Ministrja Ekonomi në Prishtinë: Nuk ka asnjë barrierë në shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë

Publikuar tek: ekonomi, më 15:24 27-11-2016 Ministrja Ekonomi në Prishtinë: Nuk ka asnjë barrierë në shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë

Nuk ka asnjë barrierë në shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë. Çështjet e kaluara në këtë drejtim janë zgjidhur falë rritjes së bashkëpunimit dhe nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh ekonomike mes dy vendeve. Ky ishte konkluzioni i takimit të zhvilluar sot në Prishtinë mes Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Milva Ekonomi dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ministrja Ekonomi ndodhej në Prishtinë në kuadrin e Panairit të përbashkët “Bli Shqip”, që zhvillohet çdo vit në kuadrin e Festës Kombëtare mbarëshqiptare dhe ka si synim të promovojë produket shqiptare e të rrisë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

Në takimin e përbashkët dy Ministret uruan për festën e përbashkët të shqiptarëve, 28 nëntorin, Ditën e Flamurit. Ato shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, duke shtuar se ende ka shumë hapësira për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim. Ato premtuan se institucionet respektive do të bëjnë të pamundurën që kompanitë e Shqipërisë dhe Kosovës të mos kenë asnjë pengesë në shkëmbimet tregtare.

Në një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit, Ministrja Bajrami konstatoi se janë 900 kompani me kapital nga Shqipëria që ushtrojnë aktivitetin në Kosovë që nga 2007, ndërkohë që 14 prej tyre kanë punësuar 1400 punëtorë në Kosovë. Ajo theksoi se marrëveshjet e fundit mes dy vendeve kanë lehtësuar tregtinë mes dy vendeve.

Ndërsa Ministrja Ekonomi duke ndarë të njëjtin mendim për bashkëpunimin shumë të mirë ekonomik mes dy vendeve, u shpreh se duhet bërë më shumë për të krijuar mundësi që produktet tona të jenë të kokurueshme në tregun ballkanik dhe atë europian dhe për këtë duhen ndërmarrë veprime konkrete në të ardhmen. Gjithashtu, znj Ekonomi u shpreh se duhet zgjeruar bashkëpunimi në disa sektorë të rinj dhe në shkëmbimin e forcës së punës mes dy vendeve.

Ministrja Ekonomi ndodhej në Prishtinë në kuadrin e Panairit të përbashkët Bli Shqip, i cili organizohet çdo vit nga Komuna e Prishtinës dhe MZHETTS, në kuadrin e festave kombëtare mbarëshqiptare.  Lidhur me këtë panair, znj Ekonomi u shpreh se ka një interesim gjithnjë e në rritje për pjesëmarrje nga bizneset shqiptare çka do të thotë një rritje e interesit për shkëmbimin e produkteve shqiptare. “Kjo është një ngjarje e madhe për sipërmarrjen shqiptare dhe atë kosovare për njohjen e produkteve shqiptare në tërësi. Produktet tona kanë nevojë të regjistrohen si marka dhe po punojmë shumë për këtë gjë, por dhe konsumatori ka nevojë të mbrohet, ndaj dy palët po punojnë në çështjen e sigurisë ushqimore. Nuk ka pengesë që e ndal këtë bashkëpunim. Të gjithë vijnë me kënaqësin në panairin “Blej Shqip” u shpreh Ekonomi.  

Konferenca për shtyp mes dy ministreve

 

Ministrja Bajrami: Jam përpara jush, që t’i urojmë ministres Ekonomi, por të gjithëve juve 104 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, ditën e flamurit. Është festë e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë dhe festa jonë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike, por gjithashtu ka mjaft hapësirë për zgjerim të bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve. Ne do bëjmë të pamundurën që kompanitë tona të mos kenë asnjë pengesë në bashkëpunimin ekonomik. Në ministrinë tonë të Tregtisë dhe Industrisë figurojnë rreth 900 kompani me kapital nga Shqipëria që janë regjistruar që nga viti 2007. 14 prej tyre janë më të mëdha dhe punësojnë mbi 1400 punëtorë. Pra kontributi i kompanive nga Shqipëria është i madh. Kemi 133 milionë euro investime që vijnë nga Shqipëria. Relacionet tregtare ndryshojnë nga viti në vit, pasi dy vendet kanë rregullim kushtetues të ekonomisë të tregut dhe janë kompanitë private ato që vendosin se cilat janë tregjet e favorshme për to, qoftë në rastet e importit apo eksportit. Por ne jemi këtu si instuticione që të bëjmë të pamundurën që të mos ketë asnjë barrierë institucionale mes tyre. Ne kemi disa marrëveshje mes nesh:  në 2013 u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për lehtësimin e tregtisë. Në mbledhjen e dytë të qeverive, në vitin 2015 është nënshkruar protokolli, për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe janë ngritur 3 grupet teknike të cilat funksionojnë shkëlqyeshëm. Nuk kemi asnjë çështje të hapur. Ky ishte një takim i këndshëm ku përcaktuam disa data për aktivitete të përbashkëta që mund të zhvillojmë në të ardhmen.

 

Ministrja Ekonomi: Për mua është kënaqësi e veçantë që isha këtu dhe ndava me ministren Bajrami disa arritje që kemi patur deri tani falë marrëveshjeve të bashkëpunimit që kemi nënshkruar. Dy vendet kanë shkëmbime në investimet e huaja, në numrin e bizneseve dhe numrin e punonjësve që punojnë në territorin respektive. Ajo që vumë re këtë vit, është se nuumri i turistëve nga Kosova në Shqipëri është gjithnjë në rritje.  Nuk kemi patur asnjë barrierë proceduriale përsa i përket fluksit të importeve dhe eksporteve. Kuptuam që duhet të bëjmë më tepër për të krijuar mundësi që produktet tona te jenë të konkurueshme në tregun ballkanik dhe atë europian dhe morëm përsipër aksione në të ardhmen në këtë drejtim. Gjithashtu, pamë me shumë kujdes mundësinë qe kemi për të hapur bashkëpunim në disa sektorë të rinj dhe në shkëmbimin e forcës së punës mes dy vendeve për aktivitete që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik mes dy vendeve.

Bashkëpunimi i deritanishëm është i shkëlqyer jo vetëm në rrafshin institucional, por edhe atë personal mes ekspertëve që ndajnë mendime dhe arrijnë në konkluzione. E rëndësishme është që  ky bashkëpunim të vazhdojë dhe në të ardhmen. Ju falenderoj për urimin tuaj për festën, por kjo është festa jonë e përbashkët dhe e ndajmë së bashku gëzimin.

Më tej, dy ministret iu përgjigjën dhe pyetjeve të gazetarëve të pranishmëm.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020443916320801
array(1) { ["section"]=> string(97) "ministrja-ekonomi-ne-prishtine-nuk-ka-asnje-barriere-ne-shkembimet-tregtare-shqiperi-kosove-60844" }