Mirupafshim, i bardhi Bardh Smaja

Publikuar tek: analiza-komente, më 22:24 07-11-2015 Mirupafshim, i bardhi Bardh Smaja

Nga Besard Jacaj

Në të gjitha llojet e ikjeve të përhershme  që ka  kjo botë, thonë se ikja e artistëve dhëmb më së shumti. Sepse kur vdes një prej tyre , brenda secilit prej nesh vdes  një fije shprese për ta parë këtë vend më të mirë, sepse të tille e bëjnë vetëm artistët. E tille ishte edhe ikja  jote (nuk guxoj të them vdekja) i   bardhi Bardh Smaja. Nuk guxoj të them vdekja sepse emri  yt do të mbetet i gjallë ne çdo drite skene, në çdo duartrokitje, në çdo gur të kalldrëmëve të shumta të qytetit tonë.  Ikja jote na gjeti të gjithve të papërgatitur mëngjesin e djeshëm ,  na gjeti në rutinën e përhershme të mëngjeseve në Shkodër. Ne si çdo ditë tjetër patëm filluar të niseshim në destinacionet e përditshme,  por lajmi  që  lidhej me emrin tënd,  na i ngriu hapat e diellin akoma të ngrohtë të këtij nëntori na e ktheu në një borë t zezë, më të akullt se ajo e janarit. Një javë më parë na ftove të gjithve në teatër, për të parë “Kandilin…”  që ti e kishe ndezur vete, por nuk ishe aty për të pare ndriçimin e tij. Atë natë ai “Kandil…” na ndriçoi të gjithve,  si çdo vepër tjetër që ti na e paraqite gjatë jetës  tende, që fizikisht pushoi dje. Në pranëverën e këtij viti, të pata ftuar në një intërvistë radiofonike në emisionin që bëja në Radio Jehona. U takuam  rreth orës  11:00 tek njëra prej lulishteve të Shkodrës pasi intervista do bëhej me regjistrim . Para intervistës më bënë shumë përshtypje fjalët e tua: “ - Evitoi superlativat për mua.  Dhe  mos përmend asnji nga rolet apo veprat e mia si regjisor, se del si me dasht me lavdru vedin”. Fjalë që më bënë përshtypje dhe që vetëm një njeri i madh mund ti thoshte para një interviste-metamorfoze për të cilën bashkarisht kishim rënë dakort. Mbrëmë pasi të gjithë ishin larguar  kalova rastësisht nga teatri, edhe dukej sikur në madhështinë e tij vajtonte ikjen tënde. Teatri është përballur edhe herë të tjera me humbje të mëdha, po kjo e jotja e ka gjunjëzuar e rraskapitur sepse bashkë me trupin tënd atij i iku një regjisor, një aktor, një muzikant, një drejtor…  Dhe tani po e mbyll këtë shkrim që nuk e kisha menduar kurrë se do e shkruaja, të paktën jo kaq shpejt. Po e mbyll me ngushëllimet më të ndjera për të meritueshmen Meritë, për Saren e Fisnikun… Por ngushëllimin më të madh ia shpreh Shkodër locës, pasi dje përcolli një njeri e artist që vështirë se mund ti vijë më. Nuk po të them lamtumirë se lamtumirat thuhen pas ndarjeve të përgjithmonshme por,

Mirupafshim i bardhi Bardh Smaja…

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070140361785889
array(1) { ["section"]=> string(38) "mirupafshim-i-bardhi-bardh-smaja-24916" }