Ne qeverisemi prej kohësh nga pakica

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:11 14-07-2015 Ne qeverisemi prej kohësh nga pakica Kryetarët e zgjedhur sipas përqindjes reale

Nga Afrim Krasniqi

Demokraci do të thotë zgjedhje dhe sistemi zgjedhor mundëson që gjithnjë të ketë fitues e të humbur. Ai që fiton, merr legjitimitetin e qytetarëve për të qeverisur. Kështu u themi studentëve dhe fëmijëve tanë! Po, a është demokracia vetëm shifër? Jo, demokracia është shumë më tepër se procedurë apo shifra, është përmbajtje, është kontratë besimi, është ushtrim sovraniteti, është garë për alternativën më optimale për mirë-qeverisje! A ndodh gjithnjë kështu? Jo.

Le të shohim zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri. Nga 3.3 milion zgjedhës (mbi moshën 18 vjec, pra përjashtohen ata nën moshën 18 vjec dhe që nuk janë pak), votuan 47% e tyre. Për të zgjedhur një kryetar bashkie në cdo bashki të re pati një përqindje fituesi, e cila nëse llogaritet si përqindje e vetëm atyre që kanë votuar del e lartë, por nëse llogaritet si përqindje e numrit të zgjedhësve në zonën elektorale, atëherë rezultatet janë shokuese: ne qeverisemi dhe vijojmë të qeverisemi prej kohësh nga pakica! Tabela krahasuese midis përqindjes në zgjedhje, përqindjes së votave të kandidatit fitues dhe përqindjes reale që votat e fituesit zënë në totalin e listës së zgjedhësve në zonë (53% e tyre nuk janë votuar, nuk kanë interes për politikën, një pjesë jeton jashtë apo kanë votuar duke refuzuar votën, duke protestuar me votë të bardhë, duke injoruar fushatën ose kanë pasur pengesa për të votuar...) dëshmon se në asnjë nga 61 bashkitë kryetarët e rinj nuk janë zgjedhur as me gjysmën e votave të të gjithë zgjedhësve, pra as nga gjysma e qytetarëve mbi 18 vjec në bashkinë përkatëse. Në dy bashki kemi përqindje të lartë, Skrapar 48% dhe Pustec 49%, pra ku kryetarët e rinj kanë votuar kaq përqindje nga vota totale e zgjedhësve, atyre që votuan dhe atyre që nuk votuan. Në të tjerat rezultati luhatet nga 14 në 34% të numrit total të zgjedhësve.

votareale

 

Tabela ilustron disa raste nga më të dukshmet: në Dropull e Finiq kryetari ka vetëm 14% vota reale, në Memaliaj 17%, në Sarandë 20%, në Kurbin e Vlorë 21%, Himarë, Selenisë e Belsh 22%, në Rrogozhinë 23%, në Fier, Durrës e Konispol vetëm 24%, në Shkodër, Berat, Pogradec, Korcë, Malsi e Madhe e Kërlcyrë vetëm 25% e zgjedhësve ose një e katërta e zgjedhësve efektivë. Tirana e zgjedh kryetarin me 27% të votave të të gjithë zgjedhësve të regjistruar, Elbasani, Gjirokastra, Kamza etj me 28% dhe kështu me rradhë. Nëse i referohemi votave reale që kanë marrë kandidatët fitues në raport edhe me ata që nuk kanë votuar, pra duke përllogaritur votat e fituara me përqindjen e pjesëmarrjes atëherë rezulton se në bashki si Pustec vota reale për kryetarin është vetëm 945 vota, në Libohovë 1913, Polican 1950, Kërlcyrë, Konispol, Fush Arrëz e Puke me 2.6 deri 2.7 mijë vota, në Tepelenë, Delvinë, Kolonjë e Skrapar me nga 3.5 deri 3.9 mijë vota, etj.

Tej shifrave ka vlerë debati, sa përfaqësues janë të zgjedhurit e rinj vendorë dhe më tej, edhe përfaqësuesit tanë në parlament dhe në strukturat vendimmarrëse politike? a mundet që pakica të vijojë të qeverisë, të përcaktojë rregullat e lojës, të administroje e kontrollojë procesin dhe në fund, ajo vetë të hyjë në garë midis pakicave dhe të imponohet si shumicë qeverisëse dhe më e mira për vendin? A mundet që të zgjedhurit nga pakica e votuesve efektivë të ndërtojnë demokraci funksionale edhe për ata që nuk i kanë votuar ose që kanë refuzuar tërësisht procesin? A mundet që demokracia të bazohet vetëm në shifra dhe jo në besimin që krijon, nivelin e përfaqësimit dhe cilësinë e votës dhe sjelljes ndaj sovranitetit qytetar? A do jetë më mirë të kemi një tavan pjesëmarrje prej 50% që zgjedhjet të quhen apo që vota të bëhet detyrim ligjor sic e kanë disa vende?

Janë pyetje e pyetje që nuk kanë përgjigje. Ka kohë, shumë kohë që në Shqipërinë tonë politike askush nuk jep përgjigje. Është tipar i cdo vendi ku pakicat oligarkike sundojnë mbi shumicat, herë me forcë, herë me ideologji, herë me sistemin e gjobave, herë me manovrat e KQZ, herë me shërbime sekrete apo dhunë verbale dhe herë me injorim të zërit të lirë dhe të pavarur qytetar. Një problem thelbësor, me të cilin ende as nuk kemi nisur të përballemi!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02294397354126
array(1) { ["section"]=> string(42) "ne-qeverisemi-prej-kohesh-nga-pakica-16130" }