Nishani: Erdogan nuk kërkoi zyrtarisht mbylljen e shkollave të fondacionit “Gylen”

Publikuar tek: politike, më 20:42 18-05-2015 Nishani: Erdogan nuk kërkoi zyrtarisht mbylljen e shkollave të fondacionit “Gylen” Presidenti Bujar Nishani duke folur ne Tonight te Ilva Tares

Bujar Nishani, president i vendit, tha në Tonight me Ilva Taren se marrëdhëniet me kryeministrin janë institucionale dhe ai ngërç i para dy muajve për të cilin u fol, në një telefonatë mes presidentit dhe kryeministrit, ka qenë bisedë e atij momenti. Nishani tha se presidenti turk nuk ka kërkuar në asnjë moment gjatë vizitës zyrtare, mbylljen e shkollave të fondacionit “Gylen” si dhe foli në lidhje me lajmin për heqjen e bustit të Skënderbeut.

Por kreu i shtetit shton se problemet edhe institucionale ekzistojnë.

“Ajo ka qenë një bisedë e papranueshme që e kam refuzuar dhe e refuzoj në aspektin e etikës se çfarë përfaqëson institucioni i Presidentit të Republikës. Tani, kemi komunikuar në rastet kur kemi komunikim institucional. Më e fundit ka qenë reforma në ministrinë e Drejtësisë. Nuk ka pasur në fakt qëndrim të atij niveli serioziteti që unë kam pritur për reformën, por kjo mbetet cështje e debateve dhe konsultave. Për mua qeveria është qeveria e vendit tim, dhe kryeministri është kryeministri i vendit tim. Presidenti e përfaqëson vendin në cështje të rëndësishme dhe për këtë duhet respektuar.

Por nuk besoj se është niveli më i mirë i mundshëm. Kam gjithë vullnetin dhe gadishmërinë për të ofruar kontributin tim. Natyrisht përderisa ka cështje pezull që qendrojnë, do të thotë se ka probleme institucionale” tha kreu i shtetit Bujar Nishani.

Sa i përket Kumanovës, presidenti tha se shteti shqiptar ka mbajtur një qëndrim institucional. Lidhur me mungesën e ambasadorit në Shkup presidenti tha: Çështja e zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni nuk është cështje e ambasadës. Mungesa e ambasadorit është bërë publike prej kohësh dhe arsyeja e saj. Por kjo mungesë nuk e ka bërë të pamundur marrjen e informacionit.

Pikërisht në momentin që u mundua që kriza politike të merrte një kolor ndëretnik, mora masat e mia të menjëhershme pavarësisht qëndrimit të pareflektueshëm të qeverisë. Nuk është çështja nëse kalova përplasjen, por ushtrova detyrën si kryetar shteti për të dhënë mundësinë jo vetëm për prezencën e ambasadorit por edhe marrjen e informacioneve. Ngjarja e Kumanovës ishte e papritur për ne. Tentativa për ti ikur problemeve reale më bëri që të reflektoj për këtë situatë delikate dhe bëra emërimin e ambasadorit” tha Nishani. 

I pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit turk Erdogan, për mbylljen e shkollave të Fondacionit “Gylen”, Nishani tha se gjatë takimit zyrtar nuk është kërkuar një gjë e tillë.

“Në shqipëri nuk ka një organizatë të tillë terroriste, për sa i takon çështjeve të fondacionit “Gylen”, unë nuk mund të flas në emër të qeverisë, por kjo çështje nuk është trajtuar në asnjë rast në takimin zyrtar. Në mënyrë informakle është përmendur kjo çështje dhe unë i kam qëndruar mendimit tim se shkollat e financuara nga Fondacioni “Gylen”, janë shkolla jo vetëm të licensuara nga qeveria shqiptare por që plotësojnë të gjitha kushtet dhe mbi të gjitha laicitetin”, tha Nishani.

Më pas Nishani u shpreh se partneriteti strategjik me Turqinë është një pikë e rëndësishme për zhvullimin e vendit. Nishani tha se është e rëndësishme që shqiptarët të ruajnë trashëgiminë e të parëve, se feja e shqiptarit është shqiptaria.

“Vizita e Erdogan ishte një vizitë shumë e mirë dhe shumë e mirëpritur. Në aspektin e bashkëpunimit sidomos në luftën kundër terrorizmit, Shqipëria e konsideron një partner strategjik Turqinë. Bashkëpunimi ekonomik është një pikë e rëndësishme në këtë aleancë strategjike.

Financimi i Xhamisë së Namazgjasë duhet falënderuar. Është një vlerë e shtuar e kryeqytetit. Më duhet të them edhe njëherë, Shqiptarët duhet ta mbajnë fort atë trashëgimi që na kanë lënë të parët tanë se Fe-ja e Shqiptarit është Shqiptaria”, u shpreh Nishani.

I pyetur në lidhje me lajmin që u përhap në mediat sociale, për heqjen e bustit të Skënderbeut, Nishani tha se ky është një spekullim për të shantazhuar presidentin.

Ajo ka qenë një shpifje e ulët, një trillim, njerëz të cilët tentuan ta zhvendosin vëmendjen e vizitës. Ceremonia e dekorimit të Ergogan u zhvillua në Pallatin e Brigdave, aty ka tre salla paralele me njëra tjetrën. Salla ku është i vendosur dhe busti i Skënderbeut është salla “Skënderbej”, salla e mesit. Ajo është e ndarë me perde me dy sallat e tjera. Është qëndrim që duhet të na bëjë ne të reflektojmë. I kuzhinave të tilla mediatike, që kthehen në shantazh nga njerëz që mendojnë se do të friksojnë Presidentin e Republikës”, tha presidenti Nishani.

Sipas Nishanit, kjo kuzhinë mediatike, ka vite që sulmon dhe shantazhon Presidentin, por ai nuk ka thënë se kush është kjo media, dukë shtuar se “të gjithë e dinë”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bregu: Pa dekriminalizim nuk bëhet Reforma në Drejtësi
Peleshi për Ben Blushin: Kritika në PS ka. Por ndoshta jo shumë e shëndetëshme në kohë parazgjedhore »
Article Logic
Execution time: 0.01678991317749
array(1) { ["section"]=> string(85) "nishani-erdogan-nuk-kerkoi-zyrtarisht-mbylljen-e-shkollave-te-fondacionit-gylen-11437" }