Neranxi akuzon Xhungën e Bazen për gjobvënie në media, reagon Baze: Pretendon se Rama i futi krimbat te frutat e thata

Publikuar tek: aktualitet, më 19:09 22-08-2017 Neranxi akuzon Xhungën e Bazen për gjobvënie në media, reagon Baze: Pretendon se Rama i futi krimbat te frutat e thata

Pas lajmit të publikuar në disa portale lidhur me praninë e krimbave në frutat e thata që shet kompania Neranxi, reagoi pronari i kësaj kompanie Nikollaq Neranxi duke akuzuar fortë dy gazetarët Nikollaq Neranxi dhe Rudina Xhunga.

Ai reagoi ashpër duke i cilësuar ata si gjobëvënës të kohëve modern dhe që nuk bëjnë gazetari të mirfilltë. Por pas këtyre akuzave mjaft të forta të Neranxit, ka ardhur dhe kundërpërgigja e Mero Bazes.

Nëpërmjet gazetës së tij në versionin online, Baze tenton të ironizojë me reagimin e Neranxit duke thënë se “pretendon se krimbat i futi Rama”.

MË POSHTË REPLIKAT TË PLOTA:

Nikollaq Neranxi:

Gjobëvënësit e mediave, krimbat që duan të na e shesin errësirën për dritë!

Nga Nikollaq Neranxi

Unë kam vijuar duke punuar edhe në vitin e mbrapshtë 97 dhe i njoh shumë mirë gjobevënësit. Në fillim më dilnin me maska dhe duhej t’ju jepje patjetër para, përndryshe të vrisnin. Më vonë, filluan të miqësohen, hiqnin maskat dhe bënim dhe pak muhabet. Shpresonin shumë që rrumpalla në Shqipëri të zgjaste, sepse fitonin më shumë se unë që kisha biznes! Sot që kanë kaluar 20 vite, gjobëvënësit ka raste që i gjejmë në rradhët e gazetarëve. Rrjetet sociale dhe portalet iu kanë dhënë mundësinë që gjobevënien ta quajnë “denoncim”. Një rast i tillë më ndodhi dje, kur Rezart Lahi, i cili u bë personazh publik fillimisht si gazetar i Shijak Tv, kishte nxjerrë ca bajame me krimba në një tavolinë dhe thoshte që një shoku im i gjeti tek dyqanet “Neranxi”!!! Dritëshkurtër dhe dashakeqës, Rezarti i cili është edhe profesor, akoma nuk ka mësuar se profesionet e mashtrimit, shërbëtorit dhe gjobvënësit, nuk të çojnë larg.

Personalisht kam qenë gjithnjë i përgatitur për tu përballur me armiq, kundërshtarë e hajdutë të veshur me pushtet ose jo. E kam thënë dhe e përsëris, që vlera më e madhe që unë kam, është se jam njeri i lirë dhe i pa marrë peng nga askush dhe do mbroj deri ditën e fundit të jetës, çdo gjë që unë e kam bërë me djersë e mbi të gjitha, emrin dhe markën time. Kam qenë në vijë të parë teksa jam përballur me çdo lloj pushteti kur bëhej fjalë për cënim të interesave të gjithë shoqërisë, sepse kur dal kundër taksave të larta dhe gjobave, i shërbej të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Kur dal kundër çmimit të lartë të energjisë apo ujit, i shërbej të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Kur dal kundër grabitjes së pronave në bregdet nga mafia në pushtet, kjo i shërben të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Në këmbim të këtij qëndrimi, kam patur mjaft probleme. Aq shumë kontrolle më bëjnë në kompani (shumica të pajustifikuara), me shpresën mos gjejnë ndonjë shkelje, sa më besoni nuk ngeli Rezarti nga facebooku të tregojë cilësinë e produkteve të “Neranxit”.

Në shërbim të pushtetit u vunë edhe disa gazetarë të njohur, duke më goditur mua apo emrin e biznesit tim. Natyrisht që njerëzit e zgjuar i kuptojnë qëllimet e tyre, por gjithsesi gjërat duhen thënë troç.

Psh, krimbat e Rezartit, i strehoi me shumë zell në portalin e saj Rudina Xhunga, duke përmendur emrin e kompanisë time. Rudina paska një problem të madh, qenka inatçore dhe hakmarrëse, pa i bërë asgjë të keqe, përkundrazi! Zhgënjyese për mua, sepse kisha shumë respekt! Kur hapi portalin e saj, kërkoi që ta ndihmoja duke vendosur reklamat e biznesit tim. Më tha që do të ishte zëri i së vërtetës në atë portal, sepse ishte pronë e saj, prandaj pranova. Por kur i kërkova të pasqyronte vjedhjen masive të pronave në bregdetin e jugut, nuk e bëri! Dhe unë nuk mund të bashkëpunoja me dikë që ose ka frikë, ose i shërben pushtetit dhe hoqa reklamat. Më erdhi keq, sepse kishte mundësi të ishte shqiponjë, jo të zgjidhte krimbat!

Të njëjtën gjë bëri Mero Baze! Nga zelli për t’i shërbyer Edi Ramës dhe Erion Velisë, një ditë hapi gazetën duke shkruar që unë i shërbej grekëve, kam pashaportë greke, këndoj hymnin grek dhe ca haluçinacione të tjera, vetëm sepse unë dhe bashkëqytetarët e mij, po luftojmë për pronat e trashëguara të cilat duan të na i grabisin. Nëse dikush e përdor kauzën tonë të pronave për qëllime të tjera, ky nuk është probemi im. Tani që unë e kam hedhur në gjyq për shpifje dhe cënim të nderit, madje tani që as pashaportë greke s’më gjeti dot, po ngushëllohet duke më luftuar me krimbat e Rezartit!!!

