Mushkonjat dhe sinjalistika në plazhe, qeveria bën tender jashtë afatit dhe investimet nuk kanë vlerë

Publikuar tek: ekonomi, më 21:42 06-10-2016 Mushkonjat dhe sinjalistika në plazhe, qeveria bën tender jashtë afatit dhe investimet nuk kanë vlerë

Bërja e tenderëve nga zyrat e shtetit është një problematikë e hershme në Shqipëri. Ministritë dhe agjencitë kanë "hapur thesin" para, gjatë dhe pas sezonit të verës. Megjithatë, nga investigimi i gazetarëve të Fiks Fare", rezultoi se disa prokurime publike janë bërë jashtë afatit dhe investimet nuk kanë asnjë vlerë.

157 milionë lekë për mushkonjat

“Lufta” me mushkonjat ka qenë një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Janë bërë disa tentativa për të larguar insektet që përhapin sëmundje dhe janë shumë bezdisëse. Gjithsecilit na ka rastisur që, gjatë kohës së plazhit, të mërzitemi nga prania e tyre. Në vitet e fundit janë bërë disa tender për dezinsektimin e zonave bregdetare apo urbane.

Fiks Fare disponon dokumentet e tenderit prej 157 milionë lekësh të reja të zhvilluar nga ministria e Shëndetësisë. Tenderi është shpallur në muajin shkurt, i ndarë në katër lote dhe është bërë në muajin mars të këtij viti. Loti i parë ka qenë për prefekturat e Shkodrës dhe Lezhës. I dyti për prefekturat e Tiranës dhe Durrësit, i treti për Fierin dhe i katërti për Vlorën.

Sipas buletinit me numër 21, të datës 30 maj 2016 të Agjencisë së Prokurimit Publik, fitues i lotit të parë është kompania “Pastrime Silvio" Shpk. Sipas të njëjtit buletin, fitues i loteve 2, 3 dhe 4 është subjekti Fatos Lashi. Ky shërbim, pra spërkatja për mushkonja në zonat bregdetare dhe urbane ka një afat 2-vjeçar.

"Fiks Fare" bëri një vëzhgim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për të dy subjektet fituese. Siç rezulton nga këto ekstrakte, në momentin e bërjes së tenderit, të dy firmat fituese nuk e kanë pasur si objekt të veprimtarisë së tyre dezinsektimin. “Pastrime Silvio” e ka shtuar në muajin prill të këtij viti, pra disa kohë pasi ishte hapur tenderi, ndërsa subjekti Fatos Lashi e ka shtuar dezinsektimin në muajin qershor. Pra, pas shpalljes si fitues, sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik më 30 maj 2016.

"Fiks Fare" pyeti gjatë muajve të verës pushuesit në disa plazhe kryesore të Shqipërisë. Shumë pak prej tyre kishin parë mjete apo njerëz që spërkasnin. Disa zona ishin infektuar. Situatë alarmante ishte në Divjakë dhe Golem, ku pushuesit ankoheshin për praninë e madhe të tyre.

Gazetarët pyetën për këtë tender në Ministrinë e Shëndetësisë. Zyra e shtypit pranoi fillimisht se do të përgjigjej për disa pyetje të dërguara nga Fiksi, por, megjith këmbënguljen e vazhdueshme, përgjigjja nuk erdhi.

Fiks Fare iu drejtua edhe dy firmave fituese. Njëri prej tyre, Fatos Lashi, u tha gazetarëve se zonat problematike, përveç Divjakës dhe Golemit, ishte edhe Orikumi dhe Butrinti. Ai pranoi se ka filluar shumë vonë spërkatja e këtyre zonave. "Duhet të kishte filluar në mes të muajit maj" tha Lashi, ndërsa pyetjes se kur filloi këtë vit, iu përgjigj se "në muajin korrik". Lashi shtoi se problem ka qenë edhe lëvrimi i fondeve.

Sinjalistika në plazhe, në dhjetor!

Orientimi i pushuesve, vendas apo të huaj, në plazhet shqiptare është një problematikë e hershme. Edhe gjatë sezonit që sapo u mbyll, mungonte sinjalistika. Nuk kishte tabela që të tregojnë emrat e plazheve, numrat e emergjencës, rojet bregdetare, shërbimin spitalor apo policor. Agjencia Kombëtare e Bregdetit u kujtua shumë vonë për të vendosur sinjalistikë. Drejtori i kësaj agjencia, Auron Tare, shprehet se sinjalistika orienton pushuesit, vëndas apo të huaj.

"Fiks Fare" siguroi dokumentet e tenderit për këto sinjalistika. Sipas këtyre dokumenteve, Agjencia hapi në muajin korrik procedurën e prokurimit për “Krijimin e sinjalistikës në vijën Bregdetare”. Fondi limit ishte 166 milionë lekë të vjetra. Por, e çuditshmja në këtë tender, ishte koha kur do vendoseshin tabelat. Tenderi do të bëhej më datë 14 korrik 2016. Dhe, operatori fitues, kishte 45 ditë kohë që të vendoste këto sinjalistika. Nga përllogaritja i binte që këto tabela të vendoseshin në fund të muajit gusht!

Auron Tare pranon se sinjalistika do të vendoset shumë vonë. Shpjegon se fondi i erdhi me vonesë dhe se u desh kohë që të përktheheshin sipas modelit anglez.

Më 14 korrik dështoi bërja e tenderit dhe si rrjedhojë, plazhet shqiptare, edhe gjatë sezonit që lamë pas, nuk kishin sinjalistikë. Agjencia Kombëtare e Bregdetit rihapi procedurën e tenderit. Kësaj herë, tenderi do të bëhet më 19 tetor dhe fituesit kanë kohë për ti vendosur gjatë 45 ditëve. Nga përllogaritja, i bie që këto sinjalistika të vendosen në fillim të muajit dhjetor.

Mungesa e sigurisë në plazhe

Plazhet shqiptare ishin më keq se një vit më parë. Siguria linte shumë për të dëshiruar. Një shtetas rus u godit për vdekje nga një skaf në Himarë. Në shumë prej plazheve mungonin kullat e vrojtimit. "Fiks Fare" vëzhgoi gjatë verës disa prej plazheve kryesore në Shqipëri. Vetëm në Velipojë gjetëm një roje plazhi, megjithëse ai ishte i shëndoshë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit tha se plazhet ishin më të ndotur, nuk kishte roje plazhi. Ai shtoi se është përmirësuar uji, por ka shumë ndotja.

Nga vëzhgimi i "Fiks Fare", në shumë plazhe nuk kishte kulla vrojtimi. Agjencia Kombëtare e Bregdetit hapi një tjetër tender në APP, me vlerë rreth 40 milionë lekë të vjetra. Në këtë rast, kullat filluan të vendoseshin në 10 ditëshin e parë të muajit gusht, kur kishte kaluar më shumë se gjysma e sezonit.

Tare hodhi idenë që plazhet tu jepen me qira privatëve dhe merr shembullin e Malit të Zi, ku simotra e kësaj agjencie përfiton rreth 8 mln euro. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Durrës, Vangjush Dako, tha se nuk ka fonde për roje plazhi. "Nuk e mbulojmë dot me punonjësit tanë, asnjë subjekt nuk ka bërë kërkesë për këtë shërbim" tha Dako.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029175996780396
array(1) { ["section"]=> string(106) "mushkonjat-dhe-sinjalistika-ne-plazhe-qeveria-ben-tender-jashte-afatit-dhe-investimet-nuk-kane-vlere-55322" }