Mustafaj: Hetimet për Azemin t’i nisë ish-miku i tij, Edi Rama

Publikuar tek: politike, më 19:51 13-09-2015 Mustafaj: Hetimet për Azemin t’i nisë ish-miku i tij, Edi Rama

Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, kërkon nga kreu i PD-së Lulzim Basha ta ndërtojë opozitarizmin e tij duke ofruar alternativë dhe propozime konkrete, dhe jo duke sulmuar qeverinë.

Në një intervistë për “Panoramën”, Mustafaj thekson se PD është një parti e madhe dhe ka nevojë të jetë e konkurrueshme vetëm nëpërmjet alternativave, gjë të cilën sipas tij Lulzim Basha ose nuk e ka kuptuar se duhet ta bëjë, ose nuk di ta bëjë.

Në 17-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, themeluesi i PD-së jep edhe një alternativë për zbardhjen e ngjarjes në të cilën humbi jetën studenti i Dhjetorit. Sipas Mustafajt, një hetim të ri për çështjen “Hajdari”, mund ta ndërmerrte fare mirë edhe ish-miku i tij, Kryeministri Edi Rama.

Themeluesi i PD-së sheh përgjegjësi për moszbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit edhe tek ish-kryeministri Sali Berisha, i cili sipas tij di edhe më shumë se të tjerët lidhur me atë që ka ndodhur. Opozita kujtoj sot tribunin e demokracisë, Azem Hajdarin.

A ka bërë PD sa duhet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të cilën e ka cilësuar me motive politike gjatë kohës që ishte në pushtet? Apo e ka përdorur për motive politike, duke afruar më shumë militantë pranë vetes?

Vrasja e Azem Hajdarit është pastërtisht politike dhe, deri më sot, nuk kanë dalë fakte që ta hedhin poshtë. Vrasësit dhe bashkëpunëtorët e tyre, me aq sa dihet, disa kanë gjetur belanë e vet dhe disa janë në burg, me dënime të rënda. Por, pyetja nuk mund të shtrohet në përgjithësi, nëse Partia Demokratike ka bërë aq sa duhet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pyetja duhet shtruar nëse Berisha ka bërë sa duhet për zbardhjen e ngjarjes. Në disa raste, para vitit 2005, ai ka qenë shprehur publikisht se vrasjes së Azem Hajdarit nuk i është shkuar në fund dhe ka qenë zotuar ta bëjë një gjë të tillë sapo të kthehet në pushtet. Ai sigurisht që di më shumë se ne të tjerët, qe kemi qenë përreth tij. Fakt është se, me të marrë pushtetin, nuk ka bërë asgjë. Nuk di të them nëse deklaratat e tij të më- parshme ishin bujë mediatike opozitare, apo buronin nga informacionet dhe bindjet e tij, të cilat më pas i nxori në harresë. Do të thosha me këtë rast se Azem Hajdari është vrarë nga njerëz me uniformën e policisë. Dhe kjo është kryesorja. Rrjedhimisht, ajo ka të gjitha shenjat e një vrasjeje shtetërore. Pra, do të ishte në nderin e shtetit që të ndërmerrte një hetim të ri, serioz dhe të pavarur rreth kësaj vrasjeje. Kjo mund t’i shkonte si nismë edhe Edi Ramës, me të cilin, me sa di unë, Azem Hajdari ka pasur marrëdhënie personale relativisht të afërta, të paktën gjatë kohës kur Azemi drejtonte këshillin botues të gazetës “Koha Jonë”. Një nismë e tillë nga ana e Edi Ramës do të ishte, për nga vlera, e ngjashme me nismën e tij për ligjin mbi hapjen e dosjeve.

Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë arrestimet e muajve të fundit të deputetëve për vepra të rënda penale, të cilat referuar kontekstit historik të politikës shqiptare shënohen për herë të fundit me arrestimin e Gafurr Mazrekut për plagosjen e Azem Hajdarit?

Janë arrestuar dy deputetë të Partisë Socialiste, me të cilët unë nuk kam pasur kurrë rastin të jem në një sallë. Ata kanë hyrë në politikë pasi unë jam dorëhequr. Si deputet i vjetër, i zgjedhur qysh në mars 1991, dhe në vazhdim katër herë deri në vitin 2009, unë sinqerisht që ndiej një shije shumë të hidhur nga lajmi se një anëtari të Parlamentit i vihen hekurat si një keqbërës ordiner. Tashmë jemi në një fushatë të zhurmshme publike lidhur me dekriminalizimin e politikës. Të dy deputetët në fjalë, si njëri dhe tjetri, nuk kanë shkuar në burg si pasojë e kësaj fushate. Jo. Madje, si njëri dhe tjetri e kanë ende de juro mandatin e deputetit, dhe paguhen si të tillë, në pritje për t’u gjykuar. Pra, me këta shembuj edhe me dorëzimin e mandatit nga ana e deputetit të Lezhës, politika nuk ka ende asnjë të drejtë të ndihet krenare pse po bëhet më e moralshme. Të dy deputetët e çuan veten në burg me të njëjtin stil si Gafurr Mazreku 17 vjet më parë. Opozita, gjithsesi, merr të drejtë të inkurajohet pse këta dy shembuj përbëjnë prova të padiskutueshme të parimësisë së denoncimeve të saj të përsëritura lidhur me kriminalizimin e politikës nga ana e Edi Ramës. Partia Socialiste, nga ana e vet, e ka të domosdoshme të bëjë një analizë të brendshme për të nxjerrë përgjegjësitë pse u bë ajo strehë e njerëzve të tillë. Për sa kohë nuk bëhet një analizë, nuk ka vend për shpresa të mëdha se politika qeverisëse do të moralizohet.

