Mjerimi i raportimit të aktualitetit ndërkombëtar

Publikuar tek: analiza-komente, më 08:47 14-02-2015 Mjerimi i raportimit të aktualitetit ndërkombëtar

Java që sapo po mbyllet u karakterizua nga ngjarje të rëndësishme në botë, që sado larg apo afër që na duken, në një botë globale, ndikojnë edhe te ne, në ekonominë shqiptare, si edhe në situatën gjeopolitike të Ballkanit dhe në sigurinë e kombit.

Problemi është se mediat shqiptare sot i referohen shumë shkarazi dhe pa analiza, pa burime të cituara, jo në mënyrë të balancuar dhe kontradiktore, aktualitetit tonë ndërkombëtar.

Unë dikur kam thënë dhe jam gati ta mbroj idenë edhe tani, me të dhëna në dorë, që Shqipëria është një vend i hapur politikisht, por i mbyllur kulturalisht. Hapja politike nuk qenka edhe sinonim i hapjes kulturore me botën, sikur e kishim shpresuar me utopitë tona dhe me ëndërrat tona të tridhjetëvjetëve më parë. Jeta tregon të kundërtën. Mund të kesh hapje politike dhe mbyllje kulturore njëkohësisht. Shtëpitë tona botuese nuk e ndjekin dot me logjikë tregu tendencat e sotme të letërsisë dhe shkencave të huaja, aq më pak artin edhe estetikën, kurse në fushën e informacionit, mediat shqiptare nuk janë në gjendje t’i përcjellin qytetarit aktualitetin ndërkombëtar.

Dikush do të thotë se ja lajme nga bota kemi, por në fakt kemi vetëm shkumën, sipërfaqen e tyre dhe jo më tepër, aspektet spektakolare të tyre, por jo një raportim të thellë të tyre dhe në vazhdimësi, dhe mbi të gjitha pa e zhvilluar këtë paraqitje të aktualitetit ndërkombëtar në tërësinë e zhanreve të gazetarisë sikurse do të ishin forumet, analizat, komentet, intervistat, reportazhet nga të dërguarit e posaçëm, etj.

Me një fjalë jemi në situatën që për aktualitetin ndërkombëtar në media na mbulon pak a shumë terri informativ, me përjashtim të ndonjë medieje televizive që bën përpjekje jo të këqia në këtë drejtim, por përsëri me mundësi shumë të pakta.

Java që u mbyll sikurse thamë pati mjaft ngjarja të rëndësishme.

Po e filloj me faktin që pas një investigimi disavjeçar ekipe gazetarësh në bashkëpunim me institucione të specializuara arritën të nxjerrin në dritë trafikun monetar të kryer nga banka e mirënjohur zviceriane HSBC, pra i bie që nja rreth 20.000 miliardë dollarëve ishin të fshehura nga shërbimet fiskale të shteteve përkatëse dhe gjoja të transferuara në ishuj të humbur të oqeaneve ku veç taksa nuk paguhen, apo pranim në banka parash korrupsioni, droge të pranuara në llogari të majme, duke përfshirë edhe llogari pushtetesh okulte apo qendrash destabiluzuese të rendit të sotëm botëror me akte dhune dhe terrori.

Lajmi tronditi gjithë jetën financiare të Planetit, botën politike, si edhe mediat që bënë analiza, dhanë komente, bënë intervista dhe analiza për raportin midis ligjit dhe paligjshmërisë, midis demokracisë dhe korrupsionit, midis politikave nacionale fiskale dhe botës globale, mes shumëkombësheve dhe shteteve kombëtare, etj.

Kuptohet që lajmi në një mënyrë edhe një tjetër u dha edhe në mediat shqiptare, por ajo që mungoi ishte analiza sesi ndodhi ky proces trafikimi dhe paligjshmërie, cilat ishin mekanizmat dhe format e përdorura, cilat ishin dëmet që shkaktohen nga fakte të tilla destabilizimi të jetës normative dhe institucionale bankare. Si realizohet që nëpërmjet filialeve ekran, kjo bankë arrin të kalojë kapitale nga një vend në tjetrin duke i shpëtuar kontrolleve dhe detyrimeve fiskale.

