Ministrja Ekonomi: Shqipëria, rritje të qëndrueshme ekonomike edhe në 2017 (INTERVISTA E PLOTË)

Publikuar tek: ekonomi, më 13:58 17-01-2017 Ministrja Ekonomi: Shqipëria, rritje të qëndrueshme ekonomike edhe në 2017 (INTERVISTA E PLOTË)

 Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Milva Ekonomi në një intervistë për emisionin “Para dhe Pasuri” në televizionin “Ora News”, flet për arritjet e Ministrisë gjatë vitit 2016 dhe sfidat e vitit 2017. Ministrja shprehet se rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme dhe në 2017, sipas gjithë parashikimeve. Ndërkohë, në fokus në 2017 do jetë turizmi, rritja e investimeve të huaja, si dhe lehtësimi i procedurave për biznesin.

- INTERVISTA

 Pyetje: Viti 2016 ishte një vit me shumë sfida për ekonominë shqiptare. Padyshim i tillë do të jetë dhe viti 2017, duke qenë se është dhe një vit elektoral. Si e latë vitin që lamë pas dhe cilat janë sfidat e këtij viti?

Ministrja Ekonomi: Viti 2016 ishte një vit, i cili tregoi që rritja ekonomike e Shqipërisë ishte në drejtimin e duhur. Të dhënat që vinin si nga burimet e brendshme, po ashtu dhe të dhënat e konfirmuara nga organizatat ndërkombëtare, treguan që rritja ekonomike e Shqipërisë kishte kaluar 3.5 për qind, ndërkohë që popullata konsumonte më shumë, pra të dhënat tregonin se konsumi i brendshëm i popullatës ishte rritur. Të dhënat treguan se edhe pabarazia kishte ardhur duke u zbutur dhe punësimi për familjet shqiptare kishte ardhur në rritje. Gjithashtu, një sektor që dha bum në vitin 2016 ishte sektori i turizmit. Për herë të parë Shqipëria pati një bilanc pozitiv të të ardhurave hyrëse nga turizmi. Pra, ato që erdhën “incoming” në Shqipëri ishin të ardhura më të larta se sa ato që janë “outgoing” nga Shqipëria dhe e ardhura neto ishte një e ardhur në rritje. Përsa i përket vitit 2017, ai sigurisht që do të synojë të japë një nxitje zhvillimit të agro përpunimit dhe të grumbullimit të produkteve bujqësore dhe kulturave dru frutore, zhvillime që mund të vijnë si nga sipërmarrja e lirë por mund të organizohen dhe nga vetë bashkitë. Gjithashtu, viti 2017 synon të vërë më shumë në eficencë prona shtetërore në ndihmë të sipërmarrjes. Në vitin 2016 ne pamë se kishim 21 kontrata të reja me qira simbolike 1 euro dhe ishte bilanci i një tre-vjeçari, ndërsa 2017 synon të shtojë mundësinë e sipërmarrjes private për të përfituar nga këto kontrata, karshi një plan biznesi që ato do të kenë, ku do të nxisin një sektor të caktuar për t’u zhvilluar dhe do të shtojnë punësimin me më shumë forca pune në një rajon të caktuar.

 Pyetje: Investimet e huaja duket se janë një garë e hapur në rajonin e Ballkanit, se kush thith më shumë. Shqipëria paraqitet mirë me fluksin, me vlerën totale, në krahasim me vendet fqinje, por nga ana tjetër problem mbetet cilësia e tyre. Thënë ndryshe, vende si Serbia apo Maqedonia kanë brande, kompani me emër, ndërsa Shqipëria ka kryesisht fason, call center, etj. A ka qeveria një strategji, që edhe ne të kemi brand-e? Çfarë po bëhet?

