Nderim apo pushim për Nënë Terezën?

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:57 19-10-2015 Nderim apo pushim për Nënë Terezën?

Nga Afrim Krasniqi

19 tetori është zyrtarisht ditë pushimi. Të gjitha zyrat e shtetit shqiptar, universitetet, shkollat, qëndrat e mëdha të aktivitetit tregtar dhe zyrat e shërbimeve lokale janë të mbyllura. Zyrtarisht, parlamenti shqiptar ka vendosur që cdo 19 tetor të pushohet në nderim të Nënë Terezës, në ditën e lumturimit të saj. Sepse Nënë Tereza është një legjendë humane, një mit me tipare njerezore dhe inspirim i gjallë.

Kur flasim për Nënë Terezën secili prej nesh ndjen respekt e krenari për gruan trupvogël por shpirtmadhe që arriti të bëhet simbol i humanizmit në botë. Gruaja që nuk la rast pa theksuar gjakun shqiptar ia arriti me punën dhe përkushtimin e saj të fitojë Cmimin Nobël për Paqen, titullin më të lartë botëror. Ajo gëzon njëherësh Medaljen e Lirisë të SHBA-ve, vlerësimin më të lartë të shtetit amerikan, si dhe njëherësh dekoratën më të lartë të shtetit rus, britanik, francez, indian, meksikan, dhe të 25 shteteve të tjera anëkend botës. Nënë Tereza është gjithashty shqiptarja e parë dhe e vetme që mban titullin “Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Nënë Tereza nuk luftoi për cmime dhe nderime, ajo u cmua dhe u nderua nga të tjerët, por paradoksalisht shumë më tepër sesa vetë atdheu i saj, shteti shqiptar. Qeveria indiane ka të drejtë kur tregohet arrogante ndaj flluskave deklarative të qeverisë shqiptare për zhvendosjen e varrit të Nënë Terezës nga Kalkuta në Tiranë. Ajo ka të drejtë kur thotë se shteti shqiptar e ka refuzuar Nënë Terezën dhe kam frikë se ka të drejtë edhe kur shton se shteti shqiptar nuk e meriton Nënë Terezën. Pse? A nuk kemi ndërtuar një bust për të, a nuk kemi shpërndarë mijëra dekorata me emrin e saj, a nuk i kemi vënë emrin aeroportit dhe një qëndre spitalore në Tiranë? Në fund të fundit, a nuk kemi një ditë pushimi në kujtim të saj? A nuk mbushim sot me pije dhe kafe baret, restorantet, lokalet; a nuk mbyllim sot shkollat, universitetet, akademitë, zyrat e shtetit, në kujtim të Nënë Terezës? Po, e kemi bërë dhe e bëjmë, madje më shumë dëshirë. Kështu veprojmë çdo 19 tetor, ashtu sic veprojmë edhe 17 ditë të tjera të vitit, gjatë të cilave shënohen festat fetare, festa kombëtare, festa e gruas, e punëtorëve, dhe plot e plot të tjera. Atëherë pse të tjerët na thonë se ne nuk e meritojmë Nënë Terezën?

Kam frikë se të tjerët, përfshirë edhe qeverinë indiane apo rrjetin e motrave të Nënë Terezës në Indi, njohin edhe anën tjetër të “nderimit” që ne i kemi bërë dhe po i bëjmë Nënë Terezës. Konkretisht, shteti komunist i refuzoi tre herë kërkesën e saj për vizitë në Shqipëri madje edhe më 1974, kërkesën për pjesëmarrje në varrimin e nënës së saj. Në letren e saj të fundit (1989) Nënë Tereza i lutet kreut të shtetit komunist me dëshirën për tu lejuar të shohë varret e prindërve dhe të afërmve të saj. Nënë Tereza u lejua të hyjë në Shqipëri vetëm atëherë kur regjimi komunist i pati ditët e numëruara. Fati i saj në marrëdhëniet me shtetin shqiptar ishte edhe më tragjik. Ditën më të lumtur të jetës së saj, në dhjetor 1979 kur ajo fitoi çmimin Nobel për Paqen, i vetmi shtet që e rezufoi ishte shteti shqiptar. Në mediat zyrtare shqiptare nuk u dha asnjë lajm, nuk u bë asnjë koment, kurse diplomatët shqiptarë jashtë e trajtonin atë si person non grata. Kulmi arriti më 1985 kur Nënë Tereza u ftua të mbajë fjalim solemn në hapjen e sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në NewYork. Në momentin e fjalimit ambasadori dhe delegacioni shqiptar në OKB në mënyrë demontrative braktisi sallën.

