushte Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve me bindje të plotë dhe me procedurë krejt të ligjshme në vitin 2013- 2014 i shfuqizoi ato.

Por fatkeqësisht pas 2 vjetësh nëpër dyert e gjykatave, me dëshpërim mund të them se kjo tentativë e shërbimit publik të administratës për të vënë në vend një padrejtësi kombëtare nuk u krye me sukses.
Interesi privat vazhdon të mbisundojë.

Të paktën në këtë rast që denoncojmë, shërbimi i dhënies së drejtësisë nuk njeh paligjshmëri, parregullsi apo sensibilitet në administrimin e vlerave kombëtare por vazhdon të na zhgenjejë të gjithëve me qëllimet që përndjek.

Shërbimi gjyqesor është shërbim publik. Efikasiteti i tij sigurohet me sigurimin e një tërësie standartesh, zbatim parimesh e rregullash të cilat nuk janë qëllim në vetvete por që kanë vec një qëllim, të sigurojnë respektimin e të drejtave në një shtet të së drejtës.

Në rastin konkret jemi në kushtet evidente të një interesi publik të cënuar rëndë nga mosfunksionimi i një shërbimi publik.

Asnjë rresht i vendimeve të gjata të shkalles së parë dhe apelit që morën kaq kohë për t’i dhënë, nuk merr guximin të thotë se MK në shfuqizimin e vendimit të dhënies për “rijetëzim” të një kalaje shekullore, me një projekt të pamiratuar nga KKR në kuptimin e një procedure të ligjshme, të ketë shkelur ndonjë ligj.

Ne leximin e vendimeve mesazhi që jepet është :
Administrata publike mund të shkelë ligjin dhe të keqadministrojë vlerat publike pasi me një interpretim të shtrembër të ligjeve fiton e paligjshmja; jo profesionalizmi; shitja e vlerave.

SKANDALOZE!
Gjykata e cila duhet të ofrojë një shërbim cilësor në mbrojtje të të drejtave Kushtetuese, duke garantuar paanësinë dhe pavarësinë e saj në vendimarrje provon edhe një herë që përligj paligjshmërinë me vendimet e saj.
Në vendimin e saj Gjykata keqinterpreton ligjin, prek dhe cënon rëndë interesin publik, kur në vetvete qëllimi i gjyqësorit është vënia në mbrotje e këtij interesi.
Mirëpo Ministria e Kulturës,
që respekton ligjet dhe parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve ku pushtetit gjyqësor i jepet e drejta të ushtrojë kontroll e vigjeloje mbi veprimtarinë e administratës publike,
nuk mund të rrijë indiferente dhe të mos verë në dijeni qytetarët dhe organet kontrolluese të veprimeve të gjyqesorit që vlerat dhe pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore po cënohen PAPERGJEGJSHMERISHT.”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « 5 plazhet më të bukura në Shqipëri sipas prestigjozes Lonely Planet
Një muze arkeologjik në themelet e pallatit të Lulishte “1 Maji”, Frashëri atakon Forumin e Trashëgimnisë »
Article Logic
Execution time: 0.015116930007935
array(1) { ["section"]=> string(102) "ministria-humbet-gjyqin-per-kalane-e-lezhes-skandalizohet-mirela-kumbaro-nuk-ka-asnje-justifikim-47297" }