 Ministrja Ekonomi: Nxitja e investimeve të huaja të kësaj kategorie, natyrisht që është një përpjekje e pashtershme, është një përpjekje e vazhdueshme. Mënyra më e mirë për të nxitur këto investime është dialogu me biznesin dhe prezantimi i Shqipërisë si një vend ku mund të kryhen investime në një formë të qetë dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye, në mënyrë të vazhdueshme, ne marrim pjesë në forume ekonomike ndërkombëtare që zhvillohen si në rajon, por dhe përtej tij, duke kontaktuar me zona të caktuara ku ka biznese të interesuara për rajonin e Shqipërisë. Për shembull, iniciativa 16+1 që ka ndërmarrë qeveria kineze është një platformë, ku Shqipëria përfaqësohet me mënyrën  dhe mundësi që ajo ka për të thithur investime të huaja direkte në Shqipëri, duke prezantuar sektorët strategjikë ku ka nevojë për investime dhe për çfarë lloj investimesh ka nevojë në këto sektorë strategjike. Gjithashtu, bëhet dhe një hartë e studiuar falë edhe biznesit që operon në Shqipëri për të mundësuar edhe njohjen e Shqipërisë në disa tregje të tjera ndërkombëtare, duke shkuar dhe duke bërë prezantime aty. Nga ana tjetër, ne përfitojmë nga çdo panair i mundshëm ku mund të ketë mundësi që biznesi, qoftë shqiptar apo ai i huaj që operon në Shqipëri, të ketë mundësi dhe të tregojë lehtësirat dhe mundësitë që ka në Shqipëri të zhvilluar një iniciativë të tillë. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment që edhe sipërmarrja vetë ka një shans shumë të mirë për të promovuar Shqipërinë dhe kjo i jepet falë AIDA-s dhe AKT, por ajo që është më e rëndësishme është se kryeministri e ka në vëmendjen kryesore këtë gjë, që të nxisë dhe të shtojë mundësinë e investitorëve të huaj për ta kuptuar Shqipërinë si një destinacion i mirë ku ato mund të investojnë. Kështu që, kjo përpjekje nuk do të shterojë asnjëherë, do të vazhdojë edhe këtë vit dhe janë planifikuar disa aktivitete ku të promovohet Shqipëria si destinacion investimesh.

 Pyetje: A ka konkretisht interes nga kompani të njohura për të ardhur në Shqipëri?

 Ministrja Ekonomi: Praktikisht, ka kompani turke që kanë interes për të ardhur në Shqipëri. Ka kompani që vijnë nga Makao që kanë ardhur dhe kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri. Ka kompani që vijnë nga Malta, ka përfaqësi nga Italia që kërkojnë të investojnë në Shqipëri. Natyrisht që këto janë biseda që bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Kompanitë kërkojnë informacion dhe ne u japim atyre informacion. Por, për sektorë që janë strategjikë, ka kompani që vijnë edhe nga Holanda, për të parë mundësinë që ofron Shqipëria për të investuar në disa sektorë dhe ne jemi këtu për t’u ofruar atyre çdo informacion që ato kanë nevojë, por dhe për t’i lehtësuar me procedura kur ato kanë nevojë për tu lehtësuar.

 Pyetje: Për të mbetur te procedurat për biznesin, a keni evidentuar gjatë vitit 2016, se cilat janë pengesat për sipërmarrjen private, të cilat mund të reflektohen në plane konkrete gjatë këtij viti?

 Ministrja Ekonomi: Në ministrinë e Ekonomisë kemi fatin që drejtojmë dy forume shumë të mëdha komunikimi me biznesin. I pari është Këshilli i Investimeve dhe i dyti është Këshilli Ekonomik Kombëtar. Ndërkohë, ka edhe disa komitete të tjera, siç është Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë apo takimet me shoqatat e biznesit që bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Në këto forume komunikimi me biznesin ne jemi munduar që, sipas nevojës që ka biznesi, të marrim dhe të analizojmë sektorë të caktuar të bashkëpunimit që ato kanë me qeverinë, lidhur me procedurat apo me lehtësirat që ato kanë nevojë.

 Pyetje: Konkretisht për 2017 çfarë parashikohet?

 Ministrja Ekonomi: Konkretisht, takimi i parë i vitit 2017 me biznesin ka të bëjë kryesisht Kodin e Punës. Biznesi ka nevojë për disa lehtësira në Kodin e Punës, në mënyrë që të lehtësojë punësimin për herë të parë apo trajnimin profesional, në procesin e punës, të stafit që ato rekrutojnë gjatë një viti kalendarik. Këto janë duke u parë dhe duke u shqyrtuar me biznesin. Natyrisht që rekomandimet në këtë rast do të ndahen me ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të parë se çfarë instrumentesh më të lehtë mund të kemi në Këshillin Kombëtar të Punës ose mund të sjellim në drejtoritë rajonale të punësimit.