Në vitet e demokracisë, kur Nënë Tereza erdhi e lirë në Shqipëri, shteti shqiptar më shumë u kujdes për autografe e foto personale sesa për korrigjimin e sjelljes dhe gabimeve të veta historike. Kështu, ende sot, pas 19 vitesh demokraci dhe 12 vjet pa Nënë Terezën, ende nuk kemi një shtëpi muze për Nënën, ende varrezat e nënës, motrës dhe të afërme të saj janë të mbuluara nga harresa në periferi të qyteteve, ende emri i saj vijon të keqpërdoret për spekullime dhe përfitime politike të ditës.

Le të kujtojmë se diku në cep të Universitetit Politeknik të Tiranës, në mes erresirës, papastërtive dhe harresës ndodhet e braktisur e vetmja shtatore zyrtare e Nënë Terezës. Sheshi që mban emrin e saj është shndërruar në shesh parkimi, ndërkohë që në Rinas, aty ku kryqëzohen rrugët, ndodhet një shtatore tjetër zyrtare, një gjetje e gabuar për nga forma, vendi, simbolika dhe e ardhmja. Në vend të hapësirës për kontakt me njerëzit apo mundësive për fotografi kujtimesh, shtatorja rrethohet nga trafiku i dendur i makinave dhe në jo pak raste, përballet me goditjen e makinave të shoferëve të dehur.

Le të kujtojmë se ndonëse është simboli ynë më i madh i kohëve moderne, presionet e disa grupeve ekstremiste të lidhura me pushtetin, refuzuan që portreti i Nënë Terezës të vendosej në simbolet e prezantimit shtetëror, kartat, pasaportat apo edhe kartmonedhat e reja. Argumenti i tyre absurd – ajo ka qenë aktiviste e një feje. Ne mund të gjejmë në kartmonedhat tona portrete të figurave historike me konotacion fetar, madje edhe të veshur me rroba fetare dhe kjo është normale, por kur vjen puna tek Nënë Tereza refuzimi ishte i prerë, i ashpër, kërcënues.

Le të kujtojmë se në Tiranë dhe jo vetëm në Shkup, në gjuhën shqipe dhe jo vetëm në atë maqedonase, nga zyrtarë të shtetit për kulturën dhe jo vetëm nga zyrtarë maqedonë për kulturën, janë botuar studime provokuese që mohojnë përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës dhe e cilësojnë atë as më pak e as më shumë sesa arumune. Le të kujtojmë se shteti cdo vit financon botimin e dhjetra librave mburravece për trimëritë partizane apo monografi e kujtimet personale pa vlera shkencore, ndërkohë që as shteti, as shtëpitë botuese dhe asnjë ent tjetër publik nuk ka investuar ende një kolonë studimore, monografike apo përshkruese mbi Nënë Terezën.

Le të kujtojmë se ne kemi në Shqipëri shtëpi muze për diktatorin Hoxha, për bazat e luftës antifashiste, për konferenca lokale apo për shkrimtarë të njohur, por ne ende nuk kemi një shtëpi muze për Nënë Terezën, imazin më të mirë që një person mund tu krijojë shqiptarëve në botë. Ne kemi shkolla që mbajnë emra të Haxhi Qamilit apo atentatorëve të luftës, të bizmesmenëve të tranzicionit, të sportistëve të zakonshëm apo të prindërve e të afërmve të drejtuesve të shtetit, por ne nuk kemi asnjë shkollë në Shqipëri që mban emrin e Nënë Terezës.

