'Ndjesi pranverore', pianistja shqiptare recital në Washington

Publikuar tek: kulture-art, më 09:30 31-05-2019 'Ndjesi pranverore', pianistja shqiptare recital në Washington

Pianistja shqiptare Merzana Kostreci ka mbajtur recitalin e saj në Washington. Të bësh karrierë në një vend të huaj është padyshim e vështirë, por artistja shqiptare ia ka dalë më së miri.

Burim Goxhuli i Zërit të Amerikës ndoqi koncertin e saj fundit të titulluar “Ndjesi pranverore”. Duartrokitjet ishin të gjata në fund të interpretimit të pianistes shqiptare që u vlerësua shumë nga të pranishmit në koncert.

Kostreci, po bën karrierë si pianiste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ëndërr të cilën e ka të hershme që nga fëmijëria.

“Unë e kam nisur pianon që e vogel dhe kam vite që performoj për publikun. Jo vetëm që është e veçantë për mua, sepse mua më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikes, por kur luaj muzikë klasike, piano për mua është si një pjesë e imja. Performanca në piano dhe pjesët kur unë luaj për publikun, shprehin atë që mund të ndjej dhe nuk e them dot me fjalë. Kënaqësia më e madhe është kur edhe publiku e pëlqen performancën dhe unë arrij të përcjell ndjenjat e mija nëpërmjet muzikës tek publiku”, thotë Merzana.

Pianistja Kostreci deri tani ka realizuar disa performanca në Evropë e SHBA. Çmimet artistike të fituara në Shqipëri, i mundësuan asaj shkollimin në Universitetin e Muzikës në Këln të Gjermanisë.

Mirëpo, diplomimi në vitin 2003 duket se nuk i mjaftoi Merzanës. Më pas ajo vazhdoi studimet për piano në Universitetin e Maryland-it, në Shtetet e Bashkuara.

Kostreci, tregoi për Zërin e Amerikës, për vështirësitë që mund të ketë një emigrant për të bërë karrierë në Amerikë, sidomos në zhanrin e muzikës klasike.

“Sfida që kam hasur unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend i huaj së pari, ka qenë sepse nuk është vendi ku ke lindur dhe do pak kohë që të krijosh një reputacion si muzikante. Gjithashtu kam pasur vështirësi si muzikante klasike, sepse këtu ka nga të gjitha llojet e rrymave të muzikës që konkurrojnë për të patur një treg, për t’u bërë të sukssesshëm”, thotë Merzana.

Këto komente pianistja Merzana Konstreci i bëri një ditë para koncertit që pati në qendrën e artit “Katzen” në Universitetin Amerikan, ku interpretoi përpara një publiku me shqiptarë e të huaj.

“Pjesët që kam zgjedhur për këtë recital janë kryesisht pjesë të stilit romantik. Kam katër pjesë nga Shopen. Pjesët nga Shopen janë intime në përgjithësi dhe i kam zgjedhur tamam për sezonin e pranverës. Gjithashtu kam një pjesë nga Shuman, që është një pjesë më virtuoze. Gjithmonë kam qejf të kem pjesë virtuoze në repertor, sepse janë më ritmike dhe më të gjalla”, thotë ajo.

Interpretimin e saj e shoqëruan duartrokitjet e gjata. Nuk munguan as lëvdatat për artisten Kostreci, nga publiku që u largua nga shfaqja me përshtypje dhe ndjenja pozitive.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.13505983352661
array(1) { ["section"]=> string(66) "ndjesi-pranverore-pianistja-shqiptare-recital-ne-washington-166376" }