'Në vend me m'harru ju më shumë po m'doni', Nexhmije PAGARUSHA elektrizon Tiranën: Me shumë pabesi kam arritur deri këtu

Publikuar tek: kulture-art, më 21:25 06-05-2018 'Në vend me m'harru ju më shumë po m'doni', Nexhmije PAGARUSHA elektrizon Tiranën: Me shumë pabesi kam arritur deri këtu Nexhmije Pagarusha

NGA KLESIANA OMERI

Me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes së zonjës së madhe, Nexhmije Pagarusha (Nderi i Kombit), Tirana festoi sot ditëlindjen e “Mbretëreshës” së këngës shqiptare në një ceremoni, ashtu si një artiste e vërtetë e meriton.

Në ambientet e Akademisë së Arteve, u organizua ceremonia e nderimit të artistes, me praninë e personaliteteve të njohura, të fushave të ndryshme dhe gjithë dashamirësve të muzikës së saj. Bilbilit të Këngës Shqipe, me rastin e 85-vjetorit të ditëlindjes që është ditën e nesërme, por që Tirana e festoi sot, iu akordua dhe një çmim mjaft i rëndësishëm, nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, medalja e Mirënjohjes.

Rëndësia e muzikës së zonjës së madhe, dhe vlerat e veprës janë çmuar dhe vlerësuar nga figura të njohura, njohës të artit ose jo. Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti i Republikës Ilir Meta, ministra nga Shqipëria dhe Kosova, akademikë, gazetarë dhe personalitete të fushave të ndryshme. Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, a unë që jam me ju, apo ju me mua”- kështu u shpreh artistja e madhe, për urimet që iu bënë në fillim të mbrëmjes.

Më pas për të gjithë adhuruesit e artit të saj, dhe për kënaqësinë e të pranishmëve, u shfaq inserti i jetës së saj, karrierës së saj të gjatë, që vështirë se mund të shpjegohej dhe thuhej aq bukur sa artistja e meriton, në aq pak minuta. Në ceremoninë e organizuar në nder të saj, Nexhmija foli edhe për talentin tjetër të saj, aktrimin. Duke u kthyer pas në kohë, dhe plot nostalgji, artistja e madhe kujton: Aktrimi ka qenë më vonë se kënga, bile Ekrem Kryeziu (Regjisor dhe skenarist) ka pas thënë për mua, kur festova 80-vjetorin, dhe ai ishte aty,se Nexhmije Pagarusha nuk ka lidhje aktrimin, por ajo e ka marrë prej Evropës, disa që kanë shkruajtur drama televizive, dhe merren me mend se kush e ka marrë çmimin e parë; Nexhmije Pagarusha. Kam kënduar ashtu si kam ditur vetë.”- është shprehur mes emocionesh zonja e madhe, teksa shton se ka kënduar edhe muzikë klasike, ku ka mbajtur një koncert në Prishtinë vite më parë, por që fatkeqësisht ai koncert nuk është mundur të regjistrohet, por që sigurisht në memorien e atyre që kanë pasur kënaqësinë ta ndjekin, do të mbetet gjithmonë.

Screenshot_4_copy.jpg

E mallëngjyer për pritjen që i bënë Nexhmija shprehet: Në vend me m’harru, ju më shumë po m’doni, por si mundet që një zë dhe figurë brilante si e Nexhmije Pagarushës të harrohet? Pasi ndoqën këngën “Baresha”, nga personalitetet që ishin të pranishëm, për të përshëndetur artisten e madhe, fillimisht u ngjit në skenë, muzikanti i madh shqiptar, Zhani Ciko.

Jemi të emocionuar me artin tënd, personalitetin tënd, me atë çfarë i ke dhënë kombit tënd në përgjithësi. Kështu që është e vështirë të gjesh atë notën e fillimit ,që për ty është e kollajtë, por për mua e vështirë. Dëshiroj të kujtoj dhe bëj me dije, se është e vërtetë që Ansambli “Shota”, ka ardhur në atë kronikën që ne pamë, por para Shotës, dallëndyshja e parë, që erdhi në Shqipëri, e veçantë, dhe që ishte një mbarësi ishte Nexhmije Pagarusha, në një koncert të Ansamblit të këngëve dhe valleve. Ishte viti 1971 kur morëm vesh se do të vijë një këngëtare e madhe e Kosovës, e cila do të këndonte dy këngë në koncertin e Ansamblit.”- shprehet Ciko dhe kthehet pas në kohë, teksa kujton kohët e arta, kur shqiptarët patën mundësinë të dëgjonin zërin e mrekullueshëm të Nexhmije Pagarushës.

