Nishani i kthen Kuvendit Ligjin për Turizmin, ja argumentet e presidentit

Publikuar tek: politike, më 10:17 10-08-2015 Nishani i kthen Kuvendit Ligjin për Turizmin, ja argumentet e presidentit Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e miratuar nga deputetët për Turizmin. Ligji Nr.93/2015 votuar në seancën plenare të datës 27 korrik 2015, sipas Nishanit shkel rregullat e tenderimit publik, cënon parimin e decentralizimit të pushteteve si dhe cënon parimin e sigurisë juridike.

“Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.

Së pari: Ligji në nenin 31 pika 1 të tij përcakton se: ‘Ministria përgjegjëse për turizmin përgatit projekte për mbështetje të projekteve në fushën e turizmit’, ndërsa në pikën 3 përcakton se: ‘Ministria përgjegjëse për Turizmin nga fondi buxhetor i miratuar çdo vit financon projekte edukimi, promovimi dhe studime apo modele produktesh turistike në ndihmë të zhvillimit të turizmit të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas dhe të huaj.’ Për këtë, në ligj në pikën 4 të nenit 31 është parashikuar se ky fond mund të përdoret pa iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik. Pra legjislatori, ka parashikuar se Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit mund ta përdorë këtë fond pa iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik, ndërkohë që ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike në R.SH-së”, i ndryshuar, në nenin 7 të tij nuk ka përjashtuar aplikimin e rregullave të prokurimeve në rastin e përdorimit të fondeve në fushën e Turizmit. Duhej më parë të ishte parashikuar përjashtimi në ligjin bazë të Prokurimeve, në mënyrë që të bëhej një rregullim i tillë në nenin 31/4 të ligjit”, argumenton presidenti.

Po sipas Nishanit ky ligj cënon parimin e decentralizimit të pushteteve, ku qeveria u merr pronat vendorëve për t'ua dhënë investitorëve pa asnjë çmim.

“Së dyti: Ligji në nenin 34/2 të tij përcakton se: ‘Pasuritë e paluajtshme në administrim të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimi turizmi me VKM brenda 2 muajve nga miratimi i zonës kalojnë në administrim të Ministrisë përgjegjëse për turizmin’, ndërsa në pikën 3 të nenit 34 përcaktohet se: ‘Këshilli i Ministrave rast pas rasti miraton me vendim të veçantë transferimin në favor të shtetit pasuritë e paluajtshme të pushtetit lokal në pronësi të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit’.

Një rregullim i tillë ligjor bie në kundërshtim me nenin 13 të Kushtetutës, duke cënuar parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, mbi bazën e të cilave duhet të funksionojë qeverisja vendore. Gjithashtu, bie në kundërshtim dhe me nenin 113/1/b të Kushtetutës si dhe ligjin nr.8652 “Mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, (në nenin 8 pika 2), ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, në të cilat përcaktohet e drejta e pronësisë si një prej të drejtave themelore të njësive të qeverisjes vendore, dhe njëkohësisht u jep të drejtën e kryerjes së veprimtarive ekonomike dhe mbledhjes së të ardhurave. E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli bashkiak dhe është kryetari i bashkisë që zbaton vendimmarrjen e këshillit bashkiak lidhur me ushtrimin e të drejtës së pronës dhe të administrimit të saj në mënyrë të pavarur, duke realizuar të ardhura

Për më tepër, kjo e drejtë cënohet për sa kohë që në nenin 35 /5 të ligjit përcaktohet se në rastet e investitorëve me status të Investimeve Strategjike, Këshilli i Ministrave rast pas rasti vendos t’ia transferojë të drejtën e pronësisë të pasurisë së paluajtshme nga shteti tek investitori privat, përveç se më parë vendos t’ia vejë në dispozicion një investitori për një afat prej 99 vjetësh kundrejt çmimit 1 Euro. Pra është e qartë, se përmes këtij ligji cënohet prona e pushtetit vendor, ku Këshilli i Ministrave ia merr pronën pushtetit vendor dhe ia kalon investitorit privat pa asnjë çmim”, argumenton më tej.

Presidenti thekson se kushtet e vënies në dispozicion të pasurive shtetërore ndaj investitorëve duhet të përcaktohen në ligj dhe jo nga vendimet e qeverisë.

“Së treti: Rregullimet ligjore referuar nenit 34 dhe 35 të ligjit cënojnë parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohet mënyra rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore, ndërkohë që termi “vënie në dispozicion” nuk njihet as nga KC i R.Sh-së. Kushtet për vënien në dispozicion të pasurive shtetërore për një periudhë 99 vjet, dhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 Euro duhet të përcaktohen në ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, gjë e cila është rekomanduar dhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, por duket që nuk është marrë në konsideratë. (5)

Ligji ka paqartësi edhe në rastet, kur prona e konsideruar shtetërore është de facto pronë e një pronari, që pret të ekzekutojë një vendim përfundimtar, apo është në procese gjyqësore deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si rezultat i abuzimit të autoriteteve shtetërore me të drejtat e tij të pronësisë, apo qoftë edhe rasti kur pronari pret prej vitesh përmbylljen e një procesi administrativ të tejzgjatur për kthimin e pronës së tij që nga qeveria mund të jetë përfshirë në zonat e miratuara me përparësi zhvillim turizmi”, thotë Nishani.

 

LEXO EDHE:MIRATOHET ME 79 VOTA PRO TE MAXHORANCES PROJEKTLIGJI PER TURIZMIN

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pezullohen lejet e ndërtimit në të gjithë vendin
Luzi bën bilancin e zgjedhjeve të 21 qershorit: Të lira, transparente dhe të gjithëpranuara »
Article Logic
Execution time: 0.04280686378479
array(1) { ["section"]=> string(78) "nishani-i-kthen-kuvendit-ligjin-per-turizmin-ja-argumentet-e-presidentit-18109" }