 Pyetje: Turizmi mbetet një sektor i rëndësishëm, i shpallur si prioritar nga qeveria. Ju thatë lajmin e mirë se dolët me një bilanc pozitiv, më shumë të ardhura hynë se sa dolën. Por, nga ana tjetër, duket se sërish nuk ka një strategji të saktë se si bëhet zhvillimi i turizmit. Nënkuptoj, kemi disa leje për dhënie fshatrash turistikë, ndërkohë shpesh nuk kemi të zgjidhur disa probleme bazike, që ngrenë shpesh edhe operatorët turistikë. A ka një strategji se si do të zhvillohet turizmi në Shqipëri?

 Ministrja Ekonomi: Nga mënyra se si e kemi konceptuar ne turizmin, turizmi është një sektor që sjell lidhje sektoriale. Në qoftë se duam të zhvillojmë Shqipërinë si destinacion turistik dhe ne atë po synojmë, nuk mund ta bëjmë të vetëm, vetëm me opinionin që kemi për turizmin apo për destinacionin, në qoftë se nuk e rrethojmë destinacionin me infrastrukturë, me informacion, me industrinë mikpritëse. Të gjitha këto bashkë do të zhvillohen. Unë kam bindjen time që, së pari, ajo që apo ndodh në turizëm është se, përveçse po promovojmë Shqipërinë si destinacion turistik, ne po organizojmë dhe po zhvillojmë edhe brenda Shqipërisë destinacionin turistik. Po ndajmë llojin e produkteve turistike që ofron Shqipëria, sipas bashkive apo qarqeve, dhe të gjitha këto po kalojnë në një matje të re statistikore, falë bashkëpunimit që ne kemi krijuar me INSTAT, lidhur me një anketë që ato bëjnë një herë në vit, për të matur impaktin që jep turizmi në ekonominë shqiptare, por si industri më vete tashmë, jo si pjesë e grupit të shërbimeve. Pra, edhe kjo gjë po arrihet për të kuptuar ecurinë turistike të vendit. Nga ana tjetër, përsa i përket zhvillimit të rajoneve, ato nuk zhvillohen dot nëse nuk kanë elementin turistik brenda. Në qoftë se duhet të zhvillohet turizmi në një bashki të caktuar, ai duhet parë i lidhur jo vetëm me infrastrukturën, por edhe me mundësinë që ka aty për të sjellë rritjen e një strukture akomoduese, të një shtëpie mikpritje apo të një hoteli të vogël, ku një sipërmarrje merr përsipër të kryejë këtë aktivitet, por ana tjetër edhe duke e promovuar këtë në një ëebsite që e administron Agjencia Kombëtare e Turizmit. Të gjitha këto po shikohen të lidhura në zinxhir, prandaj dhe investimet janë të lidhura me mënyrën se si ne po kërkojmë të zhvillojmë një territor ku ka mundësi të zhvillohet turizmi. Ndërkohë, për sa kohë ne promovojmë turizmin në Shqipëri dhe si një turizëm që ka biodiversitet të shumëllojshëm dhe ka akoma produkte bio, po përpiqemi që edhe kultura kulinare e rajonit të promovohet, duke çuar atje kulinarinë pak më të sofistikuar, pra që produkti përpunohet dhe bëhet një recetë e re për rajonin, dhe duke e promovuar këtë, por edhe duke krijuar mundësinë që ekonomitë lokale të marrin pjesë në këtë promovim që i bëhet kulturës kulinare të zonës.

 Pyetje: Vitin e kaluar qeveria nxori vendimin për të hartuar regjistrin e koncesioneve. Çfarë po ndodh me këtë proces dhe a ka qeveria dhe ministria juaj një data basë për të gjitha koncesionet e dhëna dhe mënyrën se si ato po operojnë në bazë të kontratave të lidhura?

 Ministrja Ekonomi: Ngritja e regjistrit të koncesioneve ka përfunduar. Deri më tani në këtë regjistër janë të hedhura 107 kontrata koncesionare. Akoma pritet të pasurohet me kontratat e vjetra të koncesioneve në energji. Regjistri të mundëson të kesh informacion për çdo kontratë koncesionare dhe kompani që menaxhon kontratën koncesionare. Përveç kësaj, regjistri i koncesioneve do të bëjë të mundur që, një herë në vit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve të hartojë dhe një raport vjetor mbi ecurinë e koncesioneve, për të parë influencën që ato kanë pasur në sektorë të caktuar dhe mënyrën se si ato janë raportuar karshi detyrimeve dhe karshi përfitimeve që kanë pasur nga kontratat koncesionare. Kështu që, detyra për ngritjen e regjistrit të koncesioneve ka përfunduar.