Screenshot_2.jpg

Me shumë pabesi kam arritur deri këtu. Përse kam arritur deri këtu? Nuk mundem me fol, nga emocionet.”- kështu u shpreh artistja teksa u bë gati të recitonte disa vargje të ndjera. Më pas, për të përshëndetur artisten e nderuar, mori fjalën presidenti Shqipërisë Ilir Meta, i cili i emocionuar dhe i kënaqur për nderimin e artistes u shpreh: Nuk kam qenë sot në Tiranë, por kam ardhur, pasi nuk mund të mos mungoja për t’u takuar me artisten tonë të madhe Nexhmije Pagarushën. U bënë kaq shumë vite që nuk të kemi pasur në Shqipëri, e kam ftuar në Shqipëri, qoftë të kalonte dhe disa ditë pushime, por vazhdimisht më është ankuar se nuk është mirë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse e shohim që është shumë mirë.” Më pas presidenti i uroi edhe 100 vite, dhe e falenderoi për çdo gjë që ka bërë për publikun shqiptar.

Përshëndetje e veçantë erdhi edhe nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili i përcolli urimet e tij me anë të një buqete me lule, në pamundësi për të qenë i pranishëm. Momenti më pikant i mbrëmjes për artisten e nderuar, ishte dhe akordimi i çmimit “Mirënjohje” nga Donald Trump, çmim i cili u dha në skenë nga përfaqësues të Akademisë së Shkencave Sociale të Floridas, të cilët i shprehën mirënjohje, pasi edhe në Amerikë, Nexhmija  ka korrur suksese të mëdha me zërin e saj brilant.

Teksa të gjithë kishin përgatitur surpriza për mbrëmjen dedikuar artistes e madhe, ajo çfarë nuk pritej ishte surpriza që Nexhmije Pagarusha kishte për të gjithë. Bashkë me këngëtaren Violeta Kukaj, Mbretëresha e Këngës Shqipe këndoi këngën “Ti mbushim gotat”, për të gjithë ata që edhe njëherë, donin të dëgjonin muzikë brilante nga një zë i mrekullueshëm.

Një mbrëmje plot emocione, surpriza dhe nderime, ishte festa e Tiranës për 85-vjetorin e Nexhmije Pagarushës. Bilbili i Kosovës mbush 85 vite, e vlera e veprës së saj mbetet e njëjtë pavarësisht kalimit të kohës. Të gjitha epitetet e mësipërme janë bërë sinonim për emrin e Nexhmije Pagarushës dhe mbase të gjithë kanë të drejtë sepse të gjithë gjejnë diçka të veçantë në zërin e saj magjik.

Nuk u pretendua të thuheshin të gjitha në atë ceremoni të vogël, përkundrejt artit të saj gjigand, dhe sidomos kur bëhet fjalë për një kolos siç është Nexhmije Pagarusha, por sigurisht që të gjithë dashamirësit e artit, u munduan sadopak t’i shpërblenin në një farë mënyre gjithë kënaqësinë dhe emocionin që u ka dhuruar zëri i saj, prej vitesh me radhë. Newsbomb.al/

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Nexhmije Pagarusha feston 85 vjetorin në Tiranë, Meta në sallë, Rama mungon dhe Basha kishte aktivitet familjar
BRILANTE/ Dy tenorët e njohur vijnë në Tiranë, dëgjoni si i këndojnë Nexhmije Pagarushës (VIDEO) »
Article Logic
Execution time: 0.0047957897186279
array(1) { ["section"]=> string(123) "ne-vend-me-m-harru-ju-me-shume-po-m-doni-nexhmije-pagarusha-elektrizon-tiranen-me-shume-pabesi-kam-arritur-deri-ketu-119733" }