Sigurisht bota e sotme po përpiqet ta luftojë evazionin fiskal dhe në këtë rast shumë analistë financiarë dhe ekspertë në krimin ndërkombëtar në mediat perëndimore amerikane dhe europiane bënë analiza të shumta.

Si nuk u përkthye pothuajse asgjë për t’iu dhënë lexuesit masiv shqiptar ?

Si nuk u intervistuan ekspertë financash që në mënyrë pedagogjike ta shpjegonin mekanizmin e këtij mashtrimi të madh ?

Si nuk u organizuan forume me lexues dhe qytetarë për të tërhequr reagimet e tyre lidhur me këtë çështje ?

Si nuk iu drejtuan pyetje shtetarëve dhe politikanëve apo ekspertëve të krimit ekonomik të shtetit shqiptar lidhur me rreziqet që i kanosen politikës dhe ekonomisë shqiptare nga këto evazione që mund të na ndodhin edhe ne ?

Asgjë.

Një ngjarje e dytë është edhe marrëdhënia e tensionuar që vazhdon midis drejtuesve të qeverisë së sotme greke dhe drejtuesve të Bashkimit Europian, çka u shfaq edhe në takimin e Brukselit të javës që sapo po mbyllet.

Intelektualë dhe artistë grekë po drejtohen në mediat perëndimore duke treguar se kombi i tyre nuk ka mundësi të paguajë më interesat e borxhit dhe se ky borxh nuk është i popullit por i një klase politike të korruptuar. Dakord, thuhet në Europë, por kur i morët borxhet nuk i bëtë këto llogari, nuk e votuat ju atë klasë të korruptuar prej vitesh e vitesh, ku është përgjegjësia juaj kolektive dhe individuale? 

Por, nuk do të hyj në këtë debat sepse do e bëj herë tjetër, rëndësi ka se pala greke duket se ndodhet para propozimeve ruse, kineze, etj, për ta zëvendësuar buxhetimin europian me kapitale të tjera tê ardhur nga fuqi të tjera botërore.

Kjo analizë nuk po bëhet në mediat shqiptare.

Çfarë i sjell ekonomisë shqiptare një falimentim i bankave greke nëse kërcënon të vijë ?Çfarë do të thotë që precedenti grek i mospagimit dot të borxheve të përphapet ?Cila është rruga jonë duke parë shembullin grek ?Çfarë do të thotë që kapitalet ruse dhe kineze të afrohen e ofrohen në ekonominë greke dhe atë të Ballkanit ?Çfarë analiza ka nga këto në mediat e sotme shqiptare, ku e shumta që ndodh janë lajmet politike mbi vizita të ndryshme drejtuesish politikë, çfarë tha zonja Merkel e çfarë tha zoti Xipras ! Asgjë tjetër të hajrit.

Mirë në Gjenevë nuk kemi aq lehtë korrespondentë, por në Greqi mbushur me qindra mijë emigrantë shqiptarë nuk kemi ne mundësi që në media të vijë zëri i tyre, të vijnë shqetësimet e tyre, të vijë jeta e tyre, të na tregojnë ata se cilat ishin konkretisht dhe parë nga afër mekanizmat e këtij rrënimi që sot po e çon një shoqëri buzë greminës dhe një komb drejt një situate tepër të vështirë duke vendosur në pikëpyetje dhe qendrimin në eurozonë.

Cila është e ardhmja e integrimit tonë europian nën dritën e ngjarjeve dramatike dhe tragjike greke ?

Kush ja ka ngenë kësaj pune or mik, ne shohim në foto lajme të prapmet e Kardashianit, ne kemi Blutoothin se kush u fut në motel e kush kërceu sipër tavolinës, kush shau kë, kush kërcënoi me batutat më të thukta cilin, etj.  Media te ne është ajo e skandalit dhe nuk përbën një dukuri kulturore të papërsëritshme mbi aktualitetin.

Po zjen i gjithë njerëzimi për luftimet që po bëhen midis separatistëve rusë dhe Ukrainës, çka ishte edhe në qendër të bisedime mes Putinit, Poroshenkos, Merkelit dhe Hollandit në Minsk. Krimeja me hir a me pahir u aneksua de facto, Donjeci dhe zona të tjera gati po bien, por edhe mos rënçin në duart ruse, kanë marrë një autonomi që e ve në diskutim të plotë sovranitetin real ukrainas mbi to.

Çfarë japin mediat shqiptare lidhur me sa më sipër ?

Njoftime thjesht për disa luftime dhe ato shumë të shkurtra, ndonjë lajm të shkurtër për takimin e nivelit të lartë në Minsk dhe vetëm kaq.

Kërkoj prej kohësh ndonjë analizë të ndonjë eskperti sigurie lidhur me pasojat ushtarake dhe politike të kësaj lufte mbi marrëdhëniet mes Europës dhe Rusisë, asgjë.

Pritet ndonjë paraqitje historike e marrëdhënieve të këtyre krahinave që rivendikohen sot prej separatistëve rusë me Ukrahinën apo Rusinë, por nuk gjen dot edhe sikur të jesh një njeri i apasionuar me mediat dhe informacionin ndërkombëtar.

Informimi i qytetarit për aktualitetin ndërkombëtar lë për të dëshiruar. Mungojnë të dërguarit e posaçëm dhe korrespondentët, po kush pretendon për ta ? Nuk paguan njeri nga pronarët e mediave për një informacion të tillë të kushtueshëm. Por, nuk është vetëm kjo.

Media shqiptare është për një mijë arsye e lidhur pas lajmit politik të brendshëm. Aty e fiton bukën. E çfarë i duhet të raportojë përtej pragut të shtëpisë, duke shkuar larg përtej kufijve ? Ajo nuk ushqehet nga publiku, por në një pjesë të madhe nga tenderat dhe nga privilegjet ekonomike të politikës. Ato media që i kanë shpëtuar këtij mekanizmi janë të varfëra dhe mezi mbijetojnë.

E kush ka ndër mend të paguajë gazetarë që të rrinë me muaj duke studiuar e ndjekur një dosje aktualiteti ndërkombëtar ? Kush ja ka ngenë të paguajë një ekspert politik apo ekonomik që për një medie të studiojë një çështje ndërkombëtare ?

E ku janë studimet e instituteve dhe kabinete të specializuara për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare që të botojnë libra e të prodhojnë informacion dhe ekspertizë ? As fara nuk u gjendet.

Pritet nga drejtoritë e ministrive të jashtme të japin studime dhe të informojnë publiku, por ministria e jashtme në publik shfaqet vetëm me raste emërimesh ambasadorësh, a me sherre me ambasadorë në poste tashmë. Përtej saj nuk dihet se çfarë analizash ka për aktualitetin botëror.

Po sigurisht janë agjencitë e mëdha të informacionit që kanë monopolin e tij. Vend i vogël ne. Patjetër. Po edhe kur e zbresim nga Interneti një lajm, ai pa interpretimin përkatës nuk ka pikë vlere. Sepse ai nuk ka qendrimin e shtetit shqiptar, ai nuk ka qendrimin e opozitës shqiptare, nuk ka analizën e ekspertit vendas për impaktin që ka mbi Shqipërinë, politikën e brendshme dhe të jashtme të saj.

Prandaj them se mediat shqiptare, me ndonjë përjashtim, raportojnë pragun e shtëpisë dhe jo aktualitetin ndërkombëtar.

Ja pse qytetari shqiptar është në terr informativ përsa i përket ngjarjeve botërore, duket se jeton si Robinson në një botë të izoluar.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.019222974777222
array(1) { ["section"]=> string(54) "mjerimi-i-raportimit-te-aktualitetit-nderkombetar-3283" }