 Pyetje: Si paraqiten 107 kontratat e para koncesionare që janë hedhur në regjistër, në mënyrën e zbatimit të tyre?

 Ministrja Ekonomi: Pjesa më e madhe e tyre, nëse do të kemi një sistem vlerësimi nga 1 deri në 5, marrin notën mbi 3. Pra, këto kontrata janë të kënaqshme për mënyrën se si janë menaxhuar deri tani. Por, nga ana tjetër, ATRAKO është një nga ato agjenci që varen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që ka për detyrë gjithashtu të asistojë dhe kryerjen e studimeve të fizibilitetit për koncesionet e reja. ATRAKO po përpiqet të jetë pjesë aktive e disa forumeve ndërkombëtare, si Agjencia Europiane për Koncesionet, si dhe të jetë një nga ato agjenci që në mënyrë të natyrshme dhe pa bërë asnjëherë shmangie nga “deadline” të raportojë sa herë që vijnë pyetësorë nga organizatat ndërkombëtare. Për shembull, për herë të parë vjet, Shqipëria morri pjesë në një publikim që u bë nga Banka Botërore, lidhur me ecurinë e koncesioneve në disa vende të botës dhe ishte falë përpjekjeve që bëri ATRAKO për t’iu përgjigjur në kohë pyetësorit dhe për të qenë shumë aktive në momentin që ato kërkonin të zhvillonin intervista me vendet, dhe ndaj gjetëm një vend në këtë botim. Natyrisht që ishim nga nja vendet që, për mënyrën se si e kemi organizuar të gjithë legjislacionin e koncesioneve, e kemi më të sigurt dhe transparent. Të paktën kështu u verifikua nga publikimi.

 Pyetje: Ju thatë se janë hedhur 107 deri tani dhe do të hidhen dhe koncesionet e “vjetra”. Do të thotë se këto që janë hedhur deri më tani kanë qenë të viteve të fundit?

 Ministrja Ekonomi: Jo, sepse në vitet e fundit nuk janë dhënë 107 koncesione, por më pak. Janë hedhur ato kontrata koncesionare që kanë pasur dokumentacionin e plotë. Para se të hidhet një kontratë koncesionare në regjistër, duhet të jetë i plotësuar me gjithë sasinë e dokumenteve që duhet për një kontratë koncesionare. Ne po përpiqemi të analizojmë dokumentacionin për një pjesë të kontratave koncesionare, si HEC-et e vogla në energji, pasi për këto ka mangësi në dokumentacion.

 Pyetje: Ju thatë se ATRAKO po përpiqet dhe po analizon mundësinë e dhënies së koncesioneve të reja. Në një intervistë që kemi zhvilluar më parë keni thënë se ka interes për koncesione të reja. Konkretisht, do të jepen të tilla? A ka diçka konkrete për këtë vit?

Ministrja Ekonomi: Ju besoj e njihni ligjin e koncesioneve dhe çfarë parashikon ai. Mund të ketë iniciativa për koncesione, por para se të kalojë një kontratë koncesionare dhe të bëhet e vlefshme ajo duhet të marrë një miratim nga Ministria e Financave, në qoftë se ka hapësirë buxhetore ose jo. Rregulli që ka vënë Shqipëria është që, kontratat koncesionare nuk mund të kalojnë vlerën e pagesave vjetore më shumë se sa 5 për qind i të ardhurave që janë grumbulluar nga tatimet në vitin paraardhës. Kështu që, ministria e Financave bën këtë kontroll dhe në bazë të kësaj vendoset për kontratat koncesionare. Në momentin që ne flasim, koncesioni i vetëm që ka marrë miratim nga Ministria e Financave është koncesioni i laboratorëve në ministrinë e Shëndetësisë. Pra, deri më tani ky është ai që është zyrtarizuar për të kaluar për vitin 2017. Akoma nuk mund të themi se çfarë do të sjellë viti 2017 sepse sapo ka filluar dhe iniciativat për të tjera kontrata koncesionare janë iniciativa që pritet të ndodhin dhe të verifikohen nëse janë të mundshme për të qenë të realizueshme ose jo. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018840074539185
array(1) { ["section"]=> string(97) "ministrja-ekonomi-shqiperia-rritje-te-qendrueshme-ekonomike-edhe-ne-2017-intervista-e-plote-65774" }