Ndahen tri çmime përkujtimore në nder të Agollit, Lalos dhe Rondos

Publikuar tek: kulture-art, më 17:45 20-12-2017 Ndahen tri çmime përkujtimore në nder të Agollit, Lalos dhe Rondos

Edicioni i pestë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në një mbrëmje gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2017. Në fjalën e çeljes së aktivitetit, presidentja e fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, u shpreh se aktivitete të tilla kanë si qëllim të promovojnë vlerat dhe kontribuesit e artit dhe kulturës kombëtare.

“Në hapësirën tonë shqipfolëse ka me dhjetra e qindra emra të spikatur në fushat ku ata veprojnë. Një pjesë e tyre, dalin jashtë vëmendjes vlerësuese për shkaqe harrimi. Ne po përpiqemi që t’u themi ‘Faleminderit!’, si emrave të shquar me kontribut disavjecarë, ashtu edhe disa të rinjve të talentuar që premtojnë në fushat ku ata janë të fokusuar. Kultura është identitet i një kombi, prandaj ajo duhet të ketë më shumë vëmendje se të gjithë sektorët e tjerë”, - ka vijuar ndër të tjera Rama.

Pas përshëndetjeve të rastit nga prefekti i qarkur Fier, Baki Bala, kryetari i qarkut Fier, Vangjel Ndreka etj, nisi ceremonia e dorëzimit të cmimeve. Kështu, akademiku Ali Aliu dorëzoi çmimin e madh “Harpa” për aktoren Natasha Sela, si aktore e spikatur për interpretim me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike. Sela ndër të tjera falenderoi organizatorët ndërsa u përlot kur tha se çmimin ia dedikon te shoqit, aktorit të njohur, Fatos Sela, i cili nuk jeton më.

”Njeriu i vitit” u shpall publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, si promovues i vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, me një rol të veçantë në ndërveprimin e kulturave franko-shqiptare.

Studiuesi Nasho Jorgaqi dorëzoi çmimin për poetin më të mirë të vitit, i cili shkoi për poetin Faslli Haliti, si autor me individualitet të lartë krijues, i mendimit dhe mesazheve të fuqishme, me ndikim të cilësuar në letërsinë tonë kombëtare.

Për aktorin Todi Llupi do të jepej çmimi i karrierës me motivacionin: “Një nga emblemat e humorit shqiptar. Një jetë të tërë ka ditur t’i dhurojë publikut mbresa dhe kënaqësi gjatë interpretimit të tij, përmes dhjetëra karaktereve të papërsëritshme”.

Në këtë garë u vlerësua si gazetarja më e mirë e vitit, Alma Mile e gazetës “Panorama”, nën motivacionin “Për trajtesat e një korpusi të gjerë tematik dhe profesionalizmin e dëshmuar në evidentimin e lajmit kulturor në medien e shkruar”.

Aktorja më e mirë e vitit, aktorja Delinda Zhupa për cilësi në interpretimin e karaktereve të ndryshme dhe krijimin e personazheve të larmishme.

Institucioni më i mirë i vitit u shpall Biblioteka Publike e Fierit, si një institucion që ka organizuar dhjetra aktivitete librore gjatë këtij viti. Në të njëjtën kohë, u vlerësua piktorja e re Vitjola Stefani dhe baritoni Gëzim Xhaxhaj.

Veç shumë çmimeve të tjera, Fondacioni “Harpa” ndau edhe disa çmime In memoriam, në nderim të figurave që nuk jetojnë më, mes të cilëve poetit Dritëro Agolli “Për kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë kombëtare. Personalitet i shquar i letrave, duke na lënë pas një trashëgimi të çmuar në mbarë kulturën shqiptare”, kompozitorit Aleksandër Lalo si “Emër i shquar i muzikës shqiptare, duke i sjellë asaj një erë të re zhvillimi. Një kompozitor i shkallës sipërore, që krijoi kolanë të veçantë dhe në filmin shqiptar” dhe aktores Hajrie Rondo si “Një aktore e madhe, mjeshtre e aktrimit, që u bë e përjetshme me rolin e Tanës, por duke gdhendur dhe një mori të gjerë personazhesh të të gjitha tipologjive”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kanuni i Lekë Dukagjinit tani edhe në App Store, interes i jashtëzakonshëm
Një natë para fillimit të festivalit në RTSH, këngëtari i madh Riccardo Cocciante fillon provat në Pallatin e Kongreseve (FOTO) »
Article Logic
Execution time: 0.005012035369873
array(1) { ["section"]=> string(72) "ndahen-tri-cmime-perkujtimore-ne-nder-te-agollit-lalos-dhe-rondos-103783" }