Nikoll Lesi: Nuk është ky Edi Rama që njohim

Publikuar tek: politike, më 18:21 23-06-2015 Nikoll Lesi: Nuk është ky Edi Rama që njohim Nikoll Lesi

Botuesi i “Koha Jonë” Nikoll Lesi pas daljes për shtyp,  për herë të parë pas zgjedhjeve, të kryeministrit Rama, thotë se e folura e kreut numër dy të shtetit nuk ishte në natyrën e tij. Për Lesin ky nuk ishte Edi Rama që njohim. Botuesi konstaton se Rama kishte arsye për t’u gëzuar duke listuar edhe bashkitë kryesore të marra prej PS por në fakt ishte i kontraktuar dhe i hutuar.

“Më në fund foli edhe kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Foli nën një emocion që nuk është në natyrën e tij. Edi Rama, edhe kur është në  humbje, ka aftësinë e madhe që të duket si fitues. Është oratori e lindur dhe e kultivuar, natyrisht. Sot nuk ishte ai Edi që njohim. Kishte arësye të ishte shumë i gëzuar sepse ka fituar zgjedhjet, ka marrë Tiranën dhe ka rifituar Durrësin. Pa përmendur bashkitë e tjera. Dhe duket se dhe në numërimin e votave për keshillat bashkiakë do të jetë parti e parë në shkallë vendi. Ka fituar në arenën ndërkombëtare siguri e mbështetje se bëri zgjedhje shumë korrekte, bile siç tha edhe vetë “këto ishin zgjedhjet e para në 24 vite, më të mira”. E ashtu janë në të vertetë, më të mirat. Opozita akuzoi se janë të blera, porse fakte  nuk ka. Në numërim mori pjesë opozita dhe nuk u tërhoq. Kështu që këto quhen zgjedhje shumë të mira. Dhe për këtë Rama duhej të shkëlqente në daljen e tij të parë pas zgjedhjeve. Kishte plotë arësye.

Por nuk ishte Edi ! Ishte një Ramë tjetër, paksa i kontraktuar dhe i hutuar, ndonëse prapë e mbante veten nën kontroll. Kush e njeh mirë e dallonte se diçka nuk shkonte brenda Edi Ramës”, shkruan lesi në komentin e tij.

“Ka diçka në të vertetë nga dje pasdite që nuk shkon mirë tek Edi Rama. Nuk është e kollajtë të presësh në besë Ilir Metën. Dhe PS e preu në besë LSI-në e Metës; në Pogradec, në Vorë, në Mallakastër , në Lezhë dhe në tre bashki të tjera, ku PS-ja nuk e votoi kandidatin e LSI-së, ndërkohë që  votuesit dhe simpatizantët e Metës e hodhën votën për kandidatët e PS-së. Ndaj Edi Rama nuk ishte në daljen e sotme me Ilir Metën , e jo vetëm kaq, porse as telefonat nuk i kanë hapur njeri tjetrit. Natyrisht Ilir Meta i ka bërë "block" Rames. Ka një fjalë të urtë popullore se “ në më rrejsh (gënjefsh) herën e parë, të vraftë Zoti, në më rrejsh herën e dytë, të rujt Zoti!”. Dhe kjo hera e dytë që Meta e hëngri nga PS, kjo është e pa kapërdishme nga Ilir Meta, siç kemi informacionet. “Tym” nxjerr kalaja e Metës dhe nuk dihet nëse “tymi” do të asfiskojë edhe qeverisjen në ditët në vazhdim apo nga “tym i zi” do të konvertohet në “tym të bardhë”!

Ndaj Edi Rama nuk ishte i lumtur sot. E di mirë kryeministri se çdo të thotë riftohje të marrëdhënieve me Ilir Metën.

Që PS-ja nuk e votoi LSI-në në këto bashki nuk ka asnjë nevojë për dyshim, por pyetja mbetet: A ishte direktivë e Edi Ramës apo paaftësi e deputetëve të PS-së në këto zona, të cilët nuk patën fuqinë bindëse mbi elektoratin e PS-së që ti bindnin për të votuar siç e donte koalicioni, pra kandidatin e LSI ?

Kjo është çështja; Rama apo PS-ja e tij e dogjën Metën në këto bashki?”, përmbyll komentin Nikoll Lesi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Fitorja e kandidatit të PD-së Niko Shupuli, festë edhe në Përmet (Video)
Përfundon numërimi për partitë në Cërrik, kryeson PS ndjekur nga LSI »
Article Logic
Execution time: 0.0096530914306641
array(1) { ["section"]=> string(49) "nikoll-lesi-nuk-eshte-ky-edi-rama-qe-njohim-14469" }