Për ta mbyllur, dua t’ju sqaroj se nuk e bëra këtë shkrim për tu qarë, unë jam luftarak, madje funksionoj më mirë kur më luftojnë. Por sinqerisht mendoj, si mund të kërkojmë të bëjmë përpara si shoqëri, kur i forti, tregtari i drogës, vrasësi, përdhunuesi, është burrë i mirë, madje është edhe pjesë e pushtetit, ndërsa njerëzit që punojnë me ndershmëri, paguajnë taksa, punësojnë njerëz, ngrejnë dhe zërin ndaj padrejtësive që i bëhet shoqërisë, luftohen jo vetëm nga pushteti, por edhe nga ata që kanë për mision të jenë përballë pushtetit, jo t’ju shërbejnë deri në neveri, siç po bëjnë këta që përmenda!?

Në këtë vend që shumicës i ka humbur shpresa dhe besimi, mua s’më ka humbur akoma. Të tre personazhet e këtij shkrimi, kanë nga një padi në Gjykatë për prishje të imazhit të Kompanisë “Neranxi”. Do përballem një për një me çdokënd që i ka hyrë sportit të rrezikshëm të gjobevënies, të cilët ashtu si hajdutët me maska të vitit 97, urojnë që kjo rrumpallë të vazhdojë pa fund. Por gabohen rëndë, këta tregtarë të rrezikshëm, nuk do mund të vazhdojnë gjatë të na e shesin errësirën për dritë dhe ky nuk është një kërcënim, por një premtim dhe detyrim që kemi, për të emancipuar shoqërinë!

Mero Baze:

“Të dashur miq!

Të gjithë e patë se si Edi Rama kërkoi të më diskretitojë mua, duke më futur krima në qeset e frutave të thata.

Nga analiza që ne u bëmë krimbave që gjetëm, na rezultoi se ata ishin të lindur pas 25 qershorit, pra janë të rinj dhe kanë depërtuar aty përmes agjentëve që Rilindja ka futur në kompaninë tonë.

Siç na del nga analizat, agjentët e Edi Ramës kanë prekur me duar të palara në disa nga magazinat tona, frutat e thata.

Duart e palara kanë qenë të ngarkuara me larva krimbash.

Pasi është bërë mbyllja e qeseve, krimbat kanë filluar të ngjallen brenda qeseve, natyrisht, duke u ushqyer me bajame apo lajthi.

Në këtë aspect, na kanë bërë dëm dyfish, pasi përveçse kanë lindur pa leje aty brenda qeseve, ata kanë konsumuar dhe ushqimin tonë.

Zërat që na akuzojnë se ne kemi abuzuar duke shtuar peshën e frutave të thata me krimba, nuk qëndrojnë, pasi çmimi i frutave të thata është shumë më i lartë nga ai i krimbave dhe nuk kemi pas interes t’i fusim vetë.

Edhe ai gazetari që i publikoi, e mori një leksion të mirë në telefon dhe po guxoi të na diskretitojë përsëri krimbat, do ketë probleme.

Ata janë të infiltruar aty nga Rilindja e Edi Ramës.

Për këtë do të bëjmë një ankesë zyrtare pranë qeverisë greke në Athinë dhe do të kërkojmë t’i japin shtetësi greke Zahos, dhe t’ia heqin pas një muaji në shenjë proteste ndaj kësaj që ka ndodhur me krimbat në qeset e frutave të thata.

Edhe nga analizat që i bëmë vetë krimbave, na rezulton se ata janë pa gjak dhe pa ADN, pra nuk kanë identitet, dhe të tillë mund të jenë vetëm krimbat e prodhuar në mënyrë artificiale nga Rilindja.

Po qe se do ishte ndryshe, do ishin helmuar gjithë grevistët e çadrës, të cilët kanë konsumuar pa fund fruta të thata për tre muaj, fara luledielli dhe fruta të tjera nga qeset tona.

Duke shpresuar se do të hasim mirëkuptim në misionin tonë të diskretitimit të origjinës së krimbave në frutat e thata, dua t’u bëj me dije se kemi marrë gjithë masat që të tërheqim nga tregu gjithë frutat e thata me krimba, dhe t’i pastrojmë nga ato.

Pastaj do mbledhim gjithë krimbat dhe pasi t’u bëjmë një analizë të saktë biologjike, do arrijmë në përfundimet tona për origjinën e tyre dhe vlerat mjekësore që kanë si paarzitë.

Kjo, pasi jo çdo parazit është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Sidoqoftë, ne do flasim për vlerat e tyre kur të kemi gati analizat.

Deri atëhere, ju siguroj se mund të kemi sulme të tjera nga Edi Rama, por ne nuk do të tërhiqemi nga rruga jonë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, edhe pse është në dorë të çamëve, na ka inkurajuar të mos shqetësohemi nga krimbat, pasi në fund të fundit, ne ofrojmë fruta të thata me mish.

Për këtë, i falenderojmë që na gjenden pranë në këto ditë të vështira.”

Më shumë në këtë kategori: « Kërcënoi dhe i “zhvati” mijëra euro ish të dashurin italian, arrestohet 29-vjeçarja shqiptare
I merr flakë apartamenti, reagon menjëherë këngëtarja e njohur shqiptare »
Article Logic
Execution time: 0.024353981018066
array(1) { ["section"]=> string(122) "neranxi-akuzon-xhungen-e-bazen-per-gjobvenie-ne-media-reagon-baze-pretendon-se-rama-i-futi-krimbat-te-frutat-e-thata-89856" }