Si do ta vlerësonit opozitarizmin e Bashës në dy vite në krye të PD-së? Dhe a ka vend akoma për të diskutuar se kush e drejton realisht PD-në mes tij dhe Berishës? A e dëmton kjo opozitën?

Opozitarizmi i Bashës në këto dy vjet ka qenë përgjithësisht reaktiv. Do të thosha se Basha dhe ekipi i tij kanë reaguar me mprehtësi dhe kurajë ndaj qeverisjes së keqe të Ramës. Shqisa e tyre denoncuese ka qenë zgjuar. Kjo gatishmëri reaguese ka sigurisht të mirën e vet. Ajo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik te problemet që kalon zhvillimi politik dhe ekonomik i vendit. Por është shumë larg përmbushjes së rolit politik që pritet nga opozita. Ne e pamë në zgjedhjet vendore të qershorit sa larg është Partia Demokratike për t’u shndërruar në alternativën qeverisëse për shoqërinë shqiptare. Dy vjet nuk janë pak për të parë të paktën lindjen e një prirjeje të re në besueshmërinë e opinionit publik. Ndërsa besueshmëria e shqiptarëve vetëm ishte përkeqësuar. Kanë qenë, megjithatë, dy vjet të mbushura me zullume dhe gafa të mëdha nga ana e qeverisë. Që do të thotë se ka një akumulim në rritje të pakënaqësisë. Le të përmendim vetëm një shembull: Gjergj Bojaxhi, pa bërë fare fushatë nëpër sheshe dhe rrugë, pa qenë fare i pranishëm vizualisht në dekorin e qytetit dhe as me debatet e mëdha televizive, mori 16 mijë vota vetëm brenda qytetit të Tiranës. Kjo do të thotë se qartazi njerëzit po kërkojnë një alternativë. Por alternativa nuk ndërtohet vetëm me denoncime. Alternativa, sidomos nga një parti e madhe siç është PD, ndërtohet me propozime.

Si ju duket strategjia e PD-së pas humbjes së zgjedhjeve vendore, ku përgjegjësitë i ka parë më shumë te procesi zgjedhor se sa te çështjet e brendshme. Duhet të këmbëngulë më shumë te përmirësimi i performancës së saj politike apo rritjen e standardeve të zgjedhjeve?

Nuk shoh ndonjë strategji. Madje, nuk shoh asnjë kuptim politikisht të argumentuar për atë që duhet të bëjë. Hedhja e përgjegjësisë te procesi zgjedhor, përfshirë këtu edhe rrugët e paligjshme e të pamoralshme që përdori PS apo LSI për të pushtuar zyrat e kryebashkiakëve apo të këshillave bashkiakë, është një taktikë e vogël, e momentit, që nuk çon larg. Duhet të kryhet sa më shpejt ajo që është premtuar: analiza e shkaqeve të humbjes. Që do të thotë se nuk është aspak fjala këtu për të “këputur” koka drejtuesish lokalë apo edhe koordinatorë të qendrës, por, për të shqyrtuar me seriozitet politik se çfarë nuk shkoi në fushatë: që nga programi, mënyra e dialogut të zhvilluar me qytetarët, mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve, toni i mbajtur në Î debatin me kundërshtarin politik, filozofia e ndërtimit të koalicionit, sjellja ndaj shtresave shoqërore të presupozuara si më të lidhura me idealin e djathë etj. Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve mund të përbënte thelbin e një strategjie të përshtatshme për rrethanat e që nuk parakupton aspak një “gjueti shtrigash” siç dëgjoj të thuhet gjithë frikë. Nëse në qershor 2017 do të duhet të tregohet dikush me gisht, për mirë apo për keq, ky do të jetë Basha, ashtu siç ndodhi në vitin 2013 me Berishën. PD do të mund të ndikojë në rritjen e standardit të zgjedhjeve vetëm kur të jetë vetë bartëse e shpresës popullore për ndryshimin. Përndryshe, ajo do të vazhdojë të mëkohet në shtratin e viktimës, duke u zvogëluar vit pas viti.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Rock ‘n Roll” mes partizanëve, nisin përgatitjet në Pezë (Foto)
Ministrja Kodheli vëzhgon nga lart stërvitjen ushtarake “Biza-15” (Foto) »
Article Logic
Execution time: 0.017657041549683
array(1) { ["section"]=> string(66) "mustafaj-hetimet-per-azemin-t-i-nise-ish-miku-i-tij-edi-rama-20680" }