Le të kujtojmë se vendlindja dhe vendbanimi i prindërve të Nënë Terezës (Shkodra), me shumë ndërmjetësime pranoi vendosjen e një shtatorjeje simbolike për të, ndërkohë që i njëjti qytet u tregua shumë më bujar për të vendosur shtatoren e ndonjë gjenerali të një ushtrie pushtuese të atij qyteti. Ne akoma në Tiranë mbajmë qytetar nderi diktatorin rus Hrushovin apo ish kryeministrin e Malajzisë, por asnjëherë Tirana nuk gjeti një moment nderimi edhe për Nënë Terezën.

Së fundi, le të kujtojmë se sivjet, me 27 gusht Nënë Tereza kishte datëlindjen, kurse me 5 shtator ajo kishte përvjetorin e vdekjes. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin asnjë lajm zyrtar, asnjë aktivitet shtetëror, asnjë shenjë nderimi e kujtimi, asnjë botim prezantues, asnjë cmim vlerësues apo akt tjetër shtetëror e publik në nderim të veprës dhe jetës së saj. Shteti ishte i zënë me ndarjen e posteve në qeveri apo me debatet për postin e kreut të opozitës.

Kjo politikë mosmirënjohëve, pa kujtesë dhe antivlerë, ia ka lejuar vetes që 660 vjet pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu të zhvendosë bustin e tij në këmbim të interesit ditor për ta zëvendësuar me një shtetar të radhës, të cilit qytetarët e votuan për kryeministër dhe ai u vetshpall mbret. Kjo frymë antivlerë nxiti zyrtarët të inicojnë heqjen e emrit të themeluesit të shtetit shqiptar, I.Qemali nga universiteti shtetëror i Vlorës, apo që varrin e piktorit Nderi i Kombit, I.Kodra ta degdisim në anonimitetin e një fshati të Durrësit. Zëra të tillë ndërthurin injorancën dhe arrogancën kur për mosnderimin e Nënë Terezës gjejnë alibinë se ajo jetoi dhe bëri më shumë për të varfërit në Kalkuta sesa tek ne. Kështu, ata “harrojmë” se asnjë shqiptar i shekullit XX nuk i ka dhënë më shumë nder, imazh, respekt dhe autoritet Shqipërisë dhe shqiptarëve sesa Gonxhe Bojaxhiu.

A e meritojmë Nënë Terezën. Natyrish që po. Atëherë pse vihet në dyshim kjo? Sepse nëse Shqipëria do të ishte vetëm ajo dyzinë politikanësh egoistë, ekstremistë dhe mosmirënjohës, si ata që kanë lejuar, investuar dhe akoma nxisin qëndrime të tilla paradoksale ndaj saj, atëherë vertetë ne nuk do ta meritonim Nënë Terezën.

Ne jemi një shtet dhe një popull që kemi nevojë të fitojmë kohën e humbur, idnetitetin dhe vlerat tona të cënuara. Ndaj 19 tetori nuk meriton të jetë ditë pushimi. Sepse pushimi, në cdo këndvështrim nuk i jep sa duhet nderim figurës së Nënë Terezës, kujtimit dhe pasurisë së madhe shpirtërore që ajo na la pas. 19 tetori duhet të jetë një ditë reflektimi qytetar për të ritkthyer ndërgjegjen dhe vlerat, për të apeluar fitoren e të mirës, ndjenjat humane dhe ndihmën për njerezit në nevojë, për të thirrur në kujtesë faljen dhe përgjegjësinë, dhe së fundi, për të nxitur qytetarët e shoqërinë të bëjnë sa më shumë punë të mira, ashtu sic thoshte Nënë Tereza, “punë të vogla, por me dashuri të madhe”.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029443025588989
array(1) { ["section"]=> string(40) "nderim-apo-pushim-per-nene-terezen-23451" }