Mungesa e energjisë në pistën e Rinasit, si e kujton ngjarjen truproja e Meksit, sot deputet i PS

Publikuar tek: politike, më 20:06 29-03-2016 Mungesa e energjisë në pistën e Rinasit, si e kujton ngjarjen truproja e Meksit, sot deputet i PS

Deputeti socialist, Fidel Ylli, ish-shoqërues i Kryeministrit Aleksandër Meksi në vitin 1992, hedh poshtë ndonjë tentativë për defekt të qëllimshëm me ndriçimin në Aeroportin e Rinasit gjatë uljes se avionit të delegacionit qeveritar në 1992-shin.

Ylli, si pjesë e delegacionit, zbardh në një intervistë për “Panorama” të gjithë ngjarjen dhe paralajmërimin e pilotëve italianë për defektin në Rinas.

Zoti Ylli, ju keni qenë bashkë me ish-kryeministrin Meksi në incidentin me avionin në Aeroportin e Rinasit. Ka shumë versione, si ka qenë e vërteta e asaj që ju keni përjetuar?

Po, unë kam qenë në avion me Kryeministrin Meksi, Genc Rulin, Gjergj Kondën, Abedin Fishtën, që ishte po shoqërues i Kryeministrit në atë kohë dhe një italian, mik i Shqipërisë në partinë e Xhulio Andreotit. Delegacioni qeveritar, sapo ishte krijuar qeveria, kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qëndruam në Romë. Qeveria italiane na kishte vënë në dispozicion një avion charter për t’u kthyer në Tiranë. Nuk do të niseshim nga Fiumicino, por nga Ciampino, një aeroporti ushtarak. Partia e Andreotit na kishte organizuar dhe një drekë pritjeje në Romë, ku ne u vonuam më shumë seç ishte orari i nisjes për në Tiranë. Në momentin që do të niseshim, pilotët italianë informohen se Aeroporti i Rinasit nuk kishte ndriçim në pistë, sepse informacioni ishte se fshatarët kishin protestuar për pronat e tyre që i kishte zënë aeroporti, duke thyer dhe dritat e pistës.

U informua Kryeministri Meksi për këtë mungesë ndriçimi në Rinas?

U informua, por ishte Gen Ruli që këmbëngulte që ne të ktheheshim atë natë në Tiranë. Unë i propozova Kryeministrit Meksi, që meqenëse situata me ndriçimin e pistës së Rinasit është e tillë, të fluturonim për në Bari, të qëndronim aty atë natë, ishte e diel dhe të nesërmen, po me charter, të fluturonim për Tiranë, një udhëtim që zgjaste 20-30 minuta, duke shkuar direkt në zyrë në Kryeministri.

Nuk e pranoi Meksi këtë propozim?

Kryeministri nuk tha as po as jo, kurse Genc Ruli këmbënguli dhe u nisëm. Por ne e morën vesh që para se të niseshim se në pistën e Rinasit nuk kishte ndriçim, nuk na ndodhi e papritur. Kur erdhëm mbi Rinas, autoritetet e aeroportit kishin nxjerrë në pistë 5-6 makina të Kryeministrisë për të ndriçuar pistën, imagjino se çfarë profesionalizmi. Pilotët ndoshta të verbuar dhe nga dritat e makinave, nuk u orientuan si duhet me pistën, në vend që të ulnin në fillim rrotat e pasme të avionit, ulën rrotën e parë. Në goditjen e parë, piloti bëri një tentativë që ta ngrinte përsëri avionin, por nuk mundi, ndërsa avioni bënte kolpo si delfin mbi pirunin e rrotës së parë të këputur. Ishte një situatë tmerri në bord, por na ka ruajtur Zoti. Avioni u zvarrit me pirunin e rrotës së parë deri në fund të pistës, por pilotët arritën ta mbanin në balancë, sepse nëse do të ishte anuar, do kishte goditur krahët ku ndodheshin dhe depozitat e karburantit. Zoti na ka ruajtur dhe na ka shpëtuar! Ishte fat që avioni ishte një charter i vogël 8 vendesh dhe nuk pati shumë peshë që të binte me turi përpara.

Besoni ju se ka pasur ndonjë skenar për të rrezikuar jetën e ish-kryeministrit?

Me informacionin që unë kam, nuk e lidh me asnjë skenar konspirativ. Nuk është se ne ishim nisur me drita dhe meqenëse po vinte Kryeministri, hajde të prishim ndriçimin që të ndodhë katastrofa. Jo. Mungesa e dritave ishte lajmëruar edhe nga TVSH-ja disa ditë përpara. Kjo është e vërteta, sepse unë isha pjesë e delegacionit, e bisedave të bëra me pilotët, e bisedës së bërë të Kryeministrit me Genc Rulin. Pak ditë para se të ndodhte kjo ngjarje, Arjan Melonashi, gazetar i TVSH-së, kishte bërë një reportazh nga Rinasi ku thoshte se në aeroport janë thyer dritat, të merren masa se këtu do të ndodhë ndonjë katastrofë. Për mua ishte gabim i pilotëve, të cilët morën përsipër të kryenin një udhëtim jashtë çdo kushti teknik të sigurisë, në një kohë që pista e aeroportit ishte e pandriçuar. Kushdo që mund të këmbëngulte, ata si profesionistë nuk duhet të kishin pranuar që të fluturonin.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Johannes Hahn mbërrin në Tiranë, njofton takimet me zyrtarët shqiptarë
Rama shkon në zyrën e Metës, kokë më kokë për minuta me radhë »
Article Logic
Execution time: 0.025372982025146
array(1) { ["section"]=> string(101) "mungesa-e-energjise-ne-pisten-e-rinasit-si-e-kujton-ngjarjen-truproja-e-meksit-sot-deputet-i-